Lajmet

​Kurti në Bruksel flet për dialogun Kosovë-Serbi

Published

on

Kryeministri Albin Kurti është takuar sot në Bruksel me drejtorin e përgjithshëm për Zgjerim Gert Jan Koopman, me të cilin diskutoi mbi procesin e integrimit të Kosovës në BE, përfshirë perspektivën për avancimin e kandidaturës për anëtarësim në kontekstin aktual evropian.

Në takim u trajtuan edhe çështje tjera të ndërlidhura me procesin e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe për nevojën e funksionalizimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, mbi parimet e pjesëmarrjes së barabartë për të gjitha shtetet e rajonit.

Kurti tha se Kosova është e interesuar që Tregu i Përbashkët Rajonal të funksionalizohet, sidomos tani kur shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit, dhe shtoi se kjo duhet arritur duke avancuar në drejtimin e afrimit të rajonit me standardet evropiane, si ato në fushën e ekonomisë, ashtu edhe ato në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ai theksoi se për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia, dhe të cilin tha se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë.

Duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi që është proces i ndarë, por që ka ndikim në zgjerimin e BE-së, Kurti tha se Kosova vazhdimisht ka qenë palë konstruktive dhe se e ka në interes përmbylljen e këtij procesi.

Kosova riafirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zotohet për angazhim konstruktiv në proces për ta çuar atë shpejt përpara. Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga marrëveshja bazike për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së, tha kryeministri Kurti.

Në takim, po ashtu, u diskutua edhe fillimi i zbatimit të Planit të Rritjes, si instrument i Komisionit Evropian i krijuar për t’i dhënë shtysë të madhe afrimit sa më të shpejtë dhe përmbajtjesor të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Ndërsa, Koopman porositi se përkushtimi i institucioneve evropiane në Bruksel për integrimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në BE është i fortë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe me përbërjen e ardhshme të Komisionit Evropian.

Botë

Zbulohet rrjeti i trafikimit të armëve në Podujevë: Armët ishin të fshehura në valixhe, të dyshuarit në arrati

Published

on

By

Një arsenal i konsiderueshëm armësh është sekuestruar nga Policia e Kosovës në Podujevë, pas një aksioni që zbuloi një tentativë për trafikim ndërkombëtar të armëve drejt Gjermanisë.

Rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 17:30. Pas informacioneve të pranuara në rrugë operative, policia ka ushtruar kontroll në një depo, ku brenda dy valixheve ka gjetur dhe sekuestruar: Pesë armë të gjata automatike AK-47 (Kallashnikov), Një armë të gjatë të modelit M12, Një armë të gjatë të prodhuesit të panjohur, Një pistoletë të tipit Glock, Nëntë karikatorë dhe 144 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Sipas hetimeve të para, tre të dyshuar ishin organizuar që këtë sasi armatimi dhe municioni ta transportonin ilegalisht drejt qytetit Shtutgart të Gjermanisë.

Me urdhër të prokurorit, njësitet policore kanë bastisur shtëpitë e të dyshuarve, mirëpo të njëjtit nuk janë hasur aty dhe aktualisht ndodhen në arrati. Policia e Kosovës ka nisur kërkimin për kapjen e tyre, ndërsa rasti po trajtohet në procedurë hetimore si “import, eksport, transportim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Qeveria ndan 3 milionë euro për mbulimin e kartonit të gjelbër për mërgatën

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe këtë vit mbulimin e policës kufitare për bashkëatdhetarët që vijnë për vizitë në vendlindje gjatë sezonit veror.

Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar të mbajtur këtë të mërkurë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se për zbatimin e kësaj mase janë ndarë tre milionë euro.

“Sikurse në vitet paraprake, edhe këtë vit duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si qeveri ndajmë mjete për të mbuluar policën kufitare apo kartonin e gjelbër për mërgatën tonë që vijnë me vetura. Propozim-vendimi parasheh ndarjen e 3 milionë eurove për zbatimin e masës 4.5 për mbështetjen e mërgatës, në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike”, deklaroi Murati, duke sqaruar se këto mjete transferohen direkt në dikasterin që ai udhëheq.

Përveç lehtësirave për diasporën, në këtë mbledhje u miratuan edhe 13 pika të tjera të rendit të ditës. Ndër to vlen të theksohet shqyrtimi i nismës për Marrëveshjen e Grantit që synon forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Po ashtu, ekzekutivi ka aprovuar ndarjen e buxhetit për financimin e disa projekteve kapitale në komunat: Mitrovicë e Jugut, Shtime, Pejë dhe Podujevë. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kurti: Pas certifikimit të rezultateve nisin diskutimet për Qeverinë dhe Presidentin

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit duhet të respektohet nga të gjithë dhe vullneti i qytetarëve të përkthehet sa më shpejt në institucione funksionale e demokratike.

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur këtë të mërkurë, Kurti theksoi se vota e qytetarëve ishte një mesazh i qartë. Ai përsëriti qëndrimin e tij se Kosova nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja, duke shtuar se vetë rezultati i fundit e dëshmoi një gjë të tillë.

“Qytetarët folën sërish qartë, rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike për zhvillim e mirëqenie”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, hapat konkretë drejt formimit të strukturave të reja udhëheqëse do të nisin menjëherë pas përmbylljes së procesit zyrtar nga KQZ-ja.

“Porsa të certifikohet rezultati, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve – konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit/es”, u shpreh ai.

Nga procesi zgjedhor i 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse në Kuvend, e pasuar nga PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe AAK-ja me 7 deputetë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

U kap në Aeroportin e Prishtinës me pasaportë të falsifikuar, arrestohet shtetasi turk

Published

on

By

Një shtetas i Turqisë është arrestuar të martën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pasi ka tentuar të udhëtojë me dokumente të falsifikuara.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 09:40, kur i dyshuari ka prezantuar dokumentin e udhëtimit që dyshohet se ishte i falsifikuar.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, me vendim të të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara