Lajmet

Kurti paraqet ofertë shtesë për grevistët: U refuzua pa u diskutuar

Që nga 25 gushti administrata publike është në greva dhe nuk po ofrojnë shërbime për qytetarët.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti është shprehur i habitur me përgjigjen e menjëhershme të Këshillit Grevist të BSPK-së se greva do të vazhdojë, pavarësisht se ai shpalosi një ofertë të re për ta, që nuk nënkuptonte më shumë para, por përfshirje më të madhe të tyre në disa procese të tjera.

Kurti iu ofroi atyre që të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimit publik për Ligjin mbi pagat, bashkërisht të bëjnë reformën e sistemit pensional si dhe të shtojnë edhe 10 milionë euro të tjera për barnat esenciale.

Shefi i ekzekutivit tha se Këshilli Grevist kërkoi nga ai që të lëvizë, por sipas tij tashmë kanë lëvizur të paktën 10 herë në drejtim të nevojave dhe kërkesave të punëtorëve të arsimit. Ai shtoi se nuk është e vërtetë se ka mungesë të komunikimit në mes palëve.

Në takim më është thënë ‘kryeministër lëviz’, por unë kam lëvizur të paktën 10 herë në drejtim të nevojave dhe kërkesave të sindikatave dhe punëtorëve të arsimit, andaj pikërisht për këtë arsye edhe njëherë kërkoj që nxënësit të shkojnë në shkolla, e mësimdhënësit të shkojnë në shkolla, të parët të mësojnë e të dytët të japin mësim. Nuk bënë bojkot e grevë shtetit sepse shkolla është shteti. Nuk është e vërtetë që nuk ka pas komunikim, nuk është se nuk ka pasur dialog dhe më së miri kjo gjë u pa sot, problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut apo komunikimit. Në takim disa herë mu tha që ‘ne të dalim prej kësaj situate, edhe ju, edhe ne’, edhe qeveria edhe SBAShK, unë besoj që në situatë të vështirë nuk është as qeveria e as SBAShK-u, por arsimit. Dhe unë jam këtu që ta ndihmoj arsimin, nuk mund të zhvillohet dialog social me preokupim prioritar për përfaqësuesit e organizatave që zhvillojnë dialogun social”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj konference para gazetarëve derisa listoi investimet që kanë bërë në sektorin e arsimit u shpreh se tashmë grevistë u kanë thënë tri oferta.

Sipas tij, oferta parasheh përfshirjen përmbajtjesore të Këshillit Grevist në diskutime publike, bashkërisht të bëjnë reforma në sistemin pensional si dhe të shtimi i barnave esenciale.

Ne ua thamë edhe tri gjëra sot përfaqësuesve të Këshillit Grevist për të cilët ata na premtuan se do ta pyesin anëtarësinë. Neve na u tha në takim që për këtë ofertë të qeverisë do të pyetet anëtarësia, posa dolën nga takimi deklaruan për medie që greva vazhdon, kur e pyetën anëtarësinë? Neve na thanë në takim që do ta presin anëtarësinë dhe oferta shtesë ishte kjo: Do të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimit publik për Ligjin mbi pagat dhe atyre ua dhamë lajmin të parët se këtë javë do të fillojë diskutimi publik sepse diskutimet preliminare po përfundojnë duke i përfshirë të gjitha komentet. Dhe dy të tjerat ishin që bashkërisht me BSPK do ta bëjmë reformën e sistemit pensional në mënyrë që të bëhet diferencimi i kategorive të ndryshme duke e hequr atë pragun famëkeq për 15 vjet pune edhe për këtë u zotuan sot dhe të tjera u zotuam që tek barnat esenciale do të shtojmë edhe 10 milionë euro. Ata thanë se do të konsultohen me anëtarësinë, kur dolën nga takimi thanë vazhdon greva, unë nuk e di çfarë anëtarësie është ajo e cila reduktohet ndoshta në një telefonatë”, theksoi Kurti.

Kurti tha se Jasharaj në takimin që zgjati rreth dy orë i kërkoi që ta ndihmonte si vëlla, por u shpreh se ka kaluar koha kur një kryeministër ka ndidmuar dikë si vëlla.

Për kërkesën prej 100 eurosh të sindikatave, kryeministri u shpreh se kjo është logjikë e shantazhit dhe të bërjes Pazar dhe nuk është aspak e drejtë.

Ata me mua janë sjell thua se buxheti është i imi e janë paratë e mia, këto janë para të qytetarëve, më thoshin ‘na ndihmo si vëlla’. Si vëlla të ndihmoj privatisht, por unë jam kryeministër dhe ka kaluar koha kur kryeministri të bëhet vëlla, kur kryeministri të ndihmon si vëlla. 80% në Kosovë janë në sektorin privat ata e mbushin buxhetin, 20% janë në sektorin publik dhe nuk janë të gjithë mësimdhënës, mua më duhet të kem parasysh një qasje universale ndërkohë që unë ballafaqohesha me një dëshirë partikulare. Nuk bën të bankrotojë shteti, institucioni i këtillë është moskokëçarje për shëndetin financiar, shoqëror e ekonomik të mbarë shtetit. Kanë kërkuar 100 euro, ka qenë zero, ne kemi thënë 50, po o krejt o hiç, nuk është e drejtë kjo lloj logjike e shantazhit dhe e bërjes pazar. Nuk bën pazare kryeministri… Nuk do të duhej shteti të shantazhohej nga dikush që është më i zhurmshmi edhe jo për kushtet e punës e as për rezultate të performancës por për para e ne familjet e mësimdhënësve i kemi ndihmuar në shumë forma”, theksoi Kurti.

Kurti e ka konsideruar të palogjikshme që qeveria t’ju plotësojë plotësisht kërkesën e grevistëve, derisa shtoi se sindikatat duhet të festojnë e jo të bëjnë greva bazuar në ndihmën që i ka ofruar vazhdimisht.

Proceduralisht i bie që sindikata e ka përdorur grevën si instrumentin e saj të parë, në të kaluarën ka raste kur SBASHK ka kërkuar rritje edhe prej 50% , por e ka ndërprerë grevën e dhe kur janë dakorduar për më pak se 10% rritje, në rastin e tanishëm kërkesa ka qenë për pagesë prej 100 euro, dhe ne e kemi bërë pakon e përballjes me inflacion që mund ta tejkalojë Projektligjin për paga në sektorin publik edhe jemi dakorduar për 50 euro sepse nënkupton se e ka takuar në mes kërkesën e sindikatave mbase edhe më shumë se aq. Të kërkosh përmbushje të plotë të kërkesës është edhe e palogjikshme edhe e rrezikshme, një sindikatë që i kërkon 100 euro, e i ka marr 50 euro dhe gjithë këto shtesa rrotull, 5% sivjet të bruto produktit dhe 4% të vitit të kaluar organizon festë, e jo grevë, nuk vazhdon grevë, por në ditët e javët në vijim do ta marrim vesh se çka është në pyetje. Nuk është në pyetja arsimi, nuk janë në pyetje arsimtarët, tha do të konsultohem me anëtarësinë dhe doli para juve”, tha ai.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës njoftoi se gjatë kësaj jave del në diskutim publik Projektligji për pagat, i cili sipas tij i trajton me kujdes të veçantë mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë të arsimit.

Ai shtoi se me këtë projektligj i cili doli në konsultimet paraprake 8 ditë para grevës mësimdhënësit do të gëzojnë koeficientin më të lartë ndonjëherë.

Mëngjesin e sotëm, Kurti priti në takim Këshillin Grevist të BSPK-së të kryesuar nga Rrahman Jasharaj. Pas këtij takimi, ky i fundit u shpreh se nuk kanë arritur ndonjë pajtim rreth ndërprerjes së grevës në arsim dhe administratë publike.

Që nga 25 gushti administrata publike është në greva dhe nuk po ofrojnë shërbime për qytetarët, ndërsa nga 1 shtatori nuk ka nis as mësimi në shkollat e Kosovës i pasoj e po kësaj greve.

Lajmet

Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat kryesore të profesionit të gazetarit

Published

on

By

Me mbi 35 vite përvojë në gazetari, profesori dhe gazetari Musa Sabedini vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e gazetarisë përmes botimeve shkencore dhe përvojës profesionale. Në një bashkëbisedim në podcast-in e mediave të UBT-së, ai foli për rrugëtimin e tij në gazetari, librat universitarë që ka botuar, sfidat e gazetarisë hulumtuese dhe ndikimin e teknologjisë në profesion.

Në këtë intervistë, Sabedini ndan përvojën e tij shumëvjeçare në gazetarinë hulumtuese, rëndësinë e etikës në profesion dhe rolin që inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi po luajnë në transformimin e mediave.

*****

Pjesë nga intervista:

Driton Hyseni: Pas mbi 35 vite përvoje në gazetari, çfarë ju shtyu që këtë përvojë ta ktheni në libra universitarë?

Musa Sabedini: Vetë fakti që kam një periudhë kaq të gjatë në gazetari më ka shtyrë që përvojën time profesionale ta ndaj me të tjerët. Kam dashur që përvojën e gjatë dhe profesionalizmin që e kam treguar gjatë viteve – përfshirë katër çmime të fituara në gazetari dhe shumë raste të trajtuara si gazetar hulumtues – ta përcjell edhe te gjeneratat e reja.  Kam menduar se është e rëndësishme që studentët, gazetarët e rinj dhe redaktorët e mediave të kenë në dispozicion literaturë profesionale. Prandaj kam vendosur t’u dhuroj katër libra. Libri i fundit, i katërti, që trajton gazetarinë hulumtuese dhe për të cilin po flasim sot, ishte i domosdoshëm, sepse ka shumë mungesë literature në këtë fushë. Pak studiues dhe ekspertë kanë guximin ose vullnetin të merren me libra të tillë. Ky libër ka jo më pak se 718 faqe.

Driton Hyseni: Libri i fundit është mjaft voluminoz dhe përfshin literaturë të gjerë si dhe përvojën tuaj në gazetarinë hulumtuese. Çfarë e bën atë të ndryshëm nga literaturat e tjera?

Musa Sabedini: Libri përbëhet nga tre kapituj. Në kapitullin e parë trajtoj përkufizimet dhe nocionet kryesore të gazetarisë hulumtuese. Kapitulli i dytë fokusohet te digjitalizimi dhe ndikimi i tij në gazetarinë hulumtuese. Ndërsa kapitulli i tretë trajton teknikat e raportimit hulumtues. Ky kapitull i fundit është veçanërisht i rëndësishëm, sepse libri nuk është vetëm studimor, por edhe praktik. Ai përmban shumë shembuj konkretë dhe analiza të mediave dhe portaleve, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Në kapitullin e parë, për shembull, studentët – qoftë në bachelor, master apo doktoraturë – mund të gjejnë përkufizime dhe nocione të qarta pa pasur nevojë të kërkojnë shumë burime të tjera. Libri është i veçantë sepse përmban shumë materiale praktike dhe qindra raste konkrete. Në fakt, deri tani nuk ekziston një libër i tillë as në Ballkan. Mund të ketë dispensa të shkurtra, por një libër i këtij lloji nuk ka pasur më parë.

Driton Hyseni: Meqenëse përmendët se libri është i veçantë në rajon, a përfshin ai edhe shembuj ndërkombëtarë të mediave që fokusohen në gazetarinë hulumtuese? A ka krahasime me gazetarinë në Kosovë?

Musa Sabedini: Po, patjetër. Kjo është një nga veçantitë e librit. Kam përfshirë shembuj ndërkombëtarë dhe vendorë. Nëse kam marrë një rast nga Amerika, e kam krahasuar me një rast në Ballkan dhe më pas me Kosovën. E njëjta gjë vlen edhe për rastet nga Evropa. Kam përfshirë shembuj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe madje edhe nga Serbia. Pra, libri është unik sepse ka materiale të bollshme dhe të kuptueshme, dhe secila pjesë e plotëson tjetrën.

Driton Hyseni: Sot po shohim që inteligjenca artificiale po hyn gjithnjë e më shumë në industrinë e mediave dhe po e transformon gazetarinë. Si e shihni këtë zhvillim?

Musa Sabedini: Digjitalizimi ka anët e veta pozitive dhe negative. Inteligjenca artificiale mund të jetë shumë e dobishme nëse përdoret në mënyrë profesionale dhe analitike, por ajo nuk mund ta zëvendësojë gazetarin. Një gazetar duhet të dijë ta orientojë temën hulumtuese vetë. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në analizë dhe verifikim, por nuk mund ta krijojë vetë gazetarinë. Gazetaria hulumtuese në thelb është proces hulumtimi dhe verifikimi. Nëse gazetarët e rinj dhe studentët dinë ta përdorin teknologjinë në mënyrë profesionale, ajo mund të ndihmojë shumë në avancimin e gazetarisë hulumtuese. Por në shumë raste po keqpërdoret, sidomos në portalet online.

Driton Hyseni: Në librat tuaj shpesh e theksoni rëndësinë e etikës. A mund të ketë gazetari të mirë pa etikë personale?

Musa Sabedini: Për mua etika është thelbi i gazetarisë. Madje e quaj edhe mbretëresha e gazetarisë. Mund të jesh gazetar shumë i aftë dhe shumë i fortë në hulumtim, por nëse nuk ke etikë, gazetaria e humb vlerën e saj. Etika nuk e ndalon gazetarinë. Përkundrazi, ajo të mëson si të sillesh profesionalisht në çdo situatë, madje edhe kur interviston persona të dyshuar për krime. Gazetari duhet të arrijë te informacioni me profesionalizëm dhe jo me fyerje ose paragjykime. Gazetaria nga A deri në Zh lidhet me etikën.

Driton Hyseni: Në librin e fundit keni përfshirë 101 pyetje dhe udhëzime për gazetarinë hulumtuese. Pse mendoni se një gazetar i ri ka nevojë për udhëzime të tilla ose një udhërrëfyes praktik në fillim të karrierës?

Musa Sabedini: Arma e dytë e fuqishme e librit janë pikërisht këto 101 pyetje dhe 101 këshilla apo udhëzime. Këto janë pyetje që i kam ndërtuar vetë nga përvoja ime shumë e gjatë në gazetari. Nuk dua të them që kam “vuajtur” për ta përjetuar gazetarinë hulumtuese, sepse tashmë jam shumë i vjetër në këtë profesion, por kam dashur që gjeneratave të reja t’u lë një lloj testamenti profesional – një dokument apo udhëzues që ua bën më të lehtë realizimin e një interviste hulumtuese, një hetimi hulumtues apo një hulumtimi të gjatë, pavarësisht temës. Nëse i lexoni këto pyetje dhe këshilla, ato janë vërtet shumë të dobishme profesionalisht. I kam përgatitur me shumë dashuri dhe me shumë vullnet dhe besoj se do të ndihmojnë çdo gazetar që dëshiron të merret me gazetari hulumtuese, por edhe studiues dhe ekspertë të fushës. Gjatë mbledhjes së materialeve dhe literaturës për këtë libër kam vërejtur se te ne mungojnë jo vetëm librat, por edhe udhëzuesit e shkurtër praktikë – për shembull një agjendë me 10 apo 20 pyetje që mund ta ndihmojnë gazetarin në terren. Gazetaria hulumtuese nuk është e lehtë. Është një sfidë e madhe. Nëse një gazetar hulumtues nuk e ka përjetuar në praktikë këtë profesion, është shumë e vështirë të shkruajë një libër për të. Këtu teoria është e lidhur ngushtë me praktikën. Unë mund të flas shumë për teorinë e gazetarisë hulumtuese, por kur vjen puna te praktika, duhet shumë punë dhe përkushtim. Është një profesion shumë delikat, por edhe shumë i bukur, me sfida dhe vështirësi të ndryshme.

Driton Hyseni: Si keni arritur t’i ndërthurni të gjitha këto përvoja – nga sfidat dhe kërcënimet deri te përvoja profesionale – në një libër kaq voluminoz universitar?

Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese i ka edhe rreziqet e veta. Në libër e kam përmendur këtë në disa vende dhe kam dhënë edhe shembuj konkretë. Unë personalisht kam rreth 35 raste kërcënimesh me vdekje nga njerëz të ndryshëm. Të gjitha këto raste janë të evidentuara në polici dhe në databaza përkatëse. Megjithatë, asnjëherë nuk jam frikësuar dhe as sot nuk frikësohem. E vetmja frikë që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë për mua ka qenë nëse pa dashje i kam hyrë dikujt në hak, por nuk besoj se kjo ka ndodhur, të paktën jo me vetëdijen time. Gazetaria hulumtuese nuk ka kompromis. Këtu gjithmonë ekziston një palë tjetër dhe një e vërtetë që duhet zbuluar. Kur shkruan për gazetari hulumtuese duhet të jesh jashtëzakonisht i saktë. Parimi im ka qenë gjithmonë: verifiko ose beso – por gjithmonë verifiko. Këto dy elemente janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Një gazetar nuk mund të merret me hetimin e njerëzve, kompanive të mëdha, universiteteve, profesorëve, bizneseve apo institucioneve publike pa pasur fakte dhe dëshmi. Nëse nuk ke dëshmi, është shumë e rrezikshme për një gazetar. Prandaj këshilla ime është që fokusi i gazetarit duhet të jetë gjithmonë te e vërteta. Mos i paragjykoni njerëzit dhe mos i akuzoni pa nevojë. Hulumtoni, verifikoni dhe pastaj publikoni. Kur them “beso”, nënkuptoj të besosh në dokumente konkrete: një dokument zyrtar, një incizim, një video, një fotografi, një aktakuzë, një aktgjykim apo çdo material tjetër që e mbështet informacionin. Gazetari duhet të shkojë te pala tjetër i përgatitur mirë dhe me fakte në dorë, në mënyrë që të mos duket qesharak as para palës dhe as para publikut.

Driton Hyseni: Përveç botimeve akademike, ju vazhdoni të kontribuoni edhe në gazetari dhe të realizoni tekste hulumtuese. Çfarë ju motivon të vazhdoni në këtë profesion?

Musa Sabedini: Të drejtën me thënë, nuk mund të jetoj pa gazetari. Edhe kur kam filluar angazhimet e mia akademike, një nga kushtet e mia ka qenë që të mos e ndal gazetarinë. Edhe pse sot nuk jam aq aktiv sa kam qenë më herët, vazhdoj të kontribuoj në këtë fushë. Kam fituar katër çmime në gazetarinë hulumtuese dhe për këtë arsye kam vendosur ta ul pak intensitetin e punës, për t’u dhënë hapësirë edhe gazetarëve të tjerë të rinj. Megjithatë, unë e njoh shumë mirë frymën e gazetarisë hulumtuese. E di saktësisht se si funksionon dhe sa përkushtim kërkon ky profesion. Gazetaria hulumtuese kërkon shumë vullnet, shumë përkushtim, ndërgjegje profesionale dhe kujdes të madh. Gazetari duhet të ketë intuitë të fortë, integritet profesional dhe ndikim publik. Duhet të jesh një figurë që kur dikush dëgjon emrin tënd, ta kuptojë se përballë ka një gazetar serioz që merret me të vërtetën. Fatkeqësisht, sot në hapësirën online kjo pjesë e gazetarisë hulumtuese shpesh nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Edhe pse vetë kam qenë pjesë e kësaj fushe dhe kam portal, shpesh vërehet se baza profesionale mbi të cilën duhet të ndërtohet gazetaria hulumtuese po anashkalohet.

Continue Reading

Vendi

PDK i përgjigjet Kurtit: Së pari vendimi i Kushtetueses

Published

on

By

Kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim të mundshëm në ditët në vijim për çështjen e presidentit, i është përgjigjur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me të njëjtin ton si ai i LDK-së.

Në përgjigje të kësaj thirrjeje, PDK ka konfirmuar vullnetin për dialog, mirëpo jo para një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

“PDK e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

PDK e përmbyll reagimin duke theksuar se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitetin e vërtetë politik dhe institucional në Kosovë.

 

Continue Reading

Rajoni

Shqipëria synon ta shpallë Iranin shtet sponsor të terrorizmit

Published

on

By

Shqipëria do të votojë për një rezolutë për ta shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit, ndërsa Gardën Revolucionare dhe Hezbollahun, organizata terroriste, njoftoi të premten kryeministri i vendit, Edi Rama.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, Rama tha se vendimi do të merret javën e ardhshme.

“Parlamenti i Shqipërisë do të ftohet ta votojë një rezolutë për ta shpallur Republikën e Khomeiniste të Iranit – unë me gojë nuk e them dot islamike, sepse ajo nuk ka asnjë lidhje me islamin sipas asaj që unë di dhe çmoj te islami – shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë do të shpallen organizata terroriste Garda Revolucionare e Iranit dhe Hezbollahu”, theksoi Rama.

Hezbollahu është grup militant në Liban i mbështetur nga Irani. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Ndërsa, Bashkimi Evropian muaj më parë e shpalli terroriste Gardën Revolucionare të Iranit.

Synimi i Shqipërisë vjen pak ditë pasi Kuvendi i saj ish në shënjestër të një sulmi kibernetik, për të cilin Rama, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, thanë gjatë raportimit në Komisionin për Sigurinë, se erdhi nga Irani.

Kreu i Qeverisë tha se sulmet kibernetike nga Irani janë të vazhdueshme, madje, sipas tij, të përditshme, që prej vitit 2022.

Kryeministri shtoi Shqipëria ka kapacitete mbrojtëse kibernetike, dhe atë ndër më të mirat në Evropë, por tregoi se Kuvendi nuk është përfshirë ende në to.

“Problemi ynë është që nuk kemi përfshirë ende të gjithë sistemin brenda rrjetit të mbrojtjes. Nuk ka probleme me zonat kritike ku ata mund të sulmojnë. Ne sulmohemi nga Irani, çdo ditë, jo njëherë. Nuk kanë ndalur asnjëherë sulmet. Këto janë të dhëna sensitive, në sistemet e mbrojtjes kibernetike ka lexim dhe gjurmë të çdo sulmi, por s’kanë pasur sukses në pjesën e infrastrukturës kritike”, tha Rama.

Ndërsa, Hoxha tha se “fakti që arritën të cenojnë infrastrukturën teknologjike të Kuvendit do të thotë që duhet të jemi shumë të vëmendshëm”.

Ai tha se kjo çështje është ngritur në NATO dhe Shqipëria ka marrë garancinë se nuk është vetëm.

Hoxha theksoi se Shqipëria mbështet politikën e jashtme të sigurisë kolektive dhe renditet krah SHBA-së për ndalimin e programit bërthamor dhe raketave balistike nga Irani.

Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të MEK-ut strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.

Sulmet kibernetike iraniane prej vitit 2022, për të cilat Shqipëria beson se janë hakmarrje ndaj saj për strehimin e disidentëve iranianë, bëri që Qeveria shqiptare t’i pezullonte marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Përgjegjësinë për sulmin e 9 marsit e mori një grup hakerësh, i identifikuar si Homeland Justice, i cili theksoi në llogarinë e tij në Telegram se “nuk do t’i lëmë mbështetësit e terroristëve të MEK të flenë të qetë asnjë çast”.

MEK, apo Mojahedin-e-Khalq, është grup opozitar iranian që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit dhe është strehuar në Shqipëri kamotshëm.

Homeland Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022.

Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet./REL/

Continue Reading

Vendi

Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi “një orë pas” verdiktit të Kushtetueses

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar zyrtarisht pas ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim rreth zgjedhjes së Presidentit të ri.

Abdixhiku ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, por ka vendosur një kusht të qartë: takimi mund të ndodhë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin e saj.

Lideri i LDK-së ka theksuar se përderisa çështja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është në duart e Gjykatës, politika duhet të heshtë për t’i lënë radhën drejtësisë kushtetuese.

“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim, koha jonë politike ndalon përkohësisht”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, respektimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe shmangia e proceseve politike paralele është një nder që i bëhet Republikës dhe institucioneve të saj.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar kreu i LDK-së.

Kjo përgjigje vjen vetëm pak orë pasi Kryeministri Kurti njoftoi se do të nisë ftesat për opozitën me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin, për të evituar kështu shkuarjen në zgjedhje të reja.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara