Lajmet

Kryetari i Bashkisë së Portos, Rui Moreira, nderohet nga UBT me çmimin “Leadership Excellence Award”

Published

on

Në një ceremoni të mbajtur me rastin e ndarjes së Çmimit Tradicional të UBT-së “Leadership Excellence Award”, kryetari i Bashkisë së Portos, Rui Moreira, u nderua për kontributin e tij të shquar në zhvillimin dhe udhëheqjen e qytetit të Portos.

Vendimi për të ndarë këtë çmim u mor nën patronatin e Presidentit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe u bë i ditur nga Këshilli Akademik i Universitetit.

Rektori Hajrizi u përqendrua në rëndësinë e roli të liderëve në përmirësimin e jetës shoqërore dhe zhvillimin e komuniteteve gjatë një deklarate të tij të fundit. Ai vlerësoi kontributin themelor të kryetarit Rui Moreira në avancimin dhe transformimin e qytetit të Portos, duke e cilësuar atë si një model frymëzimi për liderët e tjerë në Evropë dhe më gjerë.

Hajrizi theksoi se kryetari Moreira ka shërbyer si një shembull i mirë për të treguar se si një lider mund të ndikojë në zhvillimin e qytetit dhe të kontribuojë në rritjen e cilësisë së jetës për banorët e tij. Ai gjithashtu e përshkroi kryetarin si një person frymëzues për të tjerët, duke inkurajuar liderët e tjerë të marrin masa dhe të promovojnë inovacionin dhe përparimin në komunitetet e tyre.

Në këtë kontekst, rektori Hajrizi theksoi se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave me liderë të suksesshëm si Rui Moreira ka qenë një nga elementët kyç për suksesin dhe avancimin e UBT-së si një universiteti i inovacionit dhe arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon.

Në anën tjetër, kryetari Rui Moreira, duke pranuar këtë çmim të lartë, shprehu mirënjohjen e tij për njohjen e dhënë dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve akademike dhe autoriteteve lokale.

Rui Moreira theksoi se UBT është një institucion i arsimit të lartë që ndihmon në promovimin e një shoqërie të bazuar në dije dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor për të krijuar prosperitet dhe cilësi të jetës për popullatën. Ai vlerësoi rolin e UBT-së si një nga institucionet më inovative jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin e gjerë.

UBT, sipas kryetarit Moreira, është një universitet prestigjioz që ka një rol kyç në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe në zhvillimin e një mjedisi të përshtatshëm për rritjen e aftësive akademike dhe profesionale të studentëve të saj. Ky institucion është konsideruar si një shembull i suksesshëm për inovacionin dhe përparimin e arsimit të lartë në rajon.

“UBT është padyshim një nga institucionet më inovative të arsimit të lartë, jo vetëm në Kosovë por në rajon. Është një universitet prestigjioz me rëndësi qendrore për rajonin, domethënë për promovimin e një shoqërie të bazuar në njohuri dhe trajnimin e kapitalit njerëzor të aftë për të gjeneruar prosperitet, qëndrueshmëri dhe cilësi të jetës për popullatën”, u shpreh Moreira, kryetari i Portos.

Ky akt nderi tregon për respektin dhe vlerësimin e shfaqur ndaj kontributit të kryetarit Moreira në përmirësimin e jetës urbane dhe si model tek qytetarët për zhvillim të qëndrueshëm dhe frymëzim të tjerëve në fushën e udhëheqjes./UBTNews/

 

Lajmet

Protestat kundër vrasjes së grave vazhdojnë për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e dy ministrave

Published

on

Protestat kundër vrasjes së grave në Kosovë kanë vazhduar edhe sot, për të dytën ditë radhazi, me pankarta që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekjen penale të personave që, sipas protestuesve, kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të organizatorëve.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin. Ndaj tyre është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.

Edhe Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për mënyrën e trajtimit të rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Protestë kundër vrasjes së grave dhe për kërkimin e përgjegjësisë institucionale ishte mbajtur edhe një ditë më parë./A.K/

Continue Reading

lajme

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

Lajmet

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Policia e Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është mbështetur në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e drejtpërdrejtë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Masa e suspendimit përfshin të gjithë zinxhirin komandues dhe hetimor në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së Drejtorit Rajonal, Shefin e Hetimeve Rajonale, Komandantin dhe Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, Shefin e Hetimeve, ushtruesin e detyrës së Shefit të Operativës, Komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky hap është ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara