Lajmet

Kurti i hapur për zgjedhje të parakohshme në veri, por siç e parasheh ligji

Ai kërkoi që ndërkombëtarët ta dënojnë agresionin e Serbisë publikisht.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se Kosova është e hapur për zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore, por që ato duhet të ndodhin sipas zgjidhjes ligjore. Ndërsa, ritheksoi se de-eskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave në veri.

Këto komente kryeministri, Kurti i bëri mbrëmë para gazetarëve pas takimit bilateral që zhvilloi me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrel dhe emisarin e tij special për Ballkanin dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

“Zgjedhjet e parakohshme, padyshim jemi të hapur vetëm se zgjedhjet e parakohshme duhet të kenë zgjidhje ligjore, nuk mund të kemi zgjedhje të parakohshme jashtë ligjit siç e parasheh ligji në Kosovë ta zëmë me nënshkrimet e qytetarëve të cilët mbledhin përmes një peticioni, vullnetin e tyre që t’ia përfundojnë mandatin një kryetari brenda komunës. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit dhe kjo është e mundshme në Kosovë, por nuk mund të bëjmë zgjidhje që nuk janë ligjore se ato janë problem sepse ato janë problem e jo zgjidhje”, u shpreh Kurti.

Shefi i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti tha se në fillim të këtij takimi Borrel dhe Lajçak, u ka prezantuar një dokumentacion lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviq, me datën 14 qershor, për çka kërkoi që ta dënojnë agresionin e Serbisë publikisht.

“Për bindjen time të fuqishme de-eskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve ilegale e kriminale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave. Ndërkaq, sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht që e kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një kampanjë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhjet e lira dhe demokratike… U pajtuam se edhe lirimi i menjëhershëm i pakusht i tre policëve dhe në anën tjetër deeskalimi me normalizim të raporteve nuk ka alternativë. Kjo e fundit ka nevojë për një sekuencim të plotë, të hollësishëm dhe të balancuar të marrëveshjes bazike dhe të atij dakordimit të asaj marrëveshjes shtesë si aneks zbatimi që u bë në Ohër”, theksoi ai.

Kryeministri kosovar u shpreh se në Bruksel nuk u zhvillua takim trilateral mes palëve për shkak të refuzimit nga pala serbe.

“Nuk pati takim trilateral siç ka ndodhur zakonisht, për shkak se pala tjetër ka refuzuar një gjë të tillë. Pra, mua më duhet të përballem me një situatë në të cilën para katër muajve m’u premtua që nuk po nënshkruhet marrëveshja bazike meqenëse do të nënshkruhet bashkë me aneksin e zbatimit. E mandej, para tre muajve mu tha që nuk do të nënshkruhet as marrëveshja e zbatimit si pjesë integrale pra ai aneks në Ohër, meqenëse edhe ashtu kemi marrëveshje. Sot u konfirmua që kemi marrëveshje, mirëpo nuk patëm takim. Kjo është sjellje aspak konstruktive e palës tjetër. Unë kam ardhur për t’u takuar, për t’u marrë vesh, për të zhvilluar bisedime, negociata në mënyrë që të kemi dakordime dhe të ecim përpara”, theksoi Kurti.

Ndonëse me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk u takua, shefi i ekzekutivit kosovar u shpreh optimistë që ditët dhe javët në vijim do të jenë më të qeta dhe paqësore.

“Unë jam optimist se ndonëse nuk kishim takim trilateral që në ditët në vijim dhe javët në vijim do të kemi mbase ditë më të qeta dhe paqësore, por natyrisht nuk ka garancion për një gjë të tillë për shkak se vazhdojmë të kemi numër shumë të madh të atyre kriminelëve ndonëse figurojnë në listat e personave të cilat me fotografi e video xhirim duke sulmuar qytetarët, gazetarët, policët e KFOR-in vazhdojnë të mos jenë prapa grilave”, theksoi kryeministrit Kurti.

Nga Brukseli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se gatishmëria nga pala kosovare nuk mungon por që ka një lloj ikje nga Serbia për një zgjidhje të mundshme.

“Po e ritheksoj, ata të cilët i thanë po marrëveshjes që të mos e nënshkruajnë dhe që duket se janë penduar që kanë thënë po, tash po refuzojnë edhe të takohen me mua, ndërkohë që i mbajnë peng tre policët e Kosovës. Është situatë shumë e vështirë për neve, mirëpo ne bëjmë më të mirën e mundshme…Gatishmëria ime nuk mungon, gjithashtu edhe propozimet konkrete, por kemi një lloj ikje të palës tjetër nga situata dhe nga zgjidhja e mundshme… Përshtypja ime është që në këtë situatë përveç tjerash jemi si rezultat i mos nënshkrimit të kësaj Marrëveshje Bazike dhe mos insistimit në zbatim të menjëhershëm të pakusht dhe të plotë të asaj marrëveshje, sepse edhe më herët janë nënshkruar shumë marrëveshje, po nuk janë zbatuar, në ndërkohë që tash kemi një situatë në të cilën mos nënshkrimi po pasohet me mos takim”, theksoi ai.

Pas takimeve bilaterale, shefi i jashtëm të Bashkimit Evropian, Jossep Borrel shpalosi kërkesat e BE-së për de-eskalimin e situatës në veri. Ai tha se nga Kosova kërkohet që kryetarët e komunave në veri të ushtrojnë detyrat jashtë objekteve komunale e që edhe Policia të tërhiqet nga këto objekte. Po ashtu, ka thënë se njëkohësisht duhet të tërhiqen edhe protestuesit.

Sipas tij, më pas duhet të ketë zgjedhje të reja, me pjesëmarrje të plotë të serbëve. Borrelli po ashtu ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të kidnapuar nga Serbia, si dhe hetim për trajtimin e të arrestuarve nga Kosova.

Lajmet

Kosova mirëpriti Kongresin më të madh evropian të cilësisë – EOQ Congress 2026

Published

on

By

Përfundoi Kongresi i 67-të i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), i cili për tri ditë mblodhi në Kosovë përfaqësues të institucioneve, ekspertë ndërkombëtarë, akademikë dhe profesionistë, për të diskutuar mbi rolin e cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale, transformimit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Sesioni përmbyllës i kongresit shërbeu si një moment reflektimi mbi përfundimet dhe mesazhet kryesore të këtij edicioni, duke vënë në pah rëndësinë e cilësisë si themel për inovacionin, besimin, qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

Në këtë kuadër u prezantuan përfundimet e kongresit me temën “Congress Conclusions: What Prishtina 2026 Has Taught Us”, si dhe mesazhi “Prishtina Quality Message 2026: The Future through Quality”, i cili thekson rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më cilësore dhe të qëndrueshme.

Një moment i veçantë ishte ceremonia e dorëzimit të flamurit të EOQ-së dhe prezantimi i kongresit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Belgjikë, duke simbolizuar vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin e komunitetit evropian për avancimin e cilësisë.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Prof. Dr. Paulo Sampaio, President i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), përcolli mesazhin për një komunitet të bashkuar të cilësisë dhe përgjegjësi të përbashkët në avancimin e standardeve dhe praktikave cilësore.

Ndërkaq, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, president dhe rektor i UBT-së, president i Quality Kosova dhe nënkryetar i EOQ-së, përmbylli kongresin me mesazhin “From Prishtina to the Future through Quality”, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shndërrimit të ideve e diskutimeve në iniciativa konkrete për të ardhmen.

 

Organizimi i Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e Kosovës si hapësirë e dialogut profesional, shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Përmes këtij organizimi, UBT dhe Quality Kosova kontribuuan në avancimin e diskutimeve mbi rolin e cilësisë në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror. Me mesazhin “Nga Prishtina drejt së ardhmes përmes cilësisë”, Kongresi EOQ 2026 përmbylli punimet duke riafirmuar rëndësinë e vizionit të përbashkët, përgjegjësisë dhe bashkëpunimit për një të ardhme më cilësore dhe të qëndrueshme.

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë

Published

on

By

Më 24 dhe 25 tetor 2026, në Kampusin e UBT-së në Lipjan, do të zhvillojë punimet Konferenca Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore dhe profesionale vjen si një platformë e mirëfilltë që synon të bashkojë komunitetin akademik, stomatologët, teknikët dentarë dhe profesionistët e fushës, me qëllim promovimin e inovacionit, bashkëpunimit ndërprofesional dhe edukimit të vazhdueshëm.

Përmes prezantimit të njohurive të reja shkencore, përvojave klinike dhe zhvillimeve më të fundit teknologjike, konferenca synon të adresojë sfidat dhe mundësitë bashkëkohore në stomatologji. Ngjarjeve të tilla u jepet një vlerë e veçantë edhe përmes akreditimit zyrtar nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës, ku pjesëmarrësit aktivë do të shpërblehen me 20 pikë EVP, ndërsa ata pasivë me 15 pikë EVP.

Lidhur me këtë ngjarje, Dekani i Fakultetit të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare në UBT, Prof. Ass. Dr. Agim Prokshaj, ka theksuar:

“Si fakultet, mbetemi të përkushtuar në avancimin e cilësisë së arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional, duke besuar se bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe praktikës klinike është thelbësor për të ardhmen e stomatologjisë. I ftoj të gjithë kolegët, profesionistët dhe studentët të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje, e cila do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për ndërtimin e bashkëpunimeve të reja dhe avancimin e profesionit tonë. Ju mirëpresim në UBT!”

Për të gjithë të interesuarit, regjistrimi i pjesëmarrësve në kampus zhvillohet më 23 tetor prej orës 14:00 deri në 17:00, si dhe më 24 tetor nga ora 09:00 deri në 17:00, ndërsa procedurat e aplikimit dhe pagesës realizohen sipas udhëzimeve zyrtare të organizatorëve.

 

Continue Reading

Lajmet

Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë diskutojnë cilësinë, qëndrueshmërinë dhe inovacionin në ditën e dytë të Kongresit EOQ 2026

Published

on

By

Në kuadër të ditës së dytë të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), që po mbahet në UBT, u zhvilluan diskutime dhe prezantime mbi rolin e cilësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, qytetet e mençura, mjedisin e ndërtuar dhe qëndrueshmërinë ekonomike e financiare.

Sesionet bashkuan ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve publike dhe drejtues të sektorit financiar, duke trajtuar sfidat dhe mundësitë që sjellin transformimi digjital, inovacioni dhe zbatimi i standardeve të cilësisë në sektorë të ndryshëm.

Qëndrueshmëria, qytetet e mençura dhe mjedisi i ndërtuar Sesioni “Qëndrueshmëria, qytetet e mençura dhe mjedisi i ndërtuar” u udhëhoq nga Prof. Dr. Visar Hoxha. Diskutimet u përqendruan në planifikimin hapësinor, ekonominë qarkore, infrastrukturën rezistente ndaj ndryshimeve klimatike dhe krijimin e hapësirave urbane të qëndrueshme.

Gjatë sesionit u prezantuan këto tema:

Valbone Dushi – “Cilësia dhe qëndrueshmëria: rritja e përgjegjshme, ekonomia qarkore dhe kriteret mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG)”.

Prof. Dr. Visar Hoxha, UBT – “Cilësia në patundshmëri dhe mjedisin e ndërtuar: krijimi i vlerës së qëndrueshme në qytetet e mençura”.

Prof. Dr. Alban Kuriqi, UBT – “Uji, klima dhe qëndrueshmëria e infrastrukturës: zbatimi i standardeve të cilësisë inxhinierike për sisteme të qëndrueshme”. Dr. José Pedro Teixeira Domingues, nënkryetar i Shoqatës Portugeze për Cilësi (APQ) dhe përfaqësues i Universitetit të Minhos – “Cilësia në një pikë kthese: ndërlidhja e kulturës, qëndrueshmërisë dhe inovacionit digjital”. Prof. Dr. Binak Beqaj, UBT – “Cilësia e hapësirave, sistemet urbane dhe mjedisi i qëndrueshëm i ndërtuar”.

 

Prezantimet theksuan rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë në planifikimin urban, zhvillimin e infrastrukturës dhe menaxhimin e mjedisit, duke synuar krijimin e hapësirave funksionale, të qëndrueshme dhe me ndikim pozitiv në cilësinë e jetës.

Në kuadër të programit të Kongresit u trajtuan gjithashtu tema që lidhen me cilësinë financiare, besimin dhe qëndrueshmërinë ekonomike, me fokus në stabilitetin e sistemit financiar, transformimin digjital të bankave, menaxhimin e rrezikut dhe zhvillimin e shërbimeve financiare inovative.

Në këtë kuadër u prezantuan këto tema: Suat Bakkal, kryeshef ekzekutiv i BKT Kosova – “Cilësia, inovacioni dhe shërbimet bankare të orientuara drejt klientit”. Prof. Dr. Shpresim Vranofci, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) dhe moderator i forumit – “Inteligjenca artificiale, teknologjia financiare (FinTech) dhe sigurimi i cilësisë në të ardhmen e shërbimeve financiare”.

Continue Reading

Lajmet

Forcimi i cilësisë në arsim, shkencë dhe zhvillimin e aftësive në qendër të Kongresit të EOQ-së në UBT

Published

on

By

Në kuadër të punimeve të Kongresit të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), dita e dytë ka sjellë në fokus sfidat, perspektivat dhe inovacionin në arsimin e lartë dhe zhvillimin e aftësive për një shoqëri në ndryshim të vazhdueshëm.
Sesioni paralel i kësaj dite, i kushtuar sigurimit të cilësisë, njohjes ndërkombëtare dhe aftësive të së ardhmes, ka bashkuar ekspertë të shquar, vendimmarrës dhe akademikë, të cilët kanë paraqitur pikëpamjet dhe vizionin e tyre për ngritjen e standardeve në sistemet arsimore.
Sesioni, i moderuar nga Prof. Dr. Besnik Skenderi, trajtoi tema kyçe që lidhen me qeverisjen e cilësisë, transformimin digjital, arsimin dual dhe lidhjen e ngushtë mes universiteteve, industrisë dhe shoqërisë. Në hapje të punimeve, deputeti dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Prof. Dr. Enver Hoxhaj, theksoi rëndësinë e forcimit të cilësisë në arsim, shkencë dhe zhvillimin e aftësive si shtyllë kryesore për zhvillimin e shoqërisë.

Diskutimi u pasurua nga z. Shkëlzen Gërxhaliu, drejtor i Departamentit për Post-akreditim dhe Monitorim, i cili u ndal tek qeverisja e cilësisë në arsim dhe ndërtimi i sistemeve mësimore transparente, inovative dhe të orientuara nga teknologjia.

Gjithashtu prezantuan edhe Prof. Dr. Fatbardh Sallahu dhe Mimika Dobroshi, udhëheqëse e Zyrës së Erasmus+ në Kosovë, prezantoi ndikimin afatgjatë të projekteve evropiane në sigurimin e cilësisë dhe zhvillimin e aftësive të reja.

Pjesë e rëndësishme e sesionit ishin edhe praktikat ndërkombëtare dhe modeli i arsimit dual. Assoc. Prof. Dr. Gordana Nikolić, eksperte e arsimit dual nga European University, elaboroi lidhjen mes universiteteve, industrisë dhe aftësive të së ardhmes.

Aspekti i digjitalizimit u trajtua nga Prof. Dr. Kozeta Sevrani nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës, e cila foli për transformimin digjital dhe cilësinë në menaxhimin dhe arsimin e lartë. Për rëndësinë e kërkimit shkencor foli Prof. Dr. Anila Hoda, sekretare shkencore, duke u përqendruar te përsosmëria shkencore dhe bashkëpunimi në sistemet e njohurive. Ndërsa znj. Efka Heder, ish-drejtoreshë e SEECEL dhe përfaqësuese e Universitetit Mondragon, solli shembuj të arsimit të lartë të zbatuar dhe lidhjes së institucioneve me shoqërinë.

Kornizën shkencore të këtij sesioni e pasuroi Assoc. Prof. Dr. Cengiz Çesko nga UBT, i cili prezantoi punimin me titull “Quality, Productivity and Sustainable Value Creation in Food and Industry: Polyphenol Oxidase: From Biochemistry to Industrial Quality”. Në ligjëratën e tij, ai elaboroi kontrollin e PPO-së si një levë strategjike të cilësisë, duke sjellë para të pranishmëve qasjet bashkëkohore shkencore, mekanizmat, aplikimet praktike dhe integrimin e tyre me standardet e sigurisë ushqimore dhe kërkesat e tregut.

Në mbyllje të këtij blloku, Prof. Dr. Besnik Skenderi nga UBT prezantoi pikëpamjet mbi cilësinë, kompetencën dhe arsimin profesional, duke dëshmuar rolin kyç të UBT-së në ndërtimin e aftësive për punësim dhe performancë më të lartë në tregun e punës.

Ky sesion i Kongresit të EOQ-së konfirmoi angazhimin e përbashkët të institucioneve, akademisë dhe ekspertëve për të adresuar sfidat aktuale dhe për të çuar përpara standardet e cilësisë dhe inovacionit në arsim.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara