Lajmet

Kosova së shpejti me raportim mbi cilësinë e ajrit në kohë reale nga 12 stacione monitoruese në tërë vendin

Published

on

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njofton se Kosova së shpejti do të jetë me raportim mbi cilësinë e ajrit në kohë reale nga 12 stacione monitoruese në tërë vendin.

Përmes një shkrimi në Facebook, IKSHPK-ja njofton se Projekti për cilësinë e ajrit do të sigurojë që të gjithë qytetarët të kenë qasje në informacione të sakta dhe të besueshme për cilësinë e ajrit, të cilat mund të përdoren për përmirësimin e shëndetit dhe zvogëlimin e ndotjes.

“U mbajt konferenca e parë me vendimmarrësit për cilësinë e ajrit, organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) dhe Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK). Mbledhja e të gjithë akterëve kryesorë u bë me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit më të mirë për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend. Me këtë rast, u prezantuan elementet e fushatës përmes së cilave qytetarët do të kenë mundësi që rregullisht të kontrollojnë cilësinë e ajrit, si dhe të jenë në gjendje të marrin vendime në bazë të këtyre informatave të cilat do të jenë aktuale dhe të sakta, të siguruara nga 12 stacione për monitorimin e ajrit në tërë Kosovën”, thuhet në njoftim.

Më tej u bë e ditur se fushata mbarëkombëtare për vetëdijesim për cilësinë e ajrit është planifikuar të fillojë në fund të muajit nëntor në Kosovë me qëllim që të informojë publikun në lidhje me rreziqet ndaj shëndetit të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që duhet t’i ndërmarrin për t’a mbrojtur veten, kështu duke ndryshuar shprehitë e tyre dhe duke bërë përpjekje për të zvogëluar nivelin e ndotjes, veçanërisht gjatë stinës së dimrit.

“Projekti për Cilësinë e Ajrit është një nga investimet tona konkrete për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe modern të të dhënave, për të rritur transparencën e institucioneve dhe komunikimin me publikun. Bashkëpunimi i ngushtë me IKSHPK dhe IHMK po luan rol të rëndësishëm në arritjen e këtij qëllimi”, u shpreh gjatë fjalës hyrëse në konferencë Petrit Selimi, drejtor ekzekutiv i MFK.

Sarah Olmstead, drejtoreshë e Fondacionit të Mileniumit për Kosovë, e veçoi këtë projekt nga të tjerët duke u shprehur “Ky është ndër projektet që më pëlqen më së shumti, jo vetëm që ndërlidhet me projektet e tjera të energjisë, por edhe për faktin që iu mundëson qytetarëve të kenë kontroll mbi nivelin e cilësisë së ajrit dhe të marrin vendime në përputhje me rrethanat”.

“Portali për Cilësinë e Ajrit, aplikacioni mobil dhe nënfaqja e CA në ueb-faqen e IKSHP janë disa nga mjetet interaktive, të zhvilluara nga projekti për cilësinë e ajrit, të cilat do t’i vihen në dispozicion të publikut në masë të madhe, duke iu mundësuar atyre kontrollimin e niveleve të ndotjes së ajrit”.

Antigona Ukëhaxhaj, e vlerësoi lartë mbështetjen që MFK po i ofron IKSHPK-së në kohën kur Kosova po përballet me cilësi shumë të dobët të ajrit. “Përmirësimi i qasjes së qytetarëve në informata të fushës së mjedisit është tejet e rëndësishme në rritjen e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, si dhe në cilësinë dhe zbatimin e tyre”.

Kurse Letafete Latifi, drejtore e Institutit Hidrometeorologjik te Kosovës (IHMK) vlerësoi përfitimin që u sjell projekti për Cilësinë e Ajrit qytetarëve të Kosovës.

“Projektet e tilla sjellin afër njëri tjetrit të gjithë komponentët për të ndihmuar në trajtimin e ndotjes së ajrit, dhe përfitues te këtyre aktiviteteve nuk jemi vetëm ne institucionet e Kosovës nëpërmjet përmirësimit të performancës së punës tonë, por janë të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët në mënyrë të drejtpërdrejt përfitojnë nga çdo hap pozitiv i ndërmarrë në këtë drejtim”, tha ajo./UBTNews

Lajmet

Mbi 100 prokurorë do të mbikëqyrin zgjedhjet e 7 qershorit

Published

on

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial do të angazhohen për mbikëqyrjen e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, me qëllim garantimin e integritetit të procesit zgjedhor në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit, Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe për sigurimin e një procesi zgjedhor të rregullt dhe transparent.

“Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht, Prokurori i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike dhe organizatave që të raportojnë çdo rast të dyshuar për keqpërdorim apo manipulim të votës.

“Ftojmë qytetarët dhe të gjitha palët e përfshira që të denoncojnë çdo rast për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre”, theksohet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

Aktori i Hollywood-it James Handy vdes në moshën 81-vjeçare pas sulmit me thikë

Published

on

Aktori veteran i Hollywood-it, James Handy, ka vdekur në moshën 81-vjeçare pasi u sulmua me thikë për vdekje në shtëpinë e tij në Tarzana të Los Angelesit, ka raportuar The Guardian.

Sipas Policisë së Los Angelesit (LAPD), Handy është gjetur pa ndjenja në oborrin e shtëpisë së tij me plagë të shumta në kraharor.

Për rastin është arrestuar 44-vjeçari Michael Gledhill, djali i partneres së aktorit, i cili jetonte në të njëjtën shtëpi me nënën e tij dhe viktimën. Ai po hetohet për vrasje.

Sipas autoriteteve, personi që kishte telefonuar në numrin emergjent 911 ka deklaruar: “Unë jam biri i njeriut, sapo e vrava njeriun e mëkatit”. Ndërkohë, i dyshuari më vonë u ka thënë policëve: “Jam personi që po kërkoni”, kur ata mbërritën në vendngjarje.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari banonte në këtë adresë së bashku me nënën e tij, e cila ishte partnerja e viktimës.

James Handy ka lindur në New York dhe ka ndërtuar një karrierë që ka zgjatur pothuajse pesë dekada. Ai është bërë i njohur për role në filma si “Jumanji”, “Logan” dhe “Top Gun: Maverick”, si dhe në seriale të njohura si “Law & Order”, “NCIS: Los Angeles” dhe “Criminal Minds”.

Karrierën e nisi në vitin 1977 me serialin “Ryan’s Hope”, ndërsa paraqitja e tij e fundit në film ishte në vitin 2022 me “Top Gun: Maverick”.

Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se hetimet për motivin e ngjarjes vazhdojnë.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu takohet me kryeministrin çek, i kërkon mbështetje tutje për Kosovën

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në margjinat e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, u takua me kryeministrin e Çekisë, Andrej Babish, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Çekia i ka dhënë Kosovës në shtetndërtim, në proceset euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.

Presidenca njoftoi se në takim u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës dhe për rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit.

Haxhiu kërkoi mbështetjen e Çekisë edhe për hapat e ardhshëm të Kosovës, përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe ecjen drejt statusit të vendit kandidat.

“U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh Çekinë si partnere të rëndësishme edhe në fushën ekonomike, me mundësi të reja bashkëpunimi në energji, teknologji të gjelbra, inovacion, digjitalizim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri të avancuar”, u njoftua nga zyra.

Continue Reading

Lajmet

FSK realizon ushtrimin fushor “Ujku i Pamposhtur 01” në Gjakovë dhe Babaj të Bokës

Published

on

Në kuadër të ngritjes dhe avancimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Komanda e Forcave Tokësore dhe njësi të kombinuara, përfshirë togun e IVR-së, Kompaninë Mbështetëse të RML-së, togjet e Komandës së Logjistikës dhe Policisë Ushtarake, kanë realizuar ushtrimin fushor validues “Ujku i Pamposhtur 01”.

Ushtrimi është zhvilluar në zonat e Aeroportit të Gjakovës dhe Babaj të Bokës.

FSK ka publikuar edhe fotografi nga ushtrimi përmes një postimi në Facebook.

Sipas njoftimit, qëllimi i ushtrimit ishte validimi i aftësive operacionale, rritja e gatishmërisë luftarake, forcimi i koordinimit ndërmjet njësive si dhe zhvillimi i kapaciteteve për përmbushjen e detyrave në përputhje me standardet më të larta profesionale.

Continue Reading

Të kërkuara