Lajmet

Kush janë vendet pa ushtri dhe cilat janë përfitimet e tyre?

Shumica e vendeve të botës nuk i dëgjojnë thirrjet për eliminimin e ushtrive.

Published

on

Kënga e famshme e John Lennon e vitit 1969 “Give Peace a Chance” (Jepini një shans paqes) u bë një baladë kundër luftës për një brez, madje edhe më tej. Por pavarësisht shumë lëvizjeve për paqe që ekzistojnë, shumica e vendeve të botës nuk i dëgjojnë thirrjet për eliminimin e ushtrive.

Aktualisht shpenzuesi më i madh për forcat e armatosura janë Shtetet e Bashkuara, me 801 miliardë dollarë të shpenzuara për vitin 2021. Pas saj vjen Kina me 293 miliardë dollarë. Por shumica e vendeve të botës, nuk janë lojtarë kryesorë në gjeopolitikë. Ato mbështeten për mbrojtjen tek vendet më të mëdha.

Por kur një vend eliminon ushtrinë e tij, ka jo pak përfitime. Para së gjithash, nuk shpenzon miliona apo miliarda për armë, dhe këto fonde mund të përdoren për gjëra të tjera, për të rritur ekonominë apo për të ofruar shërbime. Së dyti, vendet pa ushtri janë më të qëndrueshme, pasi shanset për një grusht shteti janë shumë të vogla. Ja cilat janë disa nga vendet pa ushtri.

Andorra

E ndodhur midis Spanjës dhe Francës, ky mikro-shtet i ka fillesat në fundin e shekullit XIII, kur, konkurrenca midis Spanjës dhe Francës, bëri që vendi të sundohej me rotacion nga dy princa, nga të cilët njëri ishte nga Franca dhe tjetri nga Spanja. Ky sistem u shpërbë vetëm në vitin 1993, kur u miratua një formë kushtetuese e qeverisjes.

Gjithsesi mbrojtja e Andorrës, një vend me vetëm 78 mijë banorë, sigurohet ende sot nga Franca dhe Spanja. Të ardhurat për frymë në Andorra janë më të larta se mesatarja midis vendeve evropiane, mbi 40.000 dollarë. Ku vend mbahet nga turizmi, shitjet me pakicë dhe sistemi bankar.

Samoa

Vendi shumë i bukur ishullor i Paqësorit, është qendra e kulturës polineziane. Samoacilësohet si Hauaiki, atdheu origjinal polinezian, nga i cili ishullorët ndërmorën udhëtime epike nëpër Paqësor për t’u vendosur ishuj aq të largët sa Rapa Nui dhe Hauai. Samoa mban lidhje të forta me Zelandën e Re.

Traktati i Miqësisë i nënshkruar në vitin 1962, i jep Samoas mundësinë t’i kërkojë Zelandës së Re ta përfaqësojë atë ndërkombëtarisht dhe ta mbrojë diplomatikisht. Mbrojtja ushtarake është e nënkuptuar. Forca e vogël policore, përgjegjëse për zbatimin e ligjit, ka në inventar vetëm 142 armë të vogla.

Qyteti i Vatikanit

Qyteti i Vatikanit është një enklavë e pazakontë, me një sipërfaqe prej 0.44 km2, e pozicionuar brenda kryeqytetit italian, Romë. Ajo është epiqendra e fuqisë së Kishës Katolike Romake. Qyteti i Vatikanit kontrollohet teknikisht nga Selia e Romës, dhe njihet për mbrojtjen nga rojet e famshme zvicerane.

Rojet zvicerane cilësohen ndonjëherë si “Ushtria e Vatikanit”. Në fakt ato janë truprojat e papës dhe rojet e qytetit të Vatikanit. Ka vetëm 100 të tillë. Vatikani ka gjithashtu edhe Korpusin e Xhandarmërisë, policinë dhe njësitë e zjarrfikësve. Puna e tyre ka të bëjë me luftimin e krimeve të vogla si për shembull grabitja e turistëve.

Kosta Rika

Konsiderohet shpesh si një shembull i stabilitetit, në një rajon që historikisht ka qenë i trazuar me revolucione dhe trazira. Kosta Rika nuk ka përjetuar që nga fundi i viteve 1940 ndonjë grusht shteti apo trazira politike serioze. Pas një lufte civile që përfundoi me një kompromis, Kosta Rika miratoi një kushtetutë të re në vitin 1949.

Ajo e eliminoi ushtrinë e saj, hera e parë që në histori për një vend modern. Ai eksperiment prodhoi një politikë të jashtme të përkushtuar në mënyrë rigoroze ndaj diplomacisë, dhe i dha mundësi vendit t’i kanalizonte shpenzimet ushtarake në zhvillimin ekonomik dhe social. Sot PBB0ja për frymë është mbi 12.000 dollarë, shumë herë më e madhe sesa fqinji i saj verior Nikaragua.

Lihtenshtajni

Ndodhet në rajonin alpin midis Austrisë dhe Zvicrës, dhe e ka shpallur pavarësinë që në vitin 1866. Ky vend shumë i vogël, nuk ka burime natyrore me vlerë, shumë pak bujqësi dhe asnjë industri të rëndë. E megjithatë ka një ekonomi të fortë, të bazuar tek turizmi dhe sektori bankar.

Në vitin  2019 ky vend i vogël me rreth 38.000 banorë kishte një PBB prej mbi 6 miliardë dollarësh ose 175.000 dollarë për frymë. Lihtenshtajni nuk ka ushtri po vetëm një forcë policore. Ushtria e tij u shpërbë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.

Monako

Principata është e famshme për luksin e saj përgjatë Rivierës Franceze, me shumë resorte dhe kazino. Monako është si një magnet për të pasurit. Të ardhurat për frymë këtu janë 173.000 dollarë. Ky mini-shtet drejtohet nga një princ si dhe nga një Këshill Kombëtar. Monako ekziston prej 5 shekujsh, ndërsa në vitin 1861 siguroi sovranitetin e plotë. Nuk ka ushtri por vetëm një forcë të vogël policore, prej pak më shumë se 100 personash. Edhe pse është e trajnuar në stërvitje dhe taktika ushtarake, roli i saj është të mbrojë princin.

Islanda

Islanda u sundua për herë të parë nga vikingët në fundin e shekullit IX. Përgjatë historisë është pushtuar në fillim nga Norvegjia dhe më pas nga Danimarka. E rifitoi sovranitetin e saj në vitin 1944 si rezultat i Luftës së Dytë Botërore. Vendi u anëtarësua në NATO në vitin 1949 si një nga anëtarët themelues të saj.

Po çfarë kontributi jep në aleancë duke qenë se nuk ka një ushtri të mirëfilltë? Territori i saj përdoret si një bazë ushtarake, pasi gjendet në një pozitë shumë të rëndësishme strategjike midis Amerikës së Veriut dhe Evropës.

Panamaja

Ky vend ka pasur një rëndësi të veçantë për Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i shekullit XX-të. Deri në atë kohë, Panamaja ishte një territor që i përkiste Kolumbisë. Shtetet e Bashkuara donin të ndërtonin një kanal atje për të lidhur Oqeanin Paqësor me atë Atlantik. Kolumbia e refuzoi ofertën, ndaj të nxitur nga Shtetet e Bashkuara, revolucionarët në Panama shpallën pavarësinë në vitin 1903, dhe kanali nisi të ndërtohet shumë shpejt.

Historia e Panamasë gjatë shekullit XX-të ka qenë kaotike. Trazirat civile dhe grushtet e shtetit, sollën në shumë raste ndërhyrjen e SHBA-së, ndërsa vendi luhatej midis demokracisë dhe diktaturës ushtarake. I fundit nga këta diktatorë ishte Manuel Noriega, i njohur për manipulimin e zgjedhjeve, korrupsionin dhe përfshirjen në trafikun drogës.

Shtetet e Bashkuara e pushtuan vendin dhe e përmbysën qeverinë  e tij në vitin 1989. Qeveria e re e shpërndau ushtrinë në vitin 1994. Sot Panamaja e ruan rendin përmes Policisë Kombëtare të Panamasë (PNP), e cila ka disa njësi paraushtarake. Që nga eliminimi i ushtrisë, Panamaja nuk ka përjetuar asnjë grusht shteti.

Marrë me shkurtime nga Grunge – Bota.al

Lajmet

Sveçla i përgjigjet ashpër Vulin-it: Deklaratat e tij janë kërcënim i hapur ndaj Kryeministrit Kurti

Published

on

By

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ish-shefit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandar Vulin. Ky i fundit, duke marrë shkas nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, kishte përdorur një analogji me shërbimin izraelit Mossad për të kërcënuar tërthorazi udhëheqësit e Kosovës.

Ndërsa, Sveçla e cilësoi këtë gjuhë si një thirrje të hapur për destabilizim dhe operacione të dhunshme në Ballkan.

Sipas ministrit Sveçla, pyetja e Vulin-it se “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, është një mesazh i rrezikshëm që synon normalizimin e sulmeve sekrete.

“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur… dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë”, shkruan Sveçla.

Gjithashtu, ministri rikujtoi se Vulin është një zyrtar i sanksionuar nga SHBA-të për lidhjet e tij me Rusinë dhe se deklaratat e tij reflektojnë mendësinë e vjetër të shërbimeve serbe, të cilat historikisht kanë kryer vrasje politike.

Lidhur me këtë, ai shtoi: “Kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe ‘di ta bëjë këtë’, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm… Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cenim të sovranitetit.”

Sveçla gjithashtu zbuloi se institucionet e sigurisë kanë ndaluar së fundmi dy bjellorusë dhe një rus, të cilët kishin hyrë ilegalisht nga Serbia. Sipas tij, këta persona kishin trajnime ushtarake për eksplozivë dhe pajisje që përkonin pikërisht me paralajmërimet e Vulin-it për veprime operative në terren.

Në mbyllje të reagimit të tij, ministri u shpreh i prerë se Kosova nuk do të frikësohet nga asnjë lloj shantazhi që vjen nga Beogradi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës… janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, ka njoftuar Mnistri Sveçla.

 

Continue Reading

Lajmet

Vazhdon dëshmia e ekspertit të kriminalistikës në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

Published

on

By

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës po vijon edhe këtë të mërkurë dëshmia e ekspertit të kriminalistikës, Koen Herlaar.

Ai po jep dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët ballafaqohen me akuza për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Seanca nisi me pyetjet e avokatit Jonathan Elystan Rees, i cili përfaqëson mbrojtjen e Bashkim Smakajt, por me propozim të prokurorisë dhe miratim të gjyqtarit Christoph Gosnell, procedura kaloi shpejt në seancë të mbyllur për publikun.

Herlaar është dëshmitari i dytë i thirrur në këtë rast dhe e ka nisur deklaratën e tij që prej ditës së martë.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, gjykata pritet të dëgjojë dëshmitarin e tretë, i identifikuar me numrin ‘9’. Ky proces pason seancën fillestare të 27 shkurtit 2026, ku të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për pikat e aktakuzës. Po atë ditë nisi edhe dëshminë dëshmitari i parë nën masa mbrojtëse, duke shënuar kështu fillimin e fazës së provave në këtë rast.

Ndërkohë, ish-presidenti Hashim Thaçi mbetet në paraburgim në Hagë që prej fundit të vitit 2020. Përveç procesit kryesor për krime lufte, ai tashmë po gjykohet edhe për këtë aktakuzë të re të ngritur në vitin 2024, e cila fokusohet specifikisht në pretendimet për ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Continue Reading

Lajmet

Sot pritet të thirret seanca për presidentin, oraret e mundshme

Published

on

By

Burime të “Indeksonline”, brenda Kuvendit, bëjnë të ditur se seanca mund të ftohet në ora 13:00 ose në orët e mbrëmjes, raporton Ekonomia online.

Emri i lakuar për kandidat është Glauk Konjufca, ndërsa opozita deri më tani nuk ka paraqitur ndonjë propozim zyrtar për këtë post.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit disa takime me krerët e partive opozitare, përfshirë Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun. Megjithatë, nga këto takime nuk është bërë e ditur nëse është arritur ndonjë dakordim konkret rreth kandidaturës për president.

Ndërkohë, emri i Vjosa Osmanit nuk po përmendet aktualisht si pjesë e diskutimeve të fundit politike, edhe pse ajo mban postin e presidentes.

Mbetet të shihet nëse gjatë seancës së sotme do të ketë propozime zyrtare dhe nëse do të arrihet konsensus mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit. /Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

Rutte nga Shkupi: KFOR-i mbetet garantues i fuqishëm i sigurisë në Kosovë

Published

on

By

Gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar se misioni i KFOR-it do të mbetet i fuqishëm dhe plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat e tij në Kosovë.

Rutte vlerësoi lart partneritetin me Shkupin, duke theksuar se ky shtet ka qenë një mbështetës i kahershëm i forcave paqeruajtëse.

“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, deklaoroi Rutte.

Nga ana tjetër, vetë misioni i KFOR-it ka sqaruar se për momentin nuk ka ndryshime rrënjësore në strukturën apo numrin e forcave të saj, por aleanca rishikon dhe përshtat periodikisht praninë e saj në varësi të zhvillimeve në terren.

Për momentin, në Kosovë shërbejnë mbi 4,600 trupa të KFOR-it, ku Italia prin me mbi 900 ushtarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një rol kyç me rreth 600 trupa të dislokuara.

Continue Reading

Të kërkuara