Kuriozitete

Kulti i dhunshëm që u shndërrua në një mafia globale

Black Axe ndonëse është themeluar në Nigeri, ai gjendet në disa kontinente.

Published

on

Një hetim dyvjeçar i BBC-së për Black Axe – një vëllazëri studentore nigeriane e cila evoluoi në një grup mafioz të frikshëm – ka zbuluar prova të reja të infiltrimit në politikë, operacione mashtruese dhe vrasje që përfshijnë globin, përcjell UBT News.

Gjatë ditëve të qeta, pasi ai ka mbaruar ligjeratën e ditës, Dr. John Stone kujton momente nga e kaluara. Nuk është gjaku apo zhurma e të shtënave që e ndjekin atë. Janë lutjet. Mënyra se si njerëzit luten për mëshirë kur janë duke vdekur. Duke i’u lutur atij. Duke i’u lutur Zotit.

“Është shumë e dhimbshme”, thotë ai, duke tundur kokën. “Familjet e të vdekurve, do t’ju mallkojnë. Mallkimi do të jetë mbi jetën tuaj”.

Dr. Stone ligjëron shkenca politike në Universitetin e Beninit. Por për dekada ai ishte një anëtar i lartë i Black Axe – një bandë mafioze e lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore, mashtrimet në internet dhe shumë vrasje. Në vend, Black Axe njihet si “kult”, i famshëm për dhunën ekstreme. Imazhet e atyre që tentojnë të i’u kundërvihen atyre, që përfshijnë trupa të vdekur të gjymtuar ose që të mbuluar me shenja torture, shfaqen rregullisht në mediat sociale të vendit.

Dr. Stone pranon se ka marrë pjesë në disa mizori gjatë viteve të tij si pjesë e bandës. Në qytetin e Beninit, ai ishte i njohur si “kasapi”.

Dr. John Stone, një ish-anëtar, tani është një kritik i zëshëm i bandës.

Tmerri i këtyre viteve e ndjekë sot e kësaj dite. Sot, Dr. Stone është penduar për të kaluarën e tij dhe është një kritik i zëshëm i bandës të cilës i ka shërbyer dikur. Ai është një nga disa sinjalizuesit e Black Axe që kanë vendosur të thyejnë betimin e tyre për heshtje dhe të zbulojnë sekretet e tyre, duke folur për mediat ndërkombëtare.

Për dy vjet BBC Africa Eye ka hetuar bandën, duke krijuar një rrjet sinjalizuesish dhe duke zbuluar mijëra dokumente sekrete nga komunikimet private të bandës. Gjetjet sugjerojnë se gjatë dekadës së fundit, Black Axe është një nga grupet më të rrezikshme të krimit të organizuar në botë.

Hetimi filloi me një kërcënim me vdekje – një letër, e shkruar me dorë, dërguar një gazetari të BBC-së në vitin 2018. Ajo u hodh nga një motoçikletë në xhamin e përparmë të makinës së reporterit. Javë më parë, gazetari kishte gërmuar në tregtinë e paligjshme të opioideve në Nigeri dhe kishte takuar një numër anëtarësh të Black Axe. Më vonë, një letër e dytë iu dorëzua familjes së reporterit.

A erdhi kërcënimi nga Black Axe? Sa i fuqishëm është ky rrjet kriminal dhe kush qëndron pas tij?

Kërkimi i BBC-së për përgjigje çoi te një burrë që pretendonte se kishte hakuar dhjetëra mijëra dokumente sekrete të kësaj bande. Mesazhet, të cilat datojnë nga viti 2009 deri në vitin 2019, përfshijnë komunikime rreth vrasjeve dhe kontrabandës së drogës. Email-at detajojnë mashtrimin tejet fitimprurës në internet.

“Uche Tobias” thotë se filloi të ndiqte Black Axe pasi hasi në viktima të mashtrimit.

Sinjalizuesi pretendon se Black Axe është në kërkim për ta vrarë atë. Gjatë intervistës, ai e përdori pseudonimin Uche Tobias.

BBC kaloi muaj duke analizuar dokumentet e Tobias. Ata ishin në gjendje të verifikonin të dhënat – duke konfirmuar se individët e përmendur dhe një numër i krimeve të kryera në dokumente kanë ndodhur në të vërtetë.

Pjesa më e madhe e materialit të hakuar është shumë e tmerrshme për t’u publikuar.

Axemen (anëtarët e bandës) përdorin faqe interneti të mbrojtura me fjalëkalim – për të ndarë fotot e vrasjeve gjatë bisedave të tyre të brendshme. Në një postim të etiketuar “Hit”, shihet një burrë i shtrirë në dyshemenë e një dhome të vogël. Ai shihet se ka katër çarje në kokë, dhe është i rrethuar nga gjaku i tij.

Brenda Nigerisë, Black Axe po lufton me “kulte” rivale, pra banda të ngjashme kriminale. Mesazhet e përkthyera nga West African Pidgin tregojnë që banda i mbanë të “dokumentuara” numrin e rivalëve që kanë vrarë, duke i treguar ato shifra sikur të ishin rezultat i një ndeshjeje futbolli.

“Rezultati është aktualisht 15-2, lufta është në Benin”, thuhet në një postim. “Goditëm në shtetin Anambra. Rezultati është Aye [Axemen] 4 dhe Buccaneers 2” shkruhet në një tjetër.

Por vrasjet nuk janë burimi kryesor i të ardhurave të bandës, mashtrimet në internet janë. Dokumentet që posedon BBC përfshijnë faturat, transferet bankare dhe mijëra email-a të cilat tregojnë anëtarët e Black Axe duke bashkëpunuar në mbarë botën. Anëtarët ndajnë “formate” apo shembuj se si të kryejnë mashtrimet. Këto opsione përfshijnë mashtrime në formë romance, mashtrime në trashëgimi, mashtrime në pasuri të patundshme dhe mashtrimet në formë të email-eve të biznesit, ku autorët krijojnë llogari që duken si ato të avokatëve të viktimës, apo kontabilistë, me qëllim marrjen e pagesave.

Këto mashtrimet nuk janë në shkallë të vogël. Në mesin e email-eve të rrjedhur, ishte një rast një burr në Kaliforni i cili ishte në shënjestër nga një rrjet i dyshuar i bandës në vitin 2010. Viktima tha se ai ishte mashtruar me 3 milion dollarë në total.

“Banka që unë isha duke punuar me të nuk duket se ekziston?” kishte shkruar një nga viktimat në një email në momentin kur ai kuptoi paratë e tij ishte zhdukur. “A mund t’ua bëjë këtë edhe më të qartë? Banka në Zvicër duket të jetë mashtruese [nuk ekziston]”.

Email-et tregojnë anëtarë të dyshuar të Black Axe me emra dhe identitete të rreme duke mashtruar njerëz. Ata i’u referohen viktimave të tyre si “mugu” ose “maye,” që në zhargonin vendor do të thotë “idiotë”.

Qyteti i Beninit, vatra e Black Axe.

Rrjeti i krimit kibernetik ndërkombëtar i Black Axe thuhet të ketë gjeneruar miliarda dollarë të ardhura për anëtarët e bandës. Në vitin 2017 autoritetet kanadeze thonë se shkatërruan një skemë të pastrimit të parave lidhur me bandën në vlerë më shumë se 5 miliardë dollarë. Megjithatë, askush nuk e di se sa skema të ngjajshme të Black Axe janë atje.

“Unë do të vlerësoja [se banda] ka më shumë se 30.000 anëtarë”, tha njëri nga sinja lizuesit. “Ajo është përhapur në Evropë dhe Amerikë, Amerikën e Jugut dhe Azi”, ​​thotë Tobias.

Sipas Indeksit të Krimit të Organizuar 2021, në bazë të analizave nga 120 ekspertë në Afrikë, Nigeria ka nivelet më të larta të krimit të organizuar në kontinent – dhe këto rrjete janë duke u zgjeruar jashtë vendit.

“Krimi kibernetik është një industri triliona dollarësh, është jashtë kontrollit”, thotë Scott Augenbaum, ish-agjent i FBI-së dhe ekspert i sigurisë kibernetike.

Ai thotë se është marrë me qindra viktima të Black Axe gjatë karrierës së tij 30-vjeçare, duke hetuar raste mashtrimi të ngjashme me ato të gjetura tani.

“Kam parë jetë të shkatërruara, kompani të dalin jashtë biznesit, kursime të humbura” thekson ai. “Kjo gjë prek të gjithë”.

Sado e përhapur të jetë perandoria kriminale e Black Axe, rrënjët e saj qëndrojnë fort në Nigeri. Grupi u themelua 40 vjet më parë në qytetin Benin, shtetin e Edo-s.

Sipas komisionerit të OKB-së për refugjatët, 70% e nigerianëve që migrojnë jashtë vendit janë nga shteti Edo. Black Axe raportohet se luan një rol kryesor në trafikimin e atyre që udhëtojnë ilegalisht, duke i zhvendosur ata në bazat e tyre në qytetin e Beninit, Afrikën e Veriut dhe Italinë Jugore.

Në atdheun e tyre, studentët meshkuj – nga mosha 16 deri në 23 vjeç – janë rekrutët kryesorë të Black Axe. Procesi i fshehtë i inicimit të bandës, i njohur si “bamming”, është jashtëzakonisht brutal.

Një anëtar i Black Axe në Lagos./BBC

Ka shumë arsye pse njerëzit bashkohen me Black Axe. Disa rekrutë detyrohen, të tjerët janë vullnetarë.

Një udhëheqës i grupit tha se ishte “krenar” që ishte anëtar i Black Axe, pavarësisht se ishte rekrutuar me forcë nga një oficer policie. Një tjetër anëtar pretendoi se ai u bashkua pasi babai i tij u vra nga një bandë rivale. Pavarësisht se si ose pse anëtarët bashkohen, shumë prej tyre pretendojnë se ka përfitime.

“Fshehtësi, disiplinë dhe vëllazëri”, tha me krenari një anëtar i kultit gjatë një interviste tjetër në Lagos në prill të vitit 2021, kur u pyet pse ai ishte bashkuar me Black Axe. Ai pretendoi se fitoi më shumë para përmes ndërmarrjeve kriminale të grupit – sesa që do të fitonte duke punuar në një bankë.

“Askush nuk do të jetë në gjendje t’ju prekë – pasi t’i përkisni një kulti, ata do t’ju mbrojnë”, tha Curtis Ogbebor, aktivist në qytetin e Beninit.

Dr. Stone thotë se shumë anëtarë bashkohen vetëm për qëllime të lidhjeve. Nigeria ka shkallën e dytë më të lartë të papunësisë në botë, dhe brenda këtij mjedisi sfidues, ai thotë se bashkimi me Black Axe mund të sigurojë mbrojtje dhe lidhje biznesi. Ai pretendon se jo të gjithë anëtarët janë kriminelë.

“Ne kemi anëtarë në ushtrinë nigeriane, marinën, forcat ajrore. Ne i kemi ata në akademi. Kemi priftërinj, pastorë”, tha ai.

Grupi u rrit nga një vëllazëri studentore e quajtur Neo Black Movement of Africa (NBM) që u formua në vitet e 70-ta. Simboli i NBM ishte një sëpatë e zezë që thyente zinxhirët dhe themeluesit e saj thanë se qëllimi i tyre ishte të luftonin shtypjen.

NBM ekziston ende sot, por si një kompani e regjistruar ligjërisht. Ajo pretendon se ka tre milionë anëtarë në mbarë botën dhe publikon rregullisht aktivitete bamirëse – donacione për jetimoret, shkollat ​​dhe policinë.

Drejtuesit e NBM pretendojnë se Black Axe është një grup mashtrues, i shkëputur nga ta. Publikisht ata distancohen fuqimisht nga emri i tyre dhe çdo aktivitet kriminal, transmeton UBT News.

Drejtësia ndërkombëtare megjithatë ka një pikëpamje tjetër rreth kësaj. Deklaratat e departamentit të drejtësisë amerikane, thonë se NBM është një “organizatë kriminale” dhe “pjesë e Black Axe”. Deklarata të ngjashme janë bërë nga autoritetet në Kanada, të cilët kanë thënë se NBM dhe Black Axe janë “të njëjta”.

Dokumentet e para nga BBC gjithashtu tregojnë lidhje midis disa anëtarëve të Black Axe dhe korporatës NBM.

Shumë nga dokumentet janë marrë nga një llogari e-mail që i përkiste Augustus Bemigho-Eyeoyibo, presidentit të NBM gjatë viteve 2012 dhe 2016.

Augustus Bemigho

Këto dosje sugjerojnë se Bemigho, është përfshirë në mashtrime në shkallë të gjerë në internet. Janë dy raste të verifikuara ku Bemigho ka qenë i përfshirë duke mashtruar qytetarë të SHBA-së dhe MB-së. Viktimat pretendojnë se u mashtruan me më shumë se 3.3 milionë dollarë.

Dokumentet sugjerojnë se Bemigho dërgoi formate mashtrimi në të paktën 50 raste. Një mesazh, sugjeron se ai u kërkoi anëtarëve të themelojnë organizata joqeveritare në mbarë botën në mënyrë që “të grumbullojnë miliona”.

Dr. Stone pretendon se Black Axe dhe NBM janë e njëjta organizatë. Ai flet nga përvoja. Ai nuk ishte vetëm një anëtar i Black Axe, por edhe një kryetar i NBM në zemër të qytetit të Beninit.

“Është një dhe e njëjta”, thotë ai. “Është thjesht një lloj formaliteti për të mbuluar informalitetet. Është një monedhë me dy anë”.

Organizatat që veprojnë nën emrin e NBM janë të regjistruara në mbarë botën, duke përfshirë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada. Ekzistojnë të paktën 50 llogari në Facebook, Instagram dhe YouTube që përdorin një variant të këtij emri, përveç kanaleve zyrtare të mediave sociale të korporatës. Disa llogari kanë më shumë se 100,000 ndjekës.

Në Nigeri, thotë Dr. Stone, ndikimi i rrjetit shtrihet në sferën politike. “Ka shumë deputetë në Dhomën e Kuvendit, madje edhe ekzekutiv”, tha ai.

Politikanët e mundshëm nigerianë, pretendon z. Ogbebor, punësojnë anëtarë të Black Axe për të frikësuar rivalët, për të ruajtur kutitë e votimit dhe për të detyruar njerëzit të votojnë. Pasi të vijnë në detyrë, sipas tij, ata më pas i shpërblejnë me poste në qeveri.

Dy dokumente, sugjerojnë se 35 milionë naira (afër 75 milionë euro) iu dërguan organizatës në qytetin e Beninit për të “mbrojtur votat” dhe për të siguruar mbështetjen për zgjedhjet e guvernatorit në vitin 2012.

Tony Kabaka, një “kultist” dhe anëtar i NBM-së, kaloi vite duke punuar për qeverinë në Benin, deri më 2019. Gjatë kësaj kohe, përmes kompanisë së tij ai punësoi më shumë se 7,000 taksambledhës, duke gjeneruar miliarda të ardhura për shtetin.

Tony Kabaka është përballur me tentativa të vazhdueshme për vrasje.

Por që nga largimi i tij, ai është përballur me tentativa të vazhdueshme për vrasje. Ai pretendon se atij iu kërkua të mobilizonte grupet e kultit për të ndihmuar në fitoren e zgjedhjeve. Megjithatë, ai mohon të jetë përfshirë ndonjëherë në dhunë.

Dr. Stone beson se zbatimi i ligjit dhe politikanët nigerianë janë shumë të ngatërruar me bandën Black Axe për t’i luftuar ato në mënyrë efektive. Zgjidhja e dhunës, thotë ai, qëndron brenda vetë kultit. Ai nuk është i vetmi ish-anëtar që mendon se grupi është bërë shumë i rrezikshëm.

“Arsyeja pse disa prej nesh iu bashkuan NBM-së ishte për t’u bashkuar në luftën kundër shtypjes”, shkroi një anëtar. “Por tani, ne jemi etiketuar si një organizatë kriminale me prova gjithandej”.

Komunikatat e brendshme të Black Axe janë të mbushura me ankesa të ngjashme.

Drejtuesit e NBM-së thonë se janë të përkushtuar për të siguruar që organizata t’u qëndrojë besnike parimeve të saj themeluese dhe të promovojë paqen. Presidenti aktual i grupit, Olorogun Ese Kakor, i tha BBC-së se ai u zgjodh për të çrrënjosur “të infiltruarit” kriminalë dhe se këta njerëz po i shkaktojnë “organizatës shumë dëm”.

Në një përpjekje për të shfrytëzuar këtë shtytje për ndryshim, Dr. Stone ka formuar atë që ai e quan një “Koalicion Ylber” – një grup avokues i përbërë nga ish-pjesëtarë të kultit, qytetarë dhe profesorë nigerianë me ndikim. Ata përpiqen të zvogëlojnë tensionet kur përplasen bandat rivale dhe po përpiqen të drejtojnë bandën Black Axe drejt një të ardhmeje më paqësore.

Dr. Stone ka krijuar një grup avokues që përpiqet të zvogëlojë tensionet midis bandave rivale.

“Kontributi i koalicionit për shoqërinë është reduktimi i kriminalitetit”, thotë ai. “Për të reduktuar shkallën e vdekjes tek të rinjtë. Për të ulur shkallën e të vejave dhe jetimëve”.

Bashkëthemeluesi tjetër, Chukwuka Omessah, dëshiron që anëtarët e bandës të reflektojnë mbi shoqërinë që po krijojnë.

“Të gjithë kanë një ndërgjegje”, thotë ai. “Ju mund ta mohoni atë në kamera, ta mohoni atë në publik, por nuk mund ta mohoni në kohën tuaj të qetë – do t’ju ndjekë“.

Dr. Stone e di se shtytja e Black Axe drejt reformës është një biznes i rrezikshëm. Ai e di se ish-shokët e tij mund të vijnë për të një ditë. Ai është gati për ta nëse ata e bëjnë këtë. Profesori mban të fshehur një shpatë tre metra të gjatë dhe një pistoletë në shtëpi.

“Për siguri personale”, thotë ai duke buzëqeshur. “Nëse ata vijnë pas meje, a nuk mund të shkojë edhe unë pas tyre?”/UBTNews/

Nga Africa Eye
BBC World Service

Ky hetim është bërë nga Charlie Northcott, Sam Judah dhe Peter Macjob. Teksti është përkthyer dhe përshtatur në gjuhën shqipe nga UBT News.

Kuriozitete

Pse qafa plaket më shpejt se fytyra?

Published

on

Regjisorja dhe shkrimtarja amerikane Nora Ephron ka thënë dikur: “Fytyrat tona janë gënjeshtra, qafat tona janë e vërteta”.

Dhe në fakt, kjo shprehje është e saktë: ndërhyrjet estetike mund të zbusin shenjat e moshës në fytyrë, por qafa shpesh i tregon vitet e kaluara. Rrudhat dhe lëkura e varur në këtë zonë mbeten dëshmi e kohës. Por pse qafa plaket më shpejt dhe a mund ta parandalojmë?

Pse qafa plaket shpejt?

Sipas specialistëve, disa faktorë ndikojnë në plakje, qëndrimi i dobët, mungesa e kujdesit të rregullt, ekspozimi në diell dhe dobësimi natyral i muskujve. Lëkura e qafës është më e hollë, ka më pak gjëndra dhjamore dhe më pak kolagjen, duke e bërë më të ndjeshme ndaj rrudhave.

Qafa e teknologjisë

Një shkak modern është “qafa e teknologjisë” – qëndrimi i përkulur para kompjuterit a telefonit. Ky zakon jo vetëm që shkakton dhimbje dhe tension, por krijon vija horizontale në qafë dhe poshtë mjekrës. Për ta shmangur, pajisjet vendosni në nivelin e syve.

Kujdesi i përditshëm

Ashtu si fytyra, dhe qafa duhet mbrojtur nga dielli duke përdorur krem mbrojtës, qafa duhet të trajtohet njësoj si fytyra: me serume, kremra hidratues e produkte ushqyese në mëngjes dhe mbrëmje. Lëkura thahet shpejt, shmang produktet me bazë alkooli ose sapunët agresivë.

Trajtimet estetike

Pas moshës 50-vjeçare, kur shenjat bëhen më të dukshme, mjekësia ofron alternativa për stimulimin e prodhimit të kolagjenit: trajtimet me plazmë të pasuruar me trombocite, acid hialuronik ose biostimulues që rigjallërojnë dermën.

Po ashtu përdoren metoda si lifting me fije, radiofrekuencë ose lazer nënlëkuror që ndihmojnë në shtrëngimin e lëkurës.

Në rastet kur qafa është e relaksuar dhe e varur, zgjidhja e vetme mbetet ndërhyrja kirurgjikale, si liposuksioni për heqjen e yndyrës së tepërt apo lifting-u i plotë që riformëson muskujt dhe përmirëson konturin e qafës. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

Prezantohen dy mega jahtet luksoze të projektuara nga Giorgio Armani

Published

on

Për vite me radhë, Giorgio Armani ka shprehur vizionin e tij për të transferuar filozofinë e dizajnit të shtëpisë së modës në sektorin e jahteve luksoze. Ky vizion u realizua përmes krijimit të dy mega jahteve 72 metra, një projekt i ekskluziv i bashkëpunimit të Armani me Italian Sea Group.

Jahtet përfaqësojnë një kombinim unik të dizajnit të jashtëm dhe të brendshëm nga vetë Armani.

Pamjet e jashtme dallohen për linjat e pastra gjeometrike që harmonizohen me sipërfaqet e lakuara, ndërsa interierët, të konceptuar nga Armani Casa, nxjerrin në pah filozofinë estetike të projektuesit.

Rezultati është një sintezë e sofistikimit stilistik, teknologjive të avancuara dhe përsosmërisë detare, duke vendosur standarde të reja për jahte luksoze të nivelit të lartë. Vetë Giorgio Armani e përshkroi projektin si një fushë personale krijimi:

“Deti dhe dizajni janë dy nga pasionet e mia më të mëdha. Me këtë bashkëpunim, e kam zgjeruar idenë e dekorimit dhe mobiljeve në botën detare, ku – ashtu si në modë – estetika dhe funksionaliteti bashkëjetojnë në mënyrë natyrale dhe elegante.”

Një nga pionierët që besoi në vizionin e tij ishte biznesmeni Kostas Cleanthos, i cili bleu dy mega jahtet që do të prezantohen së shpejti në Panairin e Jahteve në Monako. Jahti i parë është në fazën e lundrimit provë, ndërsa i dyti është në fazën përfundimtare të ndërtimit.

Cleanthous është sipërmarrës me një aktivitet të shumanshëm në financë, pasuri të paluajtshme, hotele, media dhe transport detar.

Ai themeloi kompaninë XM në 2009, e cila u zhvillua në një platformë globale tregtare me mbi 10 milionë klientë në 190 vende. I lindur dhe rritur në Qipro, përfundoi studimet në London School of Economics dhe City Business School.

Përveç aktivitetit ndërkombëtar, ka investuar në projekte ikonike në Qipro, duke përfshirë hotele e media, dhe përmes Fondacionit Cleanthous mbështet iniciativa sociale dhe bamirëse, përfshirë ndërtimin e një Klinike të re Onkologjike Pediatrike në Nikozia.

Ai ka zgjeruar aktivitetin në fushën e jahteve luksoze me dy jahte unike që mbajnë firmën e Giorgio Armani dhe prodhimin e The Italian Sea Group, duke respektuar çdo detaj të vizionit të projektuesit. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

Ja pse shkopinjtë e kanellës lihen jashtë derës në shtator

Published

on

Kanella është përdorur prej mijëra vitesh jo vetëm si erëz në kuzhinë, por edhe si mjet shërues dhe simbolik në rituale shpirtërore.

Përveç vlerave medicinale, lidhet me tërheqjen e energjive pozitive, pasurisë dhe begatisë veçanërisht në shtator, kur praktikohen shumë rite të lidhura me të.

Një trend në TikTok ka bërë bujë, ku të rinj nga e gjithë bota vendosin shkopinj kanelle para derës së shtëpisë ose shpërndajnë pluhur kanelle mbi prag.

Videot e kësaj praktike kanë mbledhur mbi 4.5 milionë shikime. Në traditën ezoterike, dera e përparme shihet si një portal që lidh botën e jashtme me hapësirën e brendshme shpirtërore, ndaj rekomandohet që rituali të zhvillohet pikërisht aty.

Rituali është i thjeshtë, merrni një majë të bollshme kanelle të bluar, vendosni në pëllëmbën e dorës e fryni drejt derës së përparme, praktikohet në ditën e parë të muajit, por mund të bëhet në çdo kohë.

Sipas besimit popullor dhe praktikave të feng shui-t, ky veprim jo vetëm që tërheq pasuri dhe fat të mirë, por edhe ndihmon në pastrimin e energjisë së rënduar në shtëpi, duke sjellë një atmosferë më të lehtë dhe harmonike. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

Shkencëtarët zbulojnë akuifer të madh nën Oqeanin Atlantik

Published

on

Një zbulim befasues nën Oqeanin Atlantik pranë SHBA-ve mund të ofrojë shpresë për mungesën globale të ujit të pijshëm.

Gjatë një ekspedite këtë verë, shkencëtarët nga Woods Hole Oceanographic Institution dhe Universiteti i Kolumbias konfirmuan praninë e një rezervuari të madh me ujë të ëmbël nën fundin e detit, nga Massachusetts deri në New Jersey.

Përdorimi i teknologjisë elektromagnetike dhe një shpime deri në 1,300 metra nën dyshemenë e detit tregoi se uji ka përmbajtje kripë të ulët, brenda standardeve për ujin e pijshëm. Mostrat janë duke u analizuar për mikrobet dhe për të vlerësuar sigurinë e përdorimit.

Shkencëtarët ende nuk e dinë moshën e ujit, e cila përcakton nëse rezervuari është i ripërtëritshëm apo i kufizuar. Origjina e ujit lidhet me akullnajat e shkrira ose reshjet mijëra vjet më parë.

Ekspertët thonë se akuiferi mund të përmbajë ujë të mjaftueshëm për të furnizuar një qytet si New York për qindra vjet. Megjithatë, nxjerrja e ujit nga këto thellësi kërkon energji të madhe dhe përballen sfida logjistike dhe mjedisore.

Shkencëtarët besojnë se akuiferët nën det mund të jenë një burim i rëndësishëm për të adresuar krizën globale të ujit, por përdorimi i tyre nuk zëvendëson nevojën për mbrojtjen e burimeve ujore në tokë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara