Lajmet

Kurti paraqet ofertë shtesë për grevistët: U refuzua pa u diskutuar

Që nga 25 gushti administrata publike është në greva dhe nuk po ofrojnë shërbime për qytetarët.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti është shprehur i habitur me përgjigjen e menjëhershme të Këshillit Grevist të BSPK-së se greva do të vazhdojë, pavarësisht se ai shpalosi një ofertë të re për ta, që nuk nënkuptonte më shumë para, por përfshirje më të madhe të tyre në disa procese të tjera.

Kurti iu ofroi atyre që të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimit publik për Ligjin mbi pagat, bashkërisht të bëjnë reformën e sistemit pensional si dhe të shtojnë edhe 10 milionë euro të tjera për barnat esenciale.

Shefi i ekzekutivit tha se Këshilli Grevist kërkoi nga ai që të lëvizë, por sipas tij tashmë kanë lëvizur të paktën 10 herë në drejtim të nevojave dhe kërkesave të punëtorëve të arsimit. Ai shtoi se nuk është e vërtetë se ka mungesë të komunikimit në mes palëve.

“Në takim më është thënë ‘kryeministër lëviz’, por unë kam lëvizur të paktën 10 herë në drejtim të nevojave dhe kërkesave të sindikatave dhe punëtorëve të arsimit, andaj pikërisht për këtë arsye edhe njëherë kërkoj që nxënësit të shkojnë në shkolla, e mësimdhënësit të shkojnë në shkolla, të parët të mësojnë e të dytët të japin mësim. Nuk bënë bojkot e grevë shtetit sepse shkolla është shteti. Nuk është e vërtetë që nuk ka pas komunikim, nuk është se nuk ka pasur dialog dhe më së miri kjo gjë u pa sot, problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut apo komunikimit. Në takim disa herë mu tha që ‘ne të dalim prej kësaj situate, edhe ju, edhe ne’, edhe qeveria edhe SBAShK, unë besoj që në situatë të vështirë nuk është as qeveria e as SBAShK-u, por arsimit. Dhe unë jam këtu që ta ndihmoj arsimin, nuk mund të zhvillohet dialog social me preokupim prioritar për përfaqësuesit e organizatave që zhvillojnë dialogun social”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj konference para gazetarëve derisa listoi investimet që kanë bërë në sektorin e arsimit u shpreh se tashmë grevistë u kanë thënë tri oferta.

Sipas tij, oferta parasheh përfshirjen përmbajtjesore të Këshillit Grevist në diskutime publike, bashkërisht të bëjnë reforma në sistemin pensional si dhe të shtimi i barnave esenciale.

“Ne ua thamë edhe tri gjëra sot përfaqësuesve të Këshillit Grevist për të cilët ata na premtuan se do ta pyesin anëtarësinë. Neve na u tha në takim që për këtë ofertë të qeverisë do të pyetet anëtarësia, posa dolën nga takimi deklaruan për medie që greva vazhdon, kur e pyetën anëtarësinë? Neve na thanë në takim që do ta presin anëtarësinë dhe oferta shtesë ishte kjo: Do të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimit publik për Ligjin mbi pagat dhe atyre ua dhamë lajmin të parët se këtë javë do të fillojë diskutimi publik sepse diskutimet preliminare po përfundojnë duke i përfshirë të gjitha komentet. Dhe dy të tjerat ishin që bashkërisht me BSPK do ta bëjmë reformën e sistemit pensional në mënyrë që të bëhet diferencimi i kategorive të ndryshme duke e hequr atë pragun famëkeq për 15 vjet pune edhe për këtë u zotuan sot dhe të tjera u zotuam që tek barnat esenciale do të shtojmë edhe 10 milionë euro. Ata thanë se do të konsultohen me anëtarësinë, kur dolën nga takimi thanë vazhdon greva, unë nuk e di çfarë anëtarësie është ajo e cila reduktohet ndoshta në një telefonatë”, theksoi Kurti.

Kurti tha se Jasharaj në takimin që zgjati rreth dy orë i kërkoi që ta ndihmonte si vëlla, por u shpreh se ka kaluar koha kur një kryeministër ka ndidmuar dikë si vëlla.

Për kërkesën prej 100 eurosh të sindikatave, kryeministri u shpreh se kjo është logjikë e shantazhit dhe të bërjes Pazar dhe nuk është aspak e drejtë.

“Ata me mua janë sjell thua se buxheti është i imi e janë paratë e mia, këto janë para të qytetarëve, më thoshin ‘na ndihmo si vëlla’. Si vëlla të ndihmoj privatisht, por unë jam kryeministër dhe ka kaluar koha kur kryeministri të bëhet vëlla, kur kryeministri të ndihmon si vëlla. 80% në Kosovë janë në sektorin privat ata e mbushin buxhetin, 20% janë në sektorin publik dhe nuk janë të gjithë mësimdhënës, mua më duhet të kem parasysh një qasje universale ndërkohë që unë ballafaqohesha me një dëshirë partikulare. Nuk bën të bankrotojë shteti, institucioni i këtillë është moskokëçarje për shëndetin financiar, shoqëror e ekonomik të mbarë shtetit. Kanë kërkuar 100 euro, ka qenë zero, ne kemi thënë 50, po o krejt o hiç, nuk është e drejtë kjo lloj logjike e shantazhit dhe e bërjes pazar. Nuk bën pazare kryeministri… Nuk do të duhej shteti të shantazhohej nga dikush që është më i zhurmshmi edhe jo për kushtet e punës e as për rezultate të performancës por për para e ne familjet e mësimdhënësve i kemi ndihmuar në shumë forma”, theksoi Kurti.

Kurti e ka konsideruar të palogjikshme që qeveria t’ju plotësojë plotësisht kërkesën e grevistëve, derisa shtoi se sindikatat duhet të festojnë e jo të bëjnë greva bazuar në ndihmën që i ka ofruar vazhdimisht.

“Proceduralisht i bie që sindikata e ka përdorur grevën si instrumentin e saj të parë, në të kaluarën ka raste kur SBASHK ka kërkuar rritje edhe prej 50% , por e ka ndërprerë grevën e dhe kur janë dakorduar për më pak se 10% rritje, në rastin e tanishëm kërkesa ka qenë për pagesë prej 100 euro, dhe ne e kemi bërë pakon e përballjes me inflacion që mund ta tejkalojë Projektligjin për paga në sektorin publik edhe jemi dakorduar për 50 euro sepse nënkupton se e ka takuar në mes kërkesën e sindikatave mbase edhe më shumë se aq. Të kërkosh përmbushje të plotë të kërkesës është edhe e palogjikshme edhe e rrezikshme, një sindikatë që i kërkon 100 euro, e i ka marr 50 euro dhe gjithë këto shtesa rrotull, 5% sivjet të bruto produktit dhe 4% të vitit të kaluar organizon festë, e jo grevë, nuk vazhdon grevë, por në ditët e javët në vijim do ta marrim vesh se çka është në pyetje. Nuk është në pyetja arsimi, nuk janë në pyetje arsimtarët, tha do të konsultohem me anëtarësinë dhe doli para juve”, tha ai.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës njoftoi se gjatë kësaj jave del në diskutim publik Projektligji për pagat, i cili sipas tij i trajton me kujdes të veçantë mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë të arsimit.

Ai shtoi se me këtë projektligj i cili doli në konsultimet paraprake 8 ditë para grevës mësimdhënësit do të gëzojnë koeficientin më të lartë ndonjëherë.

Mëngjesin e sotëm, Kurti priti në takim Këshillin Grevist të BSPK-së të kryesuar nga Rrahman Jasharaj. Pas këtij takimi, ky i fundit u shpreh se nuk kanë arritur ndonjë pajtim rreth ndërprerjes së grevës në arsim dhe administratë publike.

Që nga 25 gushti administrata publike është në greva dhe nuk po ofrojnë shërbime për qytetarët, ndërsa nga 1 shtatori nuk ka nis as mësimi në shkollat e Kosovës i pasoj e po kësaj greve.

Vendi

United Hospital fuqizon shërbimet e kardiologjisë me Dr. Banush Gashin, specialist me 40 vjet përvojë në mjekësi

Published

on

Prishtinë – Përvoja shumëvjeçare, ekspertiza në trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe njohuritë e avancuara në fushën e aritmologjisë tashmë janë pjesë e ekipit të United Hospital. Institucioni shëndetësor njofton se në ekipin e tij mjekësor është bashkuar Dr. Banush Gashi, internist, kardiolog dhe aritmolog, me një karrierë 40-vjeçare në mjekësi dhe 24 vjet përvojë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

United Hospital vazhdon të zgjerojë kapacitetet e veta profesionale, duke sjellë për pacientët ekspertizë të specializuar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Bashkimit të Dr. Banush Gashit me ekipin mjekësor të këtij institucioni i jepet rëndësi e veçantë, duke marrë parasysh përvojën e tij të gjatë në mjekësinë interne, kardiologji dhe veçanërisht në aritmologji – fushë e specializuar që merret me diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës.

Gjatë karrierës së tij profesionale, Dr. Gashi ka realizuar mbi 400 procedura në fushën e aritmologjisë dhe implantimit të pajisjeve kardiake. Përvoja e tij është plotësuar edhe përmes pjesëmarrjes në kongrese, trajnime dhe aktivitete profesionale ndërkombëtare në qendra të njohura evropiane, përfshirë Londrën, Parisin, Romën, Barcelonën dhe Vjenën.

Shërbime të avancuara për diagnostikimin dhe trajtimin e zemrës

Me angazhimin e Dr. Gashit, pacientët e United Hospital do të kenë qasje në një gamë të gjerë ekzaminimesh diagnostikuese dhe procedurash specialistike kardiologjike.

Shërbimet përfshijnë:

Diagnostikimin kardiologjik: Ekokardiografi, testin e stresit dhe monitorimin Holter 24–72 orë për vlerësimin e aktivitetit dhe ritmit të zemrës.

Trajtimin e çrregullimeve të ritmit: Implantimin e stimuluesve kardiakë (Pacemaker DDD dhe CRT), si dhe kontrollin dhe ndërrimin e baterive të pajisjeve PM/ICD.

Procedurat specialistike: Perikardiocentezën dhe kardioversionin, sipas indikacioneve mjekësore.

Këto shërbime kanë rëndësi të veçantë për diagnostikimin në kohë, përcjelljen klinike dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje të ndryshme kardiovaskulare.

Përvoja dhe përkushtimi në shërbim të shëndetit të zemrës

Sëmundjet kardiovaskulare kërkojnë vlerësim të kujdesshëm, diagnostikim të saktë dhe trajtim të individualizuar. Për këtë arsye, prania e specialistëve me përvojë të gjatë profesionale përbën një element të rëndësishëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor.

United Hospital, përmes zgjerimit të ekipit specialistik, synon të ofrojë shërbime bashkëkohore kardiologjike, duke vënë në dispozicion të pacientëve përvojën profesionale dhe teknologjinë diagnostikuese e terapeutike.

 

Kontakti për termine dhe informata:

UNITED HOSPITAL

046 60 70 70

M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë

United Hospital – ekspertizë profesionale dhe kujdes i specializuar për shëndetin e zemrës./rajonipress/

Continue Reading

Vendi

Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme

Published

on

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.

Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.

“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.

Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.

Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.

/A.K/

Continue Reading

lajme

UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Published

on

By

UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”

Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.

“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”

Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998. 

13 nëntor 1992

“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë

Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.

 

13 nëntor 1993

Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.

Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.

 

13 nëntor 1995

Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë

Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.

Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.

 

13 nëntor 1996

Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi

Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.

Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.

 

13 nëntor 1997

Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë

Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.

13 nëntor 1998

Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë

Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:

– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.

I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:

– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.

Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:

– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.

I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:

– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.

Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:

– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.

 

Continue Reading

Të kërkuara