Lajmet

Kuvendi i Republikës Sërpska dhe Dodik sfidojnë Bosnjën me referendum

Published

on

Kuvendi i Republikës Srpska (RS) më 22 gusht do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, me temë kryesore vendimin e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës ndaj Millorad Dodikut.

Dodik është dënuar me një vit burgim, por e ka shlyer dënimin me pagesë prej rreth 18 mijë eurosh. Përveç kësaj, ai është dënuar edhe me gjashtë vjet ndalim për të ushtruar funksione publike vendim që bëri që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Bosnje e Hercegovinës t’ia merrte mandatin e presidentit të RS-së.

Pasi deputetët hynë në sallën e Kuvendit të RS-së, shërbimet i informuan se ishte pranuar një thirrje anonime për një bombë të vendosur. Të gjithë u evakuuan nga ndërtesa dhe po pritet që policia të kryejë kontrollin.

Seanca do të vazhdojë në orën 11:30, tha para gazetarëve në Kuvend, sekretari Bojan Bosaniçiq.

Sipas propozimit, Kuvendi do të mund të formojë vetë komisione të posaçme për referendum, ndërsa ligji do të hynte në fuqi menjëherë ditën pas miratimit gjë e pazakontë për procedurat ligjore.

Nëse ndryshimet miratohen, deputetët pritet të votojnë për mbajtjen e një referendumi, përmes të cilit qytetarët do të shprehnin qëndrimin e tyre ndaj vendimeve të Gjykatës dhe KQZ-së, me të cilat Dodikut iu mor mandati.

Koalicioni qeverisës ka propozuar që referendumi të mbahet më 18 ose 25 tetor, por deri në fillim të seancës nuk ishte sqaruar se si do të formulohet pyetja e referendumit.

Kushtetuta e Bosnjës nuk parashikon që një nivel më i ulët i pushtetit, siç është entiteti, të mund të shpallë referendume për vendime të institucioneve shtetërore, çka e vë në pikëpyetje ligjshmërinë e gjithë procesit.

Dodik është dënuar për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, i ngarkuar me zbatimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.

Si president i RS-së, ai kishte nënshkruar ligje që parashihnin moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në territorin e entitetit. Këto ligje ishin anuluar paraprakisht nga Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt.

Mbrojtja e Dodikut ka paraqitur apel në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës, ndërsa KQZ është e obliguar që, sipas ligjit, të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e RS-së brenda 90 ditësh.

Continue Reading

lajme

Muriqi shënon për Kosovën dhe golin ia dedikon çlirimtarëve: “Drejtësi për çlirimtarët”

Published

on

By

Kosova ka shënuar më në fund golin e parë. Pas një gjuajtjeje të Ermal Krasniqit, topi u përplas fillimisht në traversë pas një devijimi, ndërsa Vedat Muriqi realizoi nga afërsia me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Muriqi golin ia dedikoi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët javën e kaluar u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Pas golit, para shikuesve, sulmuesi i Kosovës ngriti fanellën me mbishkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”, duke përcjellë mesazhin e tij në një moment emocionues për tifozët.

D.L

Continue Reading

Vendi

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Vendi

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një zyrtar që dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkeljet e ligjit.

Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari dyshohet se kishte pranuar në disa raste shuma prej 300 deri në 500 euro nga pronarë të ndryshëm biznesesh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 24 shtator janë kontrolluar ambienti i punës dhe veturat që i dyshuari kishte në shfrytëzim. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon celular.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara