Lajmet

KQZ publikon raportet financiare të subjekteve politike, kaq janë të hyrat dhe shpenzimet e VV-së, PDK-së dhe LDK-së

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të martën raportet e audituara financiare të subjekteve politike për vitin 2023. Sipas KQZ-së, partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje ka mbi dy milionë euro ose më shumti të hyra për vitin e kaluar krahasuar me partitë tjera. Në LVV-së të hyrat për vitin 2023 kanë qenë 2,000,750 euro, ndërsa shpenzimet 1 milonë e 384 euro.

Partia e dytë më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka pasur të hyra 951 mijë e 483.00 euro më 2023, ndërsa shpenzime 717 mijë e 543 euro.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) gjatë vitit 2023 ka pasur të hyra 723 mijë e 169 euro dhe shpenzime 431 mijë e 824 euro.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka raportuar të hyra 280 mijë euro dhe shpenzime 268 mijë e 16 euro gjatë vitit 2023.

Ndërsa subjekti politik Lista Serbe ka pasur 314 mijë e 348 euro të hyra, kurse shpenzime 295 mijë e 917 euro.

Rajoni

Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre tre të mitur, riatdhesohen nga Siria

Published

on

Pesë shtetas shqiptarë, prej të cilëve tre të mitur, janë riatdhesuar nga Siria pas një procesi të gjatë dhe të vështirë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se përpjekjet për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ende ndodhen në Siri do të vazhdojnë.

“Pesë shtetas shqiptarë, nga të cilët 3 të mitur, u riatdhesuan nga Siria pas një procesi të gjatë dhe të vështirë, ndërkohë që vijon përpjekja për riatdhesimin e atyre që kanë mbetur ende në Siri”, ka shkruar Rama.

Pesë personat e riatdhesuar janë gra dhe fëmijë.

Edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar pas një pune të gjatë dhe të kujdesshme, në koordinim me përfaqësitë diplomatike e konsullore dhe autoritetet e vendeve të përfshira.

Pas mbërritjes në Shqipëri, të riatdhesuarve do t’u ofrohet asistenca e nevojshme, ndërsa do t’u bëhen edhe vlerësime shëndetësore dhe psikosociale.

Institucionet shqiptare do të vijojnë punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, si dhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë nga Siria, kur të krijohen kushtet për kthimin e tyre të sigurt./A.K/

Continue Reading

Vendi

Aleanca dorëzon kallëzim penal ndaj Qeverisë në detyrë për 17 vendime

Published

on

Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale lidhur me 17 vendime të miratuara nga Qeveria në detyrë, të cilat kanë të bëjnë me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Pas dorëzimit të kallëzimit, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se këto vendime, sipas vlerësimit të subjektit dhe juristëve të tij, janë në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.

Sipas Tahirit, vendimet janë marrë më 12 gusht dhe përfshijnë emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë në agjenci qeveritare, si dhe në një rast për përzgjedhjen e një sekretari të përgjithshëm.

Ai ka argumentuar se Qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet të plotë për ndërmarrjen e veprimeve të tilla.

Ndër vendimet e miratuara më 12 gusht janë edhe ato për emërimin e Komisionit të Pranimit për pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe për pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë.

Qeveria në detyrë ka miratuar gjithashtu komisione për përzgjedhjen e kandidatëve për drejtor ekzekutiv në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë, në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, si dhe për drejtor të përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

Për këto vendime shqetësime kanë shprehur edhe organizata të shoqërisë civile. Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Neni 72 i Kushtetutës, Neni 26 i Ligjit për Qeverinë dhe një aktgjykim i Gjykatës Supreme lidhen me kufizimet për ushtrimin e njëkohshëm të funksionit të deputetit dhe anëtarit të Qeverisë./A.K/

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 26 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

26 gusht 1993

Policia serbe vrau Sefer Çukovcin në Cërnillë të Ferizajt

Policia serbe, dje rreth orës 9.30, në fshatin Cërnillë të Ferizajt, vrau Sefer Çukovcin, i lindur më 17.02.1977.

Burimet e LDK-së dhe të KMDLNJ-së bëjnë me dije se dje, më 25 gusht, në ora 5 të mëngjesit, forca të shumta policore rrethuan shtëpinë e vëllezërve Çukovci në Cërnillë të Ferizajt. Policia kërkonte Fatmirin (28) e Kadriun (26). Meqë aty nuk ndodheshin këta të dy, e as vëllai i tyre Seferi, policia urdhëroi nënën e tyre që deri në ora 12 t’i dorëzojë djemtë e vet. Pas këtij kërcënimi dhe maltretimit që ia bëri nënës së djemve, policia serbe për një moment u tërhoq.

Mirëpo, si duket, ajo ishte fshehur diku afër dhe kur hetoi se u kthyen në shtëpi vëllezërit Çukovci, policia në orën 9.30 rrethoi përsëri shtëpinë. Vëllezërit Çukovci, të vetëdijshëm se policia, në raste të tilla mund të bëjë tmerre, deshën të arratisen. Por, pasi policët serbë shtinë me armë automatike në vëllezërit Çukovci. Me këtë rast u vra djaloshi 16-vjeçar, Sefer Çukovci.

Këto burime po ashtu njoftojnë se policia serbe u tërhoq nga fshati Cërnillë rreth orës 15, kurse kufomën e Sefer Çukovcit e dërgoi në Prishtinë.

 

26 gusht 1994

Një i vdekur dhe dëme të mëdha nga furtuna që përfshiu mbrëmë Kosovën

Dje, rreth orës 18, pothuajse gjithë Kosovën e përfshiu një furtunë e fuqishme, e cila në disa vendbanime e qytete shkaktoi dëme të konsiderueshme. Kjo furtunë i ngjante një orkani të vërtetë dhe ndonëse nuk zgjati më shumë se 10-15 minuta, ajo shkaktoi dëme të mëdha materiale. Në Suharekë shkaktoi vdekjen e Blerta Xhavit Ymerajt nga fshati Sopi.

Furtuna që përfshiu Suharekën me rrethinë shkaktoi dëme të mëdha. Më së keqi e pësuan banorët e fshatit Sopi.

Nga plepat e rrëzuar vdiq Blerta Xhavit Ymeraj, ndërsa u lënduan rëndë Nazmie Kololli (16), Safet Sadikaj (17), Afërdita Ymeraj (7) dhe Arben Ymeraj (7).

Njoftohet se nga pullazi i shtëpisë ranë disa trerë të shtëpisë dhe me këtë rast u lëndua Lulzim Kryeziu, i cili gjendet në spital.

Është shkatërruar edhe pullazi i shtëpisë së Shaban Mazrekut nga Sopia.

Në Suharekë janë nxjerrë me rrënjë shumë plepa dhe janë dëmtuar pullazet e shumë shtëpive. Është dëmtuar banesa e Besim Demirajt. Në fshatra janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Në Reqan është dëmtuar shtëpia e Ismet Zeqirajt.

Dëme të mëdha janë shkaktuar dje edhe në Prishtinë. Kështu, në rrugën “Jabllanica” për shkak të këputjes së shtyllës elektrike, dhjetëra familje kanë mbetur pa rrymë elektrike.

Në komunën e Ferizajt furtuna nxori edhe drunjtë me rrënjë, ndërsa në ndërtesat shumëkatëshe theu xhamat e dritaret.

Tash për tash nuk dihen dëmet e shkaktuara, pasi ende nuk janë dhënë njoftime të hollësishme lidhur me përmasat dhe pasojat e furtunës së mbrëmshme.

 26 gusht 1995

Vazhdon ardhja e kolonistëve serbë në Kosovë

Nëpër komunat e Kosovës vazhdon vendosja e refugjatëve serbë, madje edhe punësimi, përkundër refuzimit të tyre që të vijnë në Kosovë.

Vushtrri: – Administratorët e instaluar serbë në Vushtrri u premtojnë refugjatëve serbë nga Kroacia se për strehimin e tyre do të ndërtojnë koloni të posaçme. Sipas njoftimeve të shtypit serb në Vushtrri me rrethinë po hartohen plane për vendosjen e 3000 kolonëve serbë.

Këtu janë vënë në dispozicion edhe 300 hektarë tokë dhe 100 objekte banimi që do të adaptohen, shkruan “Jedinstvo”. Po ashtu, thuhet se shumë prej tyre do të punësohen, natyrisht në vendet prej nga u dëbuan punëtorët shqiptarë.

Viti: – Dje në Viti u sollën 54 refugjatë nga Kroacia, të cilët u vendosën në hotelin “Park” të Banjës së Kllokotit. Në një njoftim të gazetës “Jedinstvo” thuhet se këtu do të punësohen të gjithë kolonët serbë të aftë për punë. Veç kësaj, atyre u ofrohen edhe nga dy hektarë tokë të punës në fshatrat e kësaj komune. Edhe në këtë komunë pushtetmbajtësit serbë të punësuarve do t’ua ndalin nga një mëditje për refugjatët deri në fund të vitit, njofton “Jedinstvo”.

Mitrovicë: – Deri më tash janë sjellë 318 kolonë serbë të cilët janë vendosur në internatin e uzurpuar shkollor, në konviktin e studentëve dhe në pushimoren e fëmijëve. Po ashtu, thuhet se edhe sot do të sillen refugjatë të rinj, njofton “Jedinstvo”.

Zveçan: – Afër Zveçanit, sipas burimeve serbe, tashmë janë vendosor 120 refugjatë, kurse kombinati “Trepça”, i uzurpuar nga serbët, ka punësuar pesë kolonë serbë. Ndërkaq, sipas një plani serb, në këtë kombinat do të punësohen 500 kolonë serbë.

Skënderaj: – Në Skënderaj, komunë me pothuaj qind për qind popullsi shqiptare, tashmë janë vendosur refugjatët serbë. Madje, sipas njoftimeve të shtypit serb, një familje nga Petrinja e Kroacisë është punësuar, burri në ndërmarrjen “Buduqnost”, kurse gruaja në Fabrikën e municionit në Skënderaj. Gjithashtu thuhet se për kolonët serbë këtu janë siguruar nga tre hektarë tokë, njofton “Jedinstvo”.

Istog: – Në komunën e Istogut, pos tokës së premtuar, kolonëve serbë u janë siguruar edhe vende të punës në ndërmarrjen “Standard”, njofton “Jedinstvo”.

Ndërsa Komisioni për Informim i Degës së LDK – së në Istog njofton se deri më tash në këtë komunë janë vendosur 397 kolonistë.

Leposaviq: – Në Leposaviq, ku popullsia është kryesisht serbe, 80 për qind të  refugjatëve të vendosur janë pleq. Në njoftim nuk thuhet nëse për refugjatët është siguruar tokë apo vende të punës, njofton “Jedinstvo”.

Shtërpcë: – Tash për tash në komunën e Shtërpcës janë vendosur 32 refugjatë  në fshatin Gotovushë dhe në pushimoren e “Elektrokosovës” në Brezovicë. Regjimi serb ka planifikuar që në këtë vend turistik të sjellë kolonë serbë nga Plitvica e Kroacisë dhe ata t’i punësojë në objektet e këtushme turistike.

Në Brezovicë është vendosur edhe një paramilitar serb nga Kostajnica, i quajtur Miodrag Pushkara, njofton “Jedinstvo”. Pushkarën e ka ftuar partia socialiste dhe i ka premtuar se do të sigurojë vende pune për të dhe për gruan e tij.

Fushë Kosovë: – Rreth 20 kolonistë serbë u vendosën sot në lokalet e shkollës fillore të fshatit Miradi e Epërme të Fushë – Kosovës. Komisioni për Informim i Degës së LDK – së njoftoi se kolonistët u vendosën në të dy pjesët e ndara të shkollës, ku mësonin deri më tash nxënësit shqiptarë dhe serbë.

Shqiptarët që përbëjnë shumicën e banorëve të Miradisë janë të brengosur edhe për shkak se serbët e instaluar në administratën e Fushë – Kosovës kanë bërë incizimin e gjendjes në këtë fshat dhe kanë kërkuar shtëpitë e zbrazëta me qëllim që në to të vendosin kolonistë të rinj.

Nga Fushë – Kosova njoftohet se kanë arritur edhe kolonistë të tjerë, të cilët janë vendosur në mënyrë individuale.

Prishtinë: – Mbrëmë, rreth orës 20, nga drejtimi i Podujevës në Prishtinë arritën kolonistë serbë me një autobus me regjistrim të Zrenjaninit, në përcjellje të policisë. Po në këtë kohë nga i njëjti drejtim arritën edhe disa kamionë të ngarkuar me traktorë dhe orendi shtëpiake, si edhe kolonistë me traktorë dhe mjete tjera transporti.

Njoftohet se tri familje kolonistësh janë vendosur në shtëpi të serbëve në fshatin Nëntë Jugoviq të Prishtinës, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK – së në Kodrën e Trimave.

Rahovec: – Përveç 40 kolonëve që u vendosën ditë më parë në kampshtëpizat e BVI-së te Ura e Fshejtë, në komunën e Rahovecit, këto ditë arritën edhe katër familje refugjatësh të cilat u vendosën në disa familje serbe në Rahovec, njofton KI i degës së LDK – së në Rahovec.

Organet e instaluara në administratën komunale të Rahovecit kanë marrë vendim që të gjithë të punësuarit të japin nga një mëditje si dhe nga të ardhurat e tyre mujore të ndajnë nga një për qind për kolonët serbë. Po ashtu, të gjitha ndërmarrjeve shoqërore iu është rekomanduar që të sigurojnë nga dy vende pune për kolonët serbë, thuhet në fund të këtij njoftimi.

Kaçanik: – Dje në Kaçanik arritën 45 kolonistë serbë. Ata janë vendosur në lokalet e shkollës “Vëllazëria” në fshatin Kaçaniku i Vjetër. Sot në mëngjes në Kaçanik arritën edhe 25 kolonistë që u vendosën në motelin “Kalaja”, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK – së.

Njoftohet se serbët e instaluar në administratën komunale po bëjnë përgatitje për vendosjen e kolonistëve të rinj edhe në lokalet e sanatoriumit në këtë qytet.

 

26 gusht 1997

Edhe një vrasje në fshatin Zhub të Gjakovës

Mbrëmë rreth orës 23:30 në fshatin Zhub të Gjakovës, ndodhi edhe një tragjedi. Persona të paidentifikuar sulmuan familjen Kqiraj, dhe pa ndonjë hezitim, qëlluan me rrebesh plumbash dhe vranë Ndue Kqirajn 29 vjeçar dhe plagosën të vëllain e tij Bekim Kqiraj 26 vjeç.

Siç bëhet e ditur nga anëtarët e familjes Kqiraj, në orët e vona të pasnatës, 4 persona të armatosur me armë zjarri, së pari i maltretuan të gjithë anëtarët e familjes Kqiraj, dhe pasi i morën me dhunë mbi 10 mijë DM, njëri prej plaçkitësve qëllon Ndue Kqirajn, i cili mbeti i vrarë në vend. E gjithë kjo ngjarje tragjike u zhvillua në prezencën e anëtarëve të kësaj familjeje, dhe me të kundërshtuar në momentin kritik të plakës së shtëpisë, grabitësit, qëlluan me një plumb automatiku edhe Bekimin.

Që nga orët e para të mëngjesit, në vendin e ngjarjes arritën edhe forca të mëdha të policisë serb dhe sipas pohimeve të tyre, dyshohet se grabitësit janë nga Shqipëria.

Sipas fjalëve të zonjës së shtëpisë, plaçkitësit deshën t’i pushkatojnë të gjithë anëtarët e familjes.

 

26 gusht 1998

Trupat e katër shqiptarëve të vrarë u dërguan në morgun e spitalit të Gjakovës

Sot në morgun e spitalit të Gjakovës policia serbe solli trupat e pajetë të 4 shqiptarëve të vrarë, të gjithë meshkuj të moshës 20-25 vjeçare, të cilët u sollën nga zonat e fshatrave të Hasit të brezit kufitar, më konkretisht, nga hapësira mes fshatit Goden dhe fshatit Kusar, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Supozohet se të vrarët janë banorë të këtyre anëve, që pasuan nga granatimet e dendura të forcave serbe mbrëmë dhe sot në mëngjes në zonën e fshatrave të Hasit të brezit kufitar Kosovë-Shiqpëri.

Për pasojat e këtyre granatimeve nuk dihet më shumë, për shkak se e tërë kjo zonë mbahet e rrethuar plotësisht nga forcat e shumta ushtarako-policore serbe.

Në qytetin e Gjakovës po vazhdon keqësimi i gjendjes humanitare të popullatës së zhvendosur, sidomos në malet e anës së Dushkajës. Qyteti vazhdon të mbahet në bllokadë të plotë. Është paralizuar tërësisht furnizimi i popullatës me artikuj ushqimorë, ndërsa organizata shoqërore tregtare “Metohija Promet” furnizon vetëm popullatën serbe. Edhe pse furra shoqërore në kohët e fundit ka filluar prodhimin e bukës, gjithnjë ndjehet mungesa e këtij artikulli kryesor.

Gjithashtu, vazhdon lëvizja e forcave ushtarake dhe policore në qytet dhe këto lëvizje përcjillen me provokime ndaj popullatës, ndërsa edhe më tutje vazhdon arrestimi i qytetarëve. Kështu, sot në mëngjes u arrestua i riu 24 vjeçar Sadik Zeqiri nga fshati Stubëll. Po ashtu, pas mbajtjes 4 ditë në polici, në burgun hetimor në Pejë u dërgua Rexhep Haxhia (23) nga Gjakova.

Nëntë kufoma u dërguan në Prizren

Mbrëmë në spitalin e Prizrenit janë dërguar nëntë kufoma të paidentifikuara. Thuhet se katër kufoma janë nga Juniku, kurse pesë të tjerat dyshohet të jenë nga Duhla.

 

Foto: Gjakova

Continue Reading

Lajmet

Aksident me fatalitet në Lluzhan, arrestohet shoferi

Published

on

By

Një aksident trafiku me pasojë fatale ka ndodhur në fshatin Lluzhan të Podujevës, ku si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë një person.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, kur viktima u godit nga një veturë, drejtuesi i së cilës u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes pa iu ofruar ndihmë.

Viktima u dërgua me urgjencë në Qendrën Kliniake Universitare të Kosovës (QKUK), mirëpo për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ai ka ndërruar jetë të martën, më 25 gusht.

Ndërkaq, po më 25 gusht, organet e rendit kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin që po ngaste automjetin. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara