Lajmet

​Kurti: Prokuroria po e lufton qeverinë, jo krimin e korrupsionin

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Prokurorinë se po lufton qeverinë e vendit, e jo krimin dhe korrupsionin. Kurti, pasi nuk iu përgjigj urdhrit të Gjykatës Themelore për të dhënë dëshmi të martën në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore, tha se nëse kjo e fundit e ka pasur të rëndësishme dëshminë e tij do të duhej të shkonte tek ai në Zyrë të Kryeministrit.

Kurti nga Gjilani, ku mori pjesë në vendosjen e gurthemeli të një çerdheje, tha se është i gatshëm të jap dëshminë, mirëpo vetëm në zyrën e tij, pasi siç shtoi ai, ka pasur raste të tilla edhe në të kaluarën.

Ai ka refuzuar të jap dëshminë e tij edhe në dy ftesa paraprake të Prokurorisë Speciale gjatë muajit dhjetor 2024.

“Unë asnjëherë s’kam thënë se nuk do të jap dëshmi apo refuzoj të jap dëshmi, përkundrazi kam thënë jo vetëm që jam i gatshëm por edhe interesuar që të dëshmojë. Në anën tjetër i kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret se kur mund të bëhet dëshmia. Unë i mirëpres Prokurorinë e Shtetit në Zyrën e Kryeministrit. Ka pasur raste edhe në të kaluarën kur prokurorët dhe hetuesit kanë ardhur për kryeministra dhe madje jo vetëm si dëshmitarë por edhe si të pandehur. Prandaj s’ka asnjë arsye që mos të vazhdohet. Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime. Nëse prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time ai duhet të vinte tek ne. Një prokuror nëse ka synim kryesor dëshminë e dëshmitarit ai nuk humb kohë. Shtrohet pyetja pse i humb prokuroria tre muaj? Për bindjen time të fuqishme më shumë është e interesuar të mbush ballinat e ndonjë portali të oligarku sesa të sjell drejtësi. Kurrë Prokuroria e Shtetit s’ka qenë më e lirë për të vepruar. Fatkeqësisht lirinë po e përdorë dhe keqpërdorë për të luftuar qeverinë dhe jo krimin e korrupsionin”, tha Kurti.

Përkitazi me këtë,Kurti theksoi se përderisa prokuroria nuk ndryshon qasje dhe as udhëheqje, as ai nuk do të ndryshojë qëndrim.

Sipas tij, shteti po dëmtohet nga, siç e quajti ai, barrikadimi i Këshillit Prokurorial dhe Prokurorisë Speciale, derisa përmendi që rreth 247 kallëzime penale të dorëzuara nga ministrat e qeverisë Kurti s’kanë prodhuar asnjë aktakuzë.

“Ministrat e qeverisë që udhëheq unë, i kanë dorëzuar 247 kërkesa për hetime ose kallëzime penale, por asnjëherë prej tyre s’ka prodhuar hetim me aktakuzë. Pra, çka bën prioritete prokuroria, flet për prokurorinë dhe jo për krimin dhe korrupsionin, pasi ai është dashur të luftohet prej tyre. Ju e dini se zgjedhjet në Kosovë nuk mbahen për kryeprokuror por për kuvend dhe ekzekutiv të ri. Kyreprokurorët janë aty të barrikaduar si në Prokurorinë Speciale dhe sidomos në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Kjo është për të ardhur keq dhe është një dëm i vazhdueshëm dhe një padrejtësi që po i bëhet shtetit. Përderisa prokuroria nuk ndryshon qasje dhe as udhëheqje se këto dy po duken të lidhura njëra me tjetrën nuk kam pse ndryshoj qëndrim as unë”, theksoi Kurti.

Këto komente Kurti i bëri pasi mori pjesë të martën në vendosjen e gurthemelimit të një çerdheje në Gjilan, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagacvci dhe kryetarin e komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Ftesa për sot ndaj Kurtit ka ardhur pasi Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 shkurt ka lëshuar urdhër që obligon kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti që të paraqitet më 4 mars në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, raporton KosovaPress.

Sipas njohësve juridikë, pas refuzimit për dëshmuar, përkundër urdhrit të gjykatës, Kurti mund të gjobitet me 250 euro.

Lajmet

Laura Fazliu kalon në gjysmëfinale të Grand Slam-it në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudistja kosovare Laura Fazliu po vazhdon me sukses paraqitjen e saj në Grand Slam-in e xhudos që po heldet në Abu Dhabi, duke siguruar një vend në gjysmëfinale të këtij turneu me rëndësi.

Fazliu e nisi garën duke qenë e lirë në xhiron e parë. Në raundin e dytë, ajo mposhti me Waza-ari garuesen nga Portugalia, Joana Crisostomo. Forma e mirë e xhudistes kosovare u konfirmua edhe në çerekfinale, ku me Ippon mposhti me dominim përfaqësuesen vendase nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Tsendbazar Mashbat.

Në luftën për të siguruar finalen e madhe, Laura Fazliu do të përballet në gjysmëfinale me xhudisten nga Polonia, Angelika Szymanska. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi akademike për profesionistët: UBT ndan bursa 20% për studimet Master

Published

on

By

Teksa po afrohen ditët e fundit të afatit për regjistrime në nivelin Master, UBT rikujton të gjithë profesionistët e angazhuar në tregun e punës se mund të përfitojnë nga iniciativa “Engaged Scholarship”, e cila ofron 20% bursë studimi për avancimin e tyre akademik.

Programi u dedikohet punonjësve në sektorin publik dhe privat që synojnë të ngrenë nivelin e tyre profesional. Përfitues të kësaj zbritjeje mund të jenë kategori të ndryshme, përfshirë zyrtarët e administratës publike, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, gazetarët dhe zyrtarët e marrëdhënieve me publikun, avokatët, kontabilistët, si dhe stafi shëndetësor e teknologët e ushqimit.

Për t’ua lehtësuar procesin kandidatëve që janë në marrëdhënie pune, ligjëratat zhvillohen me orar fleksibil, kryesisht në orët e pasdites. Të gjithë të interesuarit kanë edhe pak ditë kohë për të shfrytëzuar këtë mundësi para përmbylljes zyrtare të afatit të regjistrimeve për këtë vit akademik.

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Arian Kadriu, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore në Ukrainë

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Arian Kadriu, ka marrë pjesë në edicionin e 14-të të konferencës ndërkombëtare shkencore dhe praktike “Ivan Ivanchenko Scientific School”, të organizuar në Ukrainë, ku ka prezantuar një punim shkencor në kuadër të sesionit plenar të konferencës.

Në këtë konferencë, profesori Kadriu, në bashkautorësi me eksperten Delfina Ertanowska, prezantoi punimin me titull “Strategic Friction and Interoperability Failure: The Communication Crisis in the Evolving Security Architecture of NATO’s South Eastern Flank”, i cili trajton sfidat strategjike, problemet e ndërveprueshmërisë dhe krizën e komunikimit në kuadër të arkitekturës së sigurisë në zhvillim të krahut juglindor të NATO-s.

Punimi trajton çështje me rëndësi për zhvillimet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke vënë në fokus koordinimin strategjik, komunikimin ndërinstitucional dhe sfidat që ndikojnë në bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë në kuadër të strukturave të sigurisë së NATO-s. Konferenca “Ivan Ivanchenko Scientific School” mbledh studiues, akademikë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme shkencore, duke krijuar një platformë për prezantimin e kërkimeve, shkëmbimin e përvojave akademike dhe diskutimin e temave me rëndësi ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Nisi protesta në Pejë për vrasjen e Arlinda Zekajt, ngjyrosen me të kuqe këpucët e policëve

Published

on

By

Ka nisur në Pejë protesta gjithëpopullore kundër vrasjes së grave, në shenjë revolte pas rastit të rëndë të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë.

Masa e mbledhur ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj dështimeve institucionale, duke kërkuar drejtësi të menjëhershme dhe llogaridhënie. Në një akt simbolik revolte, protestuesit kanë ngjyrosur me ngjyrë të kuqe këpucët e zyrtarëve policorë që po siguronin ngjarjen, teksa në kor brohorisnin thirrjet “Marre”.

Marshimi i protestuesve do të përshkojë të gjitha institucionet përgjegjëse në qytet, duke u ndalur para Komunës së Pejës, Qendrës për Punë Sociale, Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore.

Kjo protestë në Pejë është pjesë e valës së reagimeve qytetare që po zhvillohen në të gjithë Kosovën, me kërkesën e prerë për siguri, mbrojtje institucionalisht të garantuar dhe ndëshkim të përgjegjësve për mosveprimet që çuan në këtë tragjedi. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara