Live

Kryegjykatësi Smith III shpall mbylljen e çështjes gjyqësore

Published

on

Kryegjykatësi Charles Smith III ka vendosur të mbyllë çështjen gjyqësore kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse para trupit gjykues.

Gjykatësi bëri të ditur se do të qëndrojë në kontakt me palët në muajt e ardhshëm për të caktuar datën e shpalljes dhe rishikimit të aktgjykimit.

Sipas rregullave, gjykatësit kanë një afat prej tre muajsh për të marrë një vendim mbi këtë çështje ose për të kërkuar një shtyrje të afatit për vendimmarrje.

Krasniqi: Dalja ime publike në 1998 tregoi kundërshtimin ndaj politikave gjenocidale të Serbisë

Jakup Krasniqi, gjatë fjalës së tij përmbyllëse në Hagë, rikujtoi përvojën e tij personale dhe momentet kyçe të viteve ’90, duke theksuar rëndësinë e qëndrimeve të tij kundër dhunës serbe në Kosovë.

“Të kalosh 16 vjet nga 75 në burg dhe të jesh i privuar nga ajri i lirisë nuk është diçka e vogël, është diçka e madhe. Dalja ime publike më 11 qershor 1998 tregoi se isha kundërshtar i politikave gjenocidale të Serbisë”, deklaroi Krasniqi.

Ai kujtoi masakrat e kryera nga forcat serbe në fshatrat Qirez, Likoshan dhe Prekaz, ku sipas tij humbën jetën 83 persona, shumica femra, fëmijë dhe të moshuar.

“Këto vrasje ishin brutale dhe të paramenduara, dhe dalja ime publike pas këtyre ngjarjeve tregoi përkushtimin tim për drejtësi dhe mbrojtjen e popullit tim”, shtoi Krasniqi.

Krasniqi në Hagë: Më janë mohuar të drejtat e njeriut

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë fjalës së tij përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë, theksoi se gjatë gjithë jetës së tij ka vepruar për dinjitetin njerëzor dhe lirinë e popullit të Kosovës.

“Tërë jetën time e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se nuk paraqitet para gjykatës si një kriminel, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëzor.

“Qëndroj para jush jo si një kriminel siç më paraqet aktakuza e Prokurorisë, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëz, në një popull që refuzoi që të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë”, theksoi ai.

Krasniqi, 75 vjeç, e akuzoi Gjykatën Speciale se ia ka mohuar të drejtat e tij duke e mbajtur në paraburgim që nga viti 2020.

“Për më shumë se pesë vjet, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër to më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fundin e fazës së jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, tha Krasniqi.

Ai gjithashtu theksoi se mbajtja në paraburgim ka ndodhur pa shkaktuar padrejtësi ndaj askujt tjetër.

“Kjo më është bërë pa i shkaktuar padrejtësi askujt, pa ia rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm. Përkundrazi, kam rrezikuar jetën time”, deklaroi Krasniqi.

Selimi : Akuzat ndaj Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së janë të paqarta dhe të padrejta

Rexhep Selimi, në vazhdim të fjalës së tij përmbyllëse në Hagë, kritikoi ashpër pretendimet e Prokurorisë ndaj Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Në përpjekje për të ngarkuar me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, Prokuroria mbajti qëndrime akuzuese si: ‘Shtabi i përgjithshëm kërkonte pavarësinë’, apo më tej, ‘Shtabi i përgjithshëm deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë’. Është e vështirë të kuptohet se kundër kujt është ngritur kjo aktakuzë – kundër nesh me pretendime konkrete, apo kundër nesh sepse luftuam për pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Selimi.

Deklarata e tij nënvizon bindjen e ish-udhëheqësit se procesi gjyqësor është i padrejtë dhe akuzat nuk bazohen në prova konkrete, por janë një përpjekje për të delegjitimuar përpjekjet e UÇK-së gjatë luftës.

Selimi në Hagë: Akuzat ndaj nesh janë të pabazuara dhe të padrejta

Rexhep Selimi, gjatë fjalës së tij përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë, theksoi rëndësinë e drejtësisë dhe mbrojtjes së së vërtetës historike.

“Është hera e tretë dhe shpresoj të jetë e fundit që unë marr fjalën në këtë sallë gjyqi. Kanë kaluar më shumë se pesë vite, dhe këto pesë vite nuk kanë qenë të lehta për ne, por as të parëndësishme për historinë e vendit tonë. Megjithatë, le të shërbejë kjo si një mundësi dhe shans i mirë për drejtësinë”, deklaroi Selimi.

Ai theksoi gjithashtu se pas gjithë këtyre viteve ka edhe një element pozitiv:

“Shpresoj që edhe trupi gjykues ka pasur kohën e duhur për të kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë. Akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta”, u shpreh Selimi.

Veseli: Pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer krime

Kadri Veseli, gjatë fjalës së tij përmbyllëse në Hagë, deklaroi se pas dekadash hetimesh, analizash të dokumenteve dhe dëshmive të panumërta, nuk ka asnjë provë që të tregojë se ai ka kryer ndonjë krim.

“Pas dekadash hetimesh, dokumente dhe dëshmish të panumërta, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime dhe kjo nuk është interpretim, por një fakt”, theksoi Veseli.

Ai sqaroi gjithashtu motivin e pjesëmarrjes së tij në luftë, duke theksuar se ajo nuk lindte nga dëshira për konflikt, por nga nevoja për të mbrojtur popullin.

“Sa i përket pjesëmarrjes në luftë, ajo nuk ka lindur nga dëshira për konflikt. Si i ri, edhe unë kam dashur një jetë të qetë, në paqe, me familjen”, u shpreh Veseli.

Veseli: Liria dhe paqja nuk ndërtohen mbi padrejtësi – integriteti moral është themeli

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë fjalës së tij para trupit gjykues në Hagë, theksoi rëndësinë e drejtësisë, moralit dhe vlerave njerëzore, duke lidhur përvojat personale me luftën për liri.

“Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë, as paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim. Një kauzë e drejtë nuk mund të mbrohet me mjete të padrejta. Ky nuk ka qenë vetëm një parim teorik për mua, por një bindje morale që ka udhëhequr secilin veprim timin”, deklaroi Veseli.

Ai rrëfeu se familja dhe ai vetë kanë jetuar nën persekutimin e shtetit serb, duke përjetuar frikë, pasiguri dhe padrejtësi çdo ditë.

“E di çfarë do të thotë të jesh i pambrojtur, e di çfarë do të thotë të jetosh nën kërcnim të vazhdueshëm. Kjo është një përvojë që nuk ia dëshiroj askujt, por më mësoi një të vërtetë thelbësore: në padrejtësi, njeriu duhet të ruajë integritetin moral dhe vlerat themelore humane”, theksoi Veseli.

Veseli: Gjykata të mbrojë drejtësinë dhe të vërtetën

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po ashtu përballet me akuza në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka mbajtur fjalën e tij para trupit gjykues, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë dhe paanshmërisë në këtë proces.

“Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanshmërinë. Kjo nuk është vetëm një detyrë ligjore, por është kontributi i saj i madh dhe trashëgimia që do të mbetet prej kësaj gjykate”, deklaroi Veseli.

Ai vuri theksin te përgjegjësia historike e trupit gjykues, duke lënë të kuptohet se vendimi përfundimtar do të ketë peshë jo vetëm juridike, por edhe historike.

Thaçi në mbyllje të fjalës: I vetmi vendim i drejtë është pafajësia

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në përmbyllje të deklaratës së tij para trupit gjykues në Hagë, tha se gjatë gjithë jetës së tij ka qenë në krah të popullit të Kosovës, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Gjatë gjithë jetës sime unë kam qenë përkrah popullit të Kosovës, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, gjithmonë duke u udhëhequr nga idealet perëndimore të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë”, deklaroi Thaçi.

Ai shtoi se në përfundim të procesit ka vetëm një kërkesë për trupin gjykues.

“Sot, në përfundim të këtij procesi, kam vetëm një lutje për të nderuarit gjyqtarë: që vendimi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ligjet, provat dhe faktet e paraqitura. Provat e paraqitura nuk qëndrojnë, prandaj i vetmi vendim i drejtë është pafajësia”, u shpreh Thaçi.

Thaçi: Shpresa jonë e vetme ishte SHBA dhe NATO – pa ndërhyrjen e tyre, Kosova nuk do të ishte e lirë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në vazhdim të deklaratës së tij para trupit gjykues në Hagë, tha se misioni i popullit të Kosovës gjatë luftës ishte i qartë: mbijetesa, liria dhe paqja.

“Misioni ynë si popull ishte i qartë – mbijetesa, liria dhe paqja. Shpresa jonë e vetme për shpëtim ishte bota demokratike, SHBA dhe NATO”, deklaroi Thaçi.

Ai theksoi se fokusi i tij kryesor kishte qenë ndërtimi dhe forcimi i kësaj aleance, duke shtuar se kishte udhëtuar në disa kryeqytete evropiane për të bindur liderët perëndimorë për kauzën e Kosovës.

“Për këtë qëllim kam udhëtuar në Londër, Paris, Bruksel dhe Berlin, por kudo që isha, kam qenë në kontakt me zyrtarët amerikanë”, u shpreh ai.

Thaçi përsëriti qëndrimin e tij se luftën në Kosovë e kishte nisur regjimi i atëhershëm serb, i udhëhequr nga Slobodan Milosheviqi, ndërsa sipas tij, kosovarët vetëm po mbroheshin.

“Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO dhe ashtu ndodhi. Po të mos ishte ndërhyrja e NATO-s, liria e Kosovës nuk do të kishte ardhur”, theksoi Thaçi.

Thaçi në Hagë: I vetmi kundërshtar i imi dhe i popullit të Kosovës ishte Millosheviqi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të Prokurorisë gjatë procesit gjyqësor në Hagë, duke i cilësuar ato si thellësisht ofenduese për historinë e luftës në Kosovë.

“Pretendimi i prokurorisë për marrjen e kontrollit në Kosovë është thellësisht ofendues. Është ofendim për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për liri, ofendim për dhjetëra mijëra viktima të pafajshme të vrara gjatë masakrave, si dhe i padrejtë për përpjekjet e NATO-s dhe aleancës perëndimore, me të cilët unë bashkëpunova ngushtë”, deklaroi Thaçi.

Në vazhdim të fjalës së tij, ai theksoi se sipas bindjes së tij, përgjegjësia për ngjarjet në Kosovë i takon regjimit të atëhershëm serb.

“Më lejoni të përsëris një të vërtetë të përjetshme: i vetmi, ama bash i vetmi kundërshtar i imi, i popullit të Kosovës dhe i botës demokratike ishte Slobodan Millosheviqi”, u shpreh ai para trupit gjykues.

Deklaratat e Thaçit u bënë në kuadër të paraqitjes së tij në gjykatë, ndërsa procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Thaçi: Për vendimin tim në 1998 jam krenar – nuk do të rrija duarkryq përballë shfarosjes së popullit tim

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në vazhdimin e fjalës së tij para trupit gjykues në Hagë, theksoi se vendimi për t’u kthyer në Kosovë në vitin 1998 ishte krejtësisht i tij dhe se për këtë ndjehet krenar.

Në deklaratën e tij, Thaçi akuzoi regjimin e atëhershëm serb për plane shfarosëse ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Slobodan Milošević, plane për një gjenocid tjetër, për një gjenocid të ri në Kosovë”, u shpreh ai.

Thaçi tha se, si shumë qytetarë të tjerë kosovarë, ishte detyruar më herët ta lëshonte Kosovën për shkak të ndjekjes nga regjimi serb, i cili – sipas tij – e kishte dënuar në mungesë. Ai shtoi se i njëjti regjim kishte dënuar në mungesë edhe udhëheqës perëndimorë si ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeleine Albright, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder dhe ish-presidentin francez Jacques Chirac.

Duke folur për periudhën e luftës, Thaçi theksoi se nuk mund të qëndronte indiferent përballë masakrave ndaj popullit shqiptar në Kosovë.

“Vendosa të kthehem në Kosovë në pranverën e vitit 1998. Ky vendim ishte krejtësisht i imi, sepse nuk mund të qëndroja anash derisa familja dhe populli im përballeshin me shfarosje. Bëra atë që do ta bënte secili prej jush nëse vendi dhe populli juaj do të përjetonin atë që përjetoi populli im. Për këtë jam shumë krenar dhe nuk bie pishman asnjëherë”, deklaroi Thaçi.

Thaçi nga Haga: “Akuzat nuk qëndrojnë, jam plotësisht i pafajshëm”

Në seancën e fundit, ku po paraqiten fjalët pëmbyllëse në Hagë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi para trupit gjykues se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë dhe se ai është plotësisht i pafajshëm.

“Të nderuar gjyqtarë, për gati tri vite në këtë sallë gjyqi i keni dëgjuar akuzat e prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju i keni parë faktet, ju e keni dëgjuar të vërtetën dhe është vetëm një e vërtetë: që akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm. E kam thënë dhe e them sërish me bindje të plotë”, u shpreh Thaçi.

Ai shtoi se ndjen keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

“Unë e bashkëndjej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, tha ai.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe ka hyrë në një fazë të rëndësishme pas paraqitjes së argumenteve të palëve.

Mbrojtja e Krasniqit: Provat tregojnë pafajësinë e tij, ZPS po ndryshon qëndrime

Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, kërkoi nga trupi gjykues që ta shpallin klientin e tij të pafajshëm, duke theksuar se provat nuk e lidhin Krasniqin me përgjegjësitë e pretenduara.

Ellis kritikoi Prokurorinë e Specializuar (ZPS) për ndryshimin e qëndrimeve lidhur me përgjegjësinë e të akuzuarve bazuar në anëtarësinë e tyre në Shtabin e Përgjithshëm. “Vetë kryeprokurorja kishte thënë se për fajësim nuk kërkohet vetëm anëtarësia në shtab, por të hënën prokurorët e përdorën këtë argument,” tha Ellis.

Ai theksoi se për çdo kontribut në NPK përgjegjësia duhet të identifikohet individualisht, përndryshe rasti i tërë duket sikur është kundër Shtabit të Përgjithshëm dhe jo katër të akuzuarve.

Ellis hodhi poshtë pretendimet e ZPS-së se Krasniqi kishte qenë epror i Bislim Zyrapit, duke theksuar se Zyrapi vetë ka pranuar se ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. “Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, që ishin të informuar me tituj ushtarakë, i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin shef i shtabit. Kemi dëgjuar këtu dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit,” tha Ellis, duke përmendur Naim Malokun, Sokol Bashton dhe Rrustem Mustafën.

Sipas mbrojtjes, ZPS po tenton të minimizojë rolin e Zyrapit dhe duke pretenduar se dëshmia e tij mbi Krasniqin është “i pabazuar”. Seanca u ndërpre për pauzë, dhe pas pushimit pritet që ish-eprorët e UÇK-së të deklarohen.

Roberts: ZPS-së i vjen turp për argumentet ndaj Selimit

Avokati i  Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Specializuar (ZPS) për mënyrën se si ka paraqitur argumentet kundër klientit të tij.

“ZPS-së vetë i vjen turp për argumentet e veta për Selimin. Nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër si nga parashtrimet e së hënës, ashtu edhe nga dosja e tyre përfundimtare. Nëse vetë Prokuroria nuk është e bindur për argumentet e veta për Selimin, si mund t’iu bind ju?”, tha Roberts në nisje të fjalës së tij.

Ai theksoi se mbrojtja konsideron se pretendimet e ZPS-së janë të dobëta dhe të paqëndrueshme, duke lënë të kuptohet se klienti i tij nuk ka asnjë rol të vërtetuar në akuzat e ngritura.

Dixon: Nuk ka prova që Veseli ka qenë pjesë e NPK-së, thashethemet nuk vlejnë

Avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Rodney Dixon, deklaroi se nuk ekzistojnë prova që lidhin klientin e tij me Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale. Dixon theksoi se Veseli ka qenë për periudha të gjata jashtë vendit dhe, edhe kur ndodhej në Kosovë, ka marrë pjesë në shumë pak takime dhe ka vizituar rrallë Shtabin e Përgjithshëm.

“Veseli nuk ka komanduar ndonjë strukturë të inteligjencës apo askënd dhe nuk ka qenë aktiv në Drejtorinë Politike. Madje, as anëtarësia në këtë drejtori nuk është vërtetuar. Ai nuk ka pasur role kriminale,” tha Dixon.

Mbrojtësi i Veselit kritikoi gjithashtu përdorimin e një videoje nga ZPS, ku një dëshmitar pretendonte se kishte dëgjuar nga dikush se Veseli ishte përfshirë në krime. “Ky është thashethem i pastër. Ky klip është i pavlerë dhe mbrojtja nuk ka mundur ta marrë në pyetje këtë dëshmitar,” shtoi ai.

Dixon theksoi se gjykata nuk mund të shpallë fajtor një person në bazë të “provave të patestuara dhe thashethemeve”. Ai ripërsëriti se ZPS nuk ka asnjë provë që lidh Veselin me krimet e pretenduara dhe se të gjitha argumentet kundër tij janë të pabazuara.

Si shembull, mbrojtja kundërshtoi edhe dëshminë e një dëshmitari për ndalimet në Kleçkë, duke e konsideruar si “thashethem” dhe jo si provë të vlefshme.

Në fund, Dixon deklaroi se përpjekja e fundit e ZPS-së për ta lidhur Veselin me pikat e aktakuzës, e bërë të hënën, nuk ka ofruar prova të reja që të ndryshojnë këtë situatë.

Mishetiq: Nuk ka asnjë provë që Thaçi ka hartuar apo shpërndarë komunikatat e UÇK-së

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë provë që e lidh klientin e tij me kryerjen e krimeve apo me transmetimin e “qëllimit të përbashkët kriminal” të të akuzuarve.

Sipas Mishetiqit, nuk ka asnjë dëshmi që Thaçi të ketë pasur rol në hartimin apo shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke theksuar se provat janë mbajtur të fshehura deri në dosjen përfundimtare, ndonëse dihej se mbrojtja do t’i kundërshtonte ato.

“Një problem tjetër i madh është mënyra e paraqitjes së provave dhe argumentimit ligjor nga ZPS-ja, duke i fshehur provat deri në dosjen përfundimtare. ZPS-ja i kuptoi boshllëqet e saj vetëm në javën e fundit, kur u paraqitën parashtrimet e mbrojtjes, dhe tani në kundërpërgjigje po ndryshon paraqitjen e saj si përpjekje për t’i mbushur këto boshllëqe”, tha ai.

Mishetiq solli si shembull pretendimet e ZPS-së se çështja e “kundërshtarëve” dhe “luftës speciale” është diskutuar vazhdimisht në mbledhjet e Shtabit të Përgjithshëm. Ai theksoi se mbrojtja ka analizuar procesverbalet e 16 gushtit dhe 29 dhjetorit, ndërsa në dosjen përfundimtare përmenden edhe takime të tjera, si ato të 23 korrikut, 12 dhe 13 nëntorit, si dhe 20 dhe 30 dhjetorit 1998.

Sipas tij, këto takime janë cituar për të mbështetur paragrafin 25 të dosjes përfundimtare, por mbrojtja pretendon se ato nuk janë referuar më herët në mënyrë të qartë. “Nuk mund të pritet nga Thaçi që të trajtojë apo kundërshtojë prova që nuk janë përmendur nga ZPS-ja”, përfundoi Mishetiq.

Mishetiq: S’ka prova që Thaçi ishte i përfshirë në krime lufte

Avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, deklaroi se mbrojtja ka paraqitur argumente thelbësore që, sipas tij, dëshmojnë mungesën e provave për përfshirjen e ish-presidentit në krime lufte. Ai theksoi se nuk ekziston asnjë raport nga kryerësit e pretenduar të krimeve që e lidh Thaçin me veprime të paligjshme, si dhe nuk ka prova të besueshme që ai të ketë pasur rol në hartimin apo shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së apo në transmetimin e të ashtuquajturit “qëllim i përbashkët kriminal”.

Mishetiq shtoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ofruar shpjegim racional për pretendimet se qëllimi i përbashkët kriminal është transmetuar përmes komunikatave, ndërsa theksoi se dëshmitë e paraqitura nga dëshmitarë ndërkombëtarë dhe pjesëtarë të UÇK-së nuk e implikojnë Thaçin në krime lufte apo në ndonjë politikë të pretenduar kundër kundërshtarëve. “Nuk ka asnjë raport nga kryerësit e krimeve për Hashim Thaçin… nuk ka prova të besueshme që ai kishte rol në përgatitjen dhe shpërndarjen e komunikatave,” u shpreh Mishetiq, duke shtuar se “ZPS-ja të hënën nuk kishte kundërpërgjigje apo argumente për t’i hedhur poshtë këto pika themelore.”

Simon Laws: S’kemi detyrim të provojmë lidhjen e Selimit me krimet

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka nisur t’u përgjigjet pretendimeve të palëve, duke kundërshtuar qëndrimin e mbrojtjes së Rexhep Selimi se nuk është dëshmuar lidhja mes krimeve të pretenduara dhe të akuzuarit. Ai theksoi se “trupi gjykues nuk përballet me pyetjen nëse vuajtja ka ndodhur, por nëse ka prova që lidhin në mënyrë të ligjshme këtë vuajtje me krimet për të cilat akuzohet Rexhep Selimi”. Sipas tij, mbrojtja ka ngritur dy pretendime kryesore: “se nuk kemi vërtetuar lidhjen midis dëmit të pësuar nga viktimat dhe krimeve për të cilat janë ngritur akuza” dhe “se nuk kemi vërtetuar lidhjen midis krimeve dhe të akuzuarit Selimi”.

Në përgjigjen e tij, Laws u shpreh se “nuk ka kriter apo kusht ligjor për ne që të vërtetojmë ekzistencën apo lidhjen në mes krimeve dhe Selimit, jo në këtë fazë dhe në fakt në asnjë fazë”. Ai shtoi se pala që përfaqëson “nuk është përpjekur të vërtetojë një krim në lidhje me Selimin”, pasi roli i saj është të paraqesë informacione dhe prova për dëmin e viktimave. “Nuk është puna jonë të vërtetojmë akuzat kundër Selimit, ajo është punë e prokurorisë”, përfundoi ai.

Hagë: Seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Në gjashtë seancat paraprake, fjalët përmbyllëse janë paraqitur nga prokurorët, ekipet mbrojtëse dhe mbrojtësi i viktimave, ndërsa më pas trupi gjykues ka parashtruar pyetje për palët. Siç u bë e ditur në seancën e së hënës, sot radhën për paraqitjen përfundimtare e ka mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Katër të akuzuarit kanë gjithashtu të drejtën që të deklarohen sot para trupit gjykues. Në Hagë janë të pranishëm familjarë të tyre, si dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili përfaqëson Qeverinë e Kosovës.

Para nisjes së seancës, Konjufca deklaroi se gjykata ka shkelur të drejtën e të akuzuarve për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, duke theksuar se ata prej më shumë se pesë vitesh mbahen në paraburgim në Hagë. Ai e cilësoi gjykatën si një entitet që, sipas tij, ka pasur fokus të padrejtë ndaj UÇK-së.

“Unë jam këtu për të konfirmuar se lufta jonë ishte e drejtë, e pastër, mbrojtëse, nuk ka qenë luftë kundër asnjë populli tjetër. Targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe”, tha Konjufca. Ai shtoi se shpreson që “verdikti të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e UÇK-së”.

Ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.

Seanca e sotme zhvillohet një ditë pasi, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katërshes dhe për të kërkuar një proces gjyqësor të drejtë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, kërkesë që ekipet mbrojtëse e kanë cilësuar si të barasvlershme me burgim të përjetshëm.

Zhvillimet nga Gjykata Speciale në Hagë pritet të vijojnë gjatë ditës. /REL/

Continue Reading

lajme

Trump në OKB mes sfidave globale: Paqe me Iranin apo shkatërrim total, negociata për Ukrainën dhe marrëveshja për Grenlandën

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka adresuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së një nga fjalimet e tij më të forta diplomacisë ndërkombëtare, ku deklaroi se përballet me një “vendim të madh” sa i përket konfliktit me Iranin: arritjen e një marrëveshjeje paqësore ose shkatërrimin e plotë ushtarak të tij.

Gjatë fjalimit para një salle të mbushur plot, Trump mbrojti ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Teheranit, duke theksuar se kjo parandaloi pajisjen e Iranit me armë bërthamore. Ai bëri të ditur se pret një marrëveshje të mundshme menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit, ndërsa vuri në pah diplomacinë shtrënguese.

“A do të arrihet një marrëveshje me Iranin që i lejon ata të rindërtohen? Apo ta shkatërroj Republikën Islamike shpejt, duke mos u dhënë më kurrë mundësi të vrasin e të shkatërrojnë? A t’i çoj ata direkt në ferr?”, u shpreh Trump nga foltorja e OKB-së.

Pavarësisht retorikës së ashpër, prapaskenat e OKB-së shënuan lëvizje intensive diplomatike. Përfaqësuesit amerikanë dhe ata iranianë zhvilluan takime përmes ndërmjetësimit të Katarit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit konfirmoi negociatat indirekte, duke theksuar se kushti i Teheranit mbetet ndalimi i agresionit amerikan.

Përveç krizës me Iranin, Trump preku edhe çështje të tjera kyçe globale:

Lufta në Ukrainë: Trump parashikoi përfundimin e shpejtë të konfliktit Rusi-Ukrainë, duke njoftuar se po punon ngushtë me udhëheqësit e të dyja vendeve. Në këtë kuadër, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të takojë Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Marrëveshja për Grenlandën: Në margjinat e asamblesë, Trump nënshkroi një marrëveshje ushtarake tripartitake me Danimarkën dhe Grenlandën, e cila ruan sovranitetin e ishullit arktik por i jep SHBA-së qasje të gjerë në hapësirën ajrore dhe detare.

Inteligjenca Artificiale: Trump hodhi poshtë frikën ndaj teknologjisë së re, duke propozuar që Inteligjenca Artificiale të riemërohet në “Super Inteligjencë” dhe zotoi se SHBA-ja do të ruajë udhëheqjen ndaj Kinës.

Kritika ndaj OKB-së: Presidenti amerikan hodhi poshtë konceptin e një “qeverie globale”, duke kritikuar burokracinë e OKB-së dhe duke theksuar sovranitetin kombëtar dhe fuqinë ushtarake amerikane.

Fjalimi i Trumpit erdhi menjëherë pas mesazhit lamtumirës të Sekratarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, i cili paralajmëroi për thellimin e ndarjeve globale dhe kërkoi nga fuqitë e mëdha të njohin kufijtë e ndikimit të tyre. /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Liderët botërorë mblidhen në OKB: Në fokus Lindja e Mesme, Ukraina dhe IA

Published

on

By

Dhjetëra liderë botërorë do të mblidhen këtë javë në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York për të marrë pjesë në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme. Vëmendja kryesore e diskutimeve pritet të përqendrohet në tensionet në Lindjen e Mesme mes SHBA-së dhe Iranit, luftën në Ukrainë, si dhe sfidat e inteligjencës artificiale.

Punimet do të hapen nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dhe presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, ndërsa ndër folësit e parë do të jetë edhe presidenti amerikan Donald Trump. Gjatë kësaj seance, fjalën do ta marrin 13 udhëheqës shtetërorë, përfshirë presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe atë francez Emmanuel Macron.

Në Nivelin e Lartë të këtij sesioni po marrin pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Meqenëse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, delegacioni nga Prishtina nuk do t’i adresohet Asamblesë, por do të zhvillojë takime dypalëshe në margjinat e kësaj ngjarjeje ndërkombëtare. /BBC/

 

Continue Reading

Live

Të paktën 8 të plagosur nga të shtënat me armë afër një shkolle në Turqi

Published

on

By

Të paktën tetë persona kanë mbetur të plagosur, prej të cilëve njëri në gjendje të rëndë, pasi një person i armatosur hapi zjarr të martën në afërsi të një shkolle të mesme në Turgutlu të provincës Manisa, në perëndim të Turqisë.

Sipas zyrës së guvernatorit lokal, sulmi ndodhi rreth orës 07:59. I dyshuari shtëni pranë hapësirës së shkollës dhe u largua nga vendngjarja, por u kap dhe u arrestua me shpejtësi nga forcat e sigurisë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet mjekësore dhe ato policore, ndërsa autoritetet kanë rritur masat e sigurisë përreth zonës.

Motivet e këtij sulmi mbeten ende të panjohura.

Ky incident pason një seri ngjarjeve të ngjashme tragjike në shkollat e Turqisë. Në prill, një 14-vjeçar vrau 9 nxënës dhe një arsimtar në provincën Kahramanmaraş, ndërsa në një tjetër rast në Şanlıurfa, një ish-nxënës plagosi 16 persona para se të kryente vetëvrasje. Ngjarjet kanë nxitur reagime të forta publike, duke shtyrë presidentit Recep Tayyip Erdoğan të paralajmërojë masa të reja ligjore për kufizimin e posedimit të armëve.

 

Continue Reading

Lajmet

Kryeministri i Lituanisë: Kemi plane evakuimi nga Rusia, por nuk dorëzohemi

Published

on

By

Kryeministri i Lituanisë i ka deklaruar BBC-së se vendi i tij ka hartuar plane evakuimi përballë kërcënimeve nga Rusia, por shtoi se “nuk do të dorëzohen” nëse sulmohen.

Kryeministri Mindaugas Sinkevičius tha për emisionin Newsnight se lituanezët ndihen “vazhdimisht të kërcënuar” nga Rusia, pjesërisht për shkak të hyrjes së dronëve në hapësirën e tyre ajrore.

Ai deklaroi se nëse vendi i tij sulmohet, “ne do të kundërpërgjigjemi… do të hyjmë në luftë”. Megjithatë, ai tha se ekzistojnë plane për “skenarë nga më të ndryshmit” dhe mori si shembull largimin e qytetarëve të moshuar nga qytetet “në mënyrë të qetë” dhe pa shkaktuar bllokime në trafik.

Lituania, anëtare e NATO-s, ndan kufi tokësor me enklavën ruse të Kaliningradit.

“Po mendojmë për skenarë të ndryshëm, jo të gjithë po diskutohen publikisht,” tha Sinkevičius për BBC-në. “Përballemi me kërcënime konkrete, ndoshta jo çdo ditë, por po i përjetojmë ato dhe kjo është një realitet i vërtetë për ne.”

Sinkevičius shtoi gjithashtu se Mbretërisë së Bashkuar i nevojitet një “ndryshim mendësie” sa i përket qasjes ndaj mbrojtjes, duke vënë në me dukje se Lituania është “më afër kufirit dhe më afër kërcënimit”.

Incidentet e shpeshta me dronë

Deklarata vjen vetëm një javë pasi pilotët e avionëve luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron që hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë. Megjithëse origjina e dronit nuk është konfirmuar zyrtarisht, Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, tha për emisionin Newshour se ai erdhi nga drejtimi i Bjellorusisë, fqinjit të Lituanisë dhe aleatit kyç të Rusisë.

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Wes Streeting, u shpreh: “Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të forcave lituaneze dhe italiane, NATO edhe një herë dëshmoi gatishmërinë tonë për të mbrojtur hapësirën tonë ajrore. Ne qëndrojmë të bashkuar, 24 orë në ditë, në mbrojtje të çdo pëllëmbe të territorit të NATO-s.”

Moska nuk e ka komentuar këtë incident.

Shkeljet e hapësirës ajrore nga dronët ushtarakë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në mbarë Evropën që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Në maj, banorët e kryeqytetit të Lituanisë, Vilnius, u detyruan të strehoheshin pasi u aktivizua një alarm për dronë, gjë që pezulloi përkohësisht fluturimet dhe qarkullimin hekurudhor.

Po ashtu, gjatë këtij viti, avionët luftarakë të NATO-s janë ngritur me urgjencë disa herë për të rrëzuar dronë ukrainas të devijuar që kanë kaluar në vendet e tjera baltike, Estoni dhe Letoni.

 

Continue Reading

Të kërkuara