Lajmet

Kurti: Ne në Kosovë jemi të bekuar me shumë mendje të reja dhe të ndritura

Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në hapjen virtuale të kampit veror “Edu Camp“ 2021

Published

on

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen virtuale të kampit ndërkombëtar veror “Edu Camp“ 2021, ku po marrin pjesë mbi 100 nxënëse dhe nxënës nga Gjermania, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

“Progresi që po përjetojmë sot është bërë i mundur vetëm falë dijes. E shkollat dhe universitetet janë vendi ku prodhohet dija. Pikërisht për shkak se progresi është i lidhur ngushtë me dijen, ne besojmë se e drejta për t’u shkolluar është universale dhe si e tillë duhet t’u garantohet të gjithëve pa dallim. Prandaj edhe kemi marrë vendimin që edukimi publik në Kosovë në të gjitha nivelet të jetë falas,” tha në hapje kryeministri Kurti.

Duke falënderuar organizatorët, mësuesit dhe ligjëruesit nga Kosova dhe Gjermania, kryeministri vlerësoi programet si ky kamp, pasi ndihmojnë të rinjtë të zhvillohen jo vetëm si individë, por edhe ta kuptojmë rolin në shoqëri.

“Është misioni ynë që së bashku të përmirësojmë vazhdimisht sistemin tonë arsimor, të ofrojmë mbështetje aktive dhe të krijojmë të gjitha kushtet në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të arrijnë potencialin e tyre të plotë, “ tha kryeministri Kurti.

Fjalimi i Kryeministrit Albin Kurti në hapjen e kampit veror “Edu Camp“ 2021

E nderuara znj. Zielosko,

I nderuar drejtues i programit z. Krasniqi,

I nderuari kryetar i Komunës së Drenasit, z. Lladrovci,

Të nderuar drejtorë z. Sahiti dhe z. Mujaj

Të nderuar mësues të shkollave nga Kosova dhe Gjermania,

Të nderuar folës e ligjërues,

Dhe në fund ata më të rëndësishmit: Të dashur nxënëse dhe nxënës,

Më lejoni të filloj këtë fjalim me një citim nga laureati i Çmimit Nobel në Fizikë, Serge Horoche: “Pasuria e një vendi vjen nga mendjet e njerëzve të tij”.

Rëndësia e arsimit nuk guxon të nënvlerësohet. Andaj jam i kënaqur, të dashur pjesëmarrës, që sot të hap kampin e parë ndërkombëtar veror me mbi 100 nxënëse dhe nxënës nga Gjermania, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në periudhën pas pavarësisë së Kosovës, nuk ka pasur kurrë një shkëmbim të tillë rinor në të cilin të rinjtë nga vendet fqinje të Kosovës kanë punuar së bashku me të rinjtë nga Gjermania në punëtori të tilla. Një veçanti tjetër është bashkëpunimi në gjuhën gjermane, që cilësohet si gjuha e poetëve dhe mendimtarëve.

Unë e shikova programin e punëtorive dhe mendoj se përzgjedhja e temave të leksioneve është e shkëlqyeshme, për çka falënderoj organizatën Education Unlimited dhe të gjithë mbështetësit e saj. E di se drejtorët e shkollave pjesëmarrëse kanë pasur shumë pengesa për shkak të pandemisë për ta zhvilluar ketë program, por në mënyrë që nxënëset të marrin pjesë në këtë kamp veror ata punuan për orë të tëra për t’ia siguruar nxënësve të tyre këtë eksperiencë.

Si progresist, unë besoj në zhvillimin njerëzor dhe besoj gjithashtu se zhvillimi teknologjik gjithmonë duhet të ecë në hapa sikurse ai njerëzor. Programet si ky na ndihmojnë të zhvillohemi jo vetëm si individë por ta kuptojmë edhe rolin tonë në shoqëri. Pengesat dhe konfliktet e përditshme mund të lehtësohen e tejkalohen më lehtë kur mësojmë më shumë për njëri-tjetrin por edhe kur kalojmë kohë së bashku. 

Temat e këtij kampi veror premtojnë të nxisin pjesëmarrësit të mendojnë dhe të diskutojnë për vlerat e përbashkëta në mënyrë që së bashku të kërkojmë përgjigje mbi pyetjet thelbësore.

Kështu që mezi pres t’i dëgjoj rezultatet nga ligjëratat mbi rolin e vajzave dhe grave në shoqërinë tonë: mendoj se sistemi ynë, nëse do të ishte formuar nga gratë, do të ishte më i drejtë.

Ne në Kosovë jemi të bekuar me shumë mendje të reja dhe të ndritura të cilat, nëse inkurajohen dhe sfidohen siç duhet, mund të arrijnë gjëra të mëdha jo vetëm për veten e tyre, por për të gjithë shoqërinë.

Progresi që po përjetojmë sot është bërë i mundur vetëm falë dijes. E shkollat dhe universitetet janë vendi ku prodhohet dija. Pikërisht për shkak se progresi është i lidhur ngushtë me dijen, ne besojmë se e drejta për t’u shkolluar është universale dhe si e tillë duhet t’u garantohet të gjithëve pa dallim. Prandaj edhe kemi marrë vendimin që edukimi publik në Kosovë në të gjitha nivelet të jetë falas.

Shteti është krijuar pikërisht për këtë arsye. Që të bëjë të mundur atë që ne individualisht nuk mund të bëjmë. Të garantojë që secili, pavarësisht se ku ka lindur dhe sa fiton, merr edukimin kualitativ që i duhet për të realizuar potencialin e tij.

Pra, edukimi do jetë falas, por jemi gjithashtu të angazhuar të reformojmë shkollimin dhe trajnimin dual për gjithë ata të rinj që duan të mësojnë një zanat, jo vetëm në teori por edhe në praktikë.

Është misioni ynë që së bashku të përmirësojmë vazhdimisht sistemin tonë arsimor, të ofrojmë mbështetje aktive dhe të krijojmë të gjitha kushtet në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Falënderoj të gjithë ata që janë të angazhuar për mirëvajtjen e këtij kampi veror: Dashuria juaj për dijen dhe shkencën do të thotë dashuri për njerëzimin dhe zhvillimin.

Ju faleminderit.

Continue Reading

lajme

Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Hajdi Xhixha, prezanton kërkimin e saj në Universitetin Suedez të Mbrojtjes

Published

on

By

Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT, Dr. Hajdi Xhixha, ka marrë pjesë në punëtorinë kërkimore “Research Workshop on Military Profession, Education and Organization”, të mbajtur më 7 tetor 2026 në Universitetin Suedez të Mbrojtjes në Stokholm të Suedisë.

Në këtë aktivitet ndërkombëtar, Dr. Xhixha prezantoi punimin me temë “Russian Cognitive Warfare and European Cognitive Defence from Strategic Concern to Actionable Framework: The Garrison Mindset, the Luria-Lefebvre Framework, and Europe’s Cognitive Defence Architecture”, duke trajtuar luftën kognitive ruse dhe mbrojtjen kognitive evropiane, me fokus në qasjet strategjike dhe kornizat e zbatueshme për adresimin e këtyre sfidave.

Po ashtu, u shpreh gatishmëria për mundësi të ardhshme bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve.

Continue Reading

Vendi

Maqedonci me Përfaqësuesin e SHBA-së në NATO: Diskutohet blerja e helikopterëve “Black Hawk” dhe kontributi i FSK-së në Gaza

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin Matthew Whitaker, Përfaqësuesin e Përhershëm të SHBA-së në NATO, me të cilin ka diskutuar për thellimin e partneritetit strategjik në fushën e mbrojtjes dhe integrimin e Kosovës në aleancën euroatlantike.

Sipas njoftimit të ministrit Maqedonci, ambasadori Whitaker ka konfirmuar mbështetjen e SHBA-së për rrugëtimin e Kosovës drejt NATO-s dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë takimit u theksuan pikat kryesore të bashkëpunimit.

Blerjet ushtarake dhe industria e mbrojtjes: U diskutua për procedurat e nisura për blerjen e helikopterëve “Black Hawk”, furnizimin me sisteme ushtarake nga SHBA-ja, si dhe zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes në Kosovë.

Partneriteti me Iowa-n: U vlerësua bashkëpunimi më se 15-vjeçar me Gardën Kombëtare të Iowa-s përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta.

Misionet ndërkombëtare dhe KFOR-i: Maqedonci shprehu gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar me trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, si dhe diskutoi për bashkëpunimin me NATO-n lidhur me praninë e KFOR-it, optimizimin e hapësirës ajrore dhe shfrytëzimin e mundshëm të Kampit Bondsteel e Aeroportit të Gjakovës.

Ministri Maqedonci i ka dërguar ftesë zyrtare ambasadorit Whitaker për të vizituar Kosovën, duke ritheksuar se partneriteti me SHBA-në mbetet thelbësor për të ardhmen euroatlantike të vendit. /E.A/

 

 

 

 

 

Continue Reading

Rajoni

UBT International Smart Schools shënon Ditën Botërore të Shëndetit Mendor në bashkëpunim me organizatën SIT

Published

on

By

Nxënësit e UBT International Smart Schools kanë shënuar Ditën Botërore të Shëndetit Mendor përmes një aktiviteti të organizuar në bashkëpunim me organizatën SIT, me qëllim të promovimit të mirëqenies emocionale, ndërgjegjësimit dhe rëndësisë së kujdesit për shëndetin mendor.

Përmes këtij aktiviteti, nxënësit patën mundësinë të angazhohen në iniciativa ndërgjegjësuese që theksojnë rëndësinë e shprehjes së emocioneve, komunikimit të hapur dhe mbështetjes së ndërsjellë. Aktiviteti synoi gjithashtu të kontribuojë në krijimin e një mjedisi shkollor ku mirëqenia emocionale dhe shëndeti mendor trajtohen me kujdes, respekt dhe pa paragjykime.

Continue Reading

Lajmet

Fakulteti i Psikologjisë në UBT shënon Ditën Botërore të Shëndetit Mendor në bashkëpunim me organizatën SIT

Published

on

By

Studentët e vitit të parë të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, në bashkëpunim me organizatën SIT, kanë zhvilluar aktivitete me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, me qëllim të promovimit të mirëqenies psikologjike, ndërgjegjësimit dhe rëndësisë së kujdesit për shëndetin mendor.

Aktiviteti shërbeu si mundësi për studentët që të angazhohen në diskutime dhe aktivitete ndërgjegjësuese, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të hapur, mbështetjes sociale dhe krijimit të një mjedisi ku shëndeti mendor trajtohet pa paragjykime.

Përmes aktiviteteve të tilla, Fakulteti i Psikologjisë në UBT synon të nxisë te studentët jo vetëm zhvillimin e njohurive profesionale, por edhe ndjeshmërinë sociale, përgjegjësinë dhe angazhimin për çështjet që ndikojnë në mirëqenien e individit dhe të shoqërisë.

Bashkëpunimi me organizatën SIT përbën një mundësi për të afruar studentët me iniciativa ndërgjegjësuese dhe për të promovuar një qasje më të hapur dhe gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit mendor.

Continue Reading

Të kërkuara