Nga kujtimet e shqiptarëve të larguar prej më shumë se një shekulli thuhet se Naum Konzha nga Gjirokastra ka qenë i pari i cili arriti në Brisbane në 1885 me gruan e tij angleze dhe vendosi të qëndronte atje përgjithmonë.
Më pas mbërritën edhe emigrantë të tjera, sepse siç zakonisht ndodhte emigrantët ndihmonin njëri-tjetrin dhe tërhiqnin edhe familjet e tyre. Komuniteti u shtua dhe u shumua. Sot shqiptarët janë të integruar në jetën e vendit dhe gëzojnë të njëjtin status juridik si të gjitha pakicat e tjera etnike që jetojnë dhe punojnë atje.
Në Viktoria janë hapur katër shkolla të gjuhës shqipe në disa zona. Shteti australian financon mësimin e gjuhës plotësuese me kurse të zhvilluara një herë në javë, por kjo mundësi nuk është shfrytëzuar sa duhet nga shtetasit shqiptarë. Kjo ka ndodhur, sepse nuk është arritur numri i mjaftueshëm i nxënësve, pavarësisht se mundësitë dhe kushtet për zhvillimin e mësimit janë krijuar.
Para pak vitesh tri shkolla të gjuhës shqipe janë mbyllur. Prindërit shqiptarë nuk tregojnë një interes të lartë për ti mësuar fëmijëve gjuhën amtare. Për shembull në Greqi jetojnë shumë shqiptarë dhe gjuha shqipe sipas shifrave duhet të ishte gjuhë e dytë, por pavarësisht se ekzistojnë shumë shkolla mungon interesi. Gjithashtu edhe në Turqi, ku pjesa më e madhe e shqiptarëve të emigruar shekuj më parë pothuajse janë asimiluar.
Vala tjetër e emigrimit në Australi ishte në vitin 1960 kryesisht shqiptarë nga Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi. Vala tjetër e emigrimit ishte sërish nga Kosova në vitin 1990. Më pas edhe shqiptarë të tjerë emigruan në vitin 1990.
Sipas regjistrimit të popullsisë të bërë nga shteti Australian rezultojnë se në këtë vend jetojnë 13.141 shqiptarë. 2396 prej tyre janë shqiptarë të lindur në Shqipëri. Sipas rezultateve zyrtare janë afërsisht 8000 shqiptarë që flasin shqip, por këto të dhëna nuk janë shumë të sakta.
Sipas të dhënave të mbledhura nga komunitetet shqiptare llogaritet se në Australi janë rreth 20 mijë shqiptarë.
Babai i profesorit të njohur në Australi në shkencat e mjekësisë, Avni Sali emigroi nga Voskopoja e Korçës. Profesor Avni Sali ka lindur në Sheparton, por ndihet shqiptar. Karriera e tij është shumë e larmishme dhe ai është një ndër shqiptarët më të suksesshëm në Australi.
Avni Sali u emërua si profesor dhe u bë Dekan Themelues i Shkollës së Lartë të Mjekësisë Integruese në Universitetin e Teknologjisë Swinburne (Melburn) nga viti 1996 deri në mbylljen e tij në 2005.
Në 2005, Sali themeloi Institutin Kombëtar të Mjekësisë Integruese (NIIM), një “organizatë jo fitimprurëse që kryen kërkime dhe mësimdhënie në Mjekësinë Integruese”.
Gjithashtu më parë nga viti 1983, Sali ka qenë në bordin e drejtorëve të “Gawler Cancer Foundation”, themeluar nga Ian Gawler. Ai shërbeu si president midis 1999 dhe 2002. Ai është gjithashtu president i Këshillit Ndërkombëtar të Mjekësisë Integruese.
Në 1992, Sali bashkë-themeloi Shoqatën Australasian Integrative Medicine (AIMA), ku shërbeu dy vjet si president dhe kaloi vitet e mbetura si anëtar bordi.
Në vitin 2009, Sali u emërua profesor nderi në Universitetin e Queensland. Që nga viti 2013 ai është profesor në Institutin Cairnmillar në Melburn./ Marrë nga “Thesari”.
Policia austriake ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për trafikim të narkotikëve gjatë një operacioni pranë Schwechat, në Austrinë e Poshtme.
Në mesin e të arrestuarve janë tre shtetas shqiptarë, të moshave 46, 42 dhe 38 vjeç, si dhe tre shtetas italianë, të moshave 72, 53 dhe 23 vjeç.
Hetimet ndaj grupit të dyshuar kishin nisur në fillim të qershorit nga Zyra e Policisë Kriminale Shtetërore të Vjenës. Më 1 tetor, pas veprimeve hetimore, policia identifikoi një lokacion dhe e vendosi nën vëzhgim me mbështetjen e njësisë speciale WEGA.
Gjatë operacionit, gjashtë personat u arrestuan. Hetuesit kishin siguruar edhe një kartë çelësi për një dhomë hoteli në Austrinë e Poshtme, ku gjatë kontrollit u gjetën rreth 11 kilogramë kokainë, para të gatshme dhe disa telefona celularë.
Tre shtetasit shqiptarë dhe tre shtetasit italianë janë dërguar në paraburgim.
Autoritetet austriake nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me identitetin e të arrestuarve apo rolin e tyre të dyshuar në trafikimin e drogës./A.K/
Policia suedeze ka qëlluar dhe plagosur një burrë të armatosur pranë Pallatit Mbretëror në qendër të Stokholmit.
Ngjarja ka ndodhur të martën në mbrëmje, pasi policia pranoi një njoftim për një person që po shkaktonte shqetësim dhe dyshohej se ishte i armatosur.
Policët që kanë mbërritur në vendngjarje kanë hapur zjarr ndaj burrit, i cili është goditur nga plumbat dhe është dërguar në spital. Sipas policisë së Stokholmit, plagët e tij janë serioze, por nuk konsiderohen kërcënuese për jetën.
Sipas raportimeve të mediave suedeze, burri ishte afruar te rojet e Pallatit Mbretëror i armatosur me thikë dhe u kishte kërkuar që ta qëllonin.
Policia më vonë ka njoftuar se ka nisur hetim për “kërcënime të rënda ndaj një zyrtari publik” dhe për një vepër të rëndë që lidhet me përdorimin e thikës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka pasur rrezik për publikun, ndërsa ende nuk janë dhënë detaje për motivin e ngjarjes apo identitetin e personit./A.K/
Pamjet drejtpërdrejt të transmetuara nga ekipet e Reuters TV në qytetet Lyon dhe Strasbourg tregojnë përplasje të ashpra mes protestuesve dhe policisë anti-protestë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Në Lyon, në juglindje të Francës, tym i zi u ngrit nga një zjarr i ndezur në një kryqëzim me komunikacion të dendur, rreth të cilit ishin grumbulluar protestuesit. Ndërkohë, në Strasbourg, në lindje të vendit afër kufirit me Gjermaninë, pamjet filmike shfaqën përleshje direkte mes forcave të rendit dhe protestuesve, disa prej të cilëve kishin mbuluar fytyrën me shall ose maska të zeza.
Autoritetet franceze kanë akuzuar elementë anarkistë për infiltrim në protestat e ligjshme të nxënësve të shkollave të mesme me qëllim nxitjen e dhunës në rrugë – një dukuri e përsëritur gjatë valëve të kaluara të protestave në Francë.
Për të zbutur pakënaqësitë, Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, u ka bërë thirrje publike nxënësve që të shprehin ankesat e tyre përmes një konsultimi online të hapur deri më 23 tetor.
“Nxënës të shkollave të mesme, është radha juaj të flisni. Na tregoni për vështirësitë dhe pritshmëritë tuaja në secilën prej shkollave tuaja. Kontributet tuaja do të ushqejnë një plan veprimi me dëshmi të matshme dhe një afat kohor të detajuar të zbatimit. Dhe ne do të jemi përgjegjës para jush”, shkroi Geffray në platformën X.
Kjo valë protestash për më shumë financim në arsimin e mesëm është më e madhja që nga vitet 1990, periudhë kur qeveria zgjeroi qasjen në provimin e maturës (baccalauréat) pa siguruar burime të mjaftueshme financiare për shkollat.
Sfondi i këtyre trazirave shoqërohet nga një krizë e thelluar ekonomike. Kostoja e huamarrjes për Francën ka arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i viteve 2000, ndërsa rendimenti i obligacioneve 10-vjeçare prekën shifrën rekord prej 5%. Rritja e normave të interesit dhe rënia e euros kanë ngritur shqetësime në të gjithë zonën e eurose, megjithëse Ministri i Financave, Roland Lescure, deklaroi se për momentin nuk ka nevojë për ndërhyrjen e Bankës Qendrore Evropiane.
Ish-drejtori i shërbimit gjerman të inteligjencës së jashtme (BND), August Hanning, është arrestuar nën dyshimin për spiunazh dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore, raportojnë mediat gjermane.
Hanning, i cili udhëhoqi BND-në gjatë periudhës 1998–2005, dyshohet se ka siguruar dokumente të klasifikuara përmes një ish-punonjësi për t’i përdorur në veprimtarinë e tij si konsulent privat. Sipas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria Federale e Gjermanisë – të publikuara nga mediat WDR, NDR dhe Süddeutsche Zeitung – materialet e konfiskuara përfshinin raporte konfidenciale të inteligjencës të destinuara për Kancelarinë Federale.
Ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda penale, përfshirë spiunazh ndaj shtetit, tradhëti në tentativë, si dhe veprimtari ilegale në cilësinë e agjentit të një shërbimi sekret. /BLID/