Lajmet

Kurti: Nuk është as në kulturën e as në historinë tonë të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues

Kurti: Andaj ju bëj thirrje të gjithëve që të respektojmë dhe të pranojmë njëri-tjetrin.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur keqardhje dhe e ka dënuar fuqishëm aktin e fundit të diskriminimit ndaj komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, që sipas raportimeve, disa lokale të gastronomisë kanë refuzuar t’u shërbejnë këtyre komuniteteve.

Në fjalimin e mbajtur në Samitin e antigjipsizmit, kryeministri Kurti po ashtu dënoi ashpër dhunën fizike që u shpërfaqë po ndaj këtyre komuniteteve ditëve të fundit. 

Këto janë akte të dënueshme si nga ligjet tona e po ashtu edhe nga ndërgjegjja jonë. Nuk është as në kulturën e as në historinë tonë që të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues, tha kryeministri, duke shtuar se qytetarët e çdo etnie, komuniteti e race janë në radhë të parë qytetarë të barabartë të Republikës tonë.

Kryeministri tha se angazhohet njëlloj për të gjithë qytetarët e Republikës, e sidomos për ata që janë më të varfër, sepse siç tha ai, përveçse Kryeministër, jam edhe social-demokrat, e si social-demokrat progresin e zhvillimin e shoqërisë tonë e mati, jo me atë se sa mirë po jetojnë ata që kanë më së shumti, por ata që kanë më së paku.

Ai shtoi se si social-demokrat zhvillimin e matë me përfshirjen dhe kualitetin e edukimit që marrin jo vetëm pjesa e privilegjuar e shoqërisë, por pjesa më e diskriminuar e saj.

Në këtë drejtim, ai veçoi shpalljen e konkursit për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian për vitin shkollor 2021/2022, me çka synohet përfshirja e këtyre nxënëseve në arsimin e mesëm të lartë në shkollat publike dhe sigurimi i iniciativave për të reduktuar braktisjen e mësimit.

“Po ashtu, synojmë rritjen e numrit të nxënësve që do të ndjekin arsimin e mesëm të lartë nëpërmjet mbështetjes financiare me bursa, si dhe ngritjen e suksesit të nxënësve duke iu ofruar mbështetje financiare. Lartësia e bursave do të jetë 300 euro për një vit mësimor”, tha kryeministri Kurti.

Samiti mbi Antigjipsizmin organizohet nga organizata Terre des hommes, përfaqësia në Kosovë, në bashkëpunim me organizatat partnere Voice of Roma, Ashkali and Egyptians dhe HEKS Foundation në kuadër të projektit “Drejtësia Sociale për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët.  

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:


I nderuar z. Kolly, ambasador i Zvicrës në Kosovë,

I nderuar z. Kerschbaum, shef i divizionit ndërkombëtar në HEKS,

E nderuar znj. Theuns, shefe e Evropës Jugore në fondacionin Terre des hommes,

I nderuar z. Gnocchi, shef i komuniteteve, trashëgimisë kulturore dhe fetare nga zyra e BE-së në Kosovë,

Zonja e zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Fillimisht ju falënderoj për ftesën që më keni bërë që të marr pjesë në këtë Samit mbi antigjipsizmin.

Shpreh keqardhjen time dhe e dënoj fuqishëm aktin e fundit të diskriminimit ndaj komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian ku ashtu edhe siç u raportua, disa lokale të gastronomisë kanë refuzuar shërbimin ndaj këtyre komuniteteve.

Po ashtu dënoj ashpër dhunën fizike që u shpërfaqë po ndaj këtyre komuniteteve ditëve të fundit. 

Këto janë akte të dënueshme si nga ligjet tona e po ashtu edhe nga ndërgjegjja jonë. Nuk është as në kulturën e as në historinë tonë që të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues.

Qytetarët e çdo etnie, komuniteti e race janë në radhë të parë qytetarë të barabartë të Republikës tonë.

Ata janë kolegët tanë që punojnë krah nesh në qeveri; janë policët të cilët patrullojnë rrugët tona; janë ushtarët që ruajnë kufijtë tanë; janë mësuesit e punëtorët kudo në vendin tonë që mundohen të jetësojnë ëndrrat e tyre e të japin kontributin e tyre këtu në vendin tonë të përbashkët.

Aktet e dhunës janë akte që nuk mund e nuk duhet t’i injorojmë, por të flasim hapur për burimin e tyre e t’i trajtojmë drejtë nga autoritetet tona. 

Ne duhet të punojmë e të jetojmë së bashku sepse armiku ynë i përbashkët është papunësia, korrupsioni e padrejtësia, por nuk e kemi armik njëri tjetrin. 

Si Kryeministër i të gjithë qytetarëve të Republikës angazhohem për të gjithë njëlloj, e sidomos për ata që janë më të varfër sepse përveçse Kryeministër, jam edhe social-demokrat, e si social-demokrat progresin e zhvillimin e shoqërisë tonë e mati, jo me atë se sa mirë po jetojnë ata që kanë më së shumti, por ata që kanë më së paku.

Si social-demokrat zhvillimin e mati me përfshirjen dhe kualitetin e edukimit që marrin jo vetëm pjesa e privilegjuar e shoqërisë, por pjesa më e diskriminuar e saj.

Në këtë drejtim kemi shpallur konkurs për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian për vitin shkollor 2021/2022, me çka synojmë përfshirjen e këtyre nxënëseve në arsimin e mesëm të lartë në shkollat publike dhe sigurimin e iniciativave për të reduktuar braktisjen e mësimit.

Po ashtu, synojmë rritjen e numrit të nxënësve që do të ndjekin arsimin e mesëm të lartë nëpërmjet mbështetjes financiare me bursa, si dhe ngritjen e suksesit të nxënësve duke iu ofruar mbështetje financiare. Lartësia e bursave do të jetë 300 euro për një vit mësimor.

Prandaj ne kemi filluar edhe programin për shtesat për lehona dhe për fëmijë, nga të cilat fitojnë të gjithë qytetarët e Republikës pa dallim, pra që të rrisim mundësitë për të gjithë, jo vetëm si premtim por si veprim konkret. 

Andaj ju bëj thirrje të gjithëve që të respektojmë dhe të pranojmë njëri-tjetrin.

Është e vërtetë se me Kushtetutë të drejtat i kemi të garantuara, kurse para ligjit duhet të jemi të gjithë të barabartë, mirëpo për të arritur barazinë që synojmë duhet të hapim edhe mendjet e zemrat tona.

E për këtë duhet të punojmë së bashku sepse kërkohet më shumë.

Të gjeturat preliminare të studimit tuaj tregojnë se kemi shumë punë për të bërë në promovimin e një kulture të përbashkët, ku ato që na dallojnë të gjithëve sikurse pamja prejardhja, feja, gjuha e rajoni t’i përdorim si asete që na bëjnë më të fortë si shoqëri.  Pra, diversitet dhe solidaritet njëkohësisht.

Raporti juaj tregon se rreth 60% e të anketuarve kanë treguar pak ose aspak njohuri për historinë, kulturën dhe traditat e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, dhe se burimi kryesor i informacionit nuk vjen nga librat në shkollat tona apo programet edukative, por nga televizioni e rrjetet sociale. Kjo duhet të ndryshojë.

Hulumtimi po ashtu tregon se ka pak e aspak ndërveprim mes komuniteteve, çka shton ndjesinë e izolimit e të përjashtimit që sjellë stereotipe dhe paragjykime, e të cilat pastaj rezultojnë edhe në akte të dhunës. 

Këtë cikël vicioz duhet ta ndalim përmes ofrimit të mundësive të barabarta që në radhë të parë vijnë nga qasja dhe gjithëpërfshirja në edukim, e shoqëruar me mundësi ekonomike.

Edukimi dhe punësimi janë faktorët kyçë dhe motor i integrimit dhe janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. E unë jam me shpresë që rritja jonë ekonomike këtë vit do t’i hapë rrugë ndryshimeve të gjithmbarshme pozitive që nuk e përjashtojnë asnjërin.

Një ndër rekomandimet e këtij Samiti është edhe njohja e Antigjipsizmit dhe hartimi i politikave mbi Antigjipsizmin si mënyra më e mirë për të siguruar qasje më të mirë të komuniteteve në edukim, drejtësi, mbrojtje dhe të drejta të tjera themelore. 

Në strategjinë e re për përfshirjen e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, Antigjipsizmi do të trajtohet gjatë hartimit të politikave në mënyrë që të rritet vetëdijesimi dhe të parandalohet diskriminimi e përjashtimi. 

Unë ju uroj punë të mbarë në këtë samit dhe ju siguroj se të gjitha konkluzionet e këtij samiti do të lexohen me kujdes dhe do të integrohen me programin e qeverisë sonë, të qeverisë suaj. 

Ju faleminderit.

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara