Lajmet

​Kurti përkujton të vrarët në Kralan: Përgjegjësia dhe e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar

Kurti ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në afërsi të shkollës së emëruar “8 Dëshmorët”.

Published

on

Në 25-vjetorin e masakrave të kryera nga forcat e armatosura të Serbisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kralan të Gjakovës përkujtoi të vrarët në masakrën ndaj popullsisë civile në këtë fshat. Kurti ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në afërsi të shkollës së emëruar “8 Dëshmorët”.

Ai theksoi se shumica dërrmuese e të vrarëve nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në Serbi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishin civilë të pambrojtur.

“Më vjen shumë mirë që shkolla e mban emrin ‘8 Dëshmorët’, sepse duhet t’ua kujtojmë të gjithë brezave, edhe atyre aktual edhe atyre që vijnë pas nesh, edhe fëmijëve që nuk kanë lindur ende, do të bëhen nxënës në këtë shkollë një ditë, se liria të cilën ne e gëzojmë, shteti të cilin e ndërtojmë dhe e zhvillojmë i ka rrënjët pikërisht te ky çmim i lartë që e kemi paguar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, tha Kurti.

Kurti ka vendosur lule te lapidari në të cilën janë të shkruar 88 emra të shqiptarëve.

“Nga mijëra banorë nga rajoni të grumbulluar në Kralan, të ndarë burrat prej grave dhunshëm nga forcat serbe, u vranë 86 civilë të paarmatosur, derisa rrugës për deportim në Shqipëri u vranë dy të tjerë. 11 nga viktimat e këtij krimi kanë qenë fëmijë, ndërkaq 18 prej të vrarëve janë gjetur në afërsi të liqenit Peruçac në Bajina Bashta të Serbisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kryeministri theksoi se përgjegjësia dhe e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar të cilët sipas tij duhet t’i kthejnë mbi 1 mijë e 600 trupat e më të dashurve, të cilët vazhdojnë të mungojnë edhe 25 vjet më vonë.

“Ju bëjmë thirrje edhe faktorit ndërkombëtar që të bëjnë trysni mbi Beogradin, në mënyrë që të ketë drejtësi për Kosovën, për viktimat e shumta gjithandej, të pranverës së vitit 1999, meqenëse pa drejtësi, plaga vazhdon të kullojë e familjet e martirëve vazhdojnë që të kenë ankth e vuajtje, meqenëse shumë prej tyre nuk e dinë se ku i kanë trupat e pajetë e më të dashurve të tyre”, përfundoi kryeministri Kurti.

Në njoftim thuhet se dëshmitarët kanë rrëfyer se si mes 2 dhe 4 prillit të vitit 1999, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, torturuan qindra burra dhe djem shqiptarë, të rrethuar me tanke në një fushë në Kralan.

“Pas dy ditësh rrahje e keqtrajtimi, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave, të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë”, thuhet në njoftim.

Vendi

Lipjan: Arrestohen dy prindër, nuk u kujdesën për fëmijën e tyre të sëmurë

Published

on

By

Dy prindër nga Lipjani janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për “shkelje të detyrimeve familjare”.

Sipas raportit 24-orësh të policisë, rasti u zbulua pasi fëmija i tyre i mitur u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore në QKUK për trajtim mjekësor.

Hetimet e para tregojnë se gjendja e rënduar e të miturit ka ardhur si pasojë e mospërkujdesjes dhe mos-trajtimit të duhur nga ana e prindërve.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po vazhdon të trajtohet nga organet e drejtësisë.

Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana  e prindërve të tij. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Continue Reading

Lajmet

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Vendi

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Të kërkuara