Mospublikimin e plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka konsideruar si vonesë. Në një prononcim për media, ai ka thënë se sipas informatave të tij, aktgjykimi i datës 8 gusht ka mospërputhje dhe se duhet të mendojnë çfarë të bëjnë por megjithatë, ai theksoi se do ta respektojë aktgjykimin e Kushtetueses.
“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar dhe nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtuese, si edhe unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti më i madh në Kuvend, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesni sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo më bën të mendoj që do të jetë i pazakonshëm, i padrejtë e i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti.
Tutje, Kurti tha se për dallim nga aktgjykimi i 26 qershorit i cili ka dalë po atë ditë me njoftimin, aktgjykimi i dytë po vonohet që nga tetë gushti, vonese të filën nuk e vlerëson si të duhur.
“Për dallim nga njëzet e gjashtë qershori, e kemi vetëm njoftimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e kemi aktgjykimin e plotë i cili po vonohet, e të cilin duhet ta lexojmë tërësinë e tij. Me njëzet e gjashtë qershor e kemi pasur në të njëjtën ditë edhe njoftimin, edhe aktgjykimin, tash me tetë gusht e patëm njoftimin, por ja që ende nuk e kemi aktgjykimin. Kur ta lexojmë atë, do ta themi vlerësimin tonë meritor. Por nuk është mirë që kemi këtë vonesë dhe në bazë të njoftimit, për bindjen time ka mospërputhje midis këtij aktgjykimit, i cili në versionin e plotë ende jemi duke e pritur dhe atij të njëzet e gjashtë qershorit të po kësaj përbërje të Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti.
Njoftimin mbi aktgjykimin, Kushtetuesja e publikoi më 8 gusht, përmes së cilit urdhëroi deputetët që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës brenda 30 ditësh.
Kushtetuesja tha se kryekuvendari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe se ai mund të votohet vetëm deri në tri herë.