Lajmet

​Kosova vetëm me një mjek të punës

Published

on

Sistemi shëndetësor i Kosovës aktualisht ka të punësuar vetëm një specialist të mjekësisë së punës. Mungesën e tyre e plotësojnë mjekët e mjekësisë familjare. Shtimi i numrit të mjekëve të punës po konsiderohet masë urgjente ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë presin që në fillim të vitit të ardhshëm të shtohen dhe katër specialistë të kësaj fushe.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës, e cila ka selinë në Gjakovë, Albert Lila e konsideron të domosdoshme të punohet në drejtim të plotësimit të këtij boshllëku në sistemin shëndetësor.

Ai thotë se nga 400 mijë punëtorët që janë të punësuar në gjithë vendin, vizita sistematike shëndetësore në vitin 2023, kanë kryer vetëm 6 mijë e 500 prej tyre, ose thënë në përqindje, 1.5%.

“Pas shumë viteve mund të them prej periudhës së pasluftës në Kosovë do të mund të mbrojnë provimin specialistik tre nga mjekët e rinj në specializim që filluan katër vite më parë specializimin, dhe sistemi shëndetësor në Kosovë do të pasurohet me 3 mjekë të ri dhe në pritje është edhe mjeku i katër….Kosova aktualisht në sistemin shëndetësor në marrëdhënie të rregullt është vetëm një specialiste e mjekësisë së punës, shumica e kolegëve nga mjekësia e punës janë në pension tashmë”, theksoi ai.

Lila thotë se për shkak të mungesës së mjekëve të punës, po shikohen mundësitë edhe për angazhim të profesionistëve shëndetësorë të pensionuar.

Sipas tij, Kosova në një periudhë afatmesme duhet t’i ketë të angazhuar së paku 30 mjekë të kësaj fushe.

“Del që është jo e nevojshme, por është jetike që Kosova të punoj në këtë drejtim, në plotësimin e këtij boshllëku që hapi i parë është dhënia e specializimeve të para katër vitesh dhe në krijimin e një kurrikule dhe një modeli të ri të kurrikulës për specializime nga mjekësia e punës….Mjekësia e punës mision e ka ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve, qoftë në sektorin publik dhe privat…Korniza ligjore na ka mundësuar që të angazhojmë edhe pensionistë dhe se aktualisht po shqyrtojnë mundësitë që të angazhohen pensionistë të tjerët specialist të mjekësisë së punës…I bie që në planin afatmesëm duhet 20 apo 30 veta për ta plotësuar këtë boshllëk, por në planin afatgjatë duhen minimum 100 kolegë nga mjekësia e punës”, thotë Lila.

Ndërkaq, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha thotë se përmes shkollimit specialistik kanë ndërmarrë masa që kjo situatë të përmirësohet.

“Punën e mungesës së specialistëve të mjekësisë së punës e bëjnë e specialistet e mjekësisë familjare, çdo herë kur ka shpallje të konkursit për specializime prioritet profilet deficitare në këtë rast janë edhe specialistët e mjekësisë së punës. Është individuale nga ana e mjekut të përgjithshëm të bëjë përzgjedhjen e këtij profili. Unë ju bëjë thirrje të gjithë atyre që do të aplikojnë në konkursin që do të shpallet para fundit të këtij viti që të marrin edhe specializimin e mjekësisë së punës. Ne apriori nuk mund ta detyrojmë askënd, por ne kemi ndërmarrë hapa apo veprime apo angazhimin që shërbimet që i bënë mjekësia e punës t’i realizojë mjekësia familjare”, theksoi ai.

Në anën tjetër, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu e sheh të nevojshme që të shtohen kapacitetet e specialistëve të mjekësisë së punës.

Ai e konsideron të gabuar, praktikën e zëvendësimit të mjekësisë së punës me atë familjare.

“Është menduar nga disa se mjekësia familjare do ta zëvendësojë mjekësinë e punës, nuk mund ta zëvendësojë mjekësinë e punës, janë bërë disa eksperimente koti dhe me vite të tëra nuk janë dhënë specializime në mjekësinë e punës. Besoj që më fund janë bindur ata që bëjnë politika se nuk është e drejtë është e nevojshme”, theksoi ajo.

E kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovës, Jusuf Azemi e konsideron mangësi të madhe mungesën e profesionistëve të punës.

Sipas tij, çdo komunë duhet të kishte të angazhuar së paku dy mjekë të punës.

“Është shumë normale që është një mungesë shumë e madhe, sepse këto janë më tepër sëmundje profesionale, që mund të themi çka ne në Kosovë, pothuajse gati, nëse nuk gaboj, vetëm KEK-u e ka një mbikëqyrje të punëtorëve për sëmundje profesionale, përndryshe të gjithë të tjerë punëtorë të sektorit privat të Kosovës, nuk i kanë dhe nuk ekziston. Është shumë normal që së paku në komunë duhet të jenë një apo dy persona për çdo lloj sëmundje profesionale”, thotë Azemi.

Eksperti i sigurisë në punë, Naim Bajraktari thotë se angazhimi i mjekut të punës në çdo kompani me numër të madh të punëtorëve duhet të obligohet me ligj.

“Është shumë e domosdoshme që të kenë kompanitë mjekun e vetë brenda, këtë gjithë herë e them brenda kompanive që kanë numër të madh të punëtorëve…Në Kosovë për momentin nuk ka dhe nuk praktikohet kjo… Roli i mjekut të punës është shumë i madh, në dy fronte. Fronti apo e mira e parë është se e duan shëndetin e punëtorëve sepse është prezent aty dhe përcjell gjendjen e tyre, flasim për kompanitë që janë më të rrezikuara me risk të lartë të rrezikut në vendet e punës. E mira e dytë është sepse ruan shëndetin e punëtorëve, në anën tjetër e kursen kompaninë nga keqpërdorimet që mund të vijnë nga punëtorët”, shprehet Bajraktari.

Në periudhën e para luftës në Kosovë kanë qenë të angazhuar rreth 52 mjekë të punës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mjekësia e punës synon ruajtjen dhe promovimin e shëndetit të punëtorëve, përmirësimin e kushteve dhe mjedisit të punës, si dhe zhvillimin e organizimit dhe kulturave të punës.

Lajmet

Kosova shpallet zyrtarisht vend i sigurt për azil nga BE-ja

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka miratuar sot qëndrimin e tij për dy akte të rëndësishme ligjore që ndryshojnë mënyrën se si trajtohen kërkesat për azil brenda bllokut. Në një komunikatë zyrtare, Këshilli Evropian njoftoi se Kosova, së bashku me shtatë vende të tjera, është futur zyrtarisht në listën e “vendeve të sigurta të origjinës”.

Sipas Këshillit, këto rregulla të reja synojnë të krijojnë procedura më të shpejta dhe më efikase për personat që vlerësohet se nuk kanë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare në BE.

Sot, Këshilli ka miratuar qëndrimin e tij mbi dy aktet ligjore të BE-së, të cilat do të forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore mbi vendet e sigurta në rregullat e azilit të BE-së. Këto ligjie të reja për migracionin synojnë të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive të azilit për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së” thuhet në komunikatë.

Çfarë nënkupton lista e re?

Përfshirja e Kosovës në listën e vendeve të sigurta nënkupton se aplikimet për azil nga qytetarët kosovarë do të trajtohen më shpejt dhe, në shumicën e rasteve, pritet të përfundojnë me refuzim. Kjo për shkak se BE vlerëson se Kosova garanton mbrojtje të mjaftueshme kundër persekutimit dhe shkeljeve të rënda të të drejtave themelore.

Megjithatë, autoritetet evropiane theksojnë se asnjë kërkesë nuk refuzohet automatikisht. Çdo rast individual mbetet i hapur për shqyrtim, nëse aplikanti paraqet rrethana specifike që justifikojnë nevojën për mbrojtje.

Për herë të parë, BE ka hartuar një listë të unifikuar të vendeve të sigurta të origjinës. Përveç Kosovës, në këtë listë janë përfshirë edhe: Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku, Tunizia

Kësisoj, kërkesat për azil nga qytetarët e këtyre vendeve do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara, që shpesh pritet të çojnë në refuzim ose në transferim të shqyrtimit në një “vend të tretë të sigurt”.

Rregullorja e re zgjeron përdorimin e konceptit të “vendit të sigurt të tretë”, i cili u mundëson shteteve anëtare të refuzojnë kërkesat për azil nëse aplikanti ka mundur të kërkojë mbrojtje në një vend tjetër të sigurt jashtë BE-së para se të mbërrinte në territorin evropian. Po ashtu, rregullorja hap rrugën që disa kërkesa të shqyrtohen drejtpërdrejt në vende të treta të sigurta.

Me këtë vendim, BE synon të reduktojë numrin e kërkesave të pabazuara, të rrisë efikasitetin e procedurave dhe të ketë një qasje më të unifikuar ndaj migracionit./UBTNews

Continue Reading

Lajmet

Alonso flet pas humbjes turpëruese nga Celta Vigo

Published

on

Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, i bëri thirrje ekipit të tij të rikuperohet shpejt pas një humbjeje të dhimbshme nga Celta Vigo, kur ata përballen me Manchester Cityn në Ligën e Kampionëve.

“Los Blancos” kanë fituar vetëm dy nga shtatë ndeshjet e tyre të fundit në të gjitha garat dhe u mposhtën 2-0 në shtëpi nga Celta në La Liga, duke i lënë katër pikë prapa liderëve Barcelonës.

Madridi e mbylli ndeshjen me nëntë lojtarë pas kartonëve të kuq për Fran Garcian dhe Alvaro Carrerasin, përpara përballjes me Cityn e Pep Guardiolës në Evropë të mërkurën .

“Jemi të gjithë të zemëruar, me sa duket kjo nuk ishte ndeshja që donim, nuk ishte rezultati që donim. Duhet të përpiqemi ta kthejmë faqen sa më shpejt të jetë e mundur. Janë vetëm tre pikë. Kemi ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Cityt për të reaguar dhe për të hequr këtë shije të keqe nga goja jonë, “u tha Alonso gazetarëve në Bernabeu.

Skuadra e Alonsos ka pasur probleme me formën në javët e fundit, duke çuar në spekulime për të ardhmen e tij në klub në mediat spanjolle.

I pyetur nëse po luante për të ardhmen e tij kundër Cityt, Alonso këmbënguli se në lojë ishin vetëm pikët.

“Po luajmë për tre pikë në Ligën e Kampionëve, në një garë ku jemi në një pozicion të mirë, dhe për këtë po luajmë “, përfundoi Alonso./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Neymar do t’i nënshtrohet një operacioni në gju

Published

on

Neymar do t’i nënshtrohet një operacioni në gju pasi luajti me dhimbje për të ndihmuar Santosin të shmangë rënien nga kategoria me një fitore 3-0 ndaj Cruzeiros të dielën.

Kjo ka ngritur më shumë dyshime rreth shanseve të anësorit për të luajtur në Kupën e Botës të vitit të ardhshëm.

33-vjeçari u rikthye te klubi i fëmijërisë, Santos, në janar, pas një periudhe në Arabinë Saudite dhe pati një ndikim vendimtar në mbijetesën e ekipit të tij në ligën e parë braziliane, duke shënuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit.

“Erdha për këtë, për të ndihmuar sa më mirë që mundem. Këto kanë qenë javë të vështira për mua”, u tha gazetarëve Neymar, i cili luajti vetëm në 20 nga 38 ndeshjet e tyre në ligë.

“I falënderoj ata që ishin me mua për të më ngritur në këmbë. Po të mos ishin ata, nuk do t’i kisha luajtur këto ndeshje për shkak të këtyre lëndimeve, këtij problemi me gjurin. Më duhet të pushoj dhe pastaj do të bëjmë këtë operacion në gju.”

Ai nuk dha detaje mbi operacionin ose një afat kohor për shërimin e tij të pritur dhe nuk është paraqitur për Brazilin prej dy vitesh për shkak të një sërë lëndimesh.

Në tetor, trajneri i ekipit kombëtar, Carlo Ancelotti, tha se sulmuesi duhet të rifitojë formën e plotë fizike nëse do të rikthehet në skuadër për Kupën e Botës që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Nis dëshminë dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi

Published

on

By

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të hënën ka filluar dëshminë Edmond Nulleshi- në cilësinë e këshilltarit të drejtorit ekzekutiv të shërbimeve të KEK-ut.

Fillimisht, me pyetje për këtë dëshmitar po vazhdon prokurori special Dren Paca, për të vijuar më pas me palët tjera,

Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024. I pafajshëm ai u deklarua edhe në seancën e 3 korrikut 2025.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.

Nga provat e Prokurorisë, thuhet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë. Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.

Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicencuar.

Tutje, thuhet se ZRrE më 19 gusht 2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave KEK kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.

Grupi punues i KEK-ut, ishte pajtuar që të respektonin të gjeturat e raportit të ZRRE-së. “Pavarësisht bindjeve dhe argumenteve të cekura më lartë, KEK do të respektoj përfundimisht qëndrimet e ZRrE-së, si një institucion i thirrur për rregullim të sektorit të energjisë i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, i cili i jep ketë kompetencë. Në këtë rast, KEK do të ndërpresë tregtimin energjisë me tregtarë që nuk prezantojnë licencë apo dëshmi nga ZRrE që e dëshmojnë që nuk kanë licencë meqë janë shtjerrë të gjitha mundësitë me komunikimet që kemi pasur me ZRrE”, thuhet në aktakuzë.

Kjo përgjigje e grupit punues, sipas Prokurorisë nuk ishte dërguar e plotë. Në e-mailin e përcjellë nga Eljas Jashari, thuhet se ishin dërguar vetëm komentet mospajtuese që kundërshtonin të gjeturat e ZRrE-së, duke konsideruar se nuk kishin nevojë për licenca shtesë, meqë të njëjtat ishin të licencuara në shtetet e tyre.

“Sipas përgjigjes së lartcekur rezulton se ZRrE-së nuk i ishin përcjellë qëndrimet e grupit punues të KEK, por qëndrimi personal i Nagip Krasniqit”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, thuhet se edhe nga opinioni i zyrës ligjore të KEK-ut, ku në ‘cc’ ishte edhe vetë i pandehuri Krasniqi, i kishte dhënë të drejtë ZRrE-së, duke e vënë në dijeni të akuzuarin Krasniqi që duhet të respektohet rregullatori pasi është autoriteti shtetëror që ka kompetencë për këtë fushë. Madje, sipas këtij opinioni edhe kur KEK-ka dërguar rastet në Gjykatë, ZRrE ka fituar rastet dhe kërkesëpaditë e tyte janë refuzuar, pasi kompetenca e tyre është përfundimtare për çështjet e energjisë elektrike.

Nagip Krasniqit, sipas aktakuzës i ishte dërguar edhe një e-mail nga Departamenti i Menaxhimit të Tregtimit me Energjinë duke kërkuar nga Krasniqi konfirmimin nëse duhej tregtuar me operatorin “HSE”, duke theksuar se nga përgjigja dërguar ZRrE-se, nënkuptohej se duhej të vazhdohej tregtimi.

I akuzuari Krasniqi ishte përgjigjur “konfirmoj vazhdimin e tregtimit sipas përgjigjes që i është dërguar ZRrE-së”. Si pasojë e kësaj, tregtimi me ketë operator të palicencuar kishte vazhduar deri në pezullimin dhe ndërprerjen përfundimtare të kontratës në maj 2023, përkatësisht gusht 2023.

Me konfirmimin që drejtori operativ, Luigj Imeri kishte kërkuar nga kryeshefi Krasniqi, në këtë korrespodencës, sipas Prokurorisë thuhet se pas përgjigjes së Krasniqit, Anjeta Zeqiri dhe Besa Shatri ishin tallur.

Hahaha ja ke prish tripat”, “Ej qetu Luigji ka pas me dhanë dorëheqje…i paska ra pishman”, ishin replikat në ketë e-mail zyrtar.

Operatori nga Sllovenia thuhet se nuk ishte në listën e kompanive të licencuara e sipas ARBK-së, as e regjistruar si biznes në Kosovë.

Tutje, në aktakuzë bëhet e ditur se pas shkresës se KEK-ut të 7 gushtit 2023, vërtetohet se pas arrestimit të Nagip Krasniqit (për çështje që nuk ndërlidhen me këtë rast), KEK më 19 maj 2023 fillimisht kishte njoftuar “HSE” se po e pezullonte bashkëpunimin për ta njoftuar me vonë se po e shkëpusin kontratën në mungesë të licencës se lëshuar nga ZRRE, duke e njoftuar se në momentin që “HSE” dëshmon posedimin e licencës të lëshuar ose të njohur nga ZRRE, atëherë KEK mund të iniciojë procesin e nënshkrimit të një kontrate të re./BetimipërDrejtësi

Continue Reading

Të kërkuara