Lajmet

Kryeministri ​Rama: Brenda vitit 2027 synojmë që prokurimet publike të kryhen me IA

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Shqipëria synon që brenda vitit 2027 prokurimet publike të kryhen me Inteligjencë Artificiale.

Gjatë pjesëmarrjes online në “Euronews EU Enlargement Summit”, një platformë dialogu mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Rama tha se kjo do të lejojë shpejtësi, transparencë e saktësi në nivele të papara më parë.

“Kur bëhet fjala për Diellën, është produkt i një lufte sistemore, që nuk ka të bëjë në luftën kundër rasteve apo luftën në gjykata, por me luftën për modernizmin, dhe brenda 2027-ës synojmë të kemi sistemin e plotë bazuar në Inteligjencën Artificiale të prokurimeve publike që do të lejojë shpejtësi, transparencë e saktësi në nivele të papara më parë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi edhe rëndësinë e përdorimit të Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar Shqipërinë në procesin teknik për transpozimin e ligjeve.

“Jam e sigurt që keni dëgjuar se Diella është “shtatzënë”, me 83 foshnja, kësisoj na duhet të presim që të “lindë” këta 83 bebe. Dhe ndërkohë dua të them diçka, që jemi i vetmi vend në këtë proces që kemi përdorur Inteligjencën Artificiale në transferimin e Acquis communautaire në korpusin tonë ligjor, duke e bërë procesin më të shpejtë ndonjëherë, jo vetëm sa i takon përkthimit, por edhe analizimit të ndikimit e hartimit e përgatitjes së gjithë paketave ligjore për t’u miratuar në parlament”, tha Rama.

Gjithashtu, ai potencoi se po përpiqen të hedhin hapa të mëdhenj duke përdorur Inteligjencën Artificiale./S.K/KP/Atsh/Awesmai/

Continue Reading

Lajmet

Ditë e natë në terren, forcat e NATO-s dërgojnë mesazh stabiliteti

Published

on

By

Ushtarët gjermanë të caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-E) të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, po vazhdojnë patrullimet e tyre të rregullta ditën dhe natën në disa komuna brenda zonës së përgjegjësisë.

Sipas njoftimit, këto patrullime sigurojnë një prani të dukshme dhe qetësuese në terren, rrisin ndërgjegjësimin situativ dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në ruajtjen e stabilitetit rajonal. Patrullat janë pjesë thelbësore e misionit të vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

KFOR-i thekson se vazhdon zbatimin e mandatit të tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë, në çdo kohë.

Po ashtu, KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë, duke synuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.

Continue Reading

Lajmet

Nesër samiti mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Rama niset drejt Brukselit

Published

on

By

Kryeministri Edi Rama është nisur pasditen e kësaj të marte drejt Brukselit. Rama nesër do të marrë pjesë në samitin mes BE dhe vendeve te Ballkanit Perëndimor.

Takimi pritet të përqëndrohet në gjetjet më të fundit të paketës së zgjerimit 2025. Gjatë takimit do të dikutohet edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliard eurosh.

Ndërkaq, nga Kosova europianët i çuan ftesë presidentes Vjosa Osmani, e cila ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këtë samit.

Continue Reading

Lajmet

Spiropali në Greqi, rihapet dialogu për kufirin detar

Published

on

By

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali nisi sot një vizitë dyditore në Greqi me ftesë të homologut grek, George Gerapetritis. Vizita e Ministres Spiropali nisi në Presidencën greke, ku u prit nga Presidenti Konstantinos Tasoulas.

Gjatë takimit Spiropali theksoi se “Shqipëria beson fort se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane”.

Më pas Spiropali zhvilloi një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Në konferencën për shtyp, Spiropali tha se Greqia duhet të heqë ligjin e luftës, duke theksuar se dy vendet janë pjesë e NATO-s.

“Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”, tha Spiropali.

Ministrja theksoi se Shqipëria është e hapur për dialog për çështjen e detit dhe shtoi se duan të vijojnë negociatat për njohjen e pensioneve.

“Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin (përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare) në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv. Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”, shtoi ajo.

Mëngjesin e së mërkurës, në orën 09.00, Spiropali do të takohet me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias. Në orën 09.45, Spiropali do të takohet me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për potencialin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Continue Reading

Lajmet

Dyshohet abuzim i të miturit në Ferizaj përmes rrjeteve sociale

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri, i cili dyshohet se është kontaktuar përmes rrjeteve sociale.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, bëri të ditur se rasti është raportuar më 15 dhjetor 2025, rreth orës 11:00, në stacionin policor të Fushë Kosovës.

Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në territorin e Ferizajt. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa policia, në bashkëpunim me institucionet relevante, po punon intensivisht për identifikimin e të dyshuarit dhe sqarimin e plotë të rastit, duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës.

“Më datë 15.12.2025, rreth orës 11:00, policia e stacionit policor në Fushë Kosovë, ka  pranuar informacionin lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri. Dyshimet e ngritura sugjerojnë  se i mituri  është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt. Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij.”

Continue Reading

Të kërkuara