Lajmet

​KQZ i afrohet shpalljes së rezultateve përfundimtare

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se është në fazën përfundimtare të aktiviteteve të cilat duhet të zhvillohen për të ardhur deri te shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale, të cilat u mbajtën më 12 tetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se pas përfundimit të aktiviteteve në Qendrat Komunale të Numërimit, procesi i numërimit të votave jashtë Kosovës do të përmbyllet gjatë ditës së hënë, për t’i hapur rrugë numërimit të votave të fundit nga votimi e kusht.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përfundimtare të aktiviteteve të cilat duhet të zhvillohen pas ditës së votimit për të ardhur deri te shpallja e rezultateve përfundimtare”, tha Elezi.

Ai kujtoi se gjatë javës së kaluar në 38 Qendrat Komunale të Numërimit brenda 6 ditë janë verifikuar rezultatet për 2,571 vendvotime të rregullta nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale, si dhe është bërë numërimi i votave të kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Elezi tregoi se KQZ planifikon që gjatë ditës së hënë të përmbyllë numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës dhe pas tyre planifikohet të numërohen edhe votat e fundit, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Gjatë ditës së sotme, e hënë, planifikohet të përmbyllet numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, një proces i cili ka filluar të premten pasdite. Pas tyre, në radhë për tu numëruar janë fletëvotimet që i takojnë votimit me kusht, i mundësuar në 54 vendvotime me kusht në 38 komuna dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile. Në votimin me kusht janë më shumë se 2,100 zarfe me fletëvotime që i takojnë dy lloje të zgjedhjeve, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,400”, tha Elezi.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, subjektet politike dhe kandidatët mund të parashtrojnë ankesat e tyre lidhur me rezultatet.

Procesi mund të zgjasë disa ditë deri në certifikimin, apo përmbylljen përfundimtare të procesit zgjedhor./KP

Vendi

Arrestohet një grua në Podujevë për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve

Published

on

By

Në raportin e policisë, në 24 orët e fundit është raportuar një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve në Podujevë, që ka çuar në arrestimin e një personi.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku njësitet policore kanë vënë në pranga të dyshuarën grua nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas raportit, “e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e fëmijës, mirëpo ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohet nga Franca i kërkuari për vrasje në tentativë në rajonin e Pejës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Franca për në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të plotë me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante.

I dyshuari, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ishte arrestuar më parë nga autoritetet franceze pasi ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi u krye me sukses falë marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, duke u theksuar se: “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre franceze”.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbetet aktive në luftën kundër krimit pa marrë parasysh kufijtë, duke deklaruar se: “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale”.

Continue Reading

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Të kërkuara