“Vizioni ynë për Republikën e Kosovës është një vend që promovon stabilitet dhe siguri; jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin dhe më gjerë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të konferencës “FSK dhe partnerët”.
Kosova synon të jetë pjesë përbërëse e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë; në veçanti NATO dhe BE. Po ashtu dëshiron të jetë pjesë e nismave rajonale dhe të promovojë marrëdhënie paqësore fqinjësore në mënyrë që të rrisë stabilitetin dhe besimin ndërmjet vendeve në rajon, shtoi ai.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për rolin e rëndësishëm që NATO, përmes KFOR -it, ka luajtur në zhvillimin e sektorit tonë të sigurisë dhe në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti në Konferencën “FSK dhe partnerët”
I nderuar Ministër i Mbrojtjes, z. Mehaj,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar atashe, shkëlqesi
Të nderuar gjeneralë, oficerë,
Mirëmëngjes!
Është kënaqësi e madhe të ju drejtohem sot në këtë konferencë, “FSK dhe partnerët”.
Do të doja të filloja duke u falënderuar juve dhe vendeve tuaja për të gjithë mbështetjen dhe angazhimin në avancimin e aftësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në mjedisin aktual të sigurisë, paqja dhe stabiliteti rajonal, kontinental dhe global kërkojnë përpjekje të përbashkët në adresimin e shumë sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë.
Shpesh këto sfida janë të paparashikueshme dhe paparashikueshmërisht komplekse. Kjo rikonfirmon besimin tonë të fortë që angazhimi dhe bashkëpunimi i të gjitha vendeve dhe kombeve është i domosdoshëm në parandalimin, menaxhimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve të sigurisë të kohës sonë.
Dhe kështu, siguria bashkëpunuese mbetet detyra dhe angazhimi ynë kryesor.
Vizioni ynë për Republikën e Kosovës është një vend që promovon stabilitet dhe siguri; jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin dhe më gjerë.
Kosova aspiron të jetë pjesë përbërëse e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë; në veçanti NATO dhe BE. Po ashtu dëshiron të jetë pjesë e nismave rajonale dhe të promovojë marrëdhënie paqësore fqinjësore në mënyrë që të rrisë stabilitetin dhe besimin ndërmjet vendeve në rajon.
Republika e Kosovës, merr seriozisht përgjegjësinë e saj kryesore për t’u ofruar siguri qytetarëve të saj. Ne jemi mirënjohës për rolin e rëndësishëm që NATO, përmes KFOR -it, ka luajtur në zhvillimin e sektorit tonë të sigurisë dhe në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
Sidoqoftë, ne duhet të vazhdojmë të ngrisim institucionet tona për të siguruar mbrojtje dhe siguri për të gjithë qytetarët e vendit tonë, nga një komb që është konsumator i sigurisë te një që është ofrues i sigurisë. Qeveria është e përkushtuar që të avancojë kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë që të shërbejë përkrah ushtrive të vendeve të NATO-s në operacionet vitale të ruajtjes së paqes.
Andaj, ne jemi duke i bërë një analizë aspekteve të ndryshme të sektorit të sigurisë. Ministri i Mbrojtjes tashmë ka propozuar ndryshimin e ligjeve të mbrojtjes, që tashmë është miratuar nga Qeveria. Shpresoj që të gjithë ju do të mund ta mbështesni Ministrinë e Mbrojtjes në këtë çështje me ekspertizë profesionale nga vendet e juaja.
Republika e Kosovës synon të anëtarësohet dhe integrohet në strukturat euroatlantike që janë thelbësore për vendin tonë. Ne jemi të përkushtuar të jemi eksportues të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare. Në të vërtetë, siguria kombëtare e Kosovës ndërthuret me sigurinë rajonale dhe atë më të gjerë euroatlantike. Shpresojmë që në të ardhmen e afërt të bëhemi anëtar i plotë në Kartën e Adriatikut, dhe në të gjitha nismat e tjera rajonale, si dhe të kontribuojmë në sigurinë rajonale e transnacionale.
Prandaj, e kërkojmë mbështetjen e të gjithë juve ashtu që të bëhemi anëtar i plotë i nismave rajonale dhe t’u bashkohemi fqinjëve tanë në ballafaqimin e kërcënimeve të reja në rajon, Evropë dhe më gjerë.
Është në interesin e Republikës së Kosovës dhe sigurisht në interesin e të gjitha vendeve të rajonit, që të promovojmë dhe thellojmë bashkëpunimin e forcave tona.
Pavarësisht burimeve të kufizuara dhe kufizimeve buxhetore, Kosova do të donte të merrte pjesë në bashkimin dhe shpërndarjen e kapaciteteve me fqinjët tanë. Kosova është e gatshme të kontribuojë në operacionet rajonale dhe ndërkombëtare.
Së fundmi, do të doja të ju shpreh edhe një herë mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë pjesëmarrësit dhe shpresoj që koha juaj këtu të jetë produktive, dhe të mund të takohemi fizikisht në konferencën e ardhshme. U uroj shëndet të mirë, prosperitet dhe paqe për ju e vendet tuaja.
Sot mbushen 27 vjet nga rënia heroike e dëshmorëve Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi.
Ata u vranë më 2 dhjetor 1998 nga shërbimi sekret serb në afërsi të Qendrës së Studentore në Prishtinë.
Tre dëshmorët janë dekoruar nga Presidenca e Kosovës.
Hyzri Talla ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Afrim Maliqi– gazetar, eseist dhe poet, si dhe Ilir Durmishi ishte ushtar i shquar i UÇK-së./S.K/KP/
Administrata e Presidentit Donald Trump i ka bërë apel Izraelit që të mos ndërhyjë në Siri teksa kjo pritet të jetë një nga temat kryesore gjatë vizitës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, e cila do të mbahet këtë muaj.
Në një postim në rrjetet sociale, Trumpi paralajmëron Izraelin të mos ndërhyjë në Siri dhe ky qëndrim i Trumpit vjen disa ditë pasi trupat izraelite u sulmuan gjatë një operacioni arrestimesh në Siri, duke shkaktuar përleshje në të cilat u vranë 13 persona, sipas raporteve siriane.
Rrjeti “Channel 12” citon një zyrtar amerikan që thotë se Siria nuk dëshiron probleme me Izraelin, dhe se situata nuk është si Liban, por paralajmëron se Netanyahu duhet të ndryshojë kursin përpara se të kthejë regjimin e ri në Siri në një armik të Izraelit.
Zyra e Netanyahut njoftoi vizitën e ardhshme, një ditë pasi ai kërkoi falje në gjyqin e tij për korrupsion nga presidenti Herzog, një lëvizje që Trump e mbështet gjithashtu.
Në fund të këtij viti pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad-it në dhjetor 2024, administrata Trump ka hequr sanksionet ndaj Sirisë dhe po përpiqet të integrojë udhëheqësin e ri, Ahmed al-Sharaa, në një koalicion pro-perëndimor, duke synuar paqe rajonale dhe zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, transmeton RTSH.
Izraeli, nga ana tjetër, ka vazhduar bombardimet dhe operacionet në Siri për të parandaluar kërcënimet, duke shkaktuar frikë se po destabilizon qeverinë e re siriane./S.K/KP/
Sot shënohet Dita Botërore për Zhdukjen e Skllavërisë, e cila ka për qëllim të tërheqë vëmendjen kundër formave moderne të skllavërisë, të tilla si shfrytëzimi seksual, puna e fëmijëve, martesat e detyruara dhe rekrutimi me forcë i fëmijëve për përdorim në konfliktet e armatosura.
Kjo ditë përkon me datën e miratimit, nga Asambleja e Përgjithshme, të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Zhdukjen e Trafikimit të Personave dhe të Shfrytëzimit të prostitucionit të të tjerëve (rezolutës 317 (IV) i 2 dhjetorit 1949).
Fokusi i kësaj dite është mbi zhdukjen e formave bashkëkohore të skllavërisë, të tilla si trafikimi i personave, shfrytëzimit seksual, format më të këqija të punës së fëmijëve, martesës së detyruar, dhe rekrutimin e detyruar të fëmijëve për përdorim në konfliktet e armatosura.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) më shumë se 40 milionë njerëz në të gjithë botën janë viktima të skllavërisë moderne.
Edhe pse skllavëria moderne nuk është e përcaktuar në ligj, ajo përdoret si një term ombrellë që mbulon praktika të tilla si puna e detyruar, skllavëria e borxhit, martesa e detyruar dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Në thelb, i referohet situatave të shfrytëzimit që një person nuk mund të refuzojë ose të largohet për shkak të kërcënimeve, dhunës, shtrëngimit, mashtrimit ose abuzimit të pushtetit.
Për më tepër, më shumë se 150 milionë fëmijë i nënshtrohen punës së fëmijëve, duke përbërë pothuajse një në dhjetë fëmijë në të gjithë botën. Rreth 40.3 milionë njerëz janë në skllavëri moderne, përfshirë 24.9 në punë të detyruar dhe 15.4 milionë në martesë të detyruar. Ka 5.4 viktima të skllavërisë moderne për çdo 1.000 njerëz në botë, ndërsa 1 në 4 viktima të skllavërisë moderne janë fëmijë.
Nga 24.9 milionë njerëz që kryejnë punë të detyruar, 16 milionë njerëz janë shfrytëzuar në sektorin privat siç janë puna shtëpiake, ndërtimi ose bujqësia; 4.8 milion njerëz në shfrytëzim seksual të detyruar dhe 4 milionë njerëz në punë të detyruar të imponuar nga autoritetet shtetërore.
Gratë dhe vajzat preken në mënyrë disproporcionale nga puna e detyruar, duke përbërë 99% të viktimave në industrinë e seksit tregtar, dhe 58% në sektorë të tjerë./S.K/KP/
Ushtarët e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO do të vazhdojnë patrullimet e tyre të rregullta të ditës dhe natës, duke siguruar një prani konstante, të qëndrueshme dhe siguruese si në veri të Kosovës ashtu edhe në gjithë zonën e përgjegjësisë.
Sipas njoftimit, personeli i KFOR-it mbetet vigjilent, duke ruajtur ndërgjegjësimin situativ dhe duke nxitur stabilitetin anembanë rajonit.
“Këto aktivitete të vazhdueshme pasqyrojnë angazhimin e qëndrueshëm të KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet nw njoftimin e KFOR-it.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./S.K/KP/