Lajmet

​Kurti u bën thirrje komunave për bashkëpunim në regjistrimin e popullsisë

Si proces të rëndësishëm dhe jetik regjistrimin e popullsisë, e konsideron edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri thirrje për angazhim të përbashkët në kryerjen e procesit të regjistrimit të popullsisë, në të cilin është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare të popullit tonë.

Në takimin e ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me kryetarët e komunave, Kurti vlerësoi se është thelbësore bashkimi i forcave me qëllim të përbashkët për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila sipas tij do t’i shërbejë edhe brezave që do të vijnë pas nesh.

Si proces të rëndësishëm dhe jetik regjistrimin e popullsisë, e konsideron edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ndërkaq drejtori në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi tha se pret që të vendosen hapa konkret që çojnë drejt grumbullimit të të gjitha materialeve ekzistuese nga komunat e Kosovës në arkivat e Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare të popullit tonë. Qytetarët do të deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruar si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999. Kjo na ndërlidhë me pikën e dytë të rendit të ditës së sotme, institutin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë të cilën e kemi funksionalizuar për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet anë e mbanë Kosovës. Është thelbësore që të bashkojmë forcat sepse qëllimin e kemi të përbashkët, për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve por edhe brezave që do të vijnë pas nesh. Me frymë të bashkëpunimit ju ftoj që të angazhohemi bashkë për të kontribuar në këto dy procese kaq të rëndësishme për republikën tonë, historinë tonë dhe të ardhmen tonë”, tha Kurti.

Ministri Krasniqi tha se informacioni i siguruar nga regjistrimi i popullsisë është thelbësor për qeverisjen efektive, shpërndarjen e burimeve dhe politik bërjen. Ai konsideroi se ky proces është gurthemel i qeverisjes moderne dhe zhvillimit shoqëror, ngase sipas tij duke regjistruar me saktësi informacionin demografik do të mbrohet siguria publike dhe do të mbrohen të drejtat e njeriut.

“Regjistrimi i popullsisë siguron që çdo individ të llogaritet brenda një shoqërie. Ai u siguron qeverive të dhëna të saktë për madhësinë, përbërjen dhe shpërndarjen e popullsisë së tyre. Ky informacion është thelbësor për qeverisjen efektive, shpërndarjen e burimeve dhe politik bërjen…Ky proces nuk është thjeshtë një procedurë burokratike është gurthemel i qeverisjes moderne dhe zhvillimit shoqëror, duke regjistruar me saktësi informacioni demografik ne do të kuptojmë dhe të shërbejmë më mirë qytetarëve tanë të mbrojnë sigurinë publike, të mbrojnë të drejtat e njeriut si dhe të nxisim zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, theksoi Krasniqi.

Drejtori në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi tha se duhet të vendosen hapa konkret që çojnë drejt grumbullimit të të gjitha materialeve ekzistuese nga komunat e Kosovës në arkivat e këtij instituti. Ai tha se përmes dokumentimit të saktë dhe të hollësishëm të krimeve të luftës dhe pasojave të tyre do të ndërtohet një themel i fortë për një të ardhme me paqe të qëndrueshme.

“Nga ky takim mbes me shpresë që të vendosen hapa konkret që çojnë drejt grumbullimit të të gjitha materialeve ekzistuese nga komunat e Kosovës në arkivat e Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës në Kosovë. Përmes dokumentimit të saktë dhe të hollësishëm të krimeve të luftës dhe pasojave të tyre ne sigurisht që ndërtojmë një themel të fortë për një të ardhme me paqe të qëndrueshme…Sipas informacioneve që kam arritur të mbledhë nga ish pjesëmarrësit e këtyre komisioneve të gjitha materialet e mbledhura atëherë kanë përfunduar në dy adresa: Arkivin Qendror të Komisionit në Prishtinë të udhëhequr nga avokati Bajram Krasniqi si dhe në arkivat e secilës komunë të Kosovës. Megjithatë, ende nuk kemi arritur të identifikojmë vendosjen e saktë të arkivit qendror të komisionit, por kemi shumë interes që këto materiale t’i mbledhim nga arkivat e komunave të Kosovës. Për të arritur qëllimet tona kërkojmë bashkëpunimin e thellë dhe të vazhdueshëm me të gjitha komunat e Kosovës”, tha Hetemi.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati u bëri thirrje komunave të mbështesin dhe kontribuojnë në regjistrimin e popullsisë, duke u ndihmuar regjistruesve nëpër terrene në aspektin logjistik. Ai potencoi se në tri shtete të Evropës do të kryhet regjistrimi i popullsisë këtë vit, për çka shtoi se ky proces do të jetë sfidues për disa regjistrues të rinj që po marrin pjesë për herë të parë në këtë projekt.

“Gjatë këtyre viteve kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me komunat, por kërkohet që edhe në këto javët në vijim të jeni aktiv sepse duke sipërfaqësisht që është një kohë optimale, gjashtë javë por shumë shpejtë kalojë ditët, dhe kërkohet nga ju që në aspektin logjistik t’i mbështesni stafin që është në terren. Do të jetë sfiduese për disa regjistrues të cilët kanë një distancë të themi jo aq të madhe por në aspektin logjistik nëse keni mundësi t’i mbështesni. Tri shtete jemi në Evropë që do të kemi regjistrim të popullsisë këtë vit. Do të jetë sfidues për disa regjistrues të rinj dhe të reja sepse janë për herë të parë në një projekt të tillë”, tha Kastrati.

Ndërkaq regjistrimi i popullsisë ka filluar sot me 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti. Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit intervistat bëhen përmes pyetësorëve elektronik dhe jo vetëm në letër siç ka qenë më herët.

Lajmet

Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes

Published

on

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara