Lajmet

Kroaci: 10 persona të vdekur pas aksidentit me autobus, arrestohet shoferi

Përveç 10 të vdekurve, 44 persona janë plagosur, 15 prej tyre në gjendje të rëndë, ka njoftuar kjo Ministri.

Published

on

Dhjetë persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur të dielën, pas daljes nga rruga të një autobusi me targa të Kosovës, në autostradën afër Sllavonski Brodit në Kroaci.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Përveç 10 të vdekurve, 44 persona janë plagosur, 15 prej tyre në gjendje të rëndë, ka njoftuar kjo Ministri.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.

Kjo ministri ka ngushëlluar familjarët e viktimave dhe u ka dëshiruar shërim të shpejtë të plagosurve.

Ende nuk dihet se cili është shkaku i aksidentit.

Arrestohet shoferi

Zëvendës-Prokurori i Shtetit Komunal Sllavko Pranjiq, ka thënë se shoferi, i cili është gjetur në vendin e ngjarjes, është arrestuar ndërkohë.

“Shoferi është arrestuar nën dyshimin për drejtim të automjetit në mënyrë jo të duhur. Shkaqet e daljes nga rruga të autobusit do të përcaktohen kur të merren provat, ka thënë ai.

Pranjiq ka thënë po ashtu se përgjatë dëshmisë së tij, shoferi ka thënë se ka rënë në gjumë për një moment.

“Por ne do të përcaktojmë gjithçka më vonë”, ka thënë mes tjerash Pranjiq.

Më herët, drejtori i Mbrojtjes Civile Kroate, Damir Trut, u ka thënë gazetarëve se nëntë pasagjerë dhe një shofer kanë vdekur, duke deklaruar se në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë.

Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Berosh, ka thënë në vendin e aksidentit se, në autobus kanë qenë 15 të mitur, prej të cilëve, një vajzë e plagosur rëndë.

Policia kroate e ka konfirmuar më herët se autobusi ka qenë me targa të Kosovës.

“Gjatë hetimit, policia ka konstatuar se bëhet fjalë për një autobus me tabela të Kosovës dhe sipas informacionit që kemi aktualisht, dhjetë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë dërguar në spitalin në Sllavonski Brod për trajtim mjekësor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Brod Posavina, Damir Breziq, për Radio Televizionin Kroat (HRT).

Sipas tij, situata është shumë e vështirë dhe se shumë persona janë në rrezik për jetën.

Shefi i policisë së trafikut në Sllavonski Brod, Franjo Galiq, u ka thënë gazetarëve se policia ka marrë raportime më 25 korrik në orën 6:20, se një autobus ka dalë nga rruga.

“Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, është përcaktuar se ishte një autobus me targa të regjistrimit të Kosovës, i cili po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë”, ka thënë Galiq.

Aksidenti ka ndodhur afër shtëpizës për pagesë të rrugës.

Osmani, Kurti: Aksident tragjik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur tragjik, lajmin për aksident.

“Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!

Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë”, ka thënë Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ende nuk ka konfirmime zyrtare për detajet e aksidentit.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook.

Continue Reading

Vendi

Kosova ekstradon në Gjermani një shtetas të kërkuar përmes INTERPOL-it për trafikim droge

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar sot me sukses ekstradimin e një shtetasi gjerman drejt vendlindjes së tij, i cili kërkohej me letër-rreshtim ndërkombëtar. Operacioni u udhëhoq nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim të plotë me njësitë e tjera të policisë dhe institucionet e drejtësisë në vend.

I dyshuari me inicialet A.R. ishte arrestuar më parë në Kosovë, pasi autoritetet e drejtësisë në Gjermani kishin lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar përmes INTERPOL-it. Ai ngarkohet me veprën penale “Trafikim me narkotikë”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, ky ekstradim u krye në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, duke dëshmuar edhe një herë bashkëpunimin e ngushtë dhe efikas në fushën e sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci nga Kroacia: FSK dëshmoi profesionalizëm të lartë në stërvitjen ndërkombëtare “Combat Power 26”

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar në kuadër të stërvitjes së madhe ndërkombëtare “Combat Power 26”, e cila u zhvillua në Slunj të Kroacisë. Ky aktivitet 11-ditor bëri bashkë mbi 3,000 ushtarakë nga vendi mikpritës dhe qindra pjesëtarë nga vendet aleate e partnere, përfshirë SHBA-në, Italinë, Shqipërinë e Slloveninë.

Në këtë stërvitje, Republika e Kosovës u përfaqësua nga një kontingjent prej 45 ushtarakësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elemente të mbështetjes logjistike. Ministri Maqedonci u shpreh i ndjerë mjaft krenar me performancën e ushtarëve kosovarë, duke theksuar se ata dëshmuan disiplinë të lartë në terrene sfiduese dhe konfirmuan se FSK zotëron kapacitetet e plota për të operuar krah për krah me ushtritë e NATO-s.

Si një pikë të veçantë të progresit, ministri veçoi avancimin në fushën e qëndrueshmërisë logjistike, specifikisht në shërbimet e ushqimit. Ai bëri të ditur se nga varësia prej operatorëve privatë që ishte para një viti, FSK sot ka ndërtuar kapacitete të plota organike, sa që kuzhinierët ushtarakë kosovarë ofruan mbështetje ushqimore edhe për forcat partnere gjatë këtij ushtrimi.

Në fund, Maqedonci rikonfirmoi se bashkëpunimi strategjik me Kroacinë është i ndërtuar mbi një miqësi të sinqertë mes dy popujve. Ai porositi se Kosova po forcon çdo ditë kapacitetet e saj mbrojtëse dhe mbetet një partner i besueshëm që kontribuon me përgjegjësi për sigurinë dhe paqen në rajon e më gjerë. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Kosova humb mbi 40 milionë euro nga BE-ja për shkak të mosmiratimit të reformave në Kuvend

Published

on

By

Kosova pritet të humbasë një pjesë të konsiderueshme të fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Për shkak të mospërmbushjes së reformave të parapara brenda afatit shtesë, që ishte deri më 30 qershor 2026, vendi do të mbetet pa mbi 40 milionë euro nga totali prej 882 milionë eurosh që i takonin.

Lajmin e bëri të ditur koordinatori kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike (IRRrE), Jeton Zulfaj, gjatë një konferencë për media të mbajtur këtë të mërkurë, më 1 korrik. Ai sqaroi se nga 13 hapat reformues që kishin afat shtesë, vetëm shtatë u zbatuan, ndërsa gjashtë të tjerë mbetën të papërfunduar. Sipas Zulfajt, paratë për këta hapa të dështuar humbin përgjithmonë dhe nuk mund të rikuperohen më.

Dështimi kryesor rëndon mbi Kuvendin e Kosovës, pasi rreth 83 për qind e reformave të papërmbushura vareshin pikërisht nga miratimi i ligjeve në parlament. Ndër reformat ligjore që nuk u përfunduan në kohë janë: Ligji për Energjinë dhe Energjinë Elektrike; Sistemi i kontrollit të ndihmës shtetërore; Ligji për Inovacionin dhe ai për Kamatëvonesat; Pakoja e ligjeve për reformën në drejtësi (përfshirë KPK-në dhe KGJK-në); Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar

Pavarësisht kësaj humbjeje, Kosova do të dorëzojë më 16 korrik kërkesën e parë zyrtare tek Komisioni Evropian për të tërhequr fondet për 15 reformat që janë përmbushur me sukses deri në fund të qershorit. Në total, Agjenda e Reformave përmban 111 hapa, ku 49 prej tyre janë ende në proces zbatimi, e ku 27 hapa të tjerë pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti. /E,A/

 

Continue Reading

Lajmet

UBT në Prizren hap dyert për studentët e rinj: Gjashtë drejtime në kampusin më inovativ në rajon

Published

on

By

UBT si institucion lider i arsimit të lartë në Kosovë ofron mundësi të shkëlqyera studimi edhe në Prizren, duke sjellë kampusin më inovativ në rajon më afër studentëve që synojnë një karrierë të suksesshme.

Përmes një gërshetimi të teknologjisë moderne dhe programeve cilësore, ky kampus është shndërruar në një pikënisje të rëndësishme për formësimin e kuadrove të reja dhe lidhjen e tyre direkte me tregun e punës.

Për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të sigurojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe profesionale, UBT në Prizren ofron gjashtë drejtime studimi mjaft të kërkuara.

Të rinjtë mund të studiojnë në programin e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë për t’u bërë pjesë e industrisë globale të teknologjisë, apo në Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor për të projektuar mjediset e të nesërmes.

Gjithashtu, profilet si Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, së bashku me Fakultetin Juridik, ofrojnë përgatitje të lartë për udhëheqje biznesi dhe fushën e drejtësisë.

Për më tepër, studentët e pasionuar pas fushave specifike dhe krijuese kanë në dispozicion programet Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, si dhe Dizajnin. 

Drejtori i kampusit të UBT-së në Prizren, Vehbi Sofiu, potencoi se ky kampus është projektuar për t’iu përgjigjur kërkesave më të mëdha të tregut.

“Përmes programeve inovative dhe kampusit modern brenda ITP-së, synimi ynë është t’u ofrojmë të rinjve të Prizrenit arsim të standardeve botërore direkt në qytetin e tyre. I ftoj të gjithë studentët e rinj të bëhen pjesë e UBT-së, ku talenti shndërrohet në sukses dhe ku ne së bashku formësojmë liderët e së nesërmes”, shprehet Sofiu.

Ndërsa, reputacioni ndërkombëtar i UBT-së është konfirmuar fuqishëm në rangimin global WURI, ku UBT është renditur si universiteti numër një në botë për nga brendi dhe reputacioni, si dhe është vlerësuar me titullin prestigjioz “Engaged University of the Year” para shumë universiteteve të njohura botërore.

Ky kampus përfaqëson një kryeqendër të vërtetë të mundësive, jo vetëm për studentët nga Prizreni por edhe nga qytetet tjera si Kukësi, Suhareka, Rahoveci, ku talenti dhe përkushtimi i secilit student shndërrohen në sukses të garantuar.

Profesioni që keni ëndërruar tashmë gjendet në qytetin tuaj, duke ju ofruar të gjitha mjetet e nevojshme që idetë tuaja të marrin formë dhe vlerë.

Siguroni vendin tuaj në kohë dhe filloni rrugëtimin tuaj akademik në institucionin që udhëheq me inovacionin.

Aplikimi është i hapur dhe mund të realizohet plotësisht online përmes platformës zyrtare: apliko.ubt-uni.net

 

Continue Reading

Të kërkuara