Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të martën ishte planifikuar të dëshmonte dëshmitari i 126-të, por ai nuk ishte në gjendje që të shkojë në Hagë sot.

Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë që do të kërkojë që dëshmia e tij të pranohet sipas Rregullës 155.
“Sot si rregull do të kishim filluar që të dëgjonim dëshminë e dëshmitarit të Prokurorisë W04747. Sidoqoftë, dëshmitari nuk është në gjendje të vijë sot dhe ZPS-ja do kërkojë që dëshmia e tij të pranohet sipas Rregullës 155”, tha Smith.
Në këtë Rregull, përcaktohet se gjykatësit mund të pranojnë një deklaratë ose transkriptë me shkrim të dëshmitarit, pa u paraqitur dëshmitari në gjykatë, nëse ai është i padisponueshëm.
Parashtrimet e saj, ZPS-ja i bëri në seancë private për publikun.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjyqit, përveç Jakup Krasniqit i cili po e ndiqte seancën përmes video-lidhjes.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimiperDrejtesi/