Lajmet

Kurti në Forumin Ekonomik: Kemi krijuar mbi 25.000 vende të reja pune

Ai shtoi se ka një normë të rritjes ekonomike 10.35 për qind.

Published

on

Nga dhjetëra sektorë të ndryshëm, disa kompani nga Kosova dhe Austria kanë promovuar bizneset e tyre në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri që po mbahet në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Kosova ka potencial për investime të huaja dhe është vendi më i mirë për të bërë biznes.

Ai para biznesmenëve austriakë dhe kosovarë ka folur edhe për mundësitë që i kanë kompanitë për të investuar në Kosovë.

Kurti veçoi ndërtimin e infrastrukturës, përkatësisht hekurudhës Prizren-Durrës, ku ftoi kompanitë austriake të investojnë.

“E përmenda historinë e Karl Gegës, sepse ka jetuar dhe vepruar në Austri, prandaj e dimë që duhet të kesh ekspertizë të madhe për të ndërtuar projekte të mëdha hekurudhore në botë. E shfrytëzoj rastin sot dhe ftoj kompanitë e mëdha austriake dhe qeverinë austriake që të na bashkëngjiten në projekte infrastrukturore që përfshinë edhe hekurudhat, të gjitha në harmoni të gjelbër evropiane. Siç e dini, duam të ndërtojmë hekurudhën Prizren-Durrës dhe na duhet ekspertizë teknike sikurse ajo e Karl Gegës, dhe pse jo ta emërtojmë këtë hekurudhë me emrin e tij. Kushdo që nuk e di se si të investojë në Kosovë ose të bëjë biznes në Kosovë, unë mund të them se këtu do ta keni një pasqyrë të qartë të bërjes së biznesit. Sipas raporteve ndërkombëtare, Kosova është një prej vendeve më të mira për të bërë biznes… Nëse keni qenë hezitues deri tani për të bërë biznes në Kosovë, mund t’iu siguroj se shumë prej faktorëve kryesorë kanë ndërruar dhe Kosova është bërë mjedis shumë më miqësor për bërje të biznesit”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për trendet pozitive ekonomikë në qeverisjen e tij, ku tha janë krijuar 25 mijë vende të punës dhe ka një normë të rritjes ekonomike mbi 10 për qind.

Në këtë forum, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka siguruar kompanitë austriake se Kosova ka parakushte dhe mundësi për investime, veçanërisht në sektorët e prodhimtarisë, bujqësisë, turizmit dhe në energjinë e ripërtritshme.

“Nën udhëheqjen e kryeministrit tonë Kurti, duke punuar në parimet e qeverisjes së mirë jemi të përkushtuar që të përmirësojmë dukshëm klimën e biznesit dhe investimeve, kjo është njohur në mënyrë të vazhdueshme nga FMN-ja, Banka Botërore, dhe po ashtu kohëve të fundit duke u bazuar në raportin që Kosova është përmirësuar për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Është e rrallë për një vend që të ngrihet kaq shpejt në indeks, por kjo konfirmon parimet kyçe dhe përkushtimin e qeverisë tonë për zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe përparimit të qeverisjes së mirë”, tha Hajdari.

Ambasadori i Austrisë në Prishtinë Christoph Weidinger deklaroi se forumi ekonomik do të fuqizojë më shumë raportet biznesore Kosovë-Austri.

“Forumi ekonomik Kosovë-Austri, përbën një manifestim të mëtutjeshëm të raporteve të shkëlqyeshëm që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona. Austria që tashmë është investitori i katërt më i madh në Kosovë, forumi ekonomik do të fuqizojë edhe më tej raportet biznesore ndërmjet ndërmarrjeve nga Austria dhe Kosova. Duke krijuar kështu një situatë të fitimit për të dyja ekonominë e këtyre vendeve. Dua të theksoj po ashtu se edhe në forma të tjera raportet tona janë shumë të fuqishme. Në aspektin politik, Austria gjithmonë ka mbështetur aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, po ashtu edhe për liberalizimin e vizave”, tha Weidinger.

Lajmet

PDK i dërgon letër Avni Deharit, kërkon vazhdimin e seancës konstituive të martën

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar sërish me letër zyrtare kryesuesit të seancës, Avni Dehari, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të martën, më 18 gusht, në orën 11:00.

Sipas letrës së siguruar nga mediat, grupi parlamentar i PDK-së ka theksuar se vonesat në këtë proces përbëjnë shkelje të aktit më të lartë juridik të vendit.

Në letrën drejtuar Deharit thuhet se “Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

21 armë zjarri të sekuestruara dhe mbi 4 mijë gjoba në Rajonin e Prishtinës

Published

on

Policia e Kosovës në Rajonin e Prishtinës ka realizuar gjatë javës së kaluar një sërë aktivitetesh në kuadër të sigurisë dhe zbatimit të urdhëresave gjyqësore.

Sipas Policisë, janë realizuar 125 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 45 kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër për kundërvajtje, seanca dhe verifikime të ndryshme.

Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 21 armë zjarri, ndërsa 8 prej tyre janë konfiskuar gjatë ahengjeve familjare.

Policia ka shqiptuar gjithashtu 4,179 masa administrative me gjobë për kundërvajtje dhe shkelje të rregullave të trafikut. Prej tyre, 566 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë.

Personat e dënuar me burgim, pas përfundimit të procedurave policore, janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë janë liruar pas përmbushjes së obligimeve të përcaktuara në urdhëresat gjyqësore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kryeveprat e Da Messinas grabiten nga muzeu siçilian

Published

on

Grabitësit kanë vjedhur disa vepra të rëndësishme të piktorit të Rilindjes Antonello da Messina nga një muze në qytetin sicilian të Mesinës, tha sot administrata e qytetit.

”Autorë të panjohur hynë me forcë në sallat e ekspozitës së Muzeut Rajonal të Mesinës gjatë natës dhe u larguan me disa vepra”, thanë autoritetet.

Ata thanë se hajdutët arritën të vidhnin tre nga pesë panelet nga “Poliptiku i San Gregorio” i famshëm, si dhe një panel me dy anë që përshkruan Madonnën dhe Krishtin.

Vepra e fundit u hoq nga brenda një vitrinë të siguruar.

Sipas autoriteteve, hajdutët vazhduan me saktësi të madhe gjatë vjedhjes.

Ata arritën të anashkalonin sistemet e alarmit për të fituar qasje në sallat e ekspozitës.

Policia tani po heton dhe po përpiqet të rindërtojë sekuencën e saktë të ngjarjeve dhe të mbledhë të dhëna rreth identitetit të hajdutëve.

“Jemi të tronditur nga ajo që ka ndodhur”, tha drejtoresha e muzeut Marisa Mercurio pas vjedhjes.

Ajo e përshkroi atë si një “humbje të madhe për muzeun, qytetin, komunitetin dhe botën e artit”.

Antonello da Messina (rreth viteve 1430-79), një piktor kryesor i Rilindjes së hershme, lindi në Mesina dhe konsiderohet si një nga artistët më të rëndësishëm të shekullit XV.

Në fillim të këtij viti, shteti italian bleu veprën e famshme të piktorit “Ecce Homo” për rreth 12 milionë euro (13,9 milionë dollarë) – një pikturë që fillimisht ishte planifikuar të dilte në ankand.

Ministria e Kulturës në Romë ndërhyri para fillimit të shitjes në Sotheby’s dhe e bleu veprën./Atsh/A.SH/

Continue Reading

Lajmet

Vendoset gurthemeli i Parkut Industrial në Podujevë

Published

on

By

Në fshatin Livadicë të Komunës së Podujevës është vendosur gurthemeli për ndërtimin e Parkut Industrial, një projekt i financuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në vlerë prej 3.1 milionë eurosh.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja në detyrë Mimoza Kusari-Lila si dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Në fjalën e tij me këtë rast, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi përkushtimin për transformimin e ekonomisë dhe fuqizimin e sipërmarrjes vendore.

“Synimi ynë si Qeveri është ta transformojmë ekonominë e Kosovës, ta forcojmë prodhimin vendor dhe të krijojmë sa më shumë produkte në lloje dhe në numër ‘Made in Kosova’, ashtu që jo vetëm t’i zëvendësojmë importet, por edhe të rrisim eksportet në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se parqet industriale u shërbejnë bizneseve për zgjerim, diasporës për investim të kapitalit dhe investitorëve të huaj për zhvendosjen e kapaciteteve prodhuese në Kosovë, duke hapur më shumë vende pune dhe mundësi për të rinjtë.

Nga ana tjetër, ministrja në detyrë Mimoza Kusari-Lila nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të infrastrukturës industriale për t’i bërë ballë deficitit tregtar.

“Është fakt i fortë se ekonomia e Kosovës që nga viti 2019 është dyfishuar, shërbimet tona kanë arritur eksportin deri në 4 miliardë euro, ndërsa ende kemi sfidë me deficitin tregtar të produkteve. Prandaj, për ne është tepër e rëndësishme që infrastrukturën industriale ta zhvillojmë, të ofrojmë mundësi të punës dhe prodhimit në Republikën e Kosovës dhe aktualisht ministria është duke u angazhuar në aktivizimin e 16 zonave industriale”.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e cilësoi këtë nismë si projektin ekonomik më të rëndësishëm për komunën, duke theksuar se realizimi i tij mbyll një mungesë shumëvjeçare të hapësirave të tilla për komunitetin e bizneseve në rajonin e Llapit. /E.A/

 

 

 

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara