Lajmet

Kurti për AFP: Presidenti despotik Putin është në kërkim të një konference të re të Jaltës

Kurti: Ai është lider i luftës, nuk është i paqes. Ai është i interesuar që ta marrë gjithë Ukrainën

Published

on

Intervista e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti për Agjencinë Franceze të Lajme, AFP 

Pyetja: Z. Kryeministër, po fillojmë me krizën në Ukrainë. Agresioni mbi Ukrainën nga Rusia, ta krijon përshtypjen që e ka tronditur, e ka rrezikuar thellësisht rendin ekzistues të sigurisë në Evropë, i cili është krijuar me përmbysjen e Murit të Berlinit. Shumë analistë thonë që bëhet fjalë për një goditje tektonike dhe pyetja jonë e parë është, a mendoni, a ka gjasa, a ka shpresë, që ky sistem të rikthehet, të rikuperohet?

Kryeministri Kurti: Agresioni ushtarak dhe invazioni rus ishin shokues, por jo edhe të befasishëm. Nuk ishin të befasishëm, meqenëse e kemi parë duke u përgatitur dhe duke ndërtuar edhe në aspektin e ligjërimit politik nga Kremlini, por edhe të grumbullimit të forcave të mëdha ushtarake me artileri të rëndë në kufijtë lindor të Ukrainës. Pamjet janë shokuese, është vështirë ta besosh çfarë po sheh, mirëpo askush nuk mund të shtiret se ka qenë i befasuar. Kjo është një luftë e paralajmëruar më herët, për shkak se hegjemonia ruse, imperializmi rus dëshironte me çdo kusht territore të reja, dëshironte zgjerim dhe përballje me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n. Presidenti despotik rus, Putin, është në kërkim të një konference të re të Jaltës, por konferenca e re e Jaltës nuk është e mundshme pa luftë. Andaj, edhe kishim këtë agresion ushtarak dhe invazion rus.

Padyshim që arkitektura e sigurisë së kontinentit evropian duhet të rimendohet, sepse nuk i kemi më kushtet e paqes pas rënies së Murit të Berlinit.  Luftërat, të cilat u zhvilluan gjatë këtyre tri dekadave nëpër kontinentet e tjera, tash kanë ardhur në Evropë dhe atë në përballje me Rusinë, e cila udhëhiqet nga një person, që është njëkohësisht edhe shumë i hidhëruar edhe shumë nostalgjik. I kishim edhe luftërat në kuadër të shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, mirëpo, ajo çfarë shohim sot, është marshimi i ushtrisë ruse, njëra ndër ushtritë më të fuqishme të botës e të kohës dhe padyshim që NATO-ja do të duhej që tash ta rris mobilizimin e vet, por gjithashtu edhe të mendojë se si t’i përgjigjet Rusisë, në kushtet kur qartazi lufta hibride doli se nuk na paska qenë zëvendësim për luftën, por fazë përgatitore për të.

Pyetja: Është sulmuar shteti më i madh, vendi më i madh në Evropë. Madje në mesin e observuesve perëndimorë mund të dëgjohet që e konsiderojnë këtë sulm, këtë agresion edhe si sulm mbi civilizimin perëndimor. A mendoni që ky agresioni dhe i gjithë impakti që e ka krijuar ky agresion, i ka bërë të pakuptimta ndarjet në Evropë, në vende të NATO-s, vende jo të NATO-s, vende të Bashkimit Evropian, vende jo të Bashkimit Evropian, domethënë të gjithë i shtrohen rrezikut të njëjtë?

Kryeministri Kurti: Pajtohem. Dallimet, të cilat ekzistojnë brenda Bashkimit Evropian dhe brenda Evropës si kontinent në përgjithësi, janë bërë çështje të dorës së dytë për të mos thënë çështje të dorës së tretë, karshi invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, nëse Bashkimi Evropian dhe NATO-ja nuk e shfrytëzojnë këtë moment për të qenë të bashkuar, ashtu siç e imponon koha, por unë besoj edhe vullneti i popujve, të drejtat qytetare dhe mirëqenia në kontinentin evropian, atëherë do ta paguajmë shumë shtrenjtë me të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

Prandaj, është e domosdoshme që të ketë një unitet të shtuar edhe institucional, ashtu siç është popullor. Unë jam i bindur që tash popujt e Evropës kurrë nuk kanë qenë më të bashkuar, veçse ky lloj bashkimi duhet ta gjejë shprehjen e vet edhe në politikë edhe në institucionet përfaqësuese.

Bashkimi Evropian duhet të jetë i bashkuar, sepse është sulmuar Ukraina, e cila paraqet me territor shtetin më të madh në kontinentin evropian. Pra, nuk ka një shtet tjetër, i cili me gjithë territorin e vet, është në kontinentin evropian, e ka më shumë se 600 mijë kilometra katrorë, siç është rasti me Ukrainën. Pra, shteti më lindor në kontinentin evropian, është njëkohësisht edhe më i madhi me territor dhe tash ndodhet në një sulm shkatërrues, që e dëshiron territorin e Ukrainës për Rusinë, por pa ukrainasit.

Pyetja: Keni thënë që agresioni e imponon bashkimin e Evropës si përgjigje të parë ndaj këtij sulmi mbi një vend sovran dhe të pavarur evropian. A mendoni që kanë filluar të krijohen konditat dhe të imponohen konditat nga agresioni rus, për ngritjen e rendit të ri të sigurisë kolektive, ku do të bashkohen nën të njëjtën ombrellë të gjenden të gjitha vendet evropiane, pa marrë parasysh a i takojnë apo nuk i takojnë mekanizmave të Bashkimit Evropian dhe NATO-s?

Kryeministri Kurti: Evropa dhe perëndimi demokratik në përgjithësi ka nevojë për një koalicion, i cili është i mbrojtjes dhe i sigurisë, por jo vetëm, kundrejt Federatës Ruse. Dhe, ajo çfarë po ngjanë në Federatën Ruse, Evropa mund ta gjej edhe në historinë e vet.

Përshtypja ime e fuqishme është se periudha nga Gorbachevi te Yeltsini paraqiste veçse versionin rus të Republikës së Vajmarit. Kishim një dekadë të Republikës së VajmaritnëFederatën Ruse dhe tash kemi një lider despotik, i cili makinerinë e vet të luftës e ka ndërsyer kundër një populli, i cili as nuk e provokoi dhe as nuk dëshiron luftë. Në këtë kontekst politik e të sigurisë, duhet të përgjigjemi me një koalicion, me ç’rast nuk do të duhej të kufizohemi tek formulat ekzistuese të organizatave ndërkombëtare, por do të duhej që të avancohen ato, e mbase edhe të krijohen të reja, sepse situata është e jashtëzakonshme.

Pyetja: A ka Kosova arsye që të ndjehet e rrezikuar pas agresionit rus, sidomos kur kihet parasysh ekzistimi i marrëdhënieve dhe tensioneve shumë të larta me Serbinë e cila konsiderohet si aleati kryesor i Rusisë në këtë rajon?

Kryeministri Kurti: Presidenti despotik rus po e kërkon një konferencë të re të Jaltës. Për këtë është e nevojshme lufta dhe këtë e bëri, por për këtë është e nevojshme edhe zgjerimi i konfliktit edhe jashtë Ukrainës, e këtë nuk e ka bërë ende. Përshtypja ime është që Putini dëshiron që të ulet në tryezë të negociatave me presidentin amerikan Biden e jo me presidentin ukrainas Zelensky. Synimi i tij është një konferencë e re e Jaltës, Jalta 2, me ç’rast do të ndaheshin sferat e interesit dhe në këtë mënyrë Federata ruse do të synonte të kompensohej për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Prandaj, meqë ata do të synojnë edhe konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi, e posaçërisht Kosova janë të rrezikuar. Në të kaluarën presidenti rus na përmendte një herë në muaj, tash na përmend nga disa herë në javë dhe duket qartazi se Republika e Kosovës është një halë të cilën ai e konsideron që e pengon në projektin e vet. Dy muaj pas çlirimit të Kosovës, presidenti rus u pat bërë kryeministër i Federatës ruse, në gusht të vitit 1999, ndërkaq me rastin e dy vjetorit të ardhjes së trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës nga Bosnja dhe Hercegovina në qershorin e vitit 1999, pra në qershorin e vitit 2001 ai pat vizituar Kosovën, për t’i vizituar trupat ruse pikërisht në Aeroportin e Prishtinës. Le të mos harrojmë që është ky president ai i cili edhe i aneksoi Osetinë Jugore dhe Abkhazinënë Gjeorgji, pikërisht në vitin kur Kosova e shpalli pavarësinë, ndërkaq një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Serbisë edhe Federatës Ruse për dhënien e shumicës së aksioneve të industrisë së naftës në Serbi te Gazprom-i dhe po ashtu të bazenit të gazit në Banatski Dvor në Vojvodinë, sërish tek Gazprom-i.  Nga 250 deputetë sa i ka Kuvendi i Serbisë, 151, pra më shumë se 60 për qind, janë në grupin e miqësisë Serbi – Federatë Ruse. Në Kuvendin e Kosovës janë një dyzinë deputetësh në grupe të miqësisë me shtete të ndryshme. Pra, atje mbi 60 për qind të parlamentit janë në grupin e miqësisë me Federatën Ruse. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin që ka ma shumë se një dekadë që Rusia është shumë aktive në Serbi, sidomos me “Qendrën Humanitare Ruse” siç e quajnë ata në Nish dhe me Sputnikun që e ka në rajon qendrën në Beograd, natyrisht që ne duhet të jemi shumë vigjilent, të kujdesshëm, por nuk do të frikësohemi asnjëherë prej tyre.

Pyetja: Nuk ka pas asnjë prononcim të vetëm të liderëve të lartë të Kosovës prej shpërthimit të krizës në Ukrainë, të paktën unë nuk kam parë, ku nuk apelohet për pranimin e Kosovës në NATO. A mendoni që Ballkani si zonë tradicionale e interesit të Rusisë mund të jetë targeti i radhës i Rusisë pasi të përfundojë ky në Ukrainë?

Kryeministri Kurti: Në rastin më të mirë mund të themi që presidenti rus është i paparashikueshëm. Realisht ai është i parashikueshëm. Ai është lider i luftës, nuk është i paqes. Ai është i interesuar që ta marrë gjithë Ukrainën, nëse s’mund ta marrë gjithë atëherë ta ndajë sikurse Bosnjën, ta shndërroj Kievin në një Grozni apo Sarajevë të dytë dhe gjithashtu ta shpërndajë edhe gjetiu konfliktin, ku do t’i përdorë faktorët e aktorët të cilët i kontrollon edhe në Ballkanin Perëndimor. Në këtë situatë të jashtëzakonshme ne nuk mund të sillemi në mënyrë të zakonshme. Andaj, edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian edhe anëtarësimi në NATO nuk mund të jenë sipas mënyrave të vjetra. 

Është tejet e domosdoshme që Brukseli si kryeqytet i dyfishtë, edhe i NATO-s edhe i Bashkimit Evropian ta rimendojë një mënyrë të re për integrimin e brendshëm dhe për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor dhe Kosova në zemër të këtij Ballkani Perëndimor është pjesë e kontinentit evropian. Me rastin e integrimit në BE dhe në NATO, kufiri i jashtëm i këtyre dy organizmave më të rëndësishëm të paqes që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kufiri i jashtëm zvogëlohet për rreth 3 mijë  kilometra,që do të thotë edhe për sigurinë është shumë mirë. 

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende të paintegruara në Bashkimin Evropian  për nga popullsia janë përafërsisht sa Holanda, e për nga bruto produkti vendor i kombinuar janë përafërsisht sa Sllovakia. Rrjedhimisht nuk është barrë e madhe për Bashkimin Evropian integrimi i përshpejtuar i rajonit tonë.

Pyetja: Do të thotë mendoni që emergjenca e situatës e imponon edhe emergjencën në procedurë të pranimit, zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian?

Kryeministri Kurti: Metodat e vjetra të zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian mund të kenë kosto shumë të lartë pas agresionit ushtarak dhe invazionit rus në Ukrainë, i cili unë besoj që synon të mos ngelet vetëm në Ukrainë.

Pyetja: Dhe në fund Kosova dhe Ukraina nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por përkrahja e deritanishme e Kosovës për Ukrainën, politike, morale, financiare me këto kushtet modeste të Kosovës, e ka bërë Kosovën, të krijohet përshtypja, lidere në rajon në përkrahjen e Ukrainës. Nga buron ky solidarizim me një vend që s’e ka njohur Kosovën?

Kryeministri Kurti: Tek lufta mbrojtëse dhe çlirimtare e popullit të Ukrainës, ne gjejmë shumë ngjashmëri me situatën tonë para një çerek shekulli, kur një fqinj shumë më i madh verior dëshiron të të okupojë, të të shtypë, të të shfrytëzojë, të të diskriminojë, të krijojë aparteid dhe gjithashtu provon edhe gjenocidin, i cili në Kosovë u nis, por u ndalua nga intervenimi i NATO-s, që të mos kishim shfarosje të shqiptarëve në vendin tonë. Pra, ne kishim në njërën anë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila e nisi rezistencën dhe luftën për çlirim e për liri dhe kjo e ndërgjegjësoi opinionin publik ndërkombëtar, diplomacinë botërore për të na mbështetur. Askush sikurse populli i Kosovës nuk e sheh ngjashmërinë e asaj çfarë na ka ndodhur në jetën tonë, jo në librat e historisë, në jetën tonë, me kontekstin aktual në Ukrainë, ku lufta mbrojtëse dhe çlirimtare te popullit të Ukrainës, po gjen një solidaritet dhe admirim të jashtëzakonshëm në botën perëndimore demokratike, sikurse tek ne në vitet 1998 dhe 1999.

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën më të madhe shkencore për Mjekësinë Sportive, me pjesëmarrjen e profesionistëve botërorë

Published

on

By

UBT do të mirëpresë më 21 tetor, Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive – ICSM 2026, e cila do të bëjë bashkë profesionistë shëndetësorë, hulumtues, akademikë dhe ekspertë të sportit për të diskutuar zhvillimet e reja në mjekësinë sportive, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në praktikën klinike dhe sportive.

Konferenca, e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, në bashkëpunim me International Federation of Sports Medicine (FIMS), SHAPE Project – Sport, Health, and the People dhe Kosovo Association of Sports and Exercise Medicine (KASEM), në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, do të zhvillohet nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e njohurive shkencore, përvojave profesionale dhe praktikave bashkëkohore në këtë fushë.

Në kuadër të konferencës do të trajtohen tema me rëndësi për zhvillimin e mjekësisë sportive, përfshirë shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe mundësitë që sjell inovacioni teknologjik në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe performancës sportive.

 

 

Konferenca synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komunitetit akademik, profesionistëve shëndetësorë dhe sektorit sportiv, duke nxitur diskutimin mbi qasjet e reja shkencore dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Konferenca është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).

Për më shumë informata rreth programit, të interesuarit mund të vizitojnë: LINKU.

Continue Reading

Vendi

Teknologji moderne dhe shërbime të shumta mjekësore nën një çati në United Hospital

Published

on

By

Me një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore, pajisje moderne diagnostikuese dhe kujdes shëndetësor gjatë 24 orëve, United Hospital synon të ofrojë qasje më të lehtë në shërbime shëndetësore për qytetarët e Kosovës. Nga diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjeve, deri te ndërhyrjet kirurgjike dhe kujdesi intensiv, institucioni ofron shërbime në disa fusha të mjekësisë, duke vënë në fokus nevojat e pacientëve.

Qasja në shërbime shëndetësore cilësore, diagnostikimi në kohë dhe trajtimi profesional janë ndër faktorët më të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Në këtë drejtim, United Hospital ofron shërbime të shumta mjekësore, duke synuar t’u mundësojë pacientëve qasje në diagnostikim dhe trajtim të specializuar në një institucion të vetëm.

Me lokacion në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, në kilometrin e shtatë, spitali ofron shërbime emergjente, diagnostikuese, terapeutike dhe kirurgjike, me synimin për t’iu përgjigjur nevojave të ndryshme shëndetësore të qytetarëve

Një ndër fushat me rëndësi të veçantë është diagnostikimi mjekësor, ku përmes shërbimeve të radiologjisë dhe tomografisë së kompjuterizuar (CT), pacientëve u ofrohen mundësi për ekzaminime të specializuara. Sipas informacionit të publikuar nga spitali, pajisjet CT mundësojnë kryerjen e ekzaminimeve me deri në 40 për qind më pak rrezatim, varësisht nga lloji i ekzaminimit dhe protokolli i përdorur.

Krahas diagnostikimit, United Hospital ofron shërbime në disa specialitete mjekësore, përfshirë kardiologjinë, hematologjinë, nefrologjinë, gastroenterologjinë dhe pulmologjinë. Këto shërbime synojnë të mbështesin diagnostikimin, trajtimin dhe përcjelljen e pacientëve me probleme të ndryshme shëndetësore.

Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e spitalit zënë edhe shërbimet kirurgjike. Sipas të dhënave të publikuara nga institucioni, ato përfshijnë kirurgjinë e përgjithshme, kardiokirurgjinë, ortopedinë, kirurgjinë vaskulare, pediatrike, gjinekologjinë, urologjinë, otorinolaringologjinë (ORL), kirurgjinë maksilofaciale dhe atë torakale.

Përveç shërbimeve për të rriturit, spitali ofron edhe shërbime të neonatologjisë dhe pediatrisë, të dedikuara për kujdesin ndaj të porsalindurve dhe fëmijëve. Këto fusha kërkojnë vëmendje të veçantë profesionale, pajisje të përshtatshme dhe qasje të individualizuar ndaj nevojave të pacientëve më të vegjël.

Disponueshmëria e shërbimeve emergjente, laboratorike dhe e kujdesit intensiv gjatë 24 orëve përbën një element të rëndësishëm të ofertës së institucionit. Në rastet kur nevojitet vlerësim i shpejtë mjekësor, qasja në shërbimet përkatëse dhe koordinimi ndërmjet ekipeve shëndetësore mund të jenë vendimtare për trajtimin e pacientit.

Çmime të përballueshme dhe qasje më e lehtë në shërbime shëndetësore
Përballueshmëria financiare është një çështje e rëndësishme për qytetarët që kanë nevojë për kontrolle, analiza laboratorike, ekzaminime diagnostikuese apo trajtime të specializuara. Në këtë kontekst, ofrimi i shërbimeve me çmime të përballueshme mund të ndihmojë në lehtësimin e barrës financiare për pacientët dhe familjet e tyre.

United Hospital e paraqet ofrimin e shërbimeve shëndetësore me çmime të arsyeshme si një nga përparësitë e tij. Për pacientët, rëndësi të veçantë ka që kostot e ekzaminimeve dhe trajtimeve të jenë të qarta, në mënyrë që ata të mund të informohen dhe të marrin vendime të përgjegjshme për shëndetin e tyre.

Në të njëjtën kohë, cilësia e kujdesit shëndetësor nuk përcaktohet vetëm nga çmimi apo teknologjia. Ajo lidhet edhe me profesionalizmin e personelit, sigurinë e pacientit, saktësinë e diagnostikimit, komunikimin me mjekun dhe vazhdimësinë e kujdesit gjatë trajtimit.

Për këtë arsye, zhvillimi i shërbimeve të specializuara dhe krijimi i mundësive për diagnostikim e trajtim në kohë janë elemente me rëndësi për përmirësimin e qasjes së qytetarëve në kujdesin shëndetësor.

Kontributi në shëndetin e popullatës

Institucionet shëndetësore që investojnë në shërbime diagnostikuese, trajtim të specializuar dhe kujdes të vazhdueshëm mund të luajnë rol të rëndësishëm në plotësimin e nevojave shëndetësore të popullatës. Në këtë aspekt, gama e shërbimeve të ofruara nga United Hospital synon t’u mundësojë pacientëve që të gjejnë zgjidhje për nevoja të ndryshme mjekësore brenda të njëjtit institucion.

Një qasje e tillë mund të lehtësojë organizimin e kontrolleve, koordinimin ndërmjet specialiteteve dhe përcjelljen e gjendjes shëndetësore të pacientëve. Veçanërisht e rëndësishme është që qytetarët të kenë qasje në informata të sakta për shërbimet, çmimet, përgatitjen e nevojshme për ekzaminime dhe procedurat e trajtimit.

Përtej trajtimit të sëmundjeve, kujdesi shëndetësor përfshin edhe ndërgjegjësimin për parandalimin, kontrollet e rregullta dhe kërkimin me kohë të ndihmës mjekësore. Identifikimi i hershëm i problemeve shëndetësore mund të ndikojë në mundësitë e trajtimit dhe në ecurinë e sëmundjeve, prandaj qytetarët inkurajohen që të mos i neglizhojnë simptomat dhe kontrollet e rekomanduara nga profesionistët shëndetësorë.

Duke ofruar shërbime në fusha të ndryshme të mjekësisë, United Hospital synon të jetë një adresë ku pacientët mund të informohen për mundësitë e diagnostikimit dhe trajtimit, sipas nevojave të tyre individuale.

United Hospital, në shërbim të pacientëve 24 orë në ditë

Përmes shërbimeve emergjente, diagnostikuese, laboratorike, kirurgjike dhe të specialiteteve të ndryshme, United Hospital synon t’u përgjigjet nevojave shëndetësore të qytetarëve në çdo kohë.

Për informata rreth shërbimeve, termineve dhe çmimeve, qytetarët mund të kontaktojnë institucionin në numrat e telefonit ose ta vizitojnë në lokacionin e tij në Prishtinë.

Telefonat: 038 60 70 70 / 046 60 70 70

Lokacioni: M2, Prishtinë–Ferizaj, kilometri i shtatë, Prishtinë, Kosovë.

Shërbimet: Emergjencë, laborator, radiologji dhe CT, specialitete mjekësore, kirurgji, neonatologji, pediatri dhe kujdes intensiv.

United Hospital – kujdes shëndetësor, diagnostikim dhe shërbime të specializuara, me fokus te nevojat e pacientëve./rajonipress/

Continue Reading

lajme

UBT organizon Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë

Published

on

By

Më 23 deri më 25 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të mbledhë mbi 155 pjesëmarrës dhe do të prezantojë më shumë se 50 punime shkencore me fokus në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Programi shkencor mbulon tema të avancuara si inteligjenca artificiale, mësimi makinerik, siguria kibernetike, inxhinieria softuerike, IoT, blockchain dhe zbatimi i teknologjive inteligjente në arsim e shëndetësi.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UBT, Besnik Qehaja, theksoi rolin e veçantë që kanë studentët në këtë ngjarje shkencore.

“Rreth 70% e pjesëmarrësve pritet të jenë studentë të niveleve Bachelor dhe Master, duke dëshmuar rëndësinë që UBT i kushton përfshirjes së studentëve në kërkimin shkencor, zhvillimit të tyre akademik dhe krijimit të mundësive për prezantimin e rezultateve të hulumtimeve të tyre”, ka thënë Qehaja.

Duke folur për synimet kryesore të këtij organizimi, dekani Qehaja nënvizoi se kjo platformë shërben për të lidhur arsimin me inovacionin e ardhshëm:

“Përmes kësaj konference, UBT synon të forcojë lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor, arsimit universitar dhe inovacionit teknologjik, duke krijuar një platformë për prezantimin e ideve të reja dhe avancimin e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë”, shprehet Qehaja.

Konferenca do të shërbejë si një udhëkryq i rëndësishëm bashkëpunimi mes akademikëve, hulumtuesve dhe studentëve vendorë e ndërkombëtarë për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, pjesë e Konferencës së Mjekësisë Sportive në UBT

Published

on

By

Nesër, më 21 tetor, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (ICSM 2026), e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”.

Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj konference do të jetë edhe Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS) dhe një nga figurat e njohura ndërkombëtarisht në mjekësinë sportive dhe shëndetin olimpik.

Pjesëmarrja e tij i jep konferencës një dimension të veçantë ndërkombëtar, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave dhe diskutim të zhvillimeve më të fundit në këtë fushë.

Në kuadër të programit të konferencës, si ligjerues kryesor do të jenë:

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Themelues dhe President i UBT-së, me fokus në inovacionin në arsim, teknologji dhe zhvillimin e shoqërisë inteligjente.

Prof. Dr. Fabio Pigozzi, Prof. Dr. Norbert Bachl, Zëvendëspresident i FIMS-it dhe specialist i fiziologjisë së ushtrimeve dhe mjekësisë sportive,

Prof. Dr. Ilir Ahmetgjekaj, profesor dhe specialist i radiologjisë;

Christian Stammel, Drejtor Ekzekutiv i Wearable Technologies;

Dr. Arian Bujupi, specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë.

Konferenca do të trajtojë tema kyçe që ndërlidhin mjekësinë sportive me shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe rolin e inovacionit në praktikën klinike dhe sportive. Aktiviteti është i akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Regjistrimi bëhet përmes Platformës Digjitale të OMK-së, ndërsa detajet e plota të konferencës gjenden në ueb-faqen zyrtare: icsm.ubt-uni.net/2026/.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara