Lajmet

Kriza në veri të Kosovës, Serbia mes Rusisë dhe Perëndimit

Vizita e ambasadorit rus tek njësitë ushtarake nuk ishte e menduar mirë.

Published

on

Kriza në veri të Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta në Beograd. Vizita e ambasadorit rus tek njësitë ushtarake nuk ishte e menduar mirë. Serbia do të paguajë faturën.

Tensionet në vendkalimet kufitare (vendkalime administrative, siç i quan pala serbe) Jarinje dhe Bërnjak po vazhdojnë për më shumë se dhjetë ditë me radhë. Ndërkohë po vazhdon edhe një aktivitet i shtuar diplomatik në trekëndëshin Beograd-Prishtinë-bashkësia ndërkombëtare për të qetësuar gjendjen. Kosova po përpiqet ta paraqesë krizën e fundit si një çështje teknike që lidhet me reciprocitetin rreth targave. Ndërsa në Beograd thuhet se dërgimi i njësisë speciale Rosu në veri paraqet provokim dhe rrezik për serbët e atjeshëm. Ndërkohë edhe Beogradi ka dërguar ​njësitë e veta ushtarake, automjete të blinduara dhe helikopterë në afërsi të pikëkalimeve. Ka pasur madje edhe fluturime të avionëve në afërsi të vijës kufitare. Në veri është rritur edhe prania e KFOR-it. E shqetësim për situatën në veri ka shprehur edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, e cila vizitoi (29.09) Kosovën dhe Serbinë.

Lëvizjet e trupave po shoqërohen me retorikën e ashpër të Beogradit zyrtar, e kjo retorikë mund të interpretohet pjesërisht edhe si mburrje boshe e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili i ka vënë ultimatum NATO-s, “se nëse fillon pogromi në Kosovë dhe Metohi dhe nëse NATO nuk reagon, ne do të regaojmë brenda 24 orësh”. Vuçiq thotë se në një takim me ambasadorët perëndimorë, ai “ka kritikuar ashpër një ambasador të një vendi shumë të fuqishëm perëndimor”, për të cilin thotë se  e ka pyetur “a është njeri normal dhe a doni të vendosni ju se ku i vendosim ne njësitë tona në territorin e Serbisë qendrore?”

Por ka pasur edhe disa gjëra të pazakonshme diplomatike, për të cilat nuk ka pasur asnjë shpjegim zyrtar. Presidenti i Serbisë ka takuar ambasadorët e Quintit. Por e ka anuluar takimin me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës. Më pas u njoftua nga zyra e tij se “takimi është shtyrë për shkaqe shëndetësore dhe se presidenti i Serbisë do të takohej paradite me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës”.

Forcimi i sovranitetit

Edhe në këtë rast u dëshmua se për situatën kemi një përgjegjësi të trefishtë, thotë analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, në një deklaratë për Deutsche Welle-n. Ai shton se “edhe këtu kemi të bëjmë me një përpjekje për të forcuar sovranitetin e Kosovës, përmes futjes së reciprocitetit me targat”.

“Brukseli mban përgjegjësinë, sepse nuk ka bërë më shumë për të siguruar lirinë e lëvizjes. Tani po shohim se edhe problemi më i vogël i pazgjidhur ka një potencial të madh për konflikt, kur mbetet në duart e politikanëve të hidhëruar në Beograd dhe Prishtinë”, thotë Jakshiq. Ai “ka frikë se askush nuk do të marrë mësime nga kjo, sepse udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës po i përdorin këto gjëra për të promovuar guximin e tyre personal dhe për të krijuar imazhin e ‘shpëtimtarit’ të popujve të tyre, në veçanti tani kur Kurtin dhe Vuçiqin i presin zgjedhjet”.

Loja e dakorduar

Sikur edhe në disa situata të tjera, edhe tani në Serbi spekulohet, se “kjo është një lojë për të cilën kanë rënë dakord të dy palët”. Por Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizmin, thotë për DW, se “kjo nuk e zvogëlon rrezikun nga mundësia e përshkallëzimit të gjendjes”.

“Sado që Beogradi dhe Prishtina, por edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, mendojnë se po i mbajnë gjërat nën kontroll, vetëm një incident i vogël është i mjaftueshëm për të hyrë në konflikte serioze”, thotë Popov.

Por Popov shton se “me kriza të tilla bashkësia ndërkombëtare gjithmonë zgjidh ndonjë çështje, për të cilën ajo beson se është me rëndësi, dhe atë në dëm të Serbisë. E gjërat kështu po afrohen drejt rrumbullakosjes së shtetësisë së Kosovës. Në fund mund të ketë ndonjë dokument të përgatitur prej tyre, i cili duhet të nënshkruhet”, pohon drejtori i Qendrës për Rajonalizmin.

Si të shpallet fitorja?

Serbia ka dërguar në këtë zonë edhe avionë Mig dhe automjete të blinduara. Por Jakshiq vëren se “Serbia ishte shumë e kujdesshme që të mos shkelë dispozitat e Marrëveshjes së Kumanovës”. Prandaj, ai i sheh deklaratat e presidentit të Serbisë, “si një akt retorik me synim që situata të mos përshkallëzojë më shumë”. “Beogradi dhe Prishtina dërguan mesazhet që donin, e tani pyetja e vetme teknike është, se si të dyja palët do dalin fitues nga kjo situatë dhe të ruajnë fytyrën.”

Serbia dhe vëllai i saj i madh

Kriza aktuale nuk mund të kalonte pa përzierjen e faktorit rus. Pala shqiptare e shfrytëzoi këtë mundësi për të paralajmëruar nga “ndikimi malinj i Rusisë në rajon”. Ndërsa nga Beogradi ka pasur sinjale konfuze. Si një dëshmi e politikës skizofrene të jashtme të Serbisë konsiderohet edhe deklarata e Dragan Shormaz, anëtar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe shef i delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i cili beson se “Rusia po destabilizon të gjithë rajonin”.

“Rusia nuk mund të bëjë asgjë. Kina nuk mund të bëjë asgjë, BE-ja nuk mund të bëjë asgjë dhe kjo po shihet nga dita në ditë. Rasti ynë me krahinën tonë të Kosovës dhe Metohisë nuk mund të zgjidhet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shteti i vetëm që mund të sjellë rregull në Prishtinë dhe Beograd, pavarësisht nëse i pëlqen dikujt apo jo, është SHBA”, tha Shormaz.

Ky ishte edhe komenti i tij pas paraqitjes së përbashkët të ministrit të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq me ambasadorin rus në Serbi Alexander Bocan Kharçenko, si dhe të dërguarin rus për mbrojtjen, gjeneral-majorin Alexander Zinçenko, tek një njësi të forcave serbe, në bazën ushtarake “Rudnica”.

“Parada e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë me ambasadorin dhe gjeneralin rus më duket si një situatë kur ke problem me dikë, dhe pastaj e sjell vëllanë tënd të madh për të treguar se është dikush që të mbron”, thotë Aleksandar Popov. “Unë mendoj se ajo kishte një karakter pak si karikaturë dhe se kjo më shumë e dëmton sesa e ndihmon Serbinë”, pohon Popov.

Ndërsa Boshko Jakshiq mendon se edhe kjo dëshmon se tek autoritetet në Serbi kemi një rrymë pro-ruse dhe një tjetër pro-perëndimore, por ai paralajmëron se “rryma pro-ruse është në pozicione të rëndësishme”.

“Kur ministri i Mbrojtjes merr ambasadorin rus me vete – e unë jam i bindur që ai e mori ekstra me vete – atëherë kjo nuk është e njëjta gjë sikur kur flet diçka Dragan Shormaz. Unë mendoj se kjo lëvizje nuk ishte e balancuar sa duhet, ishte pa ndonjë takt diplomatik, ishte dritëshkurtër. Kjo vetëm Rusisë i ndihmon që të paraqitet si mbrojtëse e madhe e interesave të Serbisë në Kosovë. Këtë e kanë regjistruar edhe në kryeqytetet perëndimore, të cilat së shpejti do të kërkojnë që Serbia të paguajë faturën”, konstaton Boshko Jakshiq./DW

Continue Reading

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara