Lajmet

Kurti për varrimin e Mlladiqit: Serbia ka kaluar në glorifikim shtetëror të gjenocidit

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj ceremonisë së varrimit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje, Ratko Mlladiq, duke akuzuar Beogradin zyrtar për glorifikim shtetëror të një krimineli të dënuar për gjenocid.

Kurti ka krahasuar zhvillimet e fundit në Kosovë me ato në Serbi, duke përmendur 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, përvjetorin e vdekjes së Nënë Terezës dhe Ditën e Kushtetutës së Kaçanikut.

Në anën tjetër, ai ka thënë se Serbia fundjavën e ka kaluar duke u përgatitur për ceremoninë e Mlladiqit.

“Serbia fundjavën e kaloi në përgatitje të asaj që bëri dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik i dokumentuar përmes dëshmive, identifikimeve forenzike dhe dokumentimit të krimeve.

Kurti e ka krahasuar Mlladiqin me ish-presidentin jugosllav, Slobodan Millosheviq, duke e cilësuar atë si një prej figurave kryesore të aparatit ushtarak të tij.

Ai ka kritikuar gjithashtu ceremoninë e organizuar për Mlladiqin, duke thënë se Serbia ka kaluar nga mohimi i krimeve në glorifikimin e tyre.

“Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore”, ka shkruar Kurti.

Në fund, ai ka deklaruar: “Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Komisioni Evropian propozon kufizimin e të drejtave për anëtarët e ardhshëm të BE-së

Published

on

By

Komisioni Evropian do të propozojë kufizimin e disa të drejtave për anëtarët e ardhshëm të Bashkimit Evropian (BE), si dhe kalimin në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar, në vend të unanimitetit, në një numër fushash, përfshirë edhe zgjerimin.

Këto janë elementet kryesore të strategjisë për zgjerimin që KE-ja do ta miratojë dhe publikojë më 7 tetor.

Qëllimi i këtyre dy propozimeve është që pranimi i anëtarëve të rinj të mos e vështirësojë edhe më tej procesin tashmë të komplikuar të vendimmarrjes brenda bllokut evropian.

KE-ja në strategji do të theksojë se zgjerimi duhet të përgatitet mirë, për përfitim të ndërsjellë. Nga njëra anë, kandidatët për anëtarësim duhet të jenë të gatshëm dhe të përmbushin kushte të rrepta, ndërsa nga ana tjetër, edhe BE-ja duhet të jetë institucionalisht, financiarisht dhe politikisht e gatshme që të mbetet funksionale edhe pas zgjerimit.

Sipas draftit të dokumentit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë (REL), mekanizmat për anëtarët e ardhshëm, që po përgatit Komisioni, do të synonin kufizimin e mundësisë për bllokimin e vendimeve gjatë viteve të para të anëtarësimit, ndërsa shtetet anëtare ekzistuese do të kishin në dispozicion instrumente për të reaguar nëse anëtaret e reja, pas anëtarësimit, devijojnë nga detyrimet e marra përsipër.

 

Anëtarët e ardhshëm pa të drejtë vetoje

Elementi më i ndjeshëm i draftit ka të bëjë me kufizimin e së drejtës së vetos, që në dokument quhet në mënyrë simbolike “detyrim i përkohshëm lidhur me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”.

Sipas këtij propozimi, anëtarët e ardhshëm do të zotoheshin të mos kundërshtonin vendimet e Këshillit në fushat në të cilat kërkohet unanimitet.

Ky propozim do të zbatohej për çështjet institucionale dhe çështjet që lidhen me zgjerimet e ardhshme.

Në këmbim, siç thuhet në draft, institucionet evropiane do të angazhoheshin për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme kur një anëtar i ri t’i referohej interesave thelbësore kombëtare.

Marrëveshjet e reja, sipas burimeve të REL-it të njohura me përmbajtjen e dokumentit, do të përfshiheshin në një deklaratë të përbashkët që do t’i bashkëngjitej Traktatit të Anëtarësimit. Deklarata do të miratohej para Traktatit të Anëtarësimit.

Përveç mekanizmave ekzistues që kanë vlejtur për anëtaret e mëparshme, KE-ja do të propozojë shtimin e dy mekanizmave të rinj, që lidhen me çështjet financiare dhe institucionale.

Mekanizmi financiar mbrojtës do t’i mundësonte KE-së që, për një periudhë të kufizuar pas anëtarësimit, të propozojë masa proporcionale nëse ka prova të qarta ose rrezik serioz se mangësitë në sundimin e ligjit po rrezikojnë menaxhimin financiar të buxhetit të BE-së ose mbrojtjen e interesave të tij financiare.

Klauzola institucionale do të zbatohej në rast të një “shkeljeje veçanërisht të rëndë”, kur Këshilli i BE-së do të mund të miratonte masa të përshtatshme dhe proporcionale, përfshirë pezullimin e përkohshëm të disa të drejtave që rrjedhin nga anëtarësimi.

Komisioni, përmes këtij dokumenti, do të paralajmërojë gjithashtu forcimin e masave në rast të përkeqësimit të sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore pas përfundimit të negociatave të anëtarësimit.

 

Ndryshime të propozuara edhe në institucionet e BE-së

Duket se anëtarësimi në BE nuk do të nënkuptojë që anëtaret e ardhshme do të kenë automatikisht edhe komisionarët e tyre, pasi sipas propozimit të ri kjo nuk do të vlejë as për anëtarët ekzistues.

Komisioni, në fakt, propozon që numri i komisionarëve, i cili aktualisht korrespondon me numrin e shteteve anëtare, të reduktohet në dy të tretat e numrit të shteteve anëtare, me rotacion rreptësisht të barabartë.

Komisioni mbështet gjithashtu zbatimin më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar, si dhe bashkëpunimin e shtuar të një grupi shtetesh kur nuk ka unanimitet.

Drafti, ndër të tjera, propozon që vendimmarrja me shumicë të cilësuar të zbatohet në hapat ndërmjetës të procesit të zgjerimit, siç janë hapja dhe mbyllja e kapitujve, ndërsa unanimiteti do të vlente vetëm për vendimin përfundimtar për pranimin e një anëtareje të ardhshme në BE.

 

Continue Reading

Lajmet

Sulmi në Ibër-Lepenc: Vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve në Prishtinë

Published

on

By

Sot, më 29 shtator, para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të dalin të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, Dragisha Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, në vazhdimin e procesit gjyqësor që lidhet me sulmin eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit.

Vëllezërit Viqentijeviq ngarkohen me veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimit të instalimeve publike në ndërlidhje me kryerjen e veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje pa leje. Përveç kësaj, Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq ngarkohet me armëmbajtje pa leje.

Ngjarja ka ndodhur më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori special Bekim Kodraliu, në kanal ishte vendosur një çantë me rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT, ku i akuzuari Jovan Viqentijeviq dyshohet se kishte ndezur fitilin. Sulmi dëmtoi rëndë infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe rrezikoi drejtpërdrejt operimin e termocentraleve të KEK-ut e prodhimin e energjisë elektrike në vend.

Ndër provat kryesore të Prokurorisë Speciale është ekzaminimi krahasues i dheut të gjetur në çizmet e sekuestruara të të akuzuarve me mostrat e marra në vendin e ngjarjes. Në këtë ekzaminim janë përfshirë edhe ekspertë të FBI-së amerikane, ku ngjashmëria e mostrave lidh vëllezërit Viqentijeviq me vendin e shpërthimit.

Në pjesën e aktakuzës që lidhet me spiunazhin, prokuroria pretendon se Jovan Viqentijeviq ka vepruar në shërbim të inteligjencës ushtarake të Serbisë. Ai dyshohet se ka grumbulluar informacione të klasifikuara, përfshirë një dokument 66-faqësh të KFOR-it, vëzhgimin e ushtarakëve amerikanë dhe fotografimin e bazës së Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Jasenovik.

Procesi gjyqësor vijon pas dhënies së fjalëve hyrëse në seancën e 9 korrikut 2026. Të gjithë të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me një vendim të formës së prerë nga gjykata.

 

Continue Reading

Lajmet

Mot me diell e vranësira të lehta në Kosovë

Published

on

By

Dita e sotme në Kosovë parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës pritet të arrijnë nga 20 deri në 23 gradë Celsius.

Gjithashtu, do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi prej 1 deri në 5 m/s. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia sulmon ndërtesën e Akademisë Kombëtare të Shkencave në qendër të Kievit

Published

on

By

Një sulm rus ka goditur një ndërtesë të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës dhe një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar.

Zjarrfikësit po luftojnë me flakët dhe po kërkojnë për këdo që mund të ketë qenë brenda, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Telegram.

Forcat ruse kanë goditur gjithashtu një kompani farmaceutike dhe pika karburanti në Kiev, një qendër biznesi në Dnipro, si dhe objekte civile, ndërmarrje dhe infrastrukturë komunikimi në qytete e rajone të tjera, shtoi lideri ukrainas.

Zelensky ka thënë se ka viktima dhe u ka shprehur ngushëllime familjeve të tyre. Ai ka thënë se Rusia do të marrë një përgjigje.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se forcat e saj kanë goditur dy qendra të dhënash në Kiev, si dhe pika karburanti në kryeqytetin ukrainas. Ajo ka njoftuar gjithashtu se një qendër shpërndarjeje e shërbimit postar “Nova Poshta” u godit në qytetin jugor të Odesës. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara