Lajmet nga UBT

Krenari kombëtare: UBT feston 28 Nëntorin me performancë artistike dhe kulturore

Published

on

Në një ditë të mbushur me krenari dhe ndjenjë kombëtare, 28 Nëntori shënon më shumë se një thjesht datë në kalendar – ai është një simbol i fortë i identitetit tonë, i bashkimit dhe i pavdekshmërisë së kombit shqiptar. Kjo ditë historike, që përkon me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar, është një kujtesë e fuqishme e rrugës së mundimshme drejt lirisë dhe unitetit që lidh shqiptarët kudo që jetojnë.

Në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit, ditës që ndan një rëndësi të veçantë për kombin shqiptar, Shkolla Fillore dhe Shkollat e Mesme të UBT-së organizuan një aktivitet të pasur kulturor dhe artistik, me pjesëmarrjen e nxënësve, prindërve, profesorëve dhe qytetarëve të tjerë. Aktiviteti u zhvillua në prani të shumë të ftuarve, dhe ishte një shfaqje e jashtëzakonshme e pasionit dhe përkushtimit të rinisë shqiptare. Nxënësit e shkollave të UBT-së prezantuan 12 pika kulturore artistike, përmes poezive, këngëve, valleve, aktrimit dhe performancave që ngjallën emocione të fuqishme në publik.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e kësaj date, duke e cilësuar atë si një moment krenarie të veçantë për çdo shqiptar. Ai theksoi se 28 Nëntori është zemra e identitetit tonë kombëtar dhe përfaqëson ëndrrat e të gjithë brezave të shqiptarëve, të cilët luftuan dhe sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre.

“Pavarësia e Shqipërisë, shpallur në vitin 1912, solli lindjen e një shteti të lirë dhe të pavarur, pas shekujsh sundimi të huaj. Ky flamur është më shumë se një simbol i një historie të lavdishme, ai është një shenjë e unitetit dhe solidaritetit të shqiptarëve, kudo që ata ndodhen – në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, dhe në çdo cep të botës ku jetojnë shqiptarët”, tha Rektori Hajrizi, duke theksuar rëndësinë e këtij flamuri si një pasqyrë e përpjekjeve të popullit shqiptar për një të ardhme të ndritshme.

Ai gjithashtu përmendi katër ditët historike që lidhen me këtë datë të shënuar: ngjarja e Krujës në vitin 1443, shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë në vitin 1912, lindja e heroit të Kombit Adem Jashari në Prekaz në vitin 1955, dhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997 në Llaushë. Kjo datë është një festë e katërfishtë që ngjall krenari për kombin shqiptar dhe fitoren e tij ndaj çdo sfide.

“Në këtë ditë, ne kujtojmë me nderim sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e kombit shqiptar, që luftuan për një Shqipëri të pavarur dhe që vazhduan betejën për mbajtjen e flamurit lartë. Ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë tonë, nga figura të shquara si Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini, Adem Jashari dhe shumë të tjerë, janë simbol i luftës për një të ardhme më të drejtë dhe më të mirë për brezat që do të vijnë”, shtoi Rektori Hajrizi.

Rektori i UBT-së theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për ata që janë pjesë e institucionit arsimor të UBT-së. Ai theksoi se të rinjtë e sotëm janë bartësit e këtyre vlerave dhe do të vazhdojnë të mbajnë gjallë flamurin dhe identitetin shqiptar në çdo hap të jetës së tyre.

Drejtoresha e Shkollës së UBT-së, Hajrije Devetaku, në fjalën e saj theksoi se “kultivimi i identitetit kombëtar dhe kulturor është një nga qëllimet kryesore të arsimit, dhe se patriotizmi është një nga vlerat themelore që zhvillohet dhe promovohet përmes edukimit të brezave të rinj.”

Devetaku vlerësoi kontributin e mësuesve dhe nxënësve për përgatitjen e aktiviteteve dhe programeve që janë zhvilluar për të nderuar këtë ditë të shënuar, duke theksuar se këto aktivitete janë një pasqyrë e kultivimit të dashurisë dhe krenarisë për kombin dhe flamurin shqiptar.

Programi i aktivitetit të organizuar për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Flamurit Kombëtar, përfshiu një varg performancesh artistike të realizuara nga nxënësit e Shkollës Fillore dhe të Mesme të UBT-së, që pasqyruan me emocion vlerat dhe krenarinë e kombit shqiptar.

Programi u hap me një vallëzim emocionues “Kuq e Zi”, duke u pasuar nga recitim poezie nga Priam Koca dhe Anika Neziri, të cilët përcollën mesazhe të fuqishme për 28 Nëntorin. Nxënësja Era Ibërdemaj interpretoi këngën “Këngët e vendit tim”, ndërsa Arba Kastrati dhe grupi “Çou Adem” shpalosën “Valsin e lumturisë”. Po ashtu, Erika Morina ndau esenë e saj për këtë ditë historike dhe Noa Shabani këndoi këngën “VOILA”. Një performancë e bukur “Vallja e Zanave” dhe recitimi i Dua Smajlaj pasuan programin, duke theksuar pasurinë e kulturës shqiptare. Nxënësja Nina Kuçani u ngjit në skenë për të kënduar “A vritet pafajsia”, ndërsa Stina Salihu interpretuan një monolog emocionues. Programi u mbyll me këngën “Shkodra ka plot dashuri” nga Rona Macula, fjalimin e Ismail Qemalit nga nxënësit dhe vallëzimin e Rugovës, duke krijuar një atmosferë festive dhe patriotike që nderoi sakrificat për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar.

Ky aktivitet i pasur dhe i larmishëm ishte një manifestim i shkëlqyer i vlerave kombëtare dhe një kujtesë e fuqishme për të gjithë shqiptarët se 28 Nëntori është një ditë e përbashkët që na lidh dhe na frymëzon për të shkuar përpara, gjithmonë me flamurin e lirisë dhe pavarësisë së Kombit Shqiptar./UBTNews/

Vendi

UBT organizon trajnim të specializuar për stafin udhëheqës të KEDS-it, me fokus në lidership dhe ekselencë organizative

Published

on

By

Qendrat e Trajnimeve në kuadër të UBT-së kanë organizuar një trajnim të specializuar për stafin udhëheqës të KEDS-it, me fokus në zhvillimin e aftësive të lidershipit, menaxhimin efektiv të ekipeve dhe avancimin e kompetencave profesionale.

Trajnimi ka përfshirë një program të strukturuar me tema të rëndësishme për udhëheqjen bashkëkohore, duke filluar nga lidershipi dhe ekselenca organizative, kalimi nga roli i ekspertit në atë të liderit, përgjegjësia dhe vendimmarrja, deri te menaxhimi i prioriteteve, delegimi i detyrave dhe rritja e performancës së ekipeve.

Në kuadër të programit, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe inteligjencës emocionale në lidership, komunikimit efektiv, ndërtimit të besimit, menaxhimit të konflikteve dhe dinamikës së ekipeve.

Trajnimi është udhëhequr nga ekspertë të UBT-së: Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Dr. Besnik Skenderi dhe Dr. Denis Çelçima, të cilët kanë ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre profesionale përmes ligjërimeve, diskutimeve dhe ushtrimeve praktike.

Pjesë e programit kanë qenë edhe simulimet e situatave reale të lidershipit, komunikimi me punonjësit, menaxhimi i performancës dhe hartimi i planeve individuale të veprimit për periudhën 30, 60 dhe 90 ditë.

Përmes këtij organizimi, UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin në ofrimin e programeve të specializuara të trajnimit për institucione dhe kompani, duke kontribuar në zhvillimin e liderëve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale në sektorin privat.

Continue Reading

Lajmet

Klarinetisti amerikan Jeremy Reynolds zhvilloi masterklasë me studentët e muzikës në UBT

Published

on

Klarinetisti dhe profesori amerikan Jeremy Reynolds ka zhvilluar një masterklasë me studentët e drejtimit të klarinetës në programin Muzikë Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhim Muzikor në UBT.

Aktiviteti u organizua me iniciativën e profesorit Blerim Emerllahu, ndërsa u përqendrua në teknikat bashkëkohore të interpretimit në klarinetë dhe zhvillimin teknik e artistik të instrumentistëve.

Gjatë punës së drejtpërdrejtë me studentët, Reynolds prezantoi qasje të ndryshme interpretimi, duke u ndalur te pasurimi i mjeteve shprehëse, kontrolli teknik dhe zgjerimi i potencialit artistik të instrumentit në muzikën bashkëkohore.

Ai prezantoi gjithashtu Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, ku është profesor i klarinetës, duke i njoftuar studentët dhe stafin akademik të UBT-së me programet, veprimtarinë dhe mundësitë akademike e artistike të këtij institucioni.

Jeremy Reynolds është zëvendësklarinetist kryesor në Orkestrën Filarmonike të Colorado Springs dhe profesor në Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë karrierës së tij ka interpretuar në gjashtë kontinente si solist dhe muzikant i muzikës kamertale, ndërsa në vitin 2015 debutoi në Carnegie Hall me ansamblin Waldland.

Përvoja e tij pedagogjike përfshin institucione të njohura ndërkombëtare, përfshirë Akademinë e Muzikës dhe Teatrit në Estoni, Akademinë e Muzikës Grieg, Akademinë e Arteve Performuese në Pragë, Universitetin Kombëtar të Seulit, Konservatorin e Versajës dhe Konservatorin e Muzikës në Sidnei.

Sipas UBT-së, organizimi i këtij masterklasi synon të krijojë mundësi bashkëpunimi me artistë dhe pedagogë ndërkombëtarë, duke pasuruar përvojën akademike dhe profesionale të studentëve përmes shkëmbimit të njohurive dhe praktikave bashkëkohore në fushën e muzikës./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit në Prizren

Published

on

By

Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BAUNAS), e cila u mbajt sot në Prizren, duke riafirmuar angazhimin e UBT-së në bashkëpunimin dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në rajon dhe më gjerë.

Gjatë punimeve të Asamblesë u diskutuan dhe u miratuan çështje me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e asociacionit, përfshirë pranimin e anëtarëve të rinj dhe votimin e rregullores së re. Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve anëtare.

Në kuadër të këtij aktiviteti, rektori Hajrizi zhvilloi takime me përfaqësues të universiteteve të ndryshme anëtare, përfshirë rektorin dhe sekretarin e përgjithshëm të Universitetit Trakya, si dhe përfaqësues të tjerë akademikë. Gjatë këtyre takimeve u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme akademike, zhvillimi i projekteve të përbashkëta, shkëmbimi i stafit dhe studentëve, si dhe krijimi i partneriteteve të reja ndërinstitucionale.

UBT është anëtar i rregullt i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit prej disa vitesh dhe merr pjesë aktive në aktivitetet dhe iniciativat e tij. Përveç këtij asociacioni, UBT është pjesë edhe e rrjeteve dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare të arsimit të lartë, përfshirë Asociacionin e Universiteteve Evropiane (EUA), Magna Charta Universitatum dhe UNIMED-in.

Pjesëmarrja e UBT-së në këto platforma ndërkombëtare dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për zgjerimin e bashkëpunimit akademik, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Përmes pjesëmarrjes aktive në asociacione dhe rrjete ndërkombëtare, UBT vazhdon të kontribuojë në avancimin e arsimit të lartë, forcimin e lidhjeve akademike rajonale dhe ndërkombëtare dhe zhvillimin e partneriteteve strategjike me universitete nga vende të ndryshme.

Continue Reading

Lajmet

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u takua me Prof. Daniel Serwer

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u takua me profesorin e njohur amerikan Daniel Serwer, me rastin e vizitës së tij në Kosovë. Prof. Serwer është nderuar më parë nga UBT me çmimin “Honorary Degree – Excellence in Leadership”, në vlerësim të kontributit të tij të veçantë.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në nivel global, me theks të veçantë në mundësitë e bashkëpunimit akademik dhe zhvillimin e programeve të reja që UBT synon t’i avancojë në kuadër të strategjisë së saj të bashkëpunimit me SHBA-në.

Rektori Hajrizi e falënderoi Prof. Serwer për takimin dhe shkëmbimin e ideve, duke i bërë një ftesë të veçantë për një vizitë të radhës në UBT, në kuadër të aktiviteteve akademike ndërkombëtare.

Takimi rikonfirmoi rëndësinë e dialogut akademik ndërkombëtar dhe të partneriteteve strategjike në avancimin e arsimit të lartë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Continue Reading

Të kërkuara