Një nga dëshmitë më të hershme të interesit të Steve Jobs për elektronikën është shitur në ankand për 34,375 dollarë.
Bëhet fjalë për një projekt shkencor që bashkëthemeluesi i Apple e realizoi në vitin 1968, kur ishte nxënës i klasës së tetë në Cupertino Junior High. Projekti, i titulluar “What is the SCR?”, trajtonte silicon-controlled rectifier (SCR), një komponent gjysmëpërçues që përdoret për kontrollin e rrymës elektrike.
Projekti përbëhet nga një tabelë prej kompensate me tri pjesë dhe një raport 10-faqësh, të përgatitur nga Jobs më 29 shkurt 1968.
Në njërën pjesë ndodhet një model prej druri që paraqet shtresat e materialeve gjysmëpërçuese të tipit P dhe N, ndërsa pjesa qendrore përmban dy qarqe testimi për demonstrimin e funksionimit të SCR-së. Në anën tjetër ndodhet një diagram dhe përshkrim i një modeli 25-amperësh.
Një nga detajet më interesante është një shënim i Jobs për gjyqtarët e panairit shkencor, ku ai i udhëzonte të lidhnin njërin prej qarqeve me osciloskopin për të parë pajisjen në funksion, por edhe i paralajmëronte që ta shkëputnin nga priza pas demonstrimit.
Sipas RR Auction, projekti ishte ruajtur për dekada nga familja e Jobs dhe më pas kaloi te njerku i tij, John Chovanec.
Objekti u shit në ankandin “Steve Jobs & the Computer Revolution: The Apple 50th Anniversary Auction Part Two”, ku u ofruan rreth 150 objekte të lidhura me Apple dhe historinë e teknologjisë.
Në të njëjtin ankand, çmimin më të lartë e arriti një Apple-1 funksional, i cili u shit për 499,363 dollarë.
Projekti i klasës së tetë mbetet një dëshmi e rrallë e interesit të hershëm të Jobs për elektronikën, shumë vite para se ai të bëhej një nga figurat më të rëndësishme të industrisë së teknologjisë./A.K/