Lajmet

Kurti i propozon Stoltenbergut hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO

Published

on

Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku roli historik i NATO-s në Kosovë dhe kontributi i vazhdueshëm i misionit të KFOR-it për sigurinë dhe paqen në vend, krahas zhvillimeve të fundit në vend dhe rëndësisë së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve, ishin temat kryesore të diskutimit të sotëm.

Kryeministri Kurti që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, fillimisht shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë.

Ai e njoftoi Sekretarin Stoltenberg për qeverisjen dhe për vëmendjen që iu është kushtuar investimit në mbrojtje, arsim, shëndetësi dhe bujqësi.

Duke folur për situatën e sigurisë, veçanërisht në raport me rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për vendin, ai veçoi praninë e 48 bazave të përparme operacione serbe përreth kufirit me Kosovën dhe sistemin kundër-ajror në afërsi të këtij kufiri.

Më këtë rast, kryeministri listoi sistemet ushtarake të Serbisë që përfshijnë sistemin e modernizuar të raketave “FK-3” dhe “Pancir S1” si dhe sistemet tjera të raketave “Neva M1T” dhe “Kub M2 (SM)” të Brigadës 250 të ushtrisë serbe.

Ai tha se sistemi FK-3 është sistem raketor kinez, me të cilin në vitin 2022, Serbia u bë vendi i parë në Evropë që operon me armë kineze, e që përfshinë edhe dronët luftarak CH-92.

Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë po ashtu kanë krijuar një njësi të veçantë për mbikëqyrjen e dronëve e cila si njësi operon në kuadër të Brigadës së 63-të të Parashutistëve të ushtrisë serbe.

Kryeministri Kurti kërkoi nga Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n për paqen dhe sigurinë.

Ai tha se përderisa viti i kaluar u përshkrua me barrikada të ngritura nga grupe kriminale që qëllim kishin t’u kundërviheshin rendit dhe ligjit (korrik dhe dhjetor 2022), ky vit ishte vit i sulmeve të dhunshme ndaj institucioneve të rendit dhe ligjit, vendore dhe ndërkombëtare, siç ishte rasti i 26 dhe 29 majit, pastaj rrëmbimi i policëve të Kosovës me 14 qershor e që kulmoi me agresionin e 24 shtatorit që cenoi sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare.

“Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri Kurti ndau me Sekretarin e NATO-s, Stoltenberg të gjetura nga procesi i hetimeve të institucioneve vendore të sigurisë mbi rastin e sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, por edhe mbi rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës, me 14 qershor, që konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë. Kryeministri tha se këto dy raste dëshmojnë nevojën për të rritur sigurinë sidomos përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa i bëri thirrje Sekretarit që NATO gjithashtu të dalë sa më parë me konkluzionet e hetimeve të saj të pavarura mbi rastin e rrëmbimit kriminal të tre policëve të Kosovës dhe sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në takim u fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel. Kryeministri e njoftoi Sekretarin për mbarëvajtjen e atij takimi, dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës kundruall planit evropiano-amerikan për rrugën përpara drejt zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike. Me këtë rast, kryeministri Kurti nënvizoi edhe një herë rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe, si dhe propozoi hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO”, thuhet në komunikatë.

Sekretari Stoltenberg shprehu mirënjohjen e tij për koordinimin e institucioneve të sigurisë me KFOR-in, si dhe për mbështetjen që Qeveria dhe Republika e Kosovës i ka dhënë Ukrainës në përballje me agresionin ushtarak të Federatës Ruse, teksa sulmin e 24 shtatorit në Banjskë e quajti të tmerrshëm dhe të papranueshëm.

Lajmet

Kuvendi i Kosovës ratifikon katër marrëveshje ndërkombëtare të kredisë

Published

on

By

Në seancën e mbajtur të premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar disa projektligje që mundësojnë ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë me institucione të rëndësishme ndërkombëtare.

Projektligjet e miratuara, të cilat u përfaqësuan nga Ministria e Financave, përfshijnë:

Zhvillimi i Sektorit Financiar: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) për mbështetjen e projektit të sektorit financiar në vend.

Energjia dhe Klima: Marrëveshja me bankën gjermane KfW për programin e kredisë që synon reformat në sektorin e energjisë dhe mbrojtjen e klimës.

Politika Publike: Marrëveshja me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) për programin e kredisë të bazuar në politikat e përgjithshme shtetërore.

Tregtia dhe Transporti: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.

Këto marrëveshje synojnë të forcojnë infrastrukturën ekonomike dhe të lehtësojnë integrimin rajonal përmes investimeve në sektorë strategjikë për Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

Miratohet rezoluta për mbrojtjen e të vërtetës së luftës

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota pro dhe asnjë kundër- Rezolutën për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës së luftës në Kosovë.

Ky propozim i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) bëri bashkë pozitën dhe opozitën, të cilat votuan unanimisht për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare dhe për të parandaluar tentativat për rishikimin e historisë.

Përmes këtij votimi, deputetët treguan unanimitet, duke vlerësuar se mbrojtja e sakrificës së popullit dhe e të vërtetës historike është një obligim kombëtar që qëndron mbi dallimet politike.

Continue Reading

Lajmet

Super fundjavë futbolli në Evropë

Published

on

By

Të shtunën në Premier League zhvillohen disa përballje interesante ku Arsenal FC pret AFC Bournemouth në ora 13:30, ndërsa në ora 16:00 luajnë Brentford FC kundër Everton FC dhe Burnley FC ndaj Brighton & Hove Albion, ndërsa në mbrëmje Liverpool FC përballet me Fulham FC në ora 18:30.

Në La Liga, Real Sociedad luan ndaj Deportivo Alavés në ora 14:00, Elche CF pret Valencia CF në ora 16:15, ndërsa derbi i madh mes FC Barcelona dhe RCD Espanyol luhet në ora 18:30, dhe në mbrëmje Sevilla FC përballet me Atlético Madrid.

Në Bundesliga, në orën 15:30 zhvillohen disa duele të forta ku Borussia Dortmund luan ndaj Bayer 04 Leverkusen, RB Leipzig pret Borussia Mönchengladbach, FC Heidenheim përballet me 1. FC Union Berlin dhe VfL Wolfsburg luan ndaj Eintracht Frankfurt, ndërsa në ora 18:30 FC St. Pauli pret Bayern Munich.

Të dielën në Premier League në ora 15:00 zhvillohen tri ndeshje ku Crystal Palace FC pret Newcastle United FC, Nottingham Forest FC luan ndaj Aston Villa FC dhe Sunderland AFC përballet me Tottenham Hotspur FC, ndërsa në ora 17:30 luhet superndeshja mes Chelsea FC dhe Manchester City FC.

Në La Liga, në ora 14:00 CA Osasuna pret Real Betis, në ora 16:15 RCD Mallorca luan ndaj Rayo Vallecano, në ora 18:30 RC Celta de Vigo përballet me Real Oviedo dhe në ora 21:00 Athletic Club luan ndaj Villarreal CF.

Në Bundesliga, në ora 15:30 1. FC Köln përballet me SV Werder Bremen dhe VfB Stuttgart luan ndaj Hamburger SV, ndërsa në ora 19:30 1. FSV Mainz 05 pret SC Freiburg.

Continue Reading

Lajmet

Gjobitja e investitorit për shembjen e rrugës në kryeqytet: Përparim Rama kërkon edhe heqjen e licencave

Published

on

By

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se janë ndërmarrë masa ndëshkimore ndaj përgjegjësve për shkatërrimin e rrugës “Don Shtjefën Kurti”.

Sipas të parit të komunës, investitori ka shpërfillur urdhrin paraprak për mbylljen e gropës në sektorët 4 dhe 5, çka ka çuar në shqiptimin e gjobave të majme.

Për këtë shkelje, kompania investuese është ndëshkuar me 30 mijë euro, ndërsa personi përgjegjës ligjor me 3 mijë euro të tjera. Përveç sanksioneve financiare, Rama ka kërkuar masa edhe ndaj stafit teknik që ka mbikëqyrur punimet.

“Deri më sot nuk janë prezantuar vendimet e inxhinierëve mbikëqyrës, prandaj kërkojmë nga Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, inicimin e procedurave për tërheqjen e licencave të inxhinierëve mbikëqyrës”, ka deklaruar Rama.

Kryetari theksoi se mungesa e raporteve dhe vendimeve nga inxhinierët mbikëqyrës është e papranueshme, duke insistuar që Oda e Inxhinierëve të reagojë menjëherë për të sanksionuar profesionalisht ata që lejuan këtë dëmtim të infrastrukturës publike.

 

Continue Reading

Të kërkuara