Lajmet

Kurti: Duhet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe privat

Temë tjetër e diskutimit ishte edhe zbatimi dhe sfidat e arsimit dual gjatë vitit të kaluar shkollor.

Published

on

Komisioni Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, i udhëhequr nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti sot takimin e pestë me radhë.

Në kuadër të këtij takimi në fokus të diskutimit ishin tri çështje, përfshirë atë të qeverisjes së arsimit dhe aftësimit profesional, për të cilin MAShTI, ka themeluar grupin punues për rishikimin e Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional.

Temë tjetër e diskutimit ishte edhe zbatimi dhe sfidat e arsimit dual gjatë vitit të kaluar shkollor, si dhe për planet të cilat parashikojnë zgjerimin e arsimit dual. Në këtë pikë theks të veçantë iu vu rolit të Odës Ekonomike për të koordinuar zbatimin e arsimit dual, pasi siç tha kryeministri Kurti duhet të ekzistojë një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe atij privat.

Në praninë e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe anëtarëve të Komisionit Ekzekutiv e përfaqësuesve të ministrive përkatëse, u shpalosën rezultatet, hapat e ndërmarrë dhe planet për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Ministre Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,

I nderuar z. Ministër Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve,

E nderuara znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë,

E nderuara znj. Majlinda Rizvanolli Bajraktari, këshilltare për Arsim dhe Aftësim Profesional, nga MAShTI,

I nderuari Enis Spahiu, Ushtrues i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve,

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar anëtarë të Komisionit Ekzekutiv për Zhvillimin e Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional,

Sot, po e mbajmë takimin e pestë me radhë të këtij Komisioni. Gjatë këtij takimi do të shpalosim rezultatet dhe hapat e ndërmarrë për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional dhe do të diskutojmë për sfidat që po na shfaqen si pengesë për avancimin e mëtutjeshëm.

Janë tri çështje që do t’i diskutojmë sot me fokus më të madh: Së pari është çështja e qeverisjes së arsimit dhe aftësimit profesional të cilën ende nuk kemi arritur ta diskutojmë dhe të marrim vendim lidhur me skenarin e propozuar. Për njërin nga skenarët duhet të vendosim sot, për shkak se MAShTI ka themeluar grupin punues për rishikimin e Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional. Është me rëndësi që të ketë orientim për punën e tyre të mëtejme.

Gjithashtu gjatë takimit do të diskutojmë për zbatimin e arsimit dual, me fillim të vitit të kaluar shkollor, sfidat me të cilat është ballafaquar implementimi i arsimit dual përgjatë këtij viti shkollor si dhe për planet të cilat parashikojnë zgjerimin e arsimit dual.

Po ashtu, një pikë e rëndësishme për të cilën duhet të diskutojmë dhe të marrim vendim, është roli i Odës Ekonomike për të koordinuar zbatimin e arsimit dual. Arsimi dual nuk mund të mbijetojë dhe ekzistojë pa një bashkëpunim të mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe atij privat, andaj edhe nevojitet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes këtyre. Ne si Qeveri duhet të kemi vëmendjen e duhur dhe të marrim vendime lidhur me fuqizimin e këtij bashkëpunimi.

Ideja e themelimit ka qenë që të kemi koordinim më të mirë ndërinstitucional, në mënyrë që të kontribuojmë së bashku për avancimin e arsimit dhe aftësimit profesional. Marrë parasysh këtë kërkoj nga të gjitha institucionet dhe anëtarët që përfaqësojnë ministritë dhe dikasteret e ndryshme të japin informacione lidhur me zhvillimet që i kanë në kuadër të institucioneve të tyre lidhur me zhvillimin e AAP-së. Koordinimi sa më i mirë do të mundësojë shfrytëzimin më efikas edhe të donatorëve, por edhe të buxhetit shtetëror.

Vendi

Kryesia dështon të miratojë rendin e ditës: Mospajtime për rezolutën e luftës

Published

on

By

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar pa një pajtim për rendin e ditës të seancës së radhës, pas mospajtimeve mes partive politike për pozicionimin e rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës.

PDK-ja, e mbështetur edhe nga opozita tjetër, ka insistuar që kjo rezolutë të jetë pika e parë e rendit të ditës për seancën e së premtes. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që ajo të trajtohet si pikë e fundit, duke kërkuar një dakordim më të gjerë paraprak.

Për shkak të kësaj bllokade, rendi i ditës pritet të miratohet në fillim të seancës plenare. Përveç rezolutës për luftën, në agjendë janë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, votimi për anëtarin e Këshillit Prokurorial, si dhe debati për rritjen e çmimit të naftës.

Continue Reading

Vendi

Kurti pret drejtoren e NATO-s: FSK po përgatitet për mision në Gazë

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe sigurinë në vend.

Gjatë takimit, Kurti falënderoi aleancën veri-atlantike për rolin e saj në stabilitetin e Kosovës, ndërsa kërkoi më shumë mundësi trajnimi për pjesëtarët e FSK-së në institucionet e NATO-s.

Kryeministri njoftoi se Forca e Sigurisë së Kosovës, pas sukseseve në disa misione ndërkombëtare, aktualisht po përgatitet për të zbarkuar në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Nga ana tjetër, zyrtarja e lartë e NATO-s vlerësoi lart këtë vendim dhe falënderoi Kosovën për bashkërendimin e ngushtë me aleancën në rrugën drejt integrimit.

 

Continue Reading

Vendi

Vdes një punëtor në vendin e punës në Strellc të Deçanit, një tjetër i lënduar

Published

on

By

Një aksident fatal në vendin e punës ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Strellc të Ulët të Deçanit, ku si pasojë e lëndimeve ka vdekur një punëtor dhe një tjetër ka mbetur i lënduar.

Lajmi është konfirmuar nga Policia Rajonale e Pejës, sipas së cilës ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në një punëtori druri, ku disa materiale kanë rënë mbi dy punëtorët. Viktimat u dërguan menjëherë në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku mjekët konstatuan vdekjen e njërit prej tyre.

Njësitet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Continue Reading

Lajmet

Mblidhet Kryesia e Kuvendit: Në rend dite marrëveshjet ndërkombëtare dhe rezoluta për naftën

Published

on

By

Kryesia e Kuvendit është mbledhur sot për të koordinuar punët dhe për të caktuar pikat që do të shqyrtohen në seancën e ardhshme plenare.

Sipas procedurës, deputetët fillimisht do të kalojnë nëpër fazën e deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, për të vijuar me vendimmarrje të rëndësishme, raporton Ekonomia online.

Në fokus të kësaj seance pritet të jetë ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare të kredisë me agjencitë zhvillimore franceze e gjermane, që prekin sektorët e energjisë, klimës dhe transportit.

Një tjetër temë me interes publik është edhe propozim-rezoluta për shtrenjtimin e naftës, ku do të diskutohet roli i Qeverisë përballë rritjes së kostos së jetesës.

Gjithashtu, agjenda përfshin zgjedhjen e një anëtari në Këshillin Prokurorial, një rezolutë për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës së fundit, si dhe rregullimin e përbërjes së disa komisioneve parlamentare. /Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara