Lajmet

​Kurti takon O’Brien, diskutojnë për sulmin terrorist në kanalet e Ibër-Lepencit

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ndihmëssekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien, gjatë qëndrimit të tij në Belgjikë.

Kurti dhe O’Brien kanë diskutuar për sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit në Varragë të Zubin-Potokut.

Krahas kësaj, sipas komunikatës qeveritare, Kurti në takim me O’Brien e ka theksuar rëndësinë e arrestimit të kryeterroristit serb, Milan Radoiçiqi, i cili është organizues i sulmit terrorist në Zveçan me 24 shtator 2023, ku rreshteri policor Afrim Bunjaku mbeti i vrarë.

Sipas njoftimit, Kurti i ka bërë të ditur O’Brien se përderisa Milan Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë në Serbi, vazhdimisht do të jetë kërcënim për Kosovën.

Temë e diskutimit ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale me interes të përbashkët, me theks te sulmi terrorist i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Kryeministri ndau me z.O’Brien detajet e sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit si dhe reagimin e institucioneve shtetërore për sanimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me shërbime esenciale. Sulmi i 29 nëntorit, ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë, u shpreh kryeministri. Ndërkohë që hetimet për sulmin e fundit po vazhdojnë, kryeministri nënvizoi që në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Më tej, aty bëhet e ditur se kreu qeveritar ka falënderuar O’Brien dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës në hetimin e sulmit në kanalin e Ibër Lepencit dhe sjelljes së përgjegjësve para drejtësisë.

Sulmi i të premtes së 29 nëntorit ishte sulmi i tretë në tri ditë që për cak kishin institucionet e vendit. Paraprakisht target ishin Stacioni i Policisë në Zveçan dhe ndërtesa e Kuvendit të Komunës së Zveçanit. Gjithashtu, ai përbën sulmin e dytë në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit dhe ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, dhe sulmin më të madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore, qytetare, ekonomike dhe të institucioneve.Gjatë këtij takimi, kryeministri theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje”, përfundon komunikata qeveritare.

Kryeministri Kurti falënderoi Ndihmës Sekretarin O’Brien dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës në hetimin e sulmit në kanalin e Ibër Lepencit dhe sjelljes së përgjegjësve para drejtësisë.

Lajmet

Pinchotti dhe Marquez në UBT: Kosova frymëzoi karrierat tona në ushtrinë amerikane

Published

on

By

Në kuadër të forumit akademik për shënimin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbajtur në Kampusin Inovativ të UBT-së, dy krerët e organizatave të njohura amerikane për veteranët dhe familjet ushtarake, Besa Tafilaj Pinchotti dhe Mario Marquez, ndanë lidhjet e tyre personale me Kosovën dhe ndikimin që ky vend pati në rrugëtimet e tyre profesionale.

Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Familjeve Ushtarake në SHBA (NMFA), Besa Tafilaj Pinchotti, tregoi se si përvojat e saj fëmijërore në Kosovë dhe përjetimi i luftës nga distanca e shtynë drejt angazhimit për ushtrinë amerikane. Ajo potencoi rëndësinë e mjedisit akademik për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe.

“Nuk mund të mendoj asnjë vend më të mirë për të festuar 250-vjetorin e Amerikës se sa Kosova, sepse nuk njoh askënd që e do Amerikën më shumë se populli i saj. Njerëzit më të mirë për të zgjidhur problemet janë ata që janë më afër tyre, prandaj është kaq e rëndësishme të jemi në këtë mjedis akademik me këto mendje të shkëlqyera, sepse ju jeni njerëzit që do ta çoni këtë marrëdhënie përpara,” u shpreh Tafilaj Pinchotti.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv për Çështjet Qeveritare në “The American Legion”, organizata më e madhe e veteranëve në SHBA, Mario Marquez, evokoi kujtimet e tij nga viti 2002, periudhë kur kishte shërbyer në kuadër të misionit ushtarak në Kosovë. Ai përshkroi përvojat nga terreni dhe bashkëpunimin me banorët vendas për rindërtimin e infrastrukturës së ujësjellësit nëpër zona rurale, duke e cilësuar qëndrueshmërinë e popullit kosovar si frymëzim.

“Trashëgimia e Kosovës jeton dhe ka jetuar brenda meje gjatë gjithë jetës sime që nga viti 2002, që ishte hera e fundit që isha këtu. Ajo që njësiti ynë bëri së bashku me ata fshatarë është përkufizimi i një partneriteti të vërtetë, ku kapaciteti teknik takoi vullnetin e pandalshëm njerëzor; ne nuk u solli atyre vetëm ujin e rrjedhshëm për herë të parë, por ndërtuam një linjë jete së bashku,” deklaroi Marquez.

Të dy panelistët nënvizuan se vlerat e përbashkëta dhe partneriteti i ngushtë mes dy kombeve mbeten shtylla të fuqishme, mbi të cilat po edukohen edhe gjeneratat e reja në institucionet si UBT.

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

Edward P. Joseph në UBT: Roli i NATO-s është thelbësor për stabilitetin në Kosovë, por ka pengesa të jashtme

Published

on

By

Në Kampusin Inovativ të UBT-së ku u mbajt forumi akadaemik me temën “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”. Në këtë ngjarje, me një fjalim u paraqit profesori në Universitetin “Johns Hopkins” SAIS dhe eksperti i politikës së jashtme amerikane, Edward P. Joseph, i cili u fokusua në sigurinë rajonale, rrugëtimin historik të Kosovës dhe sfidat aktuale gjeopolitike.

Profesor Joseph, i cili ka një përvojë të gjatë me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ndau me audiencën kujtimet e tij nga viti 1999, periudhë kur shërbente si menaxher i kampit të refugjatëve kosovarë në Fort Dix të SHBA-së. Përmes një fotografie të asaj kohe, ai pasqyroi transformimin që ka pësuar vendi që nga periudha e luftës.

“Konfuci ka thënë se një fotografi vlen sa një mijë fjalë. Kjo fotografi këtu është e vitit 1999. Ata janë refugjatët kosovarë. Kjo është shkrepur në Fort Dix, ku unë shërbeja si menaxher i atij kampi refugjatësh. Ishte një periudhë vërtet e jashtëzakonshme intensive dhe jashtëzakonisht e vështirë për fëmijët dhe prindërit e tyre, shumë prej të cilëve, natyrisht, kishin ende të afërm këtu në Kosovë. Prandaj, dikush si unë ka një vlerësim dhe mirëkuptim shumë të thellë për gjithçka që ka kaluar Kosova,” u shpreh Joseph.

Në pjesën e fjalimit që ndërlidhej me sigurinë rajonale dhe arkitekturën e mbrojtjes, profesori amerikan vuri në dukje rëndësinë e aleancës veri-atlantike në rajon, si dhe sfidat diplomatike që lidhen me integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

Profesor Joseph vuri në dukje se roli i NATO-s ka qenë vendimtar jo vetëm për sigurimin e lirisë së Kosovës, por mbetet shtyllë thelbësore edhe për stabilitetin afatgjatë të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, ai sqaroi se procesi i integrimit dhe anëtarësimit të vendit në organizatat kryesore ndërkombëtare po bllokohet nga pengesa të jashtme politike dhe diplomatike në arenën globale.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Profesor Edward P. Joseph vlerësoi progresin në fushën e arsimit të lartë dhe infrastrukturën akademike të krijuar nga UBT.

“Dua të falënderoj Rektorin Hajrizi për nderin që më bëri duke më pritur në këtë objekt, dhe dua t’ju përgëzoj për këtë universitet të jashtëzakonshëm që keni ngritur. Mendoj se të gjithë këtu duhet t’u japim atyre një duartrokitje të ngrohtë,” përfundoi Joseph. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti në Bondsteel: Roli i SHBA-së dhe KFOR-it mbetet i pazëvendësueshëm për paqen dhe sigurinë

Published

on

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e pranimit të Komandës së Grupit për Mbështetje Rajonale në Ballkan të Ushtrisë Amerikane nga koloneli Kurt A. Rorvik, e mbajtur në Kampin Bondsteel në Ferizaj.

Sipas njoftimit, Grupi për Mbështetje Rajonale në Ballkan vepron në kuadër të Ushtrisë Amerikane për Evropën, duke ofruar mbikëqyrje teknike, ekspertizë dhe mbështetje për Komandën Rajonale – Lindje të KFOR-it në Kampin Bondsteel.

Në njoftim theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe misioni i KFOR-it kanë një rol kyç në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

“Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe KFOR-it në përgjithësi ka qenë dhe mbetet i pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon”, thuhet në njoftimin për media./A.K/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Në Kosovë janë konfirmuar 47 raste me fruth, Prishtina dhe Ferizaj me më së shumti raste

Published

on

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 29 qershor 2026 në vend janë konfirmuar gjithsej 47 raste me fruth.

Sipas të dhënave të Institutit, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 14 raste, e ndjekur nga Ferizaj me 12 raste. Ndërkohë, në Kaçanik janë raportuar 6 raste, në Fushë-Kosovë 3 raste, ndërsa në Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq nga 2 raste secila. Me nga një rast janë evidentuar komunat Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.

IKShPK u bën thirrje qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje ose ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqitet sa më parë në institucionin më të afërt shëndetësor.

Instituti thekson se, duke pasur parasysh përhapjen e lehtë të fruthit dhe rrezikun e komplikimeve, prindërit dhe kujdestarët duhet të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.

Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara