Lajmet

Kurti: Strategjia e e-Qeverisjes 2023-2027 rrit mirëqenien e qytetarëve

Kurti tha se digjitalizimi rrit transparencën dhe llogaridhënien.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh sot se Strategjia e re për e-Qeverisje 2023-2027 vendos vizionin për një administratë publike të digjitalizuar, e cila ndikon në mirëqenien e qytetarëve.

Në konferencën “Strategjia e e-Qeverisjes në funksion të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike”, Kurti tha se digjitalizimi rrit transparencën dhe llogaridhënien.

Sa i takon transformimit digjital, shefi i ekzekutivit kosovar u shpreh se Kosova krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun.

“Strategjia e re e e-Qeverisjes 2023-2027 që sot po e prezantojmë e vendos vizionin tonë për një administratë publike të digjitalizuar, e cila ndikon në mirëqenien e qytetarëve. Ajo, po ashtu e maksimizon efektivitetin, transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes si dhe ndikon pozitivisht në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit… Strategjia parasheh reforma përmbajtjesore që bazohen në parimet kyçe të Komisionit Evropian për digjitalizim të shërbimeve e të cila synojnë të transformojmë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me administratën publike. Një nga këto parime është ai i vendosjes së qytetarit në qendër. Kjo nënkupton dizajnimin dhe ofrimin e shërbimeve që të tilla të jenë të bazuar në nevojat e qytetarët të eliminojnë burokracinë dhe të mundësojnë qasje nga kudo dhe kurdo dhe të kursejnë kohë… Tashmë kemi mbuluar 100% të zonave të banuara me internet Kosova është në top 7 vendet në Evropë dhe krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun”, tha Kurti.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla theksoi se fokusi i kësaj ministrie ndër të tjerash është edhe transforimimi digjital.

Ai tha se ky transformim rrit mirëqenien e qytetarëve dhe mundëson rritje të qëndrueshme ekonomike të vendit.

“Strategjia 5-vjeçare e qeverisjes elektronike që po e diskutojmë sot ka në vizionin transformimin digjital të administratës tonë publike që maksimizon mirëqenien e qytetarit, rrit efektivitetin, transparencën dhe llogaridhënien në sektorin publik si dhe mundëson rritje të qëndrueshme ekonomike të vendit tonë. Kjo strategji e punuar mbi një analizë të mirëfilltë aktuale dhe kapaciteteve që kemi në këtë drejtim bënë më të qartë rrugën që bënë në këtë proces… Si Qeveri dhe si ministri e Punëve të Brendshme kemi miratuar një sërë dokumentesh strategjike që do i kontribuojnë procesit të digjitalizimit në tërësi”, deklaroi Sveçla.

Ndërkaq, mbasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde shprehu gaditshmërinë e shtetit të tij për Kosovës për përmirësimit të digjitalizimit në Kosovë.

Ai tha se fal bashkëpunimit të tyre janë përmirësuar shërbimet publike dhe zhvillimi i biznesit dhe cilësia e jetës për të gjithë qytetarët.

Ai, moment të rëndësishëm e konsideron edhe miratimin e strategjisë së qeverisjes elektronike, e cila sipas Rohde e përafron Kosovën me anëtarësimin në BE.

“Gjermania është dhe qëndron shumë e përkushtuar për të bashkëpunuar më tej me Qeverinë e Kosovës në përmirësimin e digjitalizimit në Kosovë. Një shembull i mirë i bashkëpunimit tonë është sistemi i hartimit të ligjeve i zhvilluar në vitin 2022, i cili e bën procesin shumë intensiv, shumë efikas. Jam shumë i kënaqur të shoh se qeveria e Kosovës po ndërmerr edhe hapa të tjerë konkretë për transformimin e vendit, veçanërisht draftin e strategjisë së qeverisë, 2023-27, e cila do të çojë në arritjen e synimeve të agjendës digjitale 2030 të Kosovës…. Arsyeja pse Gjermania mbështet digjitalizimin e sektorit publik në Kosovë është edhe për shkak se ka potencial për të përmirësuar ndjeshëm jetën e njerëzve duke krijuar besim nëpërmjet transparencës, llogaridhënies, zbatimit më efikas, përmirëson ofrimin e Shërbimit Civil brenda qeverisë dhe përmirësimin e sigurisë ligjore me një synim të gjatë për t’u anëtarësuar në BE”, u shpreh ai.

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara