Lajmet
Kriza ekonomike e Covid-19
Çfarë këshillash do na jepte një ekonomist brilant, si Xhon Mejnard Kejnes?
Published
5 years agoon
By
Betim GashiNga Eugenio Proto
Kur njerëzit mendojnë për Xhon Mejnard Kejnes, që vdiq 21 prillin e 75 viteve më parë, ata mund të ndalen tek idetë e tij në lidhje me kërkesën në ekonomi, dhe mënyrën se si shpenzimet qeveritare janë thelbësore për të dalë nga një recesion ekonomik.
Ekonomisti më i famshëm i Anglisë, është i njohur si një nëpunës civil unik dhe një këshilltar brilant i Ministrisë britanike të Financave, mendimi i të cilit e dominoi politikën ekonomike në dekadat e mesit të shekullit XX-të. Ai vdiq kur ishte vetëm 62 vjeç, pasi udhëhoqi negociatat maratonë në emër të Mbretërisë sëe Bashkuar mbi sistemin financiar ndërkombëtar të pasluftës dhe marrëveshjen e huasë anglo-amerikane.
Por si një ekonomist i sjelljes njerëzore, unë dua të fokusohem tek një aspekt tjetër më pak të njohur të trashëgimisë së Kejnesit. Pikëpamjet e tij mbi ato që ai i referohej si “shpirtra kafshërore”, ose optimizmit njerëzor, që përfaqësojnë sot një pjesë të rëndësishme të ekonomisë së sjelljes.
Ajo mbështet gjithashtu tek idetë më të famshme të Kejnesit, dhe ka pasoja të rëndësishme për qeveritë, në përpjekjet e tyre për të arritur një rimëkëmbje ekonomike nga pandemia e Covid-19. Kejnes pati meritën e sfidimit të ortodoksisë neoklasike të kohës së tij, sipas së cilës një ekonomi e lënë në gjendjen e vet natyrale, do të arrinte në mënyrë spontane punësimin e plotë në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme.
Aty ku ekonomistët neoklasikë besonin se oferta përcaktonte kërkesën, Kejnes tha se ishte e kundërta. Në vend se çmimet dhe pagat të rregulloheshin vetë gjatë një rënieje ekonomike, në mënyrë që kërkesa të mund të përshtatej shpejt me ofertën, Kejnesi mendonte se tregjet nuk ishin aq të përsosura që ta arrinin vetë këtë.
Në vend të kësaj, kërkesa do të mbetej e ulët dhe ekonomia mund të përjetonte papunësi të zgjatur. Për të lëvizur ekonominë drejt punësimit të plotë, argumentont Kejnes, duhet ndërhyrja e shtetit. Ekonomisti i famshëm, theksoi se pritshmëritë e njerëzve kontribuan në mbajtjen e ulët të kërkesës, dhe pikërisht këtu hyjnë pikëpamjet e tij mbi optimizmin.
Nëse presin që ekonomia të pësojë rënie në një të ardhme të parashikueshme, konsumatorët do të blejnë më pak, dhe sipërmarrësit do të investojnë akoma më pak. Në një ndryshim rrënjësor nga pikëpamja e shumicës së ekonomistëve në atë kohë dhe dekada më vonë, Kejnes mendoi se këto pritshmëri tek njerëzit nuk ishin plotësisht racionale, por bazoheshin në thelb në psikologjinë e tyre, apo atë sesa optimistë ndiheshin.
Në këtë kuadër, Kejnes i pa shpenzimet qeveritare si thelbësore për të mbështetur jo vetëm konsumin e konsumatorit dhe biznesit, por për të kënaqur individët, në mënyrë që besimi i tyre tek ekonomia të mbetej i lartë, për të shmangur një kolaps të pritshmërisë së tyre.
Kjo varet nga një pamje e vendimmarrjes njerëzore, që është e afërt me pikëpamjet që kanë sot ekonomistët e sjelljes. Sjellja njerëzore, nuk është rezultat i llogaritjeve racionale që përdorin informacionin e disponueshëm, por ajo ndikohet nga gjëra të tilla si emocionet, perceptimet rreme dhe rregullat e gabuara.
Tek e fundit, në një botë ku njerëzit janë plotësisht racionalë, rritja e shpenzimeve qeveritare do të ishte shumë më pak efektive. Kejnes ishte më shumë i interesuar mbi efektin ekonomik të shpenzimeve publike në gjëra të tilla si urat ose hekurudhat, sesa të mirat publike që siguronin ato.
Nëse është e nevojshme, në emër të nxitjes së kërkesës dhe pritshmërisë së njerëzve, “qeveria duhet t’i paguajë njerëzit të hapin gropa në tokë, dhe pastaj t’i mbushin ato”. Idetë e Kejnes mbi stanjacionin dhe papunësinë, u ushqyen gjatë depresionit të madh të viteve 1930. Vëzhgimi i turmës së të papunëve në rrugët e Londrës, ishte ndoshta një burim i rëndësishëm frymëzimi, dhe rekomandimet e tij u miratuan shumë shpejt nga qeveritë në të gjithë botën.
Ndikimi i tij ra në vitet 1970, kur ekonomitë po përballeshin me sfida shumë të ndryshme në formën e rritjes së ulët dhe inflacionit të lartë (stagflacionit). Në përgjithësi, ekonomistët mendonin se rritja e shpenzimeve publike, do të shkaktonte vetëm më shumë inflacion, ndaj ato kërkuan përgjigje të tjera, si çlirimi i fuqisë së biznesit përmes thjeshtëzimit të rregulloreve dhe kontrollit më të rreptë të politikës monetare.
Sigurisht që nuk është një rastësi rikthimi i interesit për Kejnesin, pikërisht gjatë krizës financiare globale të viteve 2007-2009, kur qeverive iu ra barra ta shpëtonin ekonominë botërore nga pasojat e krizës financiare. Duke parë epokën e Covid-19, Kejnes me siguri që do të ishte i kënaqur të shihte ndërhyrjet e fuqishme të qeverive gati në të gjithë botën, që mbështetin konsumin dhe punësimin.
Por ai do të ishte shumë më pak i lumtur të dëgjonte diskutimet rreth zvogëlimit të deficitit buxhetor, që kanë filluar të bëhen brenda qeverisë britanike dhe midis deputetëve konservatorë. Ai do të mendonte se këto diskutime do ta ulin pritshmërinë e njerëzve, duke e bërë edhe më të vështirë rimëkëmbjen ekonomike.
Megjithëse ai ndoshta do të pajtohej me idenë se qeveritë duhet të merren me deficitet e tyre në kohën e duhur, ai do t’i nxiste ata t’i shmangin diskutime të tilla, derisa të mbarojë pandemia dhe efekti i saj në ekonomi. / “The Conversation” – Bota.al
You may like
Botë
REL: KE-ja propozon heqjen e roaming-ut për vendet e Ballkanit Perëndimor
Published
5 hours agoon
February 25, 2026By
UBTNews
Komisioni Evropian (KE) ka propozuar nisjen e negociatave me gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor për t’i përfshirë ato në regjimin e Bashkimi Evropian “Roam Like at Home” (Pa tarifa shtesë).
Programi i Komisionit Evropian “Roam Like at Home” është një rregullore e BE-së që u mundëson përdoruesve të telefonisë mobile të përdorin telefonat e tyre në shtetet e tjera anëtare me të njëjtat çmime si në vendin e tyre.
Kjo do të thotë se gjatë përdorimit të telefonit mobil në zonën e Bashkimi Evropian nuk ka kosto shtesë roaming-u për thirrjet, mesazhet SMS dhe përdorimin e internetit.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi se kostot e roaming-ut paraqesin problem për qytetarët në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Tarifat e roaming-ut janë problem në gjithë Ballkanin Perëndimor. Për punëtorët që punojnë jashtë vendit dhe familjet që telefonojnë më të dashurit e tyre jashtë vendit. Faturat e papritura kur udhëtoni janë diçka që ne më nuk e pranojmë në BE. Sot propozojmë nisjen e bisedimeve për ta përfshirë në këtë edhe Ballkanin Perëndimor”, shkroi Kos në X.
Me propozimin për nisjen e bisedimeve, Komisioni Evropian kërkon miratimin e Këshilli i BE-së për hapjen e negociatave me partnerët nga Ballkani Perëndimor. Pasi Këshilli ta miratojë këtë kërkesë, Komisioni Evropian do të negociojë marrëveshje dypalëshe me secilin shtet të rajonit.
Pasi marrëveshjet për këtë çështje të përmbyllen me sukses, ato do të hapin rrugën që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e zonës “Roam Like at Home” në BE.
Pas finalizimit të marrëveshjeve dhe harmonizimit të plotë me rregullat e BE-së për roaming-un, qytetarët që udhëtojnë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mund të realizojnë thirrje, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin shërbime të internetit, pa tarifa shtesë të roaming-ut.
Bashkimi Evropian e ka iniciuar “Roam Like at Home” në qershor të vitit 2017. Ai zbatohet për shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e zonës ekonomike evropiane. Në janar të këtij viti, rregullorja u zgjerua edhe për Ukrainën dhe Moldavinë.
Aktualisht, nuk ka konfirmim nga Komisioni Evropian se kur mund të nisë zbatimi i kësaj rregulloreje për vendet e rajonit, pasi sipas zyrtarëve të KE-së gjithçka varet nga negociatat me institucionet përkatëse në rajon.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Ricardo Cardoso, pranoi se bëhet fjalë për një proces të ndërlikuar.
“Afatet kohore varen nga gatishmëria e secilit prej partnerëve nga Ballkani Perëndimor për të përmbyllur marrëveshje dypalëshe me BE-në dhe për të siguruar harmonizimin e tyre të plotë me legjislacionin përkatës”, tha zëdhënësi i KE-së.
Të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut – po ashtu synojnë që një ditë të bëhen anëtare të bllokut. Nga të gjashtë vendet, Kosova është e fundit në rrugën evropiane, pasi është shteti i vetëm që nuk ka status të vendit kandidat. Prishtina ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022. /REL/
Aktualitet
Spiropali premton mbështetje të fuqishme për integrimin e Kosovës
Published
6 hours agoon
February 25, 2026By
UBTNews
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, me të cilën diskutoi për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Spiropali rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës, duke theksuar se pas heqjes së masave kufizuese është momenti që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat. Ajo shtoi se Shqipëria do të vazhdojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përparimin drejt BE-së dhe NATO-s.
“Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës. Pas vendimit per heqjen e masave kufizuese, është momenti që BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën”, nënvizoi Spiropali.
Rajoni
Konjufca dhe Spiropali: Thellim i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri dhe paralajmërim i mbledhjes së përbashkët
Published
7 hours agoon
February 25, 2026By
UBTNews
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar si vëllazëror takimin me homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali.
Në një konferencë për media, Konjufca theksoi se pritet thellim i mëtejshëm i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe diplomatik mes dy vendeve.
“Takime vëllazërore që e ndajnë fatin e përbashkët historik. Presim thellim mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik në diplomaci të përbashkët”, tha ai.
Nga ana e saj, Spiropali nënvizoi se Kosova mbetet prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe se Tirana do të intensifikojë lobimin për njohje të reja të shtetit kosovar.
Ajo gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e një trajtimi të drejtë dhe të paanshëm të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se lufta në Kosovë ka qenë për liri dhe jo për pushtet.
“Drejtësi e plotë dhe pa shkelje të standardeve ndërkombëtare. Nuk mund të injorohet fakti se në Kosovë ka pasur spastrim etnik… Lufta e Kosovës nuk ishte për pushtet, por për liri”, tha Spiropali.
Gjatë vizitës, ministrja e Jashtme e Shqipërisë paralajmëroi gjithashtu mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë sivjet, ku do të diskutohen marrëveshjet e nënshkruara më parë, prioritetet e përbashkëta dhe mundësitë për marrëveshje të reja.
“Biseduam për takimin e përbashkët të dy qeverive dhe besojmë se brenda vitit 2026 do të mbahet një mbledhje në Shqipëri ose Kosovë, ku do të diskutohen të gjitha marrëveshjet e mëparshme, fushat me interes të përbashkët dhe të gjitha prioritetet që po implementohen, por edhe mundësitë për marrëveshje të reja”, tha Spiropali.
Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur deri tani tetë mbledhje të përbashkëta. E nënta, e planifikuar për 14 qershor 2023, ishte anuluar njëanshëm nga Tirana. /Kosovapress/
Lajmet
Spiropali: Prekazi na kujton se liria ka çmim
Published
10 hours agoon
February 25, 2026By
UBTNews
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, vizitoi sot Prekazin, ku u përul në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, së bashku me Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Ajo u prit në Kullën e Jasharajve nga Rifat Jashari.
Gjatë vizitës, Spiropali theksoi rëndësinë e vendimit të familjes Jashari për të mos u dorëzuar dhe reflektimin mbi çmimin e lirisë.
“Është dëshmi se liria ka pasur çmim – dhe ai çmim është paguar me jetë. Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon të jemi të denjë.”
Kjo vizita thekson lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe respektin për sakrificën që bëri të mundur lirinë e vendit.
Donjeta Sadiku me paraqitje të fuqishme, fiton 5:0 në turneun “Strandja”
REL: KE-ja propozon heqjen e roaming-ut për vendet e Ballkanit Perëndimor
Spiropali premton mbështetje të fuqishme për integrimin e Kosovës
Konjufca dhe Spiropali: Thellim i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri dhe paralajmërim i mbledhjes së përbashkët
Grevë kombëtare në transportin publik në Gjermani: Autobusët dhe trenat ndalojnë
Dhjetëra të vdekur nga rrëshqitjet e dheut në Brazil, qeveria shpall gjendjen e katastrofës
Hendboll: Kosova publikon listën për ndeshjet me Finlandën në Euro 2026
Spiropali: Prekazi na kujton se liria ka çmim
Filharmonia e Kosovës shënon debutimin e saj në Vjenë
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
