Lajmet

Kurti thotë se ka komunikim të vazhdueshëm me Osmanin për politikën e jashtme

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të premten se ka komunikim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për politikën e jashtme, pas fjalimit të saj kritikues se marrëdhëniet e vendit me aleatët po vihen në rrezik.

Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve më 21 nëntor, Osmani bëri thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.

I pyetur rreth kësaj deklarate gjatë një ngjarjeje në Podujevë të premten, Kurti tha se “unë vazhdimisht kam qenë në komunikim dhe bashkërendim edhe me presidenten Osmani edhe kryeparlamentarin [Glauk] Konjufca edhe ministren e jashtme [Donika] Gërvalla sa i përket politikës së jashtme”.

“Besoj që të arriturat i kemi të përbashkëta edhe kësisoj duhet të vazhdojmë. Nuk ka vështirësi dhe sfida të tilla që nuk i tejkalojmë”, tha Kurti.

Osmani theksoi se aleanca e Kosovës me vendet e tjera “është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë”, tha ajo.

Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr Kurti, është kritikuar dhe akuzuar nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i vendit, si dhe nga Bashkimi Evropian, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në 12 muajt e fundit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për ta shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, duke mbyllur institucionet paralele serbe, duke ndaluar dinarin dhe duke ndërtuar stacione policore.

Kurti vazhdimisht këmbëngul se veprimet e Qeverisë së tij nuk janë të drejtuara kundër askujt, se ndjek Kushtetutën dhe ligjet e Kosovësdhe se marrëdhëniet me SHBA-në janë të mira, me gjithë mospajtimet për disa çështje.

Presidentja Osmani tha gjatë adresimit të saj se “asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”.

Marrëdhëniet mes Kurtit dhe Osmanit filluan të pësojnë çarje gjatë verës së këtij viti, kur Presidenca e Kosovës tha në qershor se Qeveria nuk ishte konsultuar me të, lidhur me hapat që ka bërë Kosova për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Kurti kishte thënë asokohe se nuk kishte dallime të patejkalueshme me Osmanin.

Lista Guxo, e themeluar nga presidentja Osmani së bashku me ministren Gërvalla, pati garuar në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021.

Guxo, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, patën fituar mbi 50 për qind të votave.

Qeveria e re, në krye me Kurtin, u formua më 22 mars të vitit 2021.

Vjosa Osmani u zgjodh presidente pak ditë më vonë, më 4 prill 2021./REL/

Vendi

Presidentja Shiroka-Pula priti në takim kryeministrin Kurti: Kosova nuk ka kohë për të humbur

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur sot në takim kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit, Kurti u shpreh se pas bllokadës së gjatë politike, institucionet duhet të bashkëpunojnë ngushtë për t’u përballur me sfidat e shumta shtetërore.

“Kosova më në fund ka institucione funksionale dhe tash nuk kemi kohë për të humbur. Presim punë të mëdha e të përditshme në interes të të gjithë qytetarëve”, deklaroi kryeministri Kurti, duke e falënderuar presidenten për pranimin e kandidaturës.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente me 81 vota në Kuvend pas marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Si hap të parë pas marrjes së detyrës, ajo zhvilloi homazhe në Prekaz, si dhe te varret e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja e re nis zyrtarisht detyrën: Homazhe në Prekaz, te varri i Rugovës dhe Demaçit

Published

on

By

Me të marrë detyrën si Presidente e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka zhvilluar homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Në Prekaz, Presidentja Shiroka Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha Presidentja.

Ndërsa, gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.

“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi Presidentja Shiroka Pula.

Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, Presidentja nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.

“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo.

Presidentja Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.

/E.A/

Continue Reading

Vendi

Sindikata e Trepçës alarmon për sigurinë: Kërkohen hetim dhe investime pas bllokimit të minatorëve

Published

on

By

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër pas incidentit të së mërkurës, ku 63 minatorë mbetën të ngujuar për disa orë në nëntokë si pasojë e një defekti elektrik.

Përmes një komunikate për media, Sindikata e ka cilësuar rastin si një “alarm serioz” që nuk guxon të kalojë në heshtje, duke theksuar se nuk mund të pritet tragjedia për të marrë masa. Përfaqësuesit e minatorëve kërkojnë nga institucionet përgjegjëse një hetim të plotë e transparent, përcaktim të përgjegjësive, si dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës dhe rrugëve të emergjencës.

Sindikata njoftoi se ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për pajisjet e vjetruara, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve nga shteti, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në mënyrë që punëtorët të mos vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Prof. Alban Kuriqi, i pari në Kosovë për ndikimin shkencor gjatë karrierës dhe ndër universitetet private shqipfolëse në rajon për vitin 2025 

Published

on

By

Prof. Alban Kuriqi, nga UBT, renditet i pari në Kosovë për ndikimin shkencor gjatë karrierës dhe i pari ndër studiuesit e identifikuar të universiteteve private shqipfolëse në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut për ndikimin shkencor gjatë vitit 2025, sipas një analize krahasuese të të dhënave ndërkombëtare Stanford/Elsevier.

Prof. Kuriqi rezulton gjithashtu i vetmi studiues i identifikuar nga universitetet private të Kosovës në të dyja kategoritë e analizuara, që përfshijnë ndikimin shkencor gjatë vitit 2025 dhe ndikiminshkencor përgjatë karrierës. Në krahasimin me studiuesit e identifikuar nga të gjitha universitetet e Kosovës, ai renditet i dyti për ndikimin shkencor gjatë vitit 2025.

Këto rezultate bazohen në përditësimin e vitit 2026 të databazës Updated Science-Wide Author Databases of Standardized Citation Indicators, e cila mbështetet në të dhënat bibliometrike të Scopus dhe vlerëson ndikimin shkencor përmes treguesve të standardizuar të citimeve.

Kontributi shkencor dhe rëndësia për UBT-në 

Veprimtaria kërkimore e Prof. Kuriqit përqendrohet në inxhinierinë hidraulike, menaxhimin e burimeve ujore, hidroenergjetikën, ndryshimet klimatike, ekohidrologjinë dhe restaurimin e lumenjve. Përmes publikimeve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, ai kontribuon në kërkimin shkencor për sigurinë ujore, qëndrueshmërinë mjedisore dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Ky pozicionim përfaqëson një arritje individuale të rëndësishme dhe kontribuon në forcimin e profilit kërkimor dhe dukshmërisë ndërkombëtare të UBT-së.

Rreth databazës Stanford/Elsevier 

Databaza paraqet dy kategori të ndikimit shkencor: ndikimin gjatë një viti kalendarik (single-year) dhe ndikimin gjatë karrierës (career-long). Vlerësimi mbështetet në treguesin e përbërë të citimeve (c-score), i cili merr parasysh citimet, bashkautorësinë dhe pozicionin e autorit në publikime.

Burimi: Ioannidis, J. P. A. (2026). August 2026 data-update for Updated Science-Wide Author Databases of Standardized Citation Indicators. Elsevier Data Repository, Version 9.

 

Continue Reading

Të kërkuara