Lajmet

Kurti pret në takim Escobarin

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është bërë e ditur se takimi do të zhvillohet në orën 15:30.

Published

on

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme pret në takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është bërë e ditur se takimi do të zhvillohet në orën 15:30.

“1.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftim.

Dje emisari Escobar takoi të parën presidenten Vjosa Osmani në vizitën zyrtare të nisur në Kosovë. Në orën 10:00 ai arriti në Presidencë ku zhvilloi takimin me Osmanin, me të cilën më vonë doli në konferencë për media.

“Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni garantuesja kryesore dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe faleminderit për këtë. Dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës. Pra, ne do të vazhdojmë t’i thellojmë marrëdhëniet tona në të gjitha linjat e interesave”.

Ndërsa nga ora 19:00 ka takuar krerët opozitarë në një takim të përbashkët. Por ndërkohë që po zhvillonte takimin me Osmanin u dha një lajm nga kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë, të cilin më pas do ta komentonte Escobar.

Kurti njoftoi se i kanë kërkuar Agjencionit të Kadastrit që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit.

Këtë vendim, emisari amerikan e cilësoi si të vështirë, por të nevojshëm. Ai me këtë rast përmendi institucionet e Kosovës.

“Dua ta përmend sa me rëndësi është vendimi i sotëm për Manastirin. Ishte vendim i vështirë, por i nevojshëm dhe i falënderojmë institucionet për gjithë bashkëpunim”.

Një ditë para se të vijë në Kosovë, të martën Escobar nga Brukseli pati disa vërejtje të ashpra për komunikimin diplomatik me Kurtin, duke pranuar se ka çarje.

“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin”.

Madje, Escobar shtoi se jo vetëm SHBA-ja ka probleme në komunikim, por është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Emisari amerikan zbuloi arsyen e vizitës së tij në Kosovë kur u pyet se pse nuk po shkon në Maqedoninë e Veriut.

“Situata në Kosovë është e tmerrshme, prandaj më duhet ta vizitojë Kosovën”.

Këtu ai iu referua edhe situatës me dinarin, vendimin për të cilin e cilësoi “katastrofik” dhe “jokompetent”.

Escobar ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për ndikimin që ka te komuniteti serb.

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme, Escbar ka takuar presidenten Vjosa Osmani dhe krerët e partive opozitare.

Lajmet

Turqia, Pakistani, Egjipti dhe Arabia Saudite dënojnë sulmet e rebelëve Houthi ndaj aeroportit të Riadit

Published

on

By

Turqia, Pakistani, Egjipti dhe Arabia Saudite – të njohura si grupi R4 – kanë dënuar ashpër sulmet e njëpasnjëshme të rebelëve Houthi të Jemenit ndaj Aeroportit Ndërkombëtar të Riadit, duke i cilësuar ato si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm për sigurinë rajonale.

Sipas autoriteteve saudite, një sulm i ri i kryer të dielën ka lënë një person të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, vetëm një ditë pasi një goditje tjetër nga Houthit shkaktoi 13 viktima dhe mbi 300 të lënduar.

Përmes një deklaratë të përbashkët, katër fuqitë rajonale shprehën solidaritetin e tyre me Riadin dhe konfirmuan mbështetjen për të gjitha masat mbrojtëse që Arabia Saudite do të ndërmarrë. Ato bënë përgjegjës grupin Houthi për pasojat mbi paqen ndërkombëtare dhe kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve.

Zotimi për mbrojtje vjen në kuadër të marrëveshjes ushtarake të nënshkruar në gusht mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit, e cila parashikon reagim të përbashkët ushtarak dhe vendosje të shpejtë të forcave mbrojtëse në rast sulmi ndaj ndonjërës prej palëve. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Punëtorët e NPB-së protestojnë para Supremes, kërkojnë pagat dhe trajtimin e lëndës

Published

on

By

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë protestuar të hënën para Gjykatës Supreme në Prishtinë, duke kërkuar përshpejtimin e trajtimit të lëndës së tyre gjyqësore, vonesa e së cilës i ka lënë pa paga.

Sipas përfaqësuesve të punëtorëve, vonesat në vendimmarrjen e gjyqësorit po ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qindra familjeve, ndonëse stafi ka vazhduar të kryejë detyrat e punës dhe t’u ofrojë shërbime qytetarëve.

Organizatori i protestës, Xhevat Prebreza, theksoi se kërkesa e tyre kryesore është mosvonesa e drejtësisë.

“Jemi këtu para Gjykatës Supreme sepse pas kësaj lënde janë qindra punëtorë dhe familje që presin një përgjigje. Ne nuk po kërkojmë ndërhyrje në drejtësi, por kërkojmë që drejtësia të mos vonohet, sepse në mes është jeta e familjeve tona”.

Prebreza u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me urgjencë, duke ngritur pyetjen se sa gjatë duhet të presin punëtorët për të marrë pagat që u takojnë me ligj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e SHBA-së shpreh gatishmëri për bashkëpunim me presidenten Shiroka-Pula

Published

on

By

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pas një takimi zyrtar të zhvilluar me përfaqësues të këtij misioni diplomatik.

Përmes një njoftimi zyrtar, ambasada amerikane konfirmoi përkushtimin e saj të vazhdueshëm për të punuar ngushtë me institucionet e Kosovës në realizimin e objektivave strategjike.

“Ambasada amerikane mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës në avancimin e prioriteteve të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, si dhe prosperitetin e ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Halil Bashota merr pjesë në konferencën ndërkombëtare për ekokritikën në Londër

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Halil Bashota ka prezantuar punimin e tij shkencor dhe ka marrë pjesë në një panel diskutimi në Konferencën Ndërkombëtare për Ekokritikën dhe Studimet Letrare, të organizuar nga London Centre for Interdisciplinary Research (LCIR), në Birkbeck, University of London, në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Punimi i profesorit Bashota trajtoi ekopoetikën dhe modernizmin përmes veprave të poetit amerikan William Carlos Williams, me fokus të veçantë në poezitë “Asphodel” dhe “The Red Wheelbarrow”. Përmes kësaj analize, ai shqyrtoi mënyrën se si poezia e Williams-it ndërton marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe natyrës, trajton botën natyrore dhe nxjerr në pah rëndësinë ekologjike të përditshmërisë.

Konferenca e cila u organizua nga London Centre for Interdisciplinary Research (LCIR) në Birkbeck, University of London, shërbeu si një platformë për dialog ndërdisiplinor dhe diskutime mbi mënyrat se si letërsia, kultura dhe studimet mjedisore ndihmojnë në kuptimin e marrëdhënies së njeriut me natyrën dhe sfidat ekologjike bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara