Lajmet

​KQZ nuk akrediton Listën Serbe

Published

on

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk kanë akredituar Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e shkurtit.

Shkak për këtë kundërshtim, ishin thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.

Në fillim, dy anëtarët e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi kanë shprehur kundërshtimin për certifikimin e këtij subjekti politik.

Kam rezervat e mia dhe më duhet me i shpreh dhe janë shumë elemente, pra prezantimi i kandidatëve të Listës serbe. Pra asnjëherë nuk përmend Republika e Kosovës por thotë ‘Kosovo i Metohija’. Nuk thotë ‘rrnoftë Kosova por rrnoftë Serbia’. Përfaqësuesit e kësaj liste mbajnë kontakte me pushtetin e Vuçiqit ku shihet edhe Radojiçiqi, ku kanë lidhje me sulmin terrorist në Banjskë dhe së fundmi edhe në Ibër Lepenc”, u shpreh ai, teksa lëshoi një audio-incizim ku dëgjohet Allek me thirrje kundër Republikës së Kosovës.

Kundër certifikimit të Listes serbe doli edhe anëtari tjetër i VV-së, Alban Krasniqi, i cili kërkoi veprime nga Prokuroria e Shtetit.

Edhe anëtarët tjerë që vijnë nga radhët e opozitës kanë shprehur shqetësimet e tyre, ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Arianit Elshani, ka kujtuar se verifikimi i listave të kandidatëve ka kaluar nëpër disa institucione dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë ndonjë vërejtje.

Ndaj të njëjtat shqetësime me anëtarin e VV-së, mirëpo kam një shqetësim tjetër për shkak se rekomandimi i Zyrës për Regjistrim të Partive ka thënë se ky subjekt plotëson të gjitha kriteret që të jetë në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Është bazuar edhe në deklarimet e MPB dhe MPJ dhe të gjithë kanë thënë se subjekti në fjalë i plotëson kriteret. Unë me këtë rast abstenoj deri në definimin e saktë sepse certifikimi i subjekteve duhet ta ketë një konsensus të përbashkët”, u shpreh Elshani.

Elshani ka kujtuar se edhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë asnjë vërejtje për listën kandidatëve të subjektit politik.

“Të gjithë e dimë se kush është Lista serbe, mirëpo është mirë me na tregu Ministria e Punëve të Brendshme. Është mirë ata me ma tregu se kush janë pjesëtarë të këtij subjekti politik. Unë propozoj që të diskutoni me MPB-në dhe të vini me një rekomandim, qoftë pro apo kundër certifikimit”, u shpreh tutje Elshani.

 

Aktualitet

Jakup Krasniqit i refuzohet kërkesa për lirim të përkohshëm

Published

on

Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e Jakup Krasniqit për lirim të përkohshëm, të cilën e kishte parashtruar pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë.

Kështu ka njoftuar Specialja përmes një njoftimi publik, transmeton Telegrafi.

Në vendimin i cili u bë publik më 11 qershor, nuk ka ende informacione që tregojnë se Krasniqi mund t’i ikë drejtësisë, por ekziston rreziku që ai të pengojë procedurat ose të kryejë krime të tjera ndaj atyre që cilësohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duke përfshirë edhe vetë dëshmitarët në këtë çështje.

Ndryshe, Jakup Krasniqi po gjykohet për krime të pretenduara të luftës, bashkë me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej 2020.

Continue Reading

Lajmet

Në ditën e Çlirimit, Ambasada Amerikane nderon qëndrueshmërinë e Kosovës

Published

on

By

Ambasada Amerikane në Kosovë, në përkujtim të 12 Qershorit, ditës kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, theksoi se kjo ngjarje përbën një moment kyç që hapi rrugën drejt paqes dhe mundësoi kthimin e familjeve të zhvendosura.

Në mesazhin e saj, ambasada nderoi qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe angazhimin e përbashkët për një të ardhme të sigurt dhe paqësore.

“Sot bëhen 26 vjet nga hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë, duke sjellë shpresë, siguri dhe një rrugë drejt paqes. 12 qershori i vitit 1999 ishte një pikë kthese – ajo që lejoi familjet e zhvendosura të ktheheshin dhe komunitetet të fillonin rindërtimin. Në këtë përvjetor, ne nderojmë qëndrueshmërinë e popullit kosovar dhe përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në paqe, siguri dhe prosperitet.”

Më 12 qershor 1999, pas përfundimit të fushatës ajrore, forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO, KFOR, hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës.

Continue Reading

Lajmet

Kurti bën homazhe te varri i Rugovës në Ditën e Çlirimit

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë sot homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, me rastin e Ditës së Çlirimit.

Kurti e cilësoi Rugovën si një kontribuues të madh për unitetin e popullit dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve ’90.

“Duke vendosur lule të freskëta te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova – një kontribuues i madh për unitetin e popullit dhe për ndërkombëtarizimin e Kosovës dhe çështjes kombëtare në përgjithësi gjatë gjithë viteve të 90-ta – ne shprehim mirënjohje për rolin e tij,” tha Kurti.

Ai shtoi se do të vijojë homazhet edhe te varri i Adem Demaçit dhe më pas në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz.

“Kësisoj shënojmë edhe gëzimin tonë për çlirim, por edhe kujtesën tonë për ata që punuan dhe sakrifikuan për shtetin që e ndërtojmë dhe e zhvillojmë sot,” u shpreh Kurti para gazetarëve.

Ai nuk pranoi të përgjigjej në pyetjet e tyre.

Continue Reading

Lajmet

Polici Elez Peci dëshmon: Sulmi në Banjskë ishte tipik ushtarak, i trajnuar dhe i financuar mirë nga Serbia

Published

on

By

Në seancën gjyqësore lidhur me rastin “Banjska”, dëshmoi Elez Peci, koordinator në Stacionin Policor të Zveçanit. Ai rrëfeu me emocione ngjarjet e natës së 24 shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Si zyrtar policor ndjehem shumë i lënduar shpirtërisht me humbjen e rreshterit Bunjaku. Edhe pse fizikisht nuk kam pësuar lëndime, emocionalisht ndjehem si palë e lënduar,” tha Peci në sallën e gjykatës.

Ai kujtoi se ndërrimi kishte filluar më 23 shtator në orën 19:00 dhe do të përfundonte në orën 07:00 të mëngjesit. Gjatë patrullimit, përmes radio-lidhjes, u raportua për dy kamionë që kishin bllokuar hyrjen e fshatit Banjskë. Peci ishte pjesë e ekipit që ndërmori veprime së bashku me rreshterin Bunjaku.

Gjatë rrugës drejt Banjskës, ata kishin ndaluar një veturë, në të cilën gjetën një antenë të radio-lidhjes policore. Më pas, u nisën drejt vendit ku pritej përshkallëzimi i situatës.

Kur arritën në Banjskë, policët parkuan automjetet rreth 20 metra larg kamionëve dhe vazhduan në këmbë. “Rruga ishte e ndriçuar në mënyrë të pazakontë, më ngjalli dyshime dhe u thashë kolegëve të shpërndahen, se mund të jetë kurth. Menjëherë pas kësaj ndodhi një përballje shumë e rëndë,” tha ai.

Peci përshkroi të shtënat që vinin nga drejtime të shumta dhe armë të kalibrave të ndryshëm. Sipas tij, sulmi kishte karakter ushtarak dhe ishte i organizuar në mënyrë të sofistikuar.

Në dëshminë e tij, ai rrëfeu momentin kur u plagos rreshteri Bunjaku dhe përpjekjet për ta shpëtuar. “Kur e kam kapur për ta tërhequr, duart më janë nxehur nga gjaku. Ishte një moment i rëndë. E kam vendosur në veturë dhe ia kam larguar anti-plumbin, i cili ishte depërtuar nga predha.”

Peci shtoi se gjuajtjet nuk u ndalën as gjatë përpjekjes për tërheqjen e trupit të Bunjakut. Ai e quajti sulmin një akt të mirëplanifikuar, duke theksuar se armët e përdorura nuk mund të ishin të siguruara në mënyrë të zakonshme.

“Sulmi ishte i natyrës ushtarake, me armë të rënda dhe me pozicione të koordinuara. Nuk kam përjetuar kurrë një situatë të tillë. Armatimi ishte i sofistikuar dhe kjo flet për mbështetje të drejtpërdrejtë nga Serbia,” përfundoi Peci.

Continue Reading

Të kërkuara