Lajmet

Kush dhe sa do të paguajë më shtrenjtë për rrymë?

Dje u miratuan faturat e reja me rritje.

Published

on

Mbi 5 euro e lart do të jetë diferenca e faturës së rrymës që do të paguajnë ata qytetarë të Kosovës, që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj.

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRrE) miratoi më 8 shkurt faturat e reja me rritje – vetëm për një kategori të konsumatorëve – të cilat hynë në fuqi një ditë më vonë.

Te ky ndryshim erdhi pas rritjes së çmimeve të gazit në nivel botëror. Marrë parasysh faktin se Kosova nuk prodhon mjaftueshëm energji elektrike, ajo u detyrua të importojë rrymë me çmime më të shtrenjta. Për pasojë, edhe autoritetet thanë se detyrohen të ndërhyjnë me rritje çmimesh.

Nga vendimi i ZRrE-së për rritje preken vetëm ata konsumatorë familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj; ata që shpenzojnë nën këtë sasi, nuk do të vërejnë ndryshime në faturë.

Sipas sqarimeve të ZRrE-së, konsumatorët që shpenzojnë 900 kilovatë në muaj, me tarifat e reja do të paguajnë 57.9 euro. Me tarifat e deritashme kanë paguar 52.9 euro. Kjo nënkupton që dallimi në faturë do të jetë 5.1 euro.

Për konsumatorët që shpenzojnë 1000 kilovatë, dallimi në faturë do të jetë 10.1 euro; për 1100 kilovatë – 15.2 euro; për 1200 kilovatë – 20.3 euro.

Pra, pas kalimit të pragut prej 800 kilovatësh, diferenca e konsumit do të faturohet me 5.9 centë për kilovatë gjatë tarifave të ulëta dhe me 12.5 centë për kilovatë gjatë tarifave të larta.

Ose, thënë ndryshe, për çdo 100 kilovatë të shpenzuar përtej pragut prej 800 kilovatësh, konsumatorët do të paguajnë rreth 5 euro më shumë.

Në Kosovë, nga data 1 tetor deri më 31 mars, aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00.

Nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Sipas Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), tarifat e reja do të prekin vetëm 22 për qind të konsumatorëve familjarë.

KESCO tha se për 78 për qind të konsumatorëve nuk do ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Çmimi i pandryshuar për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë, ka rezultuar pas subvencioneve të ndara nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria ka ndarë një shumë prej 90 milionë eurosh në formë subvencionesh, me qëllim që, siç është thënë, rritja e faturave të mos jetë aq e lartë dhe të mos bëhet e papërballueshme për një kategori të qytetarëve.

Këto subvencione vlejnë edhe për bizneset, të cilat nuk do të kenë rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Qeveria e Kosovës ka thënë se rritja e faturave për bizneset do të kishte ndikim negativ në ekonomi dhe do të rriste çmimet e produkteve dhe shërbimeve.

Faturat me rritje do të aplikohen deri më 31 mars, 2023, kur edhe do të bëhet shqyrtimi i rregullt i tyre.

Faturimi i rrymës së shpenzuar për ditët e para të shkurtit – deri më datën 9 – do të bëhet me tarifat e vjetra.

Dallimet midis konsumatorëve, “shkelje e të drejtave të njeriut”

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë (KMDLNj) tha se “loja me shifra për subvencione dhe lehtësime për kategori të ndryshme të konsumatorëve, është thjesht një mashtrim, sa për ta qetësuar situatën”.

“Pastaj, ndarja dhe dallimet midis konsumatorëve janë një diskriminim flagrant dhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, tha KMDLNJ në një komunikatë të lëshuar për mediat.

Sipas Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), “subvencionimi selektiv dhe jolinear do ta rrisë konsumin energjetik në vend”.

Kjo, sipas INDEP-it, “është shpërfaqje e hapur e ndikimit politik të Qeverisë në vendimin e ZRRE-së”.

Në Kosovë, ditë më parë, është protestuar kundër rritjes së çmimit të rrymës.

Partitë opozitare po ashtu, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë qenë kundër./REL

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Aktualitet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Vendi

Sot seancë e jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme në orën 16:00 lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Lajmin e ka bërë të ditur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në një deklarim për media, Nagavci theksoi se të gjithë zyrtarët institucionalë që kanë dështuar të veprojnë apo të ofrojë mbrojtje në këtë rast duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi të plotë.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në fshatin Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje të rëndë është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati.

Continue Reading

Lajmet

Policia shpall në kërkim Albert Sylajn, kërkohet ndihma e qytetarëve

Published

on

By

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, ka lëshuar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim me qytetarët me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

I kërkuari është Albert (Sylejman) Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan.

Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çfarëdo informacioni lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit, të njoftojnë menjëhirë organet e rendit ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Kontaktet për të lajmëruar Policinë e Kosovës:

  • 192 dhe 0800 19999 (të dy numrat pa pagesë)
  • 039 432 327 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë)

Continue Reading

Të kërkuara