Lajmet

Kurti kushtëzon takimin me Ramën me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive

Kurti tha se Procesi i Berlini është shumë i rëndësishëm.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se nuk do të takohet me homologun nga Shqipëria, Edi Rama, këtë javë në Prishtinë nëse nuk mbahet mbledhja e përbashkët e qeverive të dy vendeve. Rama nis një tur ballkanik në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit dhe ka paralajmëruar një vizitë edhe në Prishtinë.

Mirëpo, Kurti tha se i ka kërkuar Ramës që të mbajnë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që ishte anuluar nga ana e kryeministrit të Shqipërisë e që ishte paraparë të mbahej më 14 qershor në Gjakovë e që për Kurtin nuk kishte arsye për një vendim të tillë.

“Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama se meqë do të vijë e do të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë, që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive e cila u anulua paarsyeshëm, ndonëse ishte paraparë muaj më parë për datën 14 qershor në Gjakovë. Të gjitha përgatitjet i patëm bërë, 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen të cilat tash kanë ngelur në sirtar. Në mënyrë që këto marrëveshje të dakorduara të mos ngelen edhe më tutje në sirtar sepse nga to nuk përfitojnë kryeministrat, përfitojnë qytetarët, dhe çdo ditë e humbur e pa i nënshkruar këto marrëveshje, është dëm për qytetarët, unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen në këtë javë le ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive tona, t’i nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara që janë në sirtar dhe në këtë mënyrë t’i operacionalizojmë, t’i funksionalizojmë, t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”, tha Kurti.

Kurti tha se Procesi i Berlini është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan lider politik e institucional sikurse ai që e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë këtë proces.

Mirëpo, sipas tij, samiti i radhës i Procesit të Berlinit është në mes të muajit tetor ndërsa nuk dëshiron të vonohet më shume me zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri.

“Për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive, nëse kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjeve të dy qeverive, atëherë unë ngelem tek qëndrimi që ia kam thënë se për takime të ne të dyve, ne kemi kontakt të drejtpërdrejt, ne takohemi shumë shpesh nëse shikoni gjatë këtyre më shumë se dy viteve që jemi në qeverisje i kam një duzinë takimesh me kryeministrin Rama, nuk lëgon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan, pse nuk takohen kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm, andaj konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive por jo takimet të tjera”, tha Kurti.

Për të hequr të gjitha dilemat se nuk do të ndodhë një takim mes tij dhe Ramës pa mbledhje të dy qeverive, Kurti u kujdes që ta mbyllë konferencën e tij duke e përsëritur qëndrimin.

“Pra, edhe njëherë unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje”, tha Kurti.

Kryeministri Edi Rama kishte anuluar njëanshëm mbledhjen e dy qeverive natën e 13 qershorit me arsyetimin se nuk mund të mbahet një mbledhje e tij në kohën e ngritjes së tensioneve në veri dhe raporteve të acaruara të shtetit të Kosovës me bashkësinë eurotaltinike.

Ai kishte kërkuar një tjetër format me pjesëmarrjen e dy kryeministrave dhe ministrave të Jashtëm e të Mbrotjes.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane Borrell, i kam kërkuar Albinit për tu takuar në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, për të diskutuar pikërisht për këtë situatë e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin faktikisht në butonin që do të vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vet”, pati deklaruar Rama më 13 qershor.

Lajmet

MAShT cakton datat e provimit të maturës shtetërore

Published

on

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka marrë vendim lidhur me organizimin e provimit të maturës shtetërore për këtë vit.

Sipas vendimit të MAShTI-t, afati i parë i provimit të maturës shtetërore do të mbahet më 20 qershor, ndërsa afati i dytë është caktuar për datën 29 gusht.

Ministria u ka bërë thirrje nxënësve që të përgatiten me kohë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për detaje shtesë rreth organizimit të provimit. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Osmani takon Presidenten e Tanzanisë në Samitin Botëror të Qeverisjes

Published

on

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në Samitin Botëror të Qeverisjes, është takuar me Presidenten e Tanzanisë, Samia Suluhu, si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo.

Osmani ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar në një frymë të hapur dhe miqësore, duke reflektuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Tanzanisë.

“Diskutim i hapur dhe miqësor, në vazhdën e marrëdhënieve të mira në mes të Kosovës dhe Tanzanisë”, ka shkruar Presidentja Osmani. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Shqetësuese – nga viti 2000, në trafik kanë humbur jetën 3.111 persona

Published

on

Në një konferencë për media të Policisë së Kosovës, sot është raportuar një e dhënë shqetësuese – nga viti 2000, në trafik kanë humbur jetën 3.111 persona

Drejtues të Policisë së Kosovë kanë paraqitur statistikat e përgjithshme të të gjitha zhvillimeve në vend nga fusha e sigurisë.

Sipas tyre, gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2025, Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka trajtuar 19 mijë e 941 raste, një rritje në krahasim me vitin 2024 ku ishin raportuar 19 mijë e 874 raste.

Në prezantimin e këtij departamenti, nga drejtori i DRP-së në Prishtinë, Bastri Shabani u theksua se veprat penale kanë qenë në ulje prej -5.90 për qind, 10 mijë e 269 raste, ndërkohë në incidente në trafik ngritje prej 6.8 për qind.

Gjithsej aksidente 10 mijë e 338, persona të lënduar 5 mijë e 866, aksidente me lëndime 3 mijë e 235, aksidente me dëme materiale 7 mijë e 75. Me fatalitet 28 persona, të vdekur 29.

Arrestimet sipas autorizimeve policore gjatë vitit 2024 ishin 2 mijë e 718 arrestime, në 2025 3 mijë e 377 raste apo ngritje 24,3 për qind. Tiketat e shqiptuara në ngritje prej 8.70 për qind nga 212 mijë e 931 në 231 mijë e 478.

Drejtori i DRP-së, Bastri Shabani bëri të ditur edhe rastet e vrasjeve, dhunës në familje dhe vjedhjeve.

Gjashtë raste të vrasje e rëndë, dhuna në familje në ulje prej -1.9 për qind dhe vjedhje e rëndë – 3.1 për qind.

“Disa nga veprat penale më serioze, vrasje-vrasje e rëndë nga 8 në 6, do të donim të mos kemi asnjë vrasje por ja që ka ndodhur, lëndim i rëndë trupor kemi një rritje nga 77 raste në 83, lëndim i lehtë trupor po ashtu një ngritje prej 6.5 për qind, veprat penale kundër pasurisë vjedhje në 5.3 për qind kemi ngritje, vjedhje e rëndë – 3.1 për qind, grabitje -10.5 për qind, dhuna në familje -1.9 për qind, posedim dhe shitblerje e narkotikëve nga 613 në 775 raste apo ngritje në 23.5 për qind”, tha Shabani.

Shabani ka theksuar edhe sfidat që ishin për këtë departament gjatë vitit 2025.

“Si çdo vit edhe në vitin 2025 kemi pasur edhe sfida. Lëvizjet e shpeshta të personelit dhe mungesat e personelit policor të graduar, angazhimet shtesë në Mitrovicë Veri, angazhimet në numër të lartë të organizimeve vendore e ndërkombëtare në kryeqytet, angazhimi në pika statike dhe objekte me rëndësi të veçantë, mungesa e hapësirë së mjaftueshme për DRP Prishtinë dhe kryeqytet”, shtoi Shabani.

Ndërkohë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se ka një rënie të rasteve serioze që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar në Prishtinë.

Sipas tij, problemi kryesor janë rritjet e rasteve me fatalitet në trafik ku mbi 100 persona gjatë 2025 kanë humbur jetën. Që nga viti 2000 deri më sot, Hoxha tha se Kosova ka humbur mbi 3 mijë e 111 persona në trafik.

Hoxha theksoi se një nga prioritetet kryesore të Policisë së Kosovës do të jetë siguria në trafik, ku nevojitet mbështetje e komunave dhe ministrisë së infrastrukturës.

“Kemi një numër në rënie të rasteve serioze që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar në Prishtinë, sidomos te vrasjet, grabitjet, vjedhjet e rënda, po ashtu edhe prej një prej veprave penale shumë të ndjeshme që është dhuna në familje dhe që është prioritet nacional i Kosovës. Problemet që kanë shënuar rritje është rastet e rënda të fataliteteve që jo vetëm në Prishtinë por gjithandej Kosovës, kemi pasur rritje të rasteve me fatalitet në trafik mbi 100 persona të vdekur në trafik nga 89 që kemi pasur një vit më herët… Kosova që nga viti 2000 mijë deri më sot i ka humbur mbi 3 mijë e 111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve  ka me qenë siguria në trafik. Por që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e ministrisë së infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë sidomos te vetëdijesimi i njerëzve”, tha Hoxha.

Në fund pjesëtarë të policisë së Kosovës u nderuan edhe me mirënjohje nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. /A. Shala/

/Kosovapress/

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Kosova është gati për ekonominë e gjeneratës së ardhshme, e përqafon AI me bindje

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova po i qaset inteligjencës artificiale me vizion të qartë dhe vendosmëri, duke theksuar se shteti është i gatshëm ta përqafojë plotësisht këtë teknologji përmes investimeve në aftësi, modernizimit të arsimit dhe krijimit të një mjedisi rregullator që inkurajon inovacionin, duke ruajtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor. Sipas saj, Kosova është gati për ekonominë e gjeneratës së ardhshme.

Në fjalimin e saj, në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Osmani theksoi se teknologjia pa vlera përfaqëson fuqi pa përgjegjësi dhe se inteligjenca artificiale, nëse nuk udhëhiqet siç duhet, mund t’i thellojë ndarjet shoqërore. Sipas saj, qeverisja e mençur e kësaj teknologjie mund të zgjerojë mundësitë, të demokratizojë dijen dhe të rrisë potencialin njerëzor, shkruan KosovaPress.

“Kosova nuk i qaset inteligjencës artificiale me frikë, hezitim apo masa gjysmake. Ne i qasemi asaj me qartësi dhe bindje. Jemi të gatshëm ta përqafojmë plotësisht, të investojmë në aftësi, të modernizojmë arsimin, t’i hapim institucionet tona ndaj inovacionit dhe të krijojmë një mjedis rregullator të lirë që inkurajon përparimin, duke mbrojtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor. Sepse teknologjia pa vlera është fuqi pa përgjegjësi. Dhe inteligjenca artificiale, nëse lihet pa udhëzim, mund t’i thellojë ndarjet. Por, nëse qeveriset me mençuri, ajo mund të zgjerojë mundësitë, të demokratizojë dijen dhe të ngrejë potencialin njerëzor”, tha ajo.

Presidentja Osmani foli edhe për ndërtimin e institucioneve të pavarura, profesionale dhe të qëndrueshme, duke theksuar se Kosova është e vendosur t’i ruajë dhe t’i forcojë ato. Ajo shtoi se përparimi i vendit në këto fusha po njihet gjithnjë e më shumë në nivel ndërkombëtar.

Presidentja Osmani theksoi gjithashtu se Kosova sot është më e lidhur me botën se kurrë më parë, përmes zgjerimit të regjimeve bilaterale pa viza, përfshirë edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, vendet e EFTA-s, Turqinë dhe tregje të tjera.

“Kosova sot është më e lidhur me botën se kurrë më parë. Përmes një rrjeti në zgjerim të regjimeve bilaterale pa viza, përfshirë me Emiratet e Bashkuara Arabe këtu dhe shumë vende të tjera, sipërmarrësit, inovatorët dhe profesionistët tanë lëvizin, lidhen dhe bëjnë biznes me më shumë lehtësi. Përmes qasjes tonë në tregjet e BE-së, vendet e EFTA-s, Turqinë dhe më gjerë, falë marrëveshjeve ekzistuese të tregtisë së lirë, kompanitë e bazuara në Kosovë operojnë brenda një hapësire ekonomike me më shumë se 700 milion konsumatorë. Kështu ndërtohet besimi. Dhe besimi është themeli i çdo ekonomie konkurruese. Pilar i tretë i ekonomive të gjeneratës së ardhshme është një mjedis biznesi që shpërblen iniciativën”, ka thënë Osmani.

/Kosovapress/

Continue Reading

Të kërkuara