Lajmet

Kryeministri Kurti merr letër nga kryeministri kroat

Plenković: Kroacia e përkrah kauzën madhështore të Kosovës për mbrojtjen e monumenteve.

Published

on

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar nga kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, përgjigje në letrën që ia pati dërguar atij dhe kryeministrave e presidentëve të 56 vendeve të botës. Në letër, kryeministri Kurti ka shprehur pikëpamjet e Republikës së Kosovës mbi trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë e mbrojtjes së saj.

Duke iu falënderuar për letrën, kryeministri kroat ka thënë se pajtohet plotësisht që historia kulturore e çdo vendi dhe personifikimet fizike të trashëgimisë së saj kulturore duhet të trajtohen gjithmonë me respektin e duhur dhe të mbrohen në të mirë të shoqërive tona në tërësi.

“Ne i vlerësojmë shumë përpjekjet tuaja për të respektuar dhe mbrojtur monumentet e rëndësishme në Kosovë, të cilat janë një pjesë e kësaj sixhadeje të pasur të trashëgimisë kulturore. Të ngrohë zemrën të dish se je i përkushtuar në këto përpjekje”, ka shkruar z. Plenković. Konservimi dhe pasqyrimi vibrant i trashëgimisë kulturore heterogjene të vendit tuaj padyshim që do të sigurojë një pjesë të çmuar të trashëgimisë kulturore globale, ka shtuar ai.

Duke qenë pjesë e operacionit të NATO-s për mbështetjen e paqes në Kosovë, KFOR, kryeministri Plenković ka thënë se Kroacia mbetet e vendosur t’i japë pjesën e saj të duhur kësaj kauze madhështore, e cila mbetet po aq thelbësore për pajtimin, sa është edhe për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Në letrën e datës 20 maj 2021, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ua ka konfirmuar liderëve të 56 vendeve të botës (ndër to edhe Serbia) vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur trashëgiminë e tërësishme kulturore, e në veçanti atë të komuniteteve pakicë, siç janë kishat ortodokse dhe manastiret.   

Kryeministri u ka bërë thirrje atyre që të përkrahin Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit, siç ka thënë ai, duke e parë trashëgiminë tonë të pasur kulturore si ndër argumentet më të forta të vlerës së shtuar, që vendi ynë ia sjellë komunitetit botëror të kombeve, njerëzve e kulturave.

Continue Reading

Lajmet

Kapiteni i FSK-së përfundon kursin e Forcave Speciale të Ushtrisë amerikane

Published

on

Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, E.V., ka përfunduar me sukses Kursin Kualifikues të Forcave Speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të njohur si “U.S. Army Special Forces Qualification Course”.

Kursi u zhvillua në “U.S. Army John F. Kennedy Special Warfare Center and School” në SHBA dhe zgjati më shumë se tetë muaj, nga janari deri në shtator 2026.

Gjatë këtij programi, kapiteni përfundoi trajnimin për kualifikimin “Green Berets”, i cili përfshin përgatitje të avancuar në taktikat e njësive të vogla, planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve speciale, si dhe kualifikimin “18A Special Forces Detachment Officer”. Programi përfshiu edhe ushtrimin përfundimtar “Robin Sage”.

Në përfundim të kursit, E.V. u vlerësua me titullin “Distinguished Honor Graduate”, si dëshmi e performancës së lartë profesionale, lidershipit dhe përkushtimit gjatë gjithë procesit të kualifikimit.

“Kjo arritje përfaqëson një sukses të rëndësishëm profesional dhe njëkohësisht dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve në fushën e operacioneve speciale, zhvillimin e kuadrove profesionale dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja vazhdojnë investimet në zhvillimin profesional të pjesëtarëve përmes edukimit dhe trajnimeve në institucionet ushtarake të vendeve partnere./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kapet mbi 41 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit, vlera rreth 2 milionë euro

Published

on

Policia e Shtetit ka goditur një tjetër rast të tentativës për futjen e lëndëve narkotike në Shqipëri përmes Portit të Durrësit, ku janë sekuestruar mbi 41 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Operacioni policor, i koduar “Anchor 3”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit.

Gjatë kontrollit të detajuar të një kontejneri që kishte ardhur nga Brazili dhe që, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule, policia zbuloi në kapakët e jashtëm të kontejnerit 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike.

Sasia totale e sekuestruar ishte 41 kilogramë e 350 gramë kokainë, ndërsa vlera e saj në treg, sipas autoriteteve, përllogaritet në rreth 2 milionë euro.

Sipas Policisë së Shtetit, ky është rasti i tretë i goditur brenda një muaji në Portin e Durrësit lidhur me tentativat për trafikimin e lëndëve narkotike.

Ndërkohë, strukturat hetimore vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të drogës, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Shame and Money”, filmi fitues në edicionin e 18-të të PriFest

Published

on

Çmimi për filmin më të mirë, “Vjosa Berisha Award” në edicionin e 18-të të PriFest I është ndarë filmit “Shame and Money” me regji të Visar Morinës.

Filmi, që trajton historinë e një çifti në të 40-at, i cili detyrohet të largohet nga shtëpia dhe ferma e tij në Kosovë pas një konflikti familjar, do të shfaqet më 23 shtator, në orën 18:30, në Kinema Millennium, në kuadër të Tirana Film Festival. “Shame and Money” sjell në qendër përpjekjen e çiftit për të nisur një jetë të re në Prishtinë, duke u përballur me presionin dhe realitetin e një shoqërie gjithnjë e më kapitaliste./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Në përmbyllje të Javës së Gruas, bëhet thirrje për më shumë gra në pozita udhëheqëse

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në përmbylljen e “Javës së Gruas”, një program që përgjatë muajve të fundit bëri bashkë përfaqësues nga institucionet, komunat, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat.

Gjatë fjalës së saj Haxhiu,  vlerësoi lart kontributin e grave në të gjitha sferat e jetës, nga biznesi, kultura e sporti, e deri te shkenca dhe politika duke theksuar se puna dhe rezultatet e tyre tashmë flasin vetë.

Megjithatë, ajo ngriti shqetësimin për pabarazinë që ende ekziston në shoqëri, ku shumë grave u duhet të punojnë dyfish për të marrë të njëjtin vlerësim si burrat.

“Këtë pabarazi nuk duhet ta pranojmë si normale. Gratë duhet të vlerësohen për punën dhe aftësinë e tyre dhe të kenë të njëjtat mundësi për të marrë përgjegjësi e për të udhëhequr. Dua të shoh më shumë gra në krye të listave, në udhëheqjen e komunave, institucioneve e kompanive dhe kudo ku merren vendime”, u shpreh ajo.

Në përmbyllje, u përmend se përparimi i grave është drejtpërdrejt i lidhur me përparimin e të gjithë shoqërisë, pasi suksesi i një gruaje hap rrugën për ecjen përpara të të tjerave. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara