Lajmet

Kurti takoi drejtues të BEI-së, prioritet financimi në fushën e energjisë dhe arsimit

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në të ardhmen.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti, ka takuar të hënën zëvendëspresidenten e Bankës Evropiane për Investime (BEI), Lilyana Pavlova.

Krahas bashkëpunimit të deritanishëm dhe projekteve ekzistuese, në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në të ardhmen, sidomos në fushat prioritare të Qeverisë, si ajo e energjisë, arsimit dhe shëndetësisë, në të cilat EIB mund të japë mbështetje përmes financimit.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e Bankës Evropiane për Investime në zhvillimin e vendeve, duke e cilësuar atë si partnere të rëndësishme.

“Në dhjetë vitet e fundit, ky institucion financiar ka ofruar mbështetje me vlerë 241 milionë euro në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Përveç tjerash, në takim kryeministri gjithashtu foli edhe për Fondin Sovran, i cili u prezantua gjatë fundjavës që lamë pas”, thuhët në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Me këtë rast, zëvendëspresidentja Pavlova shprehu gatishmërinë e EIB për të mbështetur Qeverinë në këtë nismë.

Ajo gjithashtu theksoi faktin dhe rëndësinë për ta që Kosova ka një qeveri të qëndrueshme, pozitën e mirë makrofinanciare të saj dhe politikat e duhura fiskale që ka ndërmarrë Qeveria.

Në takim bashkë me kryeministrin Kurti, të pranishëm ishin edhe Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi si dhe Shefja e Kabinetit të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Anila Abazi.

Zëvendëspresidentja, Lilyana Pavlova po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në konferencën Vienna Economic Talks që u mbajt sot për herë të parë në Prishtinë.

Ajo ishte folëse kryesore në sesionin e dytë ku u diskutua për investimet e qëndrueshme në kohë krizash dhe në mjedis të fragmentarizuar, në të cilin pjesë e panelit ishin edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Lajmet

Arrestohen dy zyrtarë të MPB-së, kundërligjshëm lëshonin lejeqëndrimi për shtetas të huaj

Published

on

Tre persona, prej tyre dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “falsifikim i dokumentit”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas disa muajsh hetime dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Sipas Prokurorisë, njëri nga të ndaluarit është zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).

Të dyshuarit me inicialet F.Sh. dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa D.K. dyshohet për falsifikim të dokumenteve.

Sipas hetimeve fillestare, F.Sh. dhe G.J. dyshohet se kanë lëshuar lejeqëndrime për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacion përkatës dhe duke përfituar, dyshohet, dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërkaq, D.K. dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme për t’iu mundësuar personave të tjerë aplikimin dhe pajisjen në mënyrë të kundërligjshme me lejeqëndrim në Kosovë.

Për rastin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili ka mirëpritur aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe AKI-së, duke thënë se çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

SHBA heton nëse Rusia ndihmoi Iranin në sulmet ndaj objekteve të CIA-s

Published

on

Shërbimet amerikane të inteligjencës po hetojnë nëse Rusia e ka ndihmuar Teheranin në kryerjen e sulmeve ndaj objekteve të CIA-s, kanë bërë të ditur për agjencinë e lajmeve Reuters katër burime amerikane.

Të paktën dy objekte të CIA-s në Lindjen e Mesme u goditën nga sulme me dronë iranianë në muajin mars.

Sipas burimeve, të cilat folën në kushte anonimiteti, zyrtarët amerikanë ende nuk kanë arritur në përfundime përfundimtare lidhur me përfshirjen e mundshme të Rusisë.

Megjithatë, efikasiteti dhe saktësia e sulmeve mund të jenë tregues se Irani ka marrë nga Rusia të dhëna për shënjestrimin ose teknologji të avancuar për dronë.

Sipas raportimeve, një stacion i CIA-s i vendosur në ambasadën amerikane në Riad të Arabisë Saudite, si dhe një objekt tjetër në lindje të Irakut, u goditën gjatë këtyre sulmeve.

Disa nga burimet i thanë Reuters se janë goditur edhe objekte të tjera të CIA-s, por nuk dhanë detaje të mëtejshme.

Duke dëshmuar para një komisioni të Senatit amerikan në Uashington, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, la të kuptohet se Rusia po ndihmon operacionet ushtarake të Iranit.

I pyetur nëse Rusia dhe Kina po e ndihmojnë Iranin, Hegseth u përgjigj: “Ka mënyra në të cilat të dyja këto vende, në nivele të ndryshme, po mundësojnë atë që Irani po bën, po”. /Reuters/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Moti sot, temperaturat deri në 29 gradë

Published

on

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta lokale.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 deri 11 gradë Celsius, ndërkaq temperaturat maksimale nga 24 deri 29 gradë.

Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, e lehtë deri mesatare 2–7 m/s./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rama: Shtëpia në “Rrugën A” është ndërtuar pa leje dhe në pronë komunale

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me çështjen e shtëpisë në Rrugën A, duke sqaruar se ajo është ndërtuar pa leje dhe ndodhet në pronë komunale.

Rama ka bërë të ditur se familjet që kanë banuar në këtë shtëpi janë evakuuar para dy vitesh, për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut nga rrëshqitja e dheut.

Sipas tij, pavarësisht se shtëpia është ndërtuar pa leje në pronë komunale, Komuna e Prishtinës ka paguar dhe vazhdon të paguajë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara.

“Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguajë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara”, ka deklaruar Rama.

Ai u ka bërë thirrje personave që të mos hyjnë në këtë zonë, duke theksuar se ajo mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe mund të paraqesë rrezik për jetën e tyre dhe të ekipeve në terren.

Rama ka theksuar se prona komunale duhet të respektohet dhe të mbrohet sipas ligjit, njësoj si çdo pronë tjetër.

“Prona është e shenjtë. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit”, ka thënë Rama. /A.K/

Continue Reading

Të kërkuara