Lajmet

​Kur planifikohet të ndërtohet flota ajrore e FSK-së?

Published

on

Forca e Sigurisë së Kosovës ende nuk ka një bazë ajrore ushtarake. Ani pse toka e ish-aeroportit të Gjakovës, është pronë e FSK-së dhe në rast mund të përdoret si bazë, Kosova prapë se prapë nuk ka një aviacion ushtarak.

Blerjet e armatimeve për ushtrinë e Kosovës, ku përfshihet edhe helikopter, duket që po e pengojnë Rusinë.

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, i cili në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbajtur javën e kaluar, përveç de informatave tjera rreth Kosovës, ka përmendur edhe planet e vendit tonë për të blerë helikopter.

“Është bërë shpallja për tranzicionin në fazën përfundimtare të Ushtrisë së Kosovës duke marrë materiale edhe nga vendet e NATO-s, po flasim për drona, automjete të blinduara, sistem anti tank, artileri dhe armatime të tjera. Planet e tyre për të blerë edhe sistem të mbrojtës ajrore por edhe helikopter, po vihen baza për industrinë e mbrojtjes lokale”, tha ai.

E derisa në Kosovë, ekspertët e sigurisë kanë mendime të ndryshme sa i për ketë periudhës së ndërtimit të bazave ajrore, në Ministrinë e Mbrojtjes kanë thënë se po planifikojnë që deri në vitin 2028 të ndërtojnë kapacitetet ajrore të FSK-së. Ndërsa, sipas ekspertëve të sigurisë, Kosova do të duhej të kishte të kompletuara kapacitetet e saj mbrojtëse.

Sipas drejtorit të “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, edhe pse Kosova është nën ombrellën e NATO-s, kurdo që do të vije mundësia që ky mision të largohet nga Kosova, FSK duhet kompletuar mbrojtjen ushtarake ajrore.

“Në qoftë se i referohemi asaj çka po ndodh aktualisht, me konfliktet moderne, kur sulmet ajrore dhe sulmet përmes dronëve janë kthyer në element kyç, sa i përket konflikteve të sotme, pa diskutim që është shumë e rëndësishme që Kosova të filloj ngritjen e kapaciteteve të bazave të veta ajrore e në këtë kuptim, krijimi i një baze ajrore do të ishte hapi i parë, i cili do t’i mundësonte Kosovës kompletimin e infrastrukturës së saj mbrojtëse. Pavarësisht që tashmë ne jemi në ombrellën e NATO-s, nëpërmjet misionit të KFOR-it, mirëpo kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të zhvillojmë kapacitetet tona mbrojtëse, duke i kompletuar ato edhe me mbrojtjen ushtarake ajrore. Kurdo që eventualisht do të krijohen rrethanat për largimin e këtij misioni nga Kosova, Kosova do të duhej të kishte të kompletuara kapacitetet e saj mbrojtëse”, ka thënë Fetoshi.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka shtuar se gjatë luftës së fundit në vend, brenda territorit të Kosovës, por edhe Serbisë, bombardimet kanë ardhur nga bazat ushtarake në avionët e Italisë e Turqisë.

Sipas Islamit, Kosova për momentin duhet përqendruar kryesisht në pajisjet ushtarake në vetëmbrojtje dhe në një ardhme të afërt të kompletohet edhe baza ushtarake ajrore.

“Kosova është e rrethuar nga vendet e Aleancës veri atlantike, në përjashtim Serbinë, sa i përket ndërhyrjeve të shpejta, me anë të aviacionit, pra aviacionet janë afër territorit të Kosovës dhe nuk mendoj që të ketë një bazë ushtarake të aviacionit sepse kemi parë që në luftën e fundit në Kosovë, bombardimet që janë bërë brenda territorit të Kosovës por edhe në Serbi, kanë ardhur nga bazat ushtarake në avionët të Italisë, Turqia dhe nga vendet tjera. Kosova duhet të përqendrohet kryesisht në pajisjet ushtarake në vet mbrojtje”, ka shtuar Islami.

E nga Ministria e Mbrojtjes, në një përgjigje me shkrim kanë thënë se sapo të ndërtohet kapaciteti i flotës ajrore, ish- aeroporti i Gjakovës, mund të përdoret për qëllime të tilla.

“Ish Aeroporti i Gjakovës është tashmë pronë e FSK-së, dhe sapo të ndërtohet kapacitetet e flotës ajrore, i njëjti mund të përdoret për qëllime të tilla. Sigurisht se është e nevojshme përderisa planifikojmë që deri në vitin 2028 të ndërtojmë dhe kapacitetet ajrore të FSK-së”, është thënë në një përgjigje me shkrim.

Ministria e Mbrojtjes, është pyetur edhe për bazën në Golesh, por për të njëjtin nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikim e këtij artikulli.

Lajmet

Hetim i vdekjes në Prishtinë: Një grua vdes pas rënies nga kati i tretë i banesës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një ngjarje të rëndë të ndodhur ditën e mërkurë në Prishtinë, ku një grua ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë nga kati i tretë i një ndërtese banimi.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, incidenti ka ndodhur rreth orës 12:13, me ç’rast njësitet kompetente kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Ekipi mjekësor i emergjencës ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendngjarje.

Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rastet po trajtohen nga policia si “Hetim i vdekjes” /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ambasada gjermane “thellësisht e shqetësuar” pas ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se ndihet “thellësisht e shqetësuar” për ndryshimet që Kuvendi i Kosovës i bëri një ditë më parë në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ligjvënësit kosovarë e ndryshuan ligjin për t’ia kufizuar kompetencat gjykatës me bazë në Hagë gjatë një votimi pak para mesnatës të martën.

Zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë, Catalina Heine, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur gjyqësor dhe se pavarësia e tyre nuk bën të cenohet.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe u themeluan në bazë të ligjit të Kosovës dhe mbështetën në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Për të përmbushur këtë synim, pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht”, thuhet në përgjigje.

Ambasada gjithashtu theksoi se e mbështet qëndrimin e BE-së kundër ndryshimeve në këtë ligj.

Continue Reading

Lajmet

Studio Master në Të Drejtën Penale në UBT me bursën Engaged Scholarship 20%

Published

on

By

Zgjedhja e studimeve Master në drejtësi shënon kalimin nga përvetësimi i koncepteve bazë ligjore te specializimi i thelluar profesional. Programi Master në Të Drejtën Penale në UBT është strukturuar për t’u ofruar juristëve të rinj platformën e nevojshme për të marrë rolin e liderit, kërkuesit shkencor dhe ekspertit në fushën e drejtësisë penale. Misioni i këtij programi mbështetet në edukimin e profesionistëve me integritet të lartë etik, të pajisur me njohuri të avancuara praktike në përputhje me Kornizën Evropiane, me synim forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.

Për t’i mbështetur kandidatët në këtë rrugëtim akademik, UBT ofron bursën Engaged Scholarship prej 20% për të gjithë kohëzgjatjen e studimeve. Kjo mbështetje financiare u dedikohet posaçërisht punonjësve në institucionet e drejtësisë, avokaturës, noterëve, zyrtarëve ligjorë në institucione, zyrtarëve të burimeve njerëzore, si dhe të gjithë punonjësve në institucione të tjera publike dhe private.

Kurrikula përmban metodologjinë më të avancuar të zbatimit praktik, duke përgatitur studentët për zbërthimin kritik të normave të së drejtës penale të Kosovës, procedurës penale dhe të drejtës krahasuese.

Studentët thellohen në analiza të specializuara multidisiplinare që përfshijnë kriminologjinë, viktimologjinë, penologjinë, mjekësinë ligjore dhe strukturat e luftimit të krimit të organizuar. Përmes simulimit institucional të proceseve gjyqësore, hartimit preciz të aktakuzave e aktgjykimeve dhe zhvillimit të kërkimeve shkencore me ndikim në reformën ligjore, programi garanton aftësimin e menjëhershëm të kandidatëve për përballjen me çështje me kompleksitet të lartë juridiko-penal.

Për më tepër, fokusi i këtij programi shtrihet në zhvillimin e aftësive strategjike për menaxhimin e hetimeve parapenale dhe penale, si dhe në interpretimin analitik të jurisprudencës kombëtare e ndërkombëtare.

Përmes integrimit të standardeve të Sistemit Evropian të Drejtësisë, studentët trajnohen për të vlerësuar me saktësi burimet parësore e dytësore të së drejtës, si dhe për të udhëhequr ekipe profesionistësh në zgjidhjen e rasteve më sfiduese në sallën e gjyqit.

Ky format i integruar i studimit konsolidon profilin e absolventit si një ekspert i kompletuar, i gatshëm për të dhënë kontribut të menjëhershëm në avancimin e sistemit të drejtësisë dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore.

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 8 tetor 1993-1998 

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

8 tetor 1993

Turqia angazhohet për parandalimin e konfliktit në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Meksi po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë dhe me këtë rast pati takime me zyrtarë të lartë të këtij vendi.

Dje pasdite Aleksandër Meksi dhe delegacioni i Shqipërisë u prit edhe nga presidenti i Republikës së Turqisë Sulejman Demirel në rezidencën e tij në Stamboll.

Sulejman Demireli, pasi i bëri një vështrim rezultateve që arriti Shqipëria muajve të fundit, u ndal edhe në situatën në rajon, me ç’rast dënoi politikën agresive serbe në Bosnjë-Hercegovinë dhe ritheksoi mundësinë e angazhimit për parandalimin e shtrirjes së konfliktit në Kosovë, Sanxhak dhe Maqedoni. Ai po ashtu foli për rreziqet që paraqet konflikti i mundshëm në këto vende për rajonin dhe për Evropën.

Gjatë takimit, ndër të tjera, kryeministri Meksi shprehu qëndrimin e Qeverisë Shqiptare ndaj çështjes së Kosovës dhe situatës në rajon, duke theksuar se për parandalimin e shtrirjes së konfliktit në Kosovë, është e nevojshme vendosja e trupave të OKB-së, njofton Televizioni Shqiptar.

 

 

8 tetor 1994

Në komunën e Gjakovës – për nëntë muaj u keqtrajtuan 2789 shqiptarë

Vetëm gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, në komunën e Gjakovës, policia serbe kryesisht nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi 214 familje shqiptare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Bëhet me dije se veç bastisjeve të shpeshta, policia serbe rrahu fizikisht 387 shqiptarë, keqtrajtoi 550, plaçkiti 46, thirrje nën pretekst të dorëzimit të armëve morën 1.070 shqiptarë, si dhe u arrestuan 71 qytetarë shqiptarë.

Vlen të theksohet se gjatë muajit korrik të këtij viti, ndodhën edhe dy vrasje në kufi nga ana e ushtrisë serbe, me ç’rast u vranë dy qytetarë shqiptarë të Republikës së Kosovës.

Nga të dhënat që i theksuam më lartë, shihet se represionin serb e përjetuan 2.789 qytetarë shqiptarë.

Gjatë nëntë muajve të fundit, autoritetet ushtarake serbe thirrën 89 ish-eprorë ushtarak rezerv shqiptarë, të cilët po ashtu u keqtrajtuan nga ana e autoriteteve ushtarake serbe.

Vlen të theksohet se shifra e qytretarëve shqiptarë të komunës së Gjakovës mund të jetë edhe disa herë më e madhe, mirëpo qytetarët e keqtrajtuar rastet e bastisjeve të shtëpive dhe keqtrajtimeve të tyre nga ana e policisë serbe i kanë heshtur nga frika se represioni kundër tyre do të vazhdojë edhe më tej.

8 tetor 1997

Rufi Osmani u lirua nga burgu

Prefekti i komunës së Gostivarit Rufi Osmani u lirua dje nga burgu, ku u mbajt plot 90 ditë.

Siç dihet, ai qe burgosur pas ngjarjeve tragjike të 9 korrikut në

Gostivar e Tetovë, kur shqiptarët u ngritën në mbrojtje të flamurit të tyre, ndërsa ndaj tyre ndërhyri me brutalitet të paparë policia maqedone.

Gjykata e Gostivarit, siç dihet, z. Osmani e dënoi me burg prej 13 vjet e tetë muaj.

Ndaj këtij dënimi pati reagime të ashpra të opinionit të jashtëm dhe të brendshëm.

  1. Osmani do të mbrohet në liri derisa fjalën e fundit për të ta thotë Gjykata e Apelit në Shkup.

 

 

8 tetor 1998

Enver Maloku u mbajt tri orë në polici, u kërcënua

Enver Maloku, përgjegjës i QIK-ut dhe i gazetës “Informatori”, u ndalua të mërkurën mbrëma, më 7 tetor, nga policë të armatosur serbë në Prishtinë, rreth orës 20:30. Ai dhe bashkudhëtari i vet u ndaluan përballë Teatrit Popullor të Prishtinës deri sa po shkonin me veturë në shtëpi, u dërguan në stacionin e policisë “Qendra” dhe u mbajtën në arrest deri në orën 23:45.

Gjatë kësaj kohe z. Maloku u pyet për punën e tij dhe për shkresa, fotografi, kaseta e dokumente të ndryshme që i kishte me vete dhe që lidheshin me punën profesionale në gazetari.

Duke shikuar materiale në disa kaseta audiovizuele, të xhiruara nga amatorë të ndryshëm në terren si edhe fotografi të shtëpive të rrënuara, fotografi të refugjatëve, pastaj fotografi të tre shqiptarëve të vrarë, gjithashtu filmuar nga autorë amatorë, si dhe duke shfletuar tekste autoriale, policët hetonin më së shumti bashkëpunimin eventual të zotit Maloku dhe të QIK-ut me media perëndimore.

Gjatë mbajtjes në stacion, në dhomën ku mirreshin shënimet e përgjithshme, hynin e dilnin vazhdimisht policë me uniforma dhe me rroba civile, disa prej të cilëve kërcënoheshin me fjalë e me gjeste. Një person me rroba civile, që duket se ishte nga sigurimi shtetëror serb, iu kërcënua Enver Malokut dhe familjes së tij.

Rreth orës 23:45 përgjegjësi i QIK-ut dhe bashkudhëtari i tij u liruan, mirëpo Enver Malokut iu ndalën vula e QIK-ut, telefon kompjutori mobil, 46 fotografi për gazetë, kontrata për reklama për gazetën “Informatori”, shkrime të ndryshme të bashkëpunëtorëve dhe pesë kaseta audiovizuele të xhiruara nga kameramanë amatorë në terren për nevoja të KMDLNJ-së.

Polici që i kishte dërguar në stacion i tha z. Maloku dhe bashkudhëtarit të tij që të shkonin të nesërmen (e enjte) në sigurimim serb për të kërkuar pajisjet dhe gjësendet tjera. Të enjten në mëngjes, telefoni mobil i z. Maloku ishte ende i kyçur dhe në përdorim nga policia serbe. Z. Maloku do të kërkojë kthimin e gjësendeve të bllokuara përmes avokatit.

Ndonëse në dukje një ndalim rutinor nga një patrullë policie, ndalimi, marrja në pyetje, presioni psikologjik deri në kërcënim i zotit Enver Maloku s’ka si të shihet jashtë kornizës së politikës së deklaruar e praktikave represive serbe kundër veprimtarisë profesionale, gazetareske e politike, që bëjnë shqiptarët në Kosovë.

Më 18 korrik 1998, një person i panjohur shtiu me revole drejt Enver Malokut, po nuk e qëlloi, në hyrje të banesës së tij. Kjo përpjekje për atentat mbi Malokun u dënua si akt nga qarqe profesionale e politike shqiptare, por nuk u hetua nga organe përgjegjëse për këtë fushë.

Foto: Enver Maloku

Continue Reading

Të kërkuara