Në vazhdën e hetimit për keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës lidhur me përvetësimin e telefonave mobil në vlerë prej 400 mijë eurosh, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar dje edhe Afrim Pupovcin, pronar i kompanisë “K.KOPEX SH.P.K”, me bazë në Pejë.
Arrestimi i tij, siç merr vesh Sinjali, është realizuar për shkak te dyshimit se biznesi “K.KOPEX SH.P.K” i ka lëshuar faktura fiktive biznesit “Zone Mobile”, i cili ishte kontraktor i Ndërmarrjes Publike “Telekomi” për furnizim me telefona mobil, kontratë që parashihte shitjen e telefonave mobilë në vlerë prej 400 mijë eurosh.
Burimet bëjnë me dije se hetuesit policor kanë gjetur një varg provash të cilat provojnë se biznesi i Pupovcit nuk ka realizuar asnjë import të telefonave dhe rrjedhimisht faturat për kompaninë “Zone Mobile” kanë qenë fiktive.
Arrestimin e tij për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe vëllai i Pupovcit. Megjithatë ai ka thënë se vëllain nuk e ka fajtor, por për të gjitha këto fajet i ka shoqëria.
“Vëllai im është keqpërdor nga shoqëria. Ai është kthy nga Norvegjia dhe është në Kosovë që pesë vite. Ai e ka çel firmën dhe ka mendu me bë diçka, por fajtor nuk është. Ai asgjë nuk ka në dorë, ai nuk ka kartelë bankare e kurrgjo hiq. Prej dje që është arrestu për t’cilën më kanë informu policia, nuk di asgjë”, ka deklaruar ai.
I pyetur për dyshimet që rëndojnë ndaj tij, vëllai i Pupovcit tha se nuk është në dijeni për to.
Biznesi “K. KOPEX SH.P.K.”, figuron edhe në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, me pronar Afrim Pupovcin. Aktivitet primar i kësaj kompanie është tregtia me shumicë e lëndëve djegëse të ngurta, të lëngëta ose të gazta dhe produkteve të lidhur me to, teksa kapital të raportuar ka vetëm 5 mijë euro.
Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe me “Zone Mobile”, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm deri në publikimin e artikullit.
Përveç pronarit te “K.KOPEX” i cili u arrestua dje, burimet thonë se do të ketë edhe arrestime të reja sepse numri i personave të përfshirë në keqpërdorimet e aseteve të Telekomit, është edhe më i madh.
Ndryshe, në fund të marsit katër persona ishin arrestuar pasi dyshoheshin për keqpërdorimin e një kontrate mes Telekomit të Kosovës dhe një operatori ekonomik.
Në prangat e policisë kanë rënë edhe Kreshnik Musliu, vëllai i ish-shefit të marketingut në Telekom, Trim Musliut dhe Denis Ceman, ish-këshilltari i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.
Po ashtu nën pranga ishte vënë edhe ish-drejtori i Financave dhe Thesarit, Armend Osaj.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kishin mësuar se Musliu po dyshohet se ka falsifikuar shkresat zyrtare dhe ka përvetësuar pasuri të Telekomit, në atë mënyrë që më 21 janar të vitit 2019, ka bërë tërheqjen e 239 aparatave telefonikë celularë, me qëllim të shpërndarjes te klientët e Valës, mirëpo këtë pasuri e ka përvetësuar për vete apo për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke mos i shpërndarë te klientët.
Ndërsa, sipas burimeve të Sinjalit brenda prokurorisë, Osaj më 19 shtator 2019 nga depoja e Telekomit ka bërë tërheqjen e 239 aparatave celularë, me qëllim që t’i shpërndajë te klientët e Valës, sipas kontratave paraprake, me gjoja qëllim të rritjes së të hyrave të Valës, mirëpo këto aparate nuk i ka shpërndarë te klientët e paraparë, sipas rregullores, duke falsifikuar shkresën se kinse i ka dorëzuar 38 aparate telefonike Postës së Kosovës, saktësisht personit përgjegjës, Burim Gecit.
Një incident ka ndodhur dje në Pejë, ku janë sulmuar katër persona zyrtarë.
Sipas raportit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 18.05.2026 rreth orës 09:47, brenda qendrës korrektuese. Një i burgosur dyshohet se ka sulmuar fizikisht katër zyrtarë dhe i ka kanosur ata.
Si pasojë e sulmit, të katër zyrtarët kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor.
Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar dy raste të dhunës në familje, të cilat kanë ndodhur në Prishtinë dhe Malishevë.
Rasti i parë ka ndodhur në Prishtinë ku është arrestuar një person, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj gruas me të cilën bashkëjetonte.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të ndiqet në procedurë të rregullt.
Një person tjetër ne Malishevë ka sulmuar fizikisht një burrë tjetër të familjes, duke i shkaktuar lëndime trupore për të cilat viktima ka pranuar tretman mjekësor.
I dyshuari ndodhet ende në arrati, ndërsa policia po e heton rastin.
Në Policinë e Kosovës është raportuar për zhdukjen e një personi të moshës 31-vjeçare, i cili është larguar në drejtim të panjohur të hënën pasdite në Prishtinë.
Rasti është denoncuar në polici nga babai i tij. Sipas dëshmisë së dhënë nga familjari, ngjarja ka ndodhur në momentin kur ai kishte ndaluar automjetin për të kryer një blerje, duke e lënë djalin brenda në makinë.
Ankuesi ka specifikuar para autoriteteve se 31-vjeçari është me aftësi të kufizuara mendore. Gjatë kohës që babai ndodhej jashtë mjetit, i riu ka dalë nga automjeti dhe nuk është kthyer më.
Njësitë policore menjëherë kanë nisur hetimet për rastin dhe po punojnë intenzivisht për lokalizimin dhe gjetjen e personit të zhdukur.
Një bilanc prej katër personash të vdekur dhe dhjetë të lënduar është shënuar në rrugët e Kosovës brenda një dite. Raporti i fundit i Policisë së Kosovës njofton për një seri aksidentesh të rënda të ndodhura të hënën, ku përveç aksidenteve të reja me fatalitet, një person ka humbur jetën në spital si pasojë e plagëve të marra ditë më parë.
Në Vushtrri në një aksident të rëndë ku u përfshinë tri automjete në fshatin Dobërllukë një person ka humbur jetën, ndërsa pesë persona të tjerë pësuan lëndime të rënda dhe u dërguan me urgjencë për trajtim mjekësor në Qendrën Universitare Klinike të Kosovës (QKUK).
Një tjetër vetaksident fatal ndodhi në fshatin Dollc të Klinës. Një shofer humbi kontrollin mbi automjetin e tij dhe doli jashtë rruge, duke pësuar lëndime që rezultuan vdekjeprurëse. Nga kjo thyerje e rrugës mbetën të lënduar edhe katër pasagjerë që ndodheshin në të njëjtën makinë – një grua dhe tre burra.
Pothuajse në të njëjtën periudhë, një tjetër përplasje mes dy veturave mori jetën e një personi në fshatin Slivovë të Ferizajt. Policia ka nisur hetimet për të ndriçuar shkaqet e këtij aksidenti. Për të tria këto raste të reja, prokurorët kanë urdhëruar dërgimin e trupave të pajetë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Përveç tragjedive të ditës, bilanci i zi u rëndua edhe më shumë pasi një person ndërroi jetë në QKUK, ku po trajtohej që prej datës 7 maj. Ai kishte pësuar lëndime të rënda në një aksident në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, saktësisht në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë. Pas konstatimit të vdekjes nga mjekët, trupi i tij u është liruar familjarëve për ceremoni mortore.
Përveç ngjarjeve me pasoja fatale, policia regjistroi edhe dy aksidente të tjera me pasoja më të lehta.
Në Prekallë të Istogut, dy vetura u përplasën mes vete, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime trupore te njëra nga drejtueset e mjeteve.
Në Prizren, në rrugën “Hysen Rexhepi”, u shënua një përplasje tjetër mes dy automjeteve, e cila fatmirësisht përfundoi vetëm me dëme materiale dhe pa persona të lënduar.