Lajmet

Kremtimi i Fitër Bajramit “virtual” në kohën e COVID-19!

Published

on

Besimtarët e fesë islame kanë dy festa zyrtare, Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin, të cilat shënohen sipas kalendarit hënor islamik.

Xhumaja (falja e namazit në ditën e premte), Dita e Ashureve, Nata e Kadrit, janë vetëm disa nga datat e rëndësishme në Islam që shënojnë ngjarje të rëndësishme, por jo festa.

Pas 30 ditësh agjërimi duke e mbajtur veten larg nga disa veprime e që një prej tyre është të ngrënit deri në një kohë të caktuar, në fund është festa e madhe e Fitër Bajramit. Fitër Bajrami i cili këtë vit u shënua me datën 13 maj, e merr kuptimin e tij nga muaji i shenjtë i Ramazanit, ndërsa emri tij rrjedh nga ajo se myslimanët para festës shpërndajnë lëmoshë dhe solidarizohen me të varfrit.

Falja e Fitër Bajramit në Skoci

Edhe pse pandemia COVID-19 ka shndërruar pothuajse çdo aktivitet tradicional në aktivitete të realizuara përmes platformave online, namazi i Fitër Bajramit u fal në xhami nëpër shumë vende të botës, duke mbajtur maska dhe distancën nga njëri-tjetri.

Falja e Fitër Bajramit në Itali

Ndryshe nga vitet e kaluara kur festat e Bajramit festoheshin me vizita të familjarëve dhe miqve,
në vitin 2021 shumë vende kanë vendosur kufizime për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Autoritetet në Irak, ku normat ditore të infektimit mbeten të larta dhe vaksinimi është i ngadaltë, kanë njoftuar një bllokim 10-ditor duke filluar një ditë para festës.

Egjipti ndërkohë urdhëroi dyqanet të mbyllen nga ora 21:00 deri në 21 maj në një përpjekje për të kufizuar turmat dhe tubimet shoqërore, ndërsa Tunizia vendosi një shtetrrethim dhe kufizime të lëvizjes deri më 16 maj.

Por kufizime të “ashpra” nuk pati edhe në Jordani, vend ky që ka lehtësuar kufizimet për shkak të rënies së infeksioneve.

Jerusalem, Palestinë

Megjithëse në rrethana tejet të vështira, muslimanët në Jerusalem falën namazin në xhaminë Al-Aksa.

Falja e namazit të Fitër Bajramit në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, Palestinë
Jerusalem, Palestinë

Gaza

“Ky supozohej të ishte një moment për të blerë mallra, ushqime dhe për nevoja të tjera”, tha Safwat al-Kahlout i Al Jazeera, duke raportuar nga qyteti i Gazës. “Por për shkak të përshkallëzimit të fundit, njerëzit në Gaza kanë mbetur brenda sepse nuk ka asnjë infrastrukturë ose strehimore për t’u fshehur”, shtoi ai.

Ndërsa në Indi, edhe këtë vit Festa e Bajramit nuk kishte ceremoni të faljes së Fitër Bajramit në xhami dhe vizita për shkak të numrit të madh të infeksioneve dhe vdekjeve nga COVID-19. Atje u bë thirrje që namazi të bëhet në shtëpi dhe vizitat dhe urimet të zëvendësohen nga interaktiviteti në rrjete sociale.

Në Turqi, masat e ‘bllokimit të plotë’ do të qëndrojnë në fuqi edhe gjatë Fitër Bajramit, deri më 17 maj. Namazi u bë në përputhje me rregullat e distancës shoqërore dhe higjienës. Lutja e Bajramit u mbajt në Xhaminë Hagia Sophia (zyrtarisht Ana Sofia) të Stambollit pas një pauze 87-vjeçare. Kreu i lartë fetar i Turqisë, ofroi lutje të veçanta për palestinezët që po përballen me sulmet e forcave izraelite.

Pas 87 vjetësh falet namazi i Fitër Bajramit në Aja Sofja (Hagia Sophia)

“Turqia gradualisht do të lehtësojë kufizimet e bllokimit total pas festës së Bajramit pasi qe rastet e koronavirusit dhe fatalitetet vazhdojnë të bien në të gjithë vendin”, tha presidenti Recep Tayyip Erdogan të mërkurën.

Malajzi

Në Kuala Lumpur të Malajzisë, myslimanët falën namazin e Fitër Bajramit jashtë Xhamisë Kombëtare me maska mbrojtëse dhe distancë shoqërore. Njejtë është vepruar edhe në Indonezi.

Pekin

Në Pekin besimtarët festuan me zell fetar dhe entuziazëm kulturor mes masave të rrepta të kontrollit. Xhamia më e vjetër e Pekinit Niujie, e ndërtuar më 996, hapi dyert herët në mëngjes për vendasit dhe të huajt të gatshëm të marrin pjesë në lutje.

Megjithëse virusi është nën kontroll në Pekin dhe një numër i madh i banorëve janë vaksinuar, autoritetet morën masa parandaluese për të siguruar sigurinë e të pranishmëve dhe për të shmangur një përhapje të mundshme të sëmundjes.

Përveç mbajtjes së detyrueshme të maskave, kontrolleve të temperaturës në porta dhe këshillimit për të ruajtur distancën shoqërore, hyrja në xhami u mbyll dhe me hyrja u realizua me rezervim online vetëm për disa orë (nga ora 7 deri në orën 10).

Edhe në Filipine për shkak të pandemisë autoritet përsëri janë detyruar të mbyllin xhamitë dhe të ndalojnë vizitat familjare në festën që shënon fundin e muajit më të shenjtë të Ramazanit në Islam.

Kurse myslimanët pakistanezë u mblodhën për të festuar lutjet e Fitër Bajramit për të shënuar fundin e muajit të Ramazanit, përkundër “shpërthimit” të infeksioneve të koronavirusit.

Pakistan

Në Afganistan, talibanët shpallën një armëpushim tre-ditor për Bajram vetëm disa ditë pas një bombe që vrau 80 njerëz, shumica e tyre nxënëse. Disa fëmijë në Kabul shijuan festivalin në një park zbavitës, duke bërtitur nga kënaqësia ndërsa hipnin në karuselë dhe luhatje të larta.

Ajo që është vërejtur në secilin vend ku është shënuar Festa e Fitër Bajramit, është fakti që pandemia COVID-19 ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si myslimanët kremtuan festën e Bajramit, në krahasim me atë se si kanë festuar tradicionalisht.

Në vend të përqafimeve fizike dhe vizitave tek familjarët dhe miqtë, në vitin 2021 rrjetet sociale shërbyen për të uruar dhe për të shpërndarë “përqafime” virtuale, duke ruajtur njëri-tjetrin nga infektimi potencial me COVID-19./UBTNews

(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)

Lajmet

Martin Garrix falënderon Kosovën pas performancës në kryeqytet

Published

on

DJ-i i njohur ndërkombëtar Martin Garrix ka ndarë emocionet e tij pas një fundjave të ngarkuar me performanca në Ibiza, Finlandë dhe Kosovë.

Përmes një postimi në Instagram, Garrix falënderoi familjen Lipa për mikpritjen dhe kujdesin gjatë qëndrimit në Kosovë, ndërsa vlerësoi energjinë e publikut në të gjitha skenat ku performoi.

“Fundjavë e çmendur në Ibiza, Finlandë dhe Kosovë. Faleminderit familjes Lipa për kujdesin e jashtëzakonshëm dhe faleminderit për energjinë e çmendur në të gjitha koncertet”, shkroi ai, duke e shoqëruar postimin me flamujt e vendeve ku ishte i pranishëm.

Performanca e Garrix në Kosovë u bë pjesë e një fundjave të veçantë artistike, ku një prej emrave më të mëdhenj të muzikës elektronike botërore solli atmosferën e tij para publikut kosovar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Një pjesë e raketës “Falcon 9” e SpaceX përplaset në Hënë

Published

on

Një pjesë rreth katër tonëshe e raketës “Falcon 9” të kompanisë SpaceX mendohet se është përplasur paqëllimshëm në sipërfaqen e Hënës.

Objekti, i cili ka qenë në hapësirë që nga viti i kaluar, u përplas me shpejtësi të madhe, por sipas NASA-s nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën.

Bëhet fjalë për fazën e dytë të raketës “Falcon 9”, e cila u lansua në janar të vitit 2025 për një mision drejt Hënës. Ekspertët vlerësojnë se përplasja mund të ketë krijuar një krater rreth 18 metra të gjerë dhe katër metra të thellë.

NASA ka bërë të ditur se do të analizojë imazhet e sipërfaqes hënore para dhe pas goditjes, për të studiuar ndikimet e krijuara nga objektet artificiale në Hënë.

Zakonisht, pjesët e raketave pas përfundimit të misioneve kthehen në atmosferën e Tokës dhe digjen ose përfundojnë në oqeane. Megjithatë, në këtë rast, për shkak të energjisë më të madhe të nevojshme për misionin hënor, pjesa e raketës mbeti në hapësirë deri në përplasjen me Hënën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Studentja e Inxhinierisë së Ndërtimit në UBT, Diellza Vishi, mbron masterin me hulumtim shkencor në Spanjë

Published

on

By

Një tjetër histori suksesi shënohet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT. Studentja Diellza Vishi ka përmbyllur me sukses studimet e saj të nivelit master, duke realizuar një hulumtim të rëndësishëm shkencor në kuadër të programit të mobilitetit Erasmus+.

Gjatë një semestri të kaluar në Valencia të Spanjës, pjesën eksperimentale dhe hulumtimin shkencor për temën e saj të diplomës, Diellza i ka zhvilluar në laboratorin e njohur ICITECH (Instituto de Ciencia y Tecnología del Hormigón), brenda Universitat Politècnica de València (UPV). ICITECH njihet si një nga institutet kërkimore më me zë në Evropë në fushën e materialeve ndërtimore dhe inxhinierisë strukturore.

Hulumtimi shkencor u zhvillua nën mbikëqyrjen e dy emrave të shquar të fushës: Prof. Dr. Pedro Serna Ros, ekspert me reputacion ndërkombëtar në fushën e betonit të përforcuar me fibra, si dhe Prof. Dr. Visar Krelani, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT.

Studentja Diellza Vishi mbrojti me sukses temën me titull “Experimental Analysis of the Effect of Fiber Orientation on the Mechanical Behavior of Prismatic and Slab Elements”.

Pjesë e komisionit në mbrojtjen e diplomës ishte edhe vetë Prof. Dr. Pedro Serna Ros, i cili u kyç drejtpërdrejt nga Spanja përmes platformës Google Meet.

Ky sukses dëshmon edhe një herë cilësinë e përgatitjes akademike në UBT dhe mundësitë e mëdha që institucioni u ofron studentëve për të depërtuar në qendrat më të njohura kërkimore evropiane. /E.A/

 

 

Continue Reading

Lajmet

I dyshuari për deklarim të rremë në hetimin për krime lufte dërgohet në mbajtje për 48 orë

Published

on

By

Një burri nga fshati Zupç i komunës së Zubin Potokut i është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, të martën, pasi dyshohet për deklarim të rremë gjatë një hetimi për krime lufte.

Sipas avokatit të tij, Milosh Deleviq, personi me inicialet D.V. ishte ndaluar rreth orës 13:00 në pikëkalimin kufitar në Bërnjak dhe ishte dërguar për të dhënë dëshmi si dëshmitar në hetimin që Prokuroria Speciale po zhvillon për krime lufte në Zubin Potok. Më pas, prokurori vendosi të nisë procedurë ndaj tij për deklarim të rremë, siç ka deklaruar avokati për mediumin lokal Zubin Potok INFO.

Edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të martën rreth orës 14:30 është arrestuar një burrë në Mitrovicën e Veriut, pasi kishte deklaruar rrejshëm gjatë intervistimit nga njësia policore, duke u dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Prokuroria Speciale e Kosovës është duke zhvilluar hetime për krime lufte në komunën e Zubin Potokut, ku po kryhen gërmime në disa lokacione për mbetje mortore të personave të zhdukur nga lufta e vitit 1999. Në lidhje me këtë rast, më parë janë arrestuar tre persona ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. /Telegrafi/

Continue Reading

Të kërkuara