Lajmet

​Krasniqi: Të gjitha strukturat paralele serbe në Kosovë do të mbyllen

Published

on

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se të gjitha strukturat paralele serbe në Kosovë do të mbyllen. Ai tha se të njëjtat janë antiligjore dhe antikushtetuese dhe si të tilla nuk do të gjejnë vend në asnjë pjesë të territorit të Kosovës.

Krasniqi në konferencën për medie pas mbledhjes së qeverisë, theksoi se Qeveria e Kosovës është e gatshme për hapjen e urës së Ibrit, mirëpo po presin edhe aleatët ndërkombëtarë që të jenë gati.

“Në kuadër të veprimeve dhe vendimeve për ligjshmëri tashmë është mbyllur një pjesë nga komuna paralele e Skenderajt, duke iu bashkuar edhe mbylljes së strukturave të tjera paralele që më herët i kemi mbyllur në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Dragash dhe Shtërpcë. Po ashtu të mbyllura mbeten komunat paralele e Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Një aktivitet i tillë është antikushtetues. Mund të jetë e kuptueshme për pjesën që dikur thoshin se nuk e kontrollojmë veriun e vendit, por po shohim se ato kanë ekzistuar sa në periferi aq në zemër të shtetit tonë. S’ka hapësirë në Kosovë për asnjë institucion paralel të shtetit (serb). Ato do të mbyllen që të gjitha. Tash mund të kemi pse s’është mbyllur kjo apo ajo, por do të mbyllen të gjitha. Para disa ditëve kam pranuar një kërkesë për t’i bërë publike se cilat janë, por sigurisht nuk do të shkojmë më një publicitet se ku janë dhe ku do të mbyllen. Por që të gjitha do të mbyllen”, tha ai.

Sipas ministrit Krasniqi, s’ka asnjë arsye që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur, pasi situata është e qetë në veri dhe hapja e urës së Ibrit nuk do të ndikonte në ngritjen e tensioneve.

“S’ka asnjë arsye që kjo urë të vazhdojë të jetë e mbyllur. Së paku jo në aspektin e komunikimit të komuniteteve në këto dy pjesë të qytetit. Tashmë qytetarët nga veriu kalojnë në pjesën jugore dhe ata nga jugu kalojnë në pjesën veriore. Situata është e qetë dhe është në atë formë që hapja e urës mbi lumin Ibër nuk do të kishte asnjë ndikim. Ne jemi gati që ura të hapet dhe nuk e kemi asnjë amulli para vetës që të besojmë se kjo urë nuk do të jetë e hapur. Po presim që edhe partnerët tanë të jenë gati për hapjen e kësaj ure. Ata kanë porositë se siguria është një prej hezitimeve të pikëpamjeve të tyre për hapjen e urës. Por ne si institucione jemi gati dhe s’ka asnjë arsye që kjo urë mos të hapet”, shtoi Krasniqi.

Ministri i MAPL-së u pyet edhe për kërkesën e ShBA-së për dërgimin në Kushtetuese të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mirëpo tha se s’ka një përgjigje të re, për siç tha pyetje që janë të vjetra.

“Kjo është një pyetje që më bëhet tash e katër vite si ministër i qeverisë. S’kam një përgjigje të re, për një pyetje që s’është e re”, deklaroi Krasniqi.

Krahas këtyre, ministri Krasniqi, duke folur për përplasjen e javës së kaluar në mbledhjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se nëse konsiderohet se edhe Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveçani janë anëtarë të Asociacionit, atëherë Lëvizjes Vetëvendosje duhet t’i takojë një ulëse në bordin e këtij mekanizmi.

“(Asociacioni i komunave të Kosovës) S’ka kthyer asnjë përgjigje as që ju jeni anëtarë apo nuk jeni anëtarë. Nëse pranoni faktin se ata janë anëtarë, në këtë situatë formula e shpërndarjes së ulëseve në bordin e Asociacionit iu garanton që LVV-ja të ketë një ulëse në bord”, tha Krasniqi.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara