Lajmet

KQZ tregon çfarë ndodh me bashkatdhetarët që u refuzohet aplikimi si votues jashtë vendit

Published

on

Edhe një muaj ka mbetur deri në përfundimin e afatit të aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ndërkohë që në KQZ tregojnë se çfarë do të ndodhë me bashkatdhetarët që janë refuzuar deri më tash.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se deri më 22 nëntor, përmes platformës elektronike janë regjistruar afro 19 mijë votues.

Ai tregon se në rastet kur një shtetasi i refuzohet aplikimi për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, i njëjti mund të aplikojë serish.

“Është e rëndësishme ta theksojmë se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nuk është përjashtues. Kjo do të thotë se nëse një shtetas i refuzohet aplikimi, ky nuk është një refuzim përfundimtar, pasi i njëjti ka të drejtë të ri-aplikojë. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të ri-aplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, tha Elezi.

Elezi tregon numrin e aplikimeve të refuzuara qe nga fillimi i periudhës për regjistrim jashtë vendit dhe të atyre që janë regjistruar pasi kanë aplikuar serish.

“Qe nga fillimi i procesit të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, në përgjithësi janë 2,559 aplikime që janë refuzuar, por rreth 1.290 kanë ri-aplikuar, duke plotësuar dokumentet që kërkohen nga KQZ apo kanë ndjekur udhëzimet që parashihen me procedurë dhe kësisoj kanë arritur të regjistrohen në listën e votuesve jashtë Kosovës. Aktualisht, në listën e aplikimeve të refuzuara janë rreth 1,270 raste. Këta persona, por edhe rastet tjera që mund të refuzohen ditëve në vazhdim, kanë të drejtë të ri-aplikojnë dhe të arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës”, tha Elezi.

Elezi sqaron se në rastet kur aplikuesit konsiderojnë të padrejtë refuzimin për regjistrim si votues jashtë vendit, atëherë ka të drejtën e ankesës fillimisht në KQZ përmes e-mail, e më pas në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Më 29 gusht ka nisur aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare, e cila periudhë do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: të votojnë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës, duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në njërën nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja jashtë Kosovës.

Lajmet

​Pezullohet nga puna sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal

Published

on

By

Qeveria në detyrë sot ka pezulluar nga marrëdhënia e punës në shërbimin civil Besim Kamberajn, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij zyrtare.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se pezullimi nga detyra i nëpunësit civil të kategorisë së lartë drejtuese në institucionet e administratës shtetërore në rast të ngritjes së aktakuzës është obligim ligjor i qeverisë.

Ky propozim vendim është i bazuar në njoftimin e pranuar nga organet e drejtësisë sipas të cilit, në këtë rast të z. Kamberaj është ngritur aktakuzë për kryerje të veprës penale që lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij zyrtare… Pezullimi nga detyra i nëpunësit civil në rast të ngritjes së aktakuzës është obligim ligjore i qeverisë”, tha ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 4 korrik 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ushtruesit të detyrës së Sekretarit të kësaj Ministrie, Besim Kamberaj.

Po ashtu në mbledhjen e sotmë të qeverisë në detyrë, është emëruar Hysen Muzliukaj në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike me mandat katër vjeçar, si dhe është emëruar Shemsi Duriqin në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë me mandat katër vjeçar.

Continue Reading

Lajmet

Cóccaro që u përplas me Messin: Para tij unë vetëm hesht

Published

on

Një nga skenat më të ndjera të Kupës së Ligës u regjistrua gjatë fitores dramatike të Inter Miami ndaj Atlas FC, ku Lionel Messi dhe sulmuesi uruguaian Matías Cóccaro u përfshinë në një shkëmbim emocional në fushë, që përfundoi me një përqafim dhe shkëmbim fanellash.

Në një intervistë pas ndeshjes, Cóccaro sqaroi se tensioni që u pa në fushë ishte rezultat i intensitetit të lojës.

“Kur shënuam golin e barazimit, entuziazmi im nuk i pëlqeu Messit. Kur ata shënuan, ai festoi para meje. Por më pas u përqafuam dhe ai madje më kërkoi falje. Më tha që do të më dërgojë fanellën e tij, një gjest që tregon madhështinë e tij,” tha ai.

Cóccaro nuk kurseu fjalët e mira për yllin argjentinas:

“Ai është më i madhi në histori. Me të, unë thjesht hesht… me askënd tjetër. Dhe Suárez? Ai është idhulli im,” u shpreh ai.

Sulmuesi i Atlas shtoi se Messi kuptoi se gjithçka ishte pjesë e përkushtimit për skuadrën dhe nuk kishte asgjë personale.

Messi pati një tjetër paraqitje të shkëlqyer, duke dhuruar dy asistime, krijuar tri raste të mëdha dhe kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në golin vendimtar në minutën e fundit.

Për Atlasin, humbja e vendos skuadrën në një pozitë të vështirë për kualifikim, megjithëse ata kanë ende dy ndeshje për të ndryshuar situatën – ndaj Orlando City dhe Atlanta United.

 

Continue Reading

Lajmet

Gërvalla: Marrëdhëniet me SHBA-të kanë arritur një transformim substancial

Published

on

By

Zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës “kanë arritur një transformim substancial”.

Sot, Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas kryeministrit në detyrë Albin Kurti, tani e tutje, të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-ja do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në Kosovë.

Gjatë katër vjeçarit që lamë mbrapa, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një transformim substancial, i cili ka çuar në forcim të marrëdhënieve bilaterale në shumë fusha të rëndësishme dhe sidomos në fushën e sigurisë dhe në diplomaci. Prandaj këtë vendim e shohim në vazhdimësi të politikave të pandara të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm në forcimin e miqësisë por në krijimin dhe forcimin e një partneriteti të mirëfilltë me shtetin i cili ka qenë përkrahës gjithmonë në të gjitha temat që kanë të bëjnë me shtetësinë tonë”, tha ajo.

Kujtojmë se Kosova kishte tarifë doganore ndaj produkteve amerikane prej 10%. Pas tarifave të publikuara nga Donald Trump për rreth 200 vende në mbarë botën, Kosova u prek me 10% për produktet e eksportuara në SHBA.

Continue Reading

Lajmet

Qeveria ndan rreth 300 mijë euro për Podujevën e Shtimen

Published

on

By

Rreth 300 mijë euro ka ndarë Qeveria në detyrë e Kosovës për Komunën e Podujevës dhe të Shtimes.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se këto mjete ndahen për projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e menaxhimit të ujërave të zeza në këto dy komuna.

Shqyrtimi i propozim vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore për komunat: Podujevë dhe Shtime, për përfitimin e projekteve në klauzolë të investimeve të Fondit Burimor. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e ka sjellë për aprovim kërkesën për ndarjen e mjeteve buxhetore. Për Komunën e Podujevës 178 mijë e 730 euro dhe Komunë e Shtimes 117 mijë e 758 euro e 24 cent. Këto projekte kanë të bëjnë me përmirësimin e menaxhimit të ujërave të zeza në këto dy komuna”, tha Kurti.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritare janë ndarë edhe 580 mijë euro për pesë projekte kapitale.

Ministria e Zhvillimit Rajonal ka propozuar të aprovohet rialokimi i mjeteve në shumë prej 587 mijë e 569 euro gjithsejtë për pesë projekte kapitale dhe atë në komunat Vushtrri, Gjilan, Junik, Zubin Potok dhe Rahovec”, u shpreh Kurti.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, janë kompensuar familjet e dy zjarrfikësve që kanë humbur jetën në detyrë më 8 gusht 2024 dhe 8 korrik 2025.

Po ashtu do të ndajmë 40 mijë euro për mbështetjen e dy zjarrfikësve Sefedin Osmanaj dhe Kaqun Lima të cilët humbën jetën në krye të detyrës në vitin 2024, respektivisht 2025. Pra, 20 mijë euro për familjen e Safedin Osmanaj dhe 20 mijë euro për familjen Lima. Vetmohimi dhe përkushtimi profesional i Sefedin Osmanajt dhe Kaqun Limës ndaj detyrës fisnike të zjarrfikësit duhet të kujtohet gjithmonë me mirënjohjen më të thellë”, u shpreh ai.

Qeveria ka emëruar edhe drejtorin i përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Hysen Muzliukaj, me mandat katërvjeçar.

Po ashtu është votuar edhe për emërimin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Shemsi Duriqin.

Continue Reading

Të kërkuara