Lajmet

Kush është Justina Shiroka-Pula, Presidentja e re e Kosovës?

Published

on

Justina Shiroka-Pula është ekonomiste, akademike dhe ish-ministre e Energjisë dhe Minierave. Më 6 tetor 2026, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Presidente të Republikës së Kosovës me 81 vota. Pas zgjedhjes, ajo dha edhe betimin para deputetëve.

Shiroka-Pula ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1984 ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik në Universitetin e Zagrebit.

Ajo është doktoruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”. Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa nga viti 1978 është angazhuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku ka zhvilluar karrierën akademike.

Gjatë karrierës së saj akademike, Shiroka-Pula ka ndjekur studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe trajnime të ndryshme profesionale jashtë vendit.

Ajo ka pasur edhe angazhime në shoqërinë civile, veçanërisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.

Në politikë, Shiroka-Pula ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës nga viti 2008 deri më 2011, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

Në ASHAK, ajo është zgjedhur anëtare korrespondente në vitin 2016 dhe akademike e rregullt në vitin 2020. Në vitin 2026 ka drejtuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, para se të zgjidhej Presidente e Republikës.

Me zgjedhjen në këtë post, Justina Shiroka-Pula është Presidentja e re e Kosovës dhe pason Vjosa Osmanin. Ajo do të ushtrojë detyrën e kreut të shtetit në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës./A.K/

Continue Reading

lajme

Komisioni për rastin e Arlinda Zekajt dakordohet që intervistimet të jenë të hapura për publikun

Published

on

By

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka diskutuar mënyrën e intervistimit të zyrtarëve institucionalë, duke u pajtuar që dëgjimet të zhvillohen në seanca të hapura për publikun, përveç rasteve kur trajtohen informacione konfidenciale.

Gjatë mbledhjes, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi sqarime nga kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, lidhur me mosdërgimin e kërkesave për dokumentacion në të gjitha institucionet, ndonëse, sipas saj, një gjë e tillë ishte dakorduar më herët.

Ramadani sqaroi se kjo kishte ndodhur për arsye teknike dhe siguroi se një situatë e tillë nuk do të përsëritet.

Ai bëri të ditur se më 27 nëntor janë planifikuar të ftohen për intervistim hetuesit policorë, ndërsa nga 30 nëntori deri më 4 dhjetor pritet të intervistohen zyrtarë të zinxhirit komandues të Policisë dhe Inspektoratit.

Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, propozoi që intervistimet të zhvillohen në dy faza: fillimisht me pyetje të përgjithshme në seanca të hapura për publikun dhe më pas me pyetje që përfshijnë të dhëna personale ose konfidenciale në seanca të mbyllura.

Ky propozim u mbështet edhe nga deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, i cili u pajtua që pjesët e intervistimeve që përmbajnë informacione konfidenciale të zhvillohen pa praninë e publikut.

Edhe Kica-Xhelili rekomandoi që intervistimi i zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale të mbahet me dyer të mbyllura, për shkak se pyetjet mund të përfshijnë informacione lidhur me fëmijën.

Në përfundim, kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, tha se pala që intervistohet duhet të kërkojë mbylljen e seancës dhe ta arsyetojë kërkesën, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga Komisioni përmes votimit. /E.A/

Foto: Ekonomia online

 

Continue Reading

Lajmet

Prizren: 3,800 euro të dyshuara si të falsifikuara dorëzohen në polici

Published

on

By

Një shumë prej 3 mijë e 800 eurosh, që dyshohet të jenë para të falsifikuara, është dorëzuar në Policinë e Kosovës nga menaxheri i një banke private në Prizren.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti lidhet me periudhën 14 deri më 29 tetor 2026, ndërsa paratë janë dorëzuar në polici më 17 nëntor.

Sipas dëshmitarit, shuma e dyshuar si e falsifikuar ishte deponuar në bankë nga gjashtë klientë të ndryshëm.

Pas konsultimit me prokurorin, është iniciuar rasti për veprën penale “Falsifikim i parasë”, ndërsa paratë janë sekuestruar për ekzaminim. /E.A/

Continue Reading

lajme

Kamenicë: Vdes një person në QKUK, dyshohet se kishte konsumuar substanca të dyshuara

Published

on

By

Një person ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi dyshohet se kishte konsumuar barna ose substanca të tjera të dyshuara.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, Viktima ishte shoqëruar për trajtim në QKUK, por gjatë qëndrimit aty është raportuar se kishte ndërruar jetë.

Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Fushë Kosovë nën dyshimin për ngacmim seksual

Published

on

By

Një person është arrestuar në Fushë Kosovë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të ngacmimit seksual ndaj një gruaje.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 12 nëntor 2026, rreth orës 17:30, ndërsa i dyshuari është arrestuar më 17 nëntor.

Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar nga organet e rendit dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara