Lajmet

Kryespiuni ukrainas që u ka shpëtuar dhjetë atentateve dhe që pëlqen errësirën

“Më pëlqen errësira”, tha ai.

Published

on

Asnjë fije drite nuk hyn në zyrën e kreut të spiunazhit ushtarak të Ukrainës, gjeneral-lejtënant Kyrylo Budanov. Muret janë të fortifikuara, dritaret të përforcuara me thasë rëre dhe perdet të ulura. Kur Budanov, 38 vjeç, mbërriti për një intervistë për Financial Times, duke hyrë në një portë e stolisur me një ikonë fetare, ai menjëherë urdhëroi një ndihmës të fikte dritat. “Më pëlqen errësira”, tha ai.

Si kreu i Njësisë Kryesore të Inteligjencës të ministrisë së mbrojtjes, Budanov ka organizuar luftën e fshehtë të Ukrainës kundër Rusisë, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme në luftën e Kievit. I mbijetuari i 10 atentateve të njohura, ai jeton pak a shumë vazhdimisht në një zyrë në periferi të kryeqytetit. Ajo është e dekoruar me simbole patriotike dhe memorialë të luftës në mure dhe një bretkosë pranë tavolinës së tij.

Të besuarit e Budanov po kryejnë sulme prapa linjave të armikut në territorin e pushtuar nga Rusia, por edhe në vetë territorin rus. Por shefi i spiunazhit rrallë merr meritat për këto aksione, duke e mbajtur Moskën dhe pjesën tjetër të botës të hamendësojnë për shtrirjen dhe aftësitë e drejtorisë së tij.

Në bëmat e fundit të departamentit të tij këtë javë, ishte fluturimi i një droni deri në Shën Petersburg, duke goditur një terminal nafte dhe tentativa për të goditur një fabrikë baruti dhe një depo nafte në rajonin Bryansk, në veri të kufirit me Ukrainën. Taktikat e pacipa shpesh kanë acaruar edhe mbështetësit perëndimorë të Ukrainës. Disa kanë frikë kjo se do të provokojë një përgjigje brutale dhe ndoshta edhe bërthamore nga presidenti rus Vladimir Putin. Shefi i spiunazhit ukrainas nuk preket nga shqetësime të tilla dhe zotohet të vazhdojë të operojë thellë brenda Rusisë për të sabotuar makinën e luftës së Putinit.

“Ne nuk parashikojmë ndonjë ndryshim drastik në të ardhmen e afërt. Gjithçka që kemi bërë, do të vazhdojmë ta bëjmë”, tha Budanov.

Ai e di se ky do të jetë një vit sprovues për Ukrainën, tashmë duke luftuar Rusinë për më shumë se një dekadë që kur ushtarët e Kremlinit, pa uniforma u shfaqën në Krime dhe në rajonin lindor të Ukrainës në Donbas.

“Të thuash se gjithçka është në rregull nuk është e vërtetë. Të thuash se ishte katastrofë nuk është gjithashtu e vërtetë”,  thotë Budanov kur u pyet për kundërsulmin e shumëpërfolur të Ukrainës vitin e kaluar që dështoi në arritjen e objektivave të saj.

Ukraina do të arrijë ende ta mbajë Putinin larg, parashikon ai, dhe tashmë ka vërtetuar se “e gjithë legjenda e fuqisë [Rusisë] është një flluskë sapuni”. Si ish-ushtar i forcave speciale që luftoi në Donbas në vitin 2014, Budanov ka marrë pjesë vetë në misione sekrete, duke përfshirë gadishullin e okupuar të Krimesë. Në trup ka ende plagët nga copat nga një mine që i shpërtheu pranë dhe që për pak sa nuk e vrau pasi theu edhe qafën edhe shpinën ndërsa është qëlluar edhe në një krah.

Ai u emërua drejtor i GUR nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy në vitin 2020. Kremlini fajësoi GUR edhe për një shpërthim në urën e Krimesë në tetor 2022. Këto e kanë rigjallëruar agjencinë, e cila prej kohësh luante në prapaskenë për sigurinë e brendshme të Ukrainës. Për këtë Budanov gëzon një status thuajse kult mes ukrainasve, të cilët shpërndajnë meme në mediat sociale kur pajisjet ushtarake shpërthejnë në Rusi ose në zonat e kontrolluara nga Rusia.

Por kjo ka edhe një kosto. Kur shefi i GUR del jashtë, ai lëviz me një rreth truprojash dhe agjentësh të inteligjencës. Nga shumë tentativa për vrasje kundër tij, të cilat ai i përshkruan si “asgjë e veçantë”, goditja më e afërt erdhi në vitin 2019, kur një bombë e vendosur poshtë automjetit të tij shpërtheu para kohe. Ai shpëtoi i padëmtuar. Duke iu kthyer prodhimit të armëve, Budanov tha se Rusia po humbet më shumë armë dhe municione sesa mund të bënte, ndërkohë që po lufton me kontrollin e cilësisë.

“Kjo është pikërisht ajo që shpjegon kërkimin e Rusisë për armë në vende të tjera”, tha ai.

Koreja e Veriut është aktualisht furnizuesi më i madh i armëve i Rusisë, tha Budanov.

“Ata transferuan një sasi të konsiderueshme municionesh artilerie. Kjo e lejoi Rusinë të marrë pak frymë. Pa ndihmën e tyre, situata do të ishte katastrofike”, tha ai. Por Rusia nuk do të preferonte të mbështetej në ndihma nga jashtë.

“Kjo është konsideruar gjithmonë një poshtërim”, shpjegoi Budanov.

Një sfidë tjetër me të cilën përballet Rusia është fuqia punëtore. Moska po humb aq ose më shumë trupa sesa mund të rekrutojë, sipas Budanov. Ndihmësi i tij, Vadym Skibitskyi, tha këtë javë se rreth 1 mijë deri në 1100 njerëz i bashkohen ushtrisë ruse çdo ditë, përmes mobilizimit ose vullnetarisht. Aty ku mobilizimi dështon, grupet mercenare ndihmojnë në plotësimin e grupeve tha Budanov, duke përmendur grupin Wagner, të themeluar nga furnizuesi i ndjerë rus i kthyer në kryekomandant të luftës Yevgeny Prigozhin.

“Wagner ekziston”, thotë Budanov, duke hedhur poshtë raportet se ai ishte çmontuar. “Dhe duke folur për Prigozhin, nuk do të isha aq i shpejtë me përfundime”, tha ai duke iu referuar vdekjes së raportuar të kryekomandantit në një aksident avioni vitin e kaluar, një vrasje që perëndimi beson se ishte urdhëruar nga Putini. Kremlini mohoi përfshirjen dhe tha se ADN-ja vërtetoi se Prigozhin vdiq. Por trupi i tij nuk u pa kurrë publikisht.

“Unë nuk po them se ai nuk ka vdekur apo se ka vdekur. Unë po them se nuk ka asnjë provë të vetme që ai ka vdekur”,  tha Budanov.

Një tjetër hobi i preferuar i Budanov është shëndeti i Putinit. Në të kaluarën ai ka pretenduar se presidenti i Rusisë ka kancer dhe Budanov këmbëngul se sheh rregullisht “klone” të Putinit në televizion.

I pyetur për prova, Budanov tha se analistët e tij studiojnë “fizionominë” e Putinit, lobet e veshit, distancën mes vetullave, e kështu me radhë.

“Nuk është aq e vështirë. Këtë mund ta bësh lehtësisht vetë”, shtoi ai, duke ngritur supet sikur të sugjeronte se të ngjashmit ishin një mashtrim i dukshëm.

Në fund, duke iu rikthyer temës së luftës, Budanov nuk pranon të bëjë ndonjë parashikim të guximshëm për vitin 2024.

“Jo. Shpresoj që suksesi ynë të jetë më i madh se i tyre”, tha ai duke dalë nga dhoma e errësuar./Lapsi.al

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.

Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.

Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.

  • Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
  • Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
  • Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.

Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara