Lajmet

Kusari-Lila: Qeveria Kurti nuk e ka përkeqësuar gjendjen e veteranëve të luftës

Ajo ka thënë se pakënaqësitë e veteranëve janë të akumuluara.

Published

on

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka përkeqësuar gjendjen e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo ka thënë se pakënaqësitë e veteranëve janë të akumuluara dhe sipas saj qeveritë e kaluara i kanë rritur listat e veteranëve.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, derisa veteranët protestonin në oborrin e Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila ka thënë se veteranët e vërtetë nuk e dëmtojnë vendin e as ndërtesën e Parlamentit.

“Jemi shumë të vetëdijshëm që pakënaqësitë e akumuluara ndër vite në Kosovë po e gjejnë hapësirën tash për t’u shfaqur përkundrejt gjithë angazhimit dhe propozimeve në vazhdimësi që po vinë nga Qeveria. Megjithatë unë e di se secili veteran i cili ka luftuar dhe vazhdon të përpiqet për vendin e vet nuk dëmton vendin, gjegjësisht as ndërtesën e Kuvendit apo t’i shkaktojë dëm dikujt tjetër, ne në fund jemi njerëz të kësaj republike dhe besoj që me dialog dhe mirëkuptim do të arrijmë te zgjidhjet që janë të domosdoshme edhe për kategori të tjera”, tha ajo.

Ajo ka thënë se një situatë e tillë me veteranët nuk është krijuar me Qeverinë Kurti.

“Situata me veteranët është situatë e cila tashmë ekziston që shumë vite, nuk është situatë e cila është krijuar vitin e fundit, nuk është qeveria Kurti që ka përkeqësuar rrethanat ose ka përkeqësuar pagën ose gjendjen e veteranëve të luftës në Kosovë, mos të harrojmë, krejt çka janë siguruar më herët qeveritë është që në procese ose para zgjedhjeve si të rriten listat e veteranëve që ta të mundet t’i shfrytëzojnë pastaj ato për vota, por jo që realisht ata veteranë të cilët me të vërtetë meritojnë shumë trajtim më dinjitoz të përmirësohen kushtet.. Është një e vërtetë gjithashtu që e kemi një deformitet në listat e veteranëve që është konsideruar se duhet të trajtohet me seriozitet, që ka ndodhur ndër vite, natyrisht dhe që gjithë veteranët e meritojnë trajtimin shumë më dinjitoz sesa që e kanë pasur deri më tani”, ka thënë ajo.

Lajmet

REL: Çfarë parashihet në strategjinë e miratuar për zgjerim të BE-së?

Published

on

By

Deputetët e Parlamentit Evropian e kanë miratuar një strategji për zgjerim të Bashkimit Evropian, në të cilën thuhet se zgjerimi është përgjigje strategjike ndaj realiteteve gjeopolitike që po ndryshojnë dhe investim në sigurinë dhe stabilitetin e bllokut evropian.

Sipas dokumentit të miratuar më 11 mars, kostoja e moszgjerimit do ta tejkalonte koston e anëtarësimit të vendeve të reja në BE, dhe do të rrezikonte krijimin e zonave gri gjeopolitike të ndjeshme ndaj ndikimit të huaj antagonist.

Për strategjinë votuan 385 deputetë, 147 ishin kundër dhe 98 abstenuan.

Autori i dokumentit, eurodeputeti Petras Austrevicius, tha se marrë parasysh sfidat e sotme, modeli i integrimit të BE-së duhet të përmirësohet në mënyrë që të pasqyrojë më mirë interesat e BE-së dhe pritjet nga vendet kandidate.

“Zgjerimi i BE-së duhet të shkojë krah për krah me reformat e brendshme për të mbrojtur funksionimin e BE-së dhe për t’i përmirësuar proceset e vendimmarrjes, duke përfshirë shfrytëzimin më të madh të votimit me shumicë të kualifikuar. BE-ja duhet t’i përfundojë këto reforma deri në kohën kur vendet kandidate t’i plotësojnë kriteret e anëtarësimit dhe janë gati të bashkohen me BE-në”, tha eurodeputeti Austrevicius.

Sipas dokumentit të miratuar, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri më 2026-2027.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022, mirëpo aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.

Kështu, ajo është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat.

Kur përmendet Kosova në raport, aty theksohet rëndësia e dialogut të saj me Serbinë për avancim në rrugën drejt anëtarësimit.

Mes tjerash në raport bëhet thirrje që të nisin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që asnjë vend të mos trajtohet si pjesë e një pakete.

Sundimi i ligjit, reformat demokratike, liria e medias, të drejtat e pakicave, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten në krye të prioriteteve të procesit të zgjerimit, me mbështetje të qëndrueshme për shoqërinë civile”, thuhet në dokument.

Ai, gjithashtu, nënvizon domosdoshmërinë e përafrimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, e cila vlerësohet si “një tregues kyç i orientimit gjeostrategjik të vendit kandidat”.

Në këtë drejtim, Serbia është kritikuar shpesh për mospërputhje të politikës së jashtme me atë të bllokut, meqë është vendi i vetëm në Ballkan që nuk e ka sanksionuar Rusinë për nisjen e luftës në Ukrainë.

Para votimit të këtij raporti, në Parlamentin Evropian është zhvilluar një debat, në të cilin mori pjesë edhe Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se BE-ja nuk do të lejojë anëtarësimin e vendeve që mund t’i minojnë fshehurazi vlerat ose institucionet e BE-së.

“Nuk ka kuaj të Trojës. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen anëtarë të BE-së. Duhet të jemi absolutisht të sigurt për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve”, tha mes tjerash Kos.

Bashkimi Evropian është zgjeruar herën e fundit më 2013, me pranimin e Kroacisë. /REL/

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohet armë gjatë bastisjeve për fajde në Prizren

Published

on

By

Policia e Kosovës përmes një njoftimi bën të ditur se gjatë hetimit të një rasti të fajdesë, është bastisur shtëpia e një të dyshuari në Prizren.

Aksioni është ndërmarrë të mërkurën nga hetuesit e Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një pistoletë si provë materiale.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

Continue Reading

Lajmet

Kurti pret komandantin e KFOR-it: Diskutohet siguria dhe bashkëpunimi

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim komandantin e misionit të NATO-s, gjeneralmajorin Özkan Ulutas, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon.

Gjatë këtij takimi, komandanti Ulutaş e ka uruar kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Fokusi kryesor i bisedës ishte stabiliteti i sigurisë në një kohë të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha globale, të cilat mund të sjellin sfida të reja.

Kryeministri Kurti vlerësoi komunikimin e vazhdueshëm me misionin e NATO-s dhe falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në krye të KFOR-it.

Kurti dhe  Ulutas rikonfirmuan përkushtimin për të mbajtur një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës

Continue Reading

Lajmet

Prizren: Arrestohen dy persona për fajde, tentuan t’i zhvasin pronat 1 milionëshe

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion në qytetin e Prizrenit, që ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprën penale të fajdesë.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, pasi u vërtetua se të dyshuarit kishin ushtruar presion të vazhdueshëm mbi një viktimë.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit me inicialet E.K. dhe A.K., e kishin detyruar viktimën në vazhdimësi që të paguante shuma të mëdha parash në emër të kamatave të fajdesë.

Presioni kishte arritur deri në atë pikë sa të dyshuarit po tentonin t’ia merrnin viktimës pronat e tij në Prizren – një shtëpi dhe dy lokale afariste – vlera e të cilave vlerësohet të jetë rreth 1 milion euro.

Arrestimi i dy personave u bë në flagrancë, pikërisht në momentin kur ata po e detyronin viktimën të rregullonte dokumentacionin e nevojshëm për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe lokaleve në emër të tyre. Pas arrestimit, me urdhëresë të gjykatës, Policia ka bastisur vendbanimet e të dyshuarve, ku ka gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që do të shërbejnë për procedurën penale.

Prokurori i Shtetit në Prizren ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj dy të dyshuarve, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht këtë rast të rëndë të zhvatjes dhe krimit ekonomik.

 

Continue Reading

Të kërkuara